KQZ teston zyrtarisht numërimin elektronik, votat e kontestuara, në dorën e komisionerëve

0
2774

Florenc Drizari

kqzZgjedhjet e 23 qershorit, KQZ teston numërimin e votave për Qarkun e Fierit

Ambasadori i OSBE-së: Procesi garantoi transparence në numërimin e votave

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve testoi zyrtarisht një ditë më parë procesin e numërimit të votave për Qarkun e Fierit, pas testit të parë informal të zhvilluar në datën 9 prill. Administrata e KQZ-së në bashkëpunim me firmën e spanjolle INDRA, e cila ka marrë përsipër zhvillimin e këtij procesi, testuan dje në palestrën e shkollës nëntëvjeçare në kryeqytet “Hasan Prishtina”, rreth 700 fletë votimi. Testi u bë në prani të trupës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ambasadorit të OSBE në Tiranë Eugen Wolfarth, përfaqësuesve të kompanisë dhe atyre të partive politike. Sipas vendimit të mëparshëm të KQZ-së, për këtë proces do të përdoren 6 mijë fletë votimit, ndërkohë që gjatë testimit të djeshëm që u mbajt edhe në prani të mediave, rreth 46 fletë votimi rezultuan të palexuara nga skaneri, duke i nxjerrë si fletë të kontestuara. Ndërkaq, vlefshmëria e fletëve të kontestuara do të bëhet në duart e komisionerëve në grupet e numërimit të votave duke përligjur kështu edhe njëherë numërimin manual në proces. Por një tjetër shqetësim gjatë testit të djeshëm duket se mbetet sërish numri i lartë i partive politike që do të garojnë në zgjedhjet e 23 qershorit, ku sipas një vendimi të disa javëve më parë të KQZ-së, numri i tyre në fletën e votimit nuk duhet të kalojë më shumë se 42 parti. Tejkalimi i këtij numri do të thotë që skanerët e kompanisë INDRA nuk do mund ta lexojnë vullnetin e shprehur nga votuesit duke e bërë të pavlefshëm votën dhe rrezikuar procesin e numërimit në tërësi. Aktualisht numri partive politike që mund të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 qershorit ka shkuar në 65 subjekte.

AMBASADORI I OSBE-SË

Ambasadori i OSBE në vendin tonë, Eugen Wollfarth, e cilësoi si një pikënisje të mirë testin e numërimit të votave për administratën e KQZ-së. “Ky është testimi i parë publik është shumë i rëndësishëm për njerëzit publikun. Dhe në fakt kjo përzgjedhje dhe simulimi i anëtarëve të KQZ, kjo tregon përpjekjen për një punë sa më të mirë në zgjedhjet e 23 qershorit”, – tha ai në një prononcim për mediat.

Ai vijoi me tej duke thënë se procesi në tërësi mbetet ende për t’u parë sesa produktiv do të jetë dhe për këtë duhet ndjekur hap pas hapi. “Testimi do të vazhdojë dhe më pas gjatë gjithë ditës dhe kjo është në përgatitje solide e KQZ për të pasur zgjedhje sa më të mira. Kam përshtypje të mirë për atë që po zhvillohet sot këtu dhe besoj se do rrisë besimin e publikut në këtë proces zgjedhor”, – deklaroi Wollfarth.

Për numërimin elektronik në Qarkun e Fierit është parashikuar që në datën 8 qershor të realizohet testi i parë i përgjithshëm me sistemin elektronik të numërimit të votave. Më pas, procesi më i vështirë do të jetë prodhimi i fletës së votimit që është parashikuar në realizohet më datë 9 qershor. Pas kompozimit të modelit të fletës, modeli do të dërgohet për t’u përgatitur në Spanjë dhe është planifikuar që ky proces të zgjasë dy ditë. Nga data 10 qershor deri në 12 qershor, kompania dhe KQZ do të marrë nga kompania INDRA fletët e vërteta, dhe një ditë është parashikuar të zgjasë vetëm procesi i zhdoganimit. Prodhimi i modelit të fletës së votimit që do të përdoret në qarkun e Fierit, do të jetë dhe “pika e dobët” e procesit të numërimit, pasi në fletën e votimit nuk duhet të jenë më shumë se 46 subjekte zgjedhore. Po ashtu, fleta alternative mund të përmbajë jo më shumë se 66 subjekte zgjedhore. Fletët do të dërgohen në vendet e votimit në Fier më datë 14 qershor, ndërsa më 22 qershor do të bëhet zerimi i sistemit, një ditë para votimit.

 

 

KQZ mblidhet nesër për votimin në qendrat private

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të marrë në shqyrtim ditën e hënë projektvendimin për miratimin e qendrave të votimit në ndërtesa private, ndërkohë që po ditën e hënë priten zhvillime të reja për iniciativën e grupit parlamentare të PD-së, për lirimin e anëtarit të LSI-së në KQZ, Ilirjan Muho. Mbledhja e KQZ-së prite të mbahet nesër në orën 11:30, ndërsa në rend të ditës do të jenë këto vendime: 1. Shqyrtimi i Projekt-vendimit: “Për regjistrimin e Komitetit Nismëtar i cili do të organizojë punën për paraqitjen e zotit Aziz Jata si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në Zonën Zgjedhore Tiranë, për zgjedhjet për Kuvendin të datës 23.6.2013”. 2. Shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e disa qendrave të votimit në ndërtesa private, për zgjedhjet për Kuvend të datës 23.6.2013”. 3. Shqyrtimi i projektudhëzimit “Për disa shtesa dhe ndryshime të udhëzimit nr. 8, datë 25.3.2009 “Për miratimin e kritereve dhe procedurave për përzgjedhjen dhe emërimin e ekspertëve kontabël të licencuar për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për fushatën zgjedhore”.

 

 

Ilirjan Muho: Nuk dorëhiqem, jam betuar në Kuvend

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i shumë diskutuar ditët e fundit, Ilirjan Muho deklaroi sot se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Ai tha se është në ushtrim të plotë të kompetencave të tij ligjore dhe kushtetuese. “Ju them se unë jam anëtar i KQZ, para fillimit të detyrës kam bërë betim për profesionalizëm, për zgjedhje transparente ne Kuvend. Nuk jap dorëheqjen se jam në ushtrim dhe funksion të detyrës sime”, – tha Muho jashtë ambienteve ku po zhvillohet testimi i numërimit elektronik të votave nga KQZ dhe firma spanjolle INDRA. Në deklaratën e tij për mediat, Ilirjan Muho shmangu komentet politike mbi iniciativën e ndërmarrë disa ditë më parë nga PD- për lirimin e tij nga detyra e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Nuk mund të bëj deklarata politike për subjektet politike, këto janë komente dhe deklarata që për shkak të funksionit që kryej nuk mund të bëj komente. Jam anëtar i KQZ. Është i vërtetë fakti se jam kandidaturë për LSI, por në momentin e përzgjedhjes së kandidaturës sime gjeti mbështetje dhe tek mazhoranca e asaj kohe. Pas seleksionimit të kandidaturave u paraqit kandidatura ime dhe në fillim të detyrës u betova para Kuvendit për punën time. Hiqem nga ligji dhe vetëm nga ligji”, – tha Muho. Tri ditë më parë Komisioni i ligjeve e pranoi kërkesën e Partisë Demokratike, duke kërkuar nga Kuvendi që të fusë në seancën plenare të radhës diskutimin për lirimin nga detyra të Anëtarit të KQZ, Ilirian Muho.

 

Manjani: Mazhoranca të reflektojë për lirimin e Ilirjan Muhos nga KQZ-ja

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi një ditë më parë që mazhoranca të reflektojë për iniciativën e kësaj të fundit për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ, Ilirjan Muho. Në një konferencë për mediat, nënkryetari i kësaj partie, Ylli Manjani, bëri thirrje për Kryeministrin që të lënë KQZ-në të bëjë punën në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje politike. “Asnjë prej 7 anëtarëve nuk është përfaqësues i asnjë prej partive në vend. Është përpjekje për të dhunuar politikisht KQZ, kjo është arsyeja që na ka bërë ne si LSI, opozitën, ndërkombëtarët të ngremë këtë shqetësim. Është e paligjshme, s`është standard zgjedhor, as ligjor, është një dhunë e hapur e një pseudomazhorance, që do jetë e tillë edhe për pak ditë. Jemi të shqetësuar për qëndrimin kokëfortë të Kryeministrit për të mos ndalur dhunimin e KQZ edhe pas reagimit të DASH, gjasme për të vendosur balancën, ku s`mund të flitet për diçka të tillë, por vetëm për respektim ligji. Të paktën të bëjë durim deri në 23 qershor, kur do të përcaktohen dhe koalicionet. U bëjmë thirrje forcave të arsyeshme në politikë, të kthejmë logjikën normale, të lënë KQZ të bëjë punën, në mënyrë që zgjedhjet të bëhen si duhet”, – deklaroi Manjani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency