Si mund te zgjidhet kriza e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

0
145

Artan Fuga

fugaDitët e fundit, politika dhe analistët e mediave po debatojnë me orare të zgjatura se si do të bëhet kompozimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe i komisioneve të tjera zonale.

Nga lindi ky debat që dukej se nuk do të kishte pasur rastin të bëhej meqë u duk sikur partitë ishin marrë vesh që do ta organizonin Komisionin sipas përbërjes politike të anëtarëve të tij?

Dalja e LSI nga koalicioni me Partinë Demokratike dhe lidhja e një aleance të re me Partinë Socialiste bëri që anëtarët e komisioneve elektorale të mos përfaqësonin më raportin aktual të partive në garën e tyre elektorale.

Partitë opozitare, sidomos LSI, tani proteston sepse privohet nga përfaqësuesit e vet, kurse Partia Demokratike kërkon që anëtari i LSI të mos quhet më si pjesë e koalicionit qeveritar, pra të zëvendësohet me të Partisë Republikane.

Tri pyetje themelore shtrohen, pra.

E para, përse u krijua kjo krizë e re dhe cilat janë kostot e saj?

E dyta, kush ka të drejtë në debatin që po bëhet?

E treta, si mund të zgjidhet ajo?

Le t’i marrim me radhë e sira.

Komisionet u kompozuan si strukturë përpara sesa të përfundonin të gjitha aleancat dhe koalicionet politike elektorale. Pra, nga njëra anë u mendua se mund të formoheshin komisionet elektorale përfundimisht dhe nga ana tjetër u konsiderua se peizazhi politik elektoral do të qëndronte deri në fund të pragfushatës elektorale ai që kishte pas qenë. Pra, u konsiderua sikur LSI do të qëndronte në aleancë me Partinë Demokratike dhe forcat e tjera të djathta. Ky ishte një gabim ku ranë të gjitha partitë. Ndoshta kjo ndodhi edhe për shkak se edhe afatet ligjore për shpalljen e kompozimit strukturor të komisioneve elektorale kërkonin nxitim.

Mirëpo çfarë ndodhi?

Koalicionet ndryshuan, mund edhe të presim ndryshime apo radhitje të tjera te reja politike edhe nga çasti në çast çka përsëri do ta bënte gjendjen edhe më të vështirë edhe më të ndërlikuar sesa tani.

Po kush ka të drejtë në debatin që po bëhet?

Nga njëra anë politikanët opozitarë, analistët e tyre si edhe mediat pranë tyre theksojnë se po prishet përsëri përbërja e komisioneve elektorale ndërkohë kur sipas ligjit emërimet e tyre konsiderohen se janë për afate disavjeçare. Preket statusi i nëpunësit i anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor etj.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partive në qeverisje, mediat dhe analistët e tyre mendojnë ndryshe. Përderisa, komisionet elektorale në parim dhe sipas ligjit duhet të reflektojnë raportet mes partive në koalicionet përkatëse, atëherë logjikisht ndryshimi i tyre duhet të sjellë edhe riemërime në anëtarët e komisioneve zgjedhore.

Kush ka të drejtë?

Nuk besoj se ka ndonjë jurist që ta zgjidhë këtë paradoks dhe këtë problem që çfarëdo përgjigjeje t’i japësh përsëri je në gjysmë të vërtetë te sforcuar. Pala e parë mbron formalitetin e ligjit, pala e dytë mbron logjikën e ligjit. Formaliteti, aq i rëndësishëm në një ligj, kundërvihet ndaj frymës së ligjit, jo më pak e rëndësishme sesa karakteristika e parë.

Jam i bindur se sado që të argumentojnë asnjëra palë nuk do të mundi ta bindë tjetrën apo opinionin publik. E kanë fare kot, sipas meje, dhe tregojnë anshmërinë e tyre ata juristë që marrin këtë anë apo atë anë, sepse e drejta është përgjysmë në të dy anët kontradiktore politike. Politika dhe drejtësia, arsyetimi politik dhe arsyetimi juridik, nuk përputhen me njeri tjetrin.

Puna është se ky debat që po bëhet ka pasoja të rënda mbi sistemin dhe rezultatin elektoral si edhe mbi të gjithë jetën politike në vend.

E para, sepse e fut opinionin publik përsëri në një debat procedural pa anë e pa fund dhe në vend që të debatohet për platformat politike të partive në garë elektorale, debatohet ende pas njëzet vjetësh për çështje procedurale. Qytetari është mërzitur tani prej kësaj strategjie zëvendësimi të politikës nga proceduraliteti juridik.

E dyta, koha televizive zihet me probleme formale juridike që elektorati nuk i njeh, dhe nuk hyhet në përmbajtje të problemeve të vendit. Në fakt kjo i kënaq ca media dhe analistë sepse kanë grurë të butë dhe pa fund të grumbulluar për të shirë në mokrat e mullinjve të arsyetimeve të tyre shpesh retorike, dhe për më tepër për një problem që dihet se nuk ka zgjidhje. E thashë, në këtë çështje e vërteta juridike ndodhet në të dy anët e palëve politike, përgjysmë në çdo anë.

E treta, sido që të zgjidhet ky problem, ai do të ketë pasoja qysh tani në besueshmërinë e procesit elektoral dhe në rezultatet e votimit. Po qe se Partia Demokratike nuk do të ketë aq komisionerë sa mendon nga koalicioni i djathtë, sigurisht se do të të thotë, në rast të keq, që votat janë manipuluar. Po qe se LSI nuk do të ketë komisionerët e vet, atëherë kjo parti si edhe koalicioni i majtë do të thotë, në rast t ë keq, se nuk e njeh rezultatin e votimeve.

Kjo dëshmon sesa pak i besojnë partitë politike njëra-tjetrës dhe komisionerëve në instancat e numërimit të votave. Krizat të tjera fshihen pas saj sepse komisionerët në rastet e nxehta do të krijojnë probleme për njeri tjetrin.

Do të jenë si te filmi “Ballë për ballë” kur palët do të kontrollojnë njëra-tjetrën me mosbesim absolut ndonëse që të gjithë do të jenë shqiptarë. Ku shkoi? Çfarë takoi? Ku e çoi fletën e votimit? Atmosferë e ndezur pritet që të jetë në qendrat e votimit, sikurse paralajmëron debati i tanishëm.

Kjo do të thotë se edhe po u zgjidh kjo krizë e tanishme, nesër pasnesër, çdo parti e madhe që do të dojë të tërheqë komisionerët e vet, mund ta dëmtojë procesin e votimit.

E gjitha kjo krizë e tanishme dëshmon se organizmat e shtetit ligjor, në këtë rast komisionet elektorale nuk mund të ndërtohen mbi bazën e multipartitizmit që është një multipolitizim i tyre. Duhet kuptuar njëherë e mirë dhe përfundimisht se paanësia e shtetit ligjor dhe multipartitizmi i organizmave shtetërore nuk kanë asgjë të përbashkët. Administrata e shtetit dhe organet e tij nuk mund të ndahen si torta e Pallatit të Kulturës midis partive politike. Nuk mund të ndahet shteti sipas partive sepse kthehet në një shtet militantësh. Shteti është mbi partitë dhe jo i copëzuar sipas partive.

Arsyetimi është fare i thjeshtë: nëse partitë përçahen aq saqë të mos jenë bashkëpunuese me njëra-tjetrën atëherë edhe shteti copëtohet dhe bllokohet ashtu sikurse edhe komisionet elektorale apo KKRT.

Pastaj, kush do ta përfaqësojë qytetarin pa parti në numërimin e votave nëse komisionet elektorale janë vetëm multipartiake? Kuptohet se këtu ne kemi një diskriminim të qytetarit apo të partive të vogla dhe të atyre jashtëparlamentare në krahasim me partitë e mëdha të skemës politike shqiptare.

Ajo që të habit është se si është e mundur që drejtues të institucioneve që përfaqësojnë organizma evropianë në Shqipëri pajtohen me ndarjen parcelore të komisioneve elektorale ndërkohë në vendet e Bashkimit Evropian logjika e shtetit partiak dhe e politizimit të komisioneve elektorale është krejtësisht e tejkaluar.

Por, si mund të zgjidhet kriza e tanishme?

Disa thonë të zëvendësohet anëtari i LSI në komisionet elektorale, kurse disa të tjerë thonë se nuk duhet të zëvendësohet.

Problemi, sipas meje, shtrohet gabim, asnjëherë ai nuk do të zgjidhet po u shtrua kështu. Kush e shtron gabim një problem, nuk e zgjidh kurrë si duhet atë. Nuk është zgjidhje ajo që mbetet brenda natyrës shumë-partizane të komisioneve elektorale, por:

a. – të krijohen komisione elektorale të pavarura nga partitë,

b. – me status nëpunësi civil për anëtarët e tyre

c. – duke nisur nga një nivel i caktuar kulturor dhe formimi qytetar e juridik,

c. – dhe sipas funksioneve që do te delegohen nga institucionet e pushtetit lokal (pavarësisht se cila parti apo koalicion partish i kontrollon) ose të gjyqësorit apo të atij qendror,

d. – si edhe me një shumicë qytetare, figura të besueshme, me përgjegjësi juridike në ushtrimin e detyrave të tyre,

e. – sipas një ndarjeve të komisioneve (qendrore dhe zonale) në tre pjese përbërëse: regjistrim votuesish, administrim i procesit zgjedhor dhe numërues të votës,

f. – nën monitorimin e fortë të partive politike, të qytetarëve, të shoqërisë civile, si edhe të vëzhguesve të huaj,

g. – nën presionin e përgjegjësisë penale, ardhur nga sistemi i drejtësisë për çdo shkelje të vërtetuar nga gjykatat e tre shkallëve (dhe jo nga gjykata ad hoc).

Vetëm kjo zgjidhje garanton besueshmërinë e rezultateve në zgjedhjet e ardhshme, dhe i jep vendit shumicën qeverisëse me legjitimitet të fuqishëm.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency