Konventa “Më shumë mbështetje për fermerët” Berisha: 20% e TVSH-së që hoqëm për prodhimet bujqësore, ua kthejmë fermerëve

0
121

Ina Jano

fermeretKryeministri në konventën e demokratëve, duke dhënë vlerësimet më të larta për fermerët, i cilësoi ata si kujdestarët e Zotit mbi tokë dhe premtoi trefishim të granteve të qeverisë në mandatin e ardhshëm

 

Për rreth 40 minuta Kryeministri Berisha u është drejtuar me fjalën e tij të gjithë fermerëve të Shqipërisë nga konventa e PD-së, duke u dhënë edhe një herë shembullin se mendimet dhe opinionet e tyre mishërohen në programin qeverisës për katër vitet e ardhshme. E tillë ishte dhe deklarata e tij e së premtes, se 20-përqindëshi i TVSH-së se hequr për prodhimet bujqësore do t’u kalojë tërësisht fermerëve. Me këtë nismë dhe vendim, që Berisha tha se u mor paraditen e djeshme, praktikisht fermerët jo vetëm që nuk do të paguajnë 20 për qind të taksës për vlerën e shtuar, por përkundrazi, kjo do të jetë një shumë që do të futet në xhepat e tyre. “Ne vendosëm në një akt madhor të heqim çdo taksë, çdo tarifë mbi çdo import, mbi çdo gjë që fermerët shqiptarë e përdorin për rritje të prodhimit. Fermerët e pritën shkëlqyeshëm, por tre ditë më parë në Gorican një i ri i kthyer nga emigracioni më tha se ka mbjellë 2 dynymë sera dhe problemi është çmimi i lartë i plehrave kimike dhe këto 20 për qind TVSH që e hoqët, na e ktheni ne. Këtë e kërkuan dhe fermerë të tjerë. Sot me nj grup ekspertësh dhe ministrin e Financave vendosëm të bënim realitet kërkesën e tyre. Njëri nga specialistët më thotë: Si do t’ia bëjmë, sapo e votuam në Parlament? Në Parlament votuam që ajo TVSH t’u mbetet atyre, nëse nuk e llogaritëm mirë, tani do zbatojmë kërkesën e tyre dhe do çojmë javën tjetër në Parlament për t’ua dhënë atyre në dorë”, – theksoi kreu i qeverisë.

Ky i fundit gjatë referimit të tij, përpara të gjithë delegatëve dhe demokratëve që kishin tejmbushur sallën e Pallatit të Kongreseve, tha se respekti për fermerin është në nivelin më të lartë, ndërsa tha se falë djersës së tyre të gjithë përfitojnë. “Zoti ditën e diel hodhi sytë poshtë drejt parajsës që kishte krijuar dhe tha: Më duhet një kujdestar dhe kujdestari i tij është fermeri, ai që ruan tokën, mjedisin, qëndis kodrat, arat. Puna e tyre nuk mbaron kurrë. Nëse ne i mbyllim zyrat, ata janë në punë deri në rrezet e fundit të hënës”, – vlerësoi Kryeministri. Berisha nënvizoi: “Ne kemi shumë për të bërë, do bëjmë gjithçka për t’i shpërblyer me ato meritojnë, atë që bëjnë për shoqërinë tonë. Mos harroni se në fytyrat e tyre shfaqen rrudhat dhe kërrusja për shkak të mundimit, por rrudhat janë vula e zotit për punën e tyre të bekuar. Këto kohë kemi hartuar programin e 4 viteve që vijnë me ekspertë, specialistë e akademikë të shkëlqyer. Por jemi konsultuar edhe me fermerët të cilët na dhanë mendimet më të vyera për mandatin e ardhshëm”. Për Berishën mandati i ri do jetë i rrugëve të pashtruara, energjisë e ujësjellësve. “Do bëjmë gjithçka që çdo fshat të ketë infrastrukturën e lagjeve në qytet. Pak vite më parë ata përjetonin errësirat e zgjatura, ne i ndaluam ato, garantuam furnizimin me energji, ata janë zhvilluar aq shumë sa drita që ju çojmë ne është e zbehtë. Jam këtu për t’u zotuar se 4 vitet që vijnë çdo fshat shqiptar do llamburitë nga dritat njësoj si lagjet e qyteteve tona. Ne kemi ndërtuar 8 mijë km rrugë. Unë dua t’i garantoj fermerët se tapetet e kuqe ku kaloj s’do më bëjnë të mos shoh gropat pranë tyre për të asfaltuar çdo km rrugë të mbetur, mandati i ardhshëm garanton përfundimin e infrastrukturës moderne, vrapi im s’do ndalet kurrë deri sa fëmijët e tyre të ulen në të njëjtat shkolla si fëmijët e qytetit, vrapi s’do ndalet kurrë deri sa të garantojmë ujë të rrjedhshëm për çdo fshat. Sukseset nuk na pengojnë të shohim vështirësitë”, – përfundoi fjalën kreu i PD-së, referat që u ndoq në këmbë nga pjesëmarrësit dhe u ndërpre disa herë për shkak të duartrokitjeve të publikut.
Beci: 3.8 mld dollarë për rrugët në 6 vjet

“PD në 2009 premtoi se do të përmirësonte jetën në rrugët rurale. Premtuam se do të krijonim më sh punësim. Kemi lidhur mbi 900 fshatra me qendrat e komunave. Jemi të vetëdijshëm se infrastruktura është jetike për jetën e qytetarëve. Akoma më shumë punë ka për t’u bërë. Në letër këto shifra nuk d.m.th. shumë gjë. Ky vizion ka inkurajuar punësimin dhe rroga më të mira. Akses të plotë dhe më shumë para në xhepat e banorëve. Fëmijët do të kenë arsim më dinjitoz dhe më sh mundësi biznesi dhe më shumë vizitorë. Më shumë kohë më familjen dhe më pak kohë në rrugë. Nga 2006 deri në 2012, 3.8 miliardë dollarë për rrugët. Këto janë rrugët drejt fitores dhe rrugët drejt ndryshimet”.

 

 

Bode: Prodhimet shqiptare janë rritur 30%

Konventën e PD-së e ka përshëndetur edhe ministri Bode, i cili theksoi rëndësinë e zhvillimit të zonave rurale në Shqipëri, duke i quajtur ato shpirtin i këtij vendi. “Kur zhvillohet Shqipëria rurale nuk ka rëndësi ku jeton gjithsecili. Të gjithë shqiptarët meritojnë një punë më dinjitoze, fermerët janë pjesa e kombit që siguron mirëqenien me sakrifica të mëdha, ata falin dashuri dhe përkujdesje për produktin e tyre, kultivojnë jetë bimësh dhe gjënë e gjallë. Ne besojmë se zonat rurale janë shpirti i këtij vendi, kur fshatrat dhe komunat tona zhvillohet mbarë Shqipëria zhvillohet”, – u shpreh Bode. Ministri nënvizoi se nën qeverisjen demokratike, fshati dhe fermerët janë zhvilluar. Fermat kanë rritur prodhimet e tyre dhe janë bërë më konkurruese falë investimeve të qeverisë. “Ndryshimi fillon nga një gjë e thjeshtë siç është një rrugë, që për ta është lidhje me tregun. Rrugët janë arteriet ku rrjedh mundi i fermerët. Ne nuk ramë në krizë, bujqësia ishte pjesa më vitale përgjatë krizës, në 4 vitet e fundit është rritur 2 herë më shpejt se mesatarja e ekonomisë. Fermat kanë rritur prodhimin me 30%, produktet janë bërë më konkurruese dhe më të kërkuara. Fermerët nuk do paguajnë asnjë qindarke tatim për imputet në bujqësi, për farërat, asnjë qindarkë për makineritë që modernizojnë bujqësinë, kemi lehtësuar taksimin. Ne sot (dje) jemi këtu, për të mbështetur fermerët, të punojmë për zhvillimin e Shqipërisë rurale, kur ka ajo sukses të gjithë kemi sukses, kur ajo ndryshon e gjithë jeta e shqiptarëve ndryshon”, – tha Ridvan Bode.

 

 

Blegtorët e fermerët: Kemi ecur falë granteve të qeverisë

Fermerë dhe blegtorë të shumtë për të treguar eksperiencën e tyre folën në konventën e PD-së. Ata ndanë me të pranishmit, hapat sesi nga mbarështimi i pak gjedhëve, sot kanë arritur të kenë ferma të mëdha, ose nga kopshte të mbjella, kanë kaluar në sera të cilat për më tepër prodhojnë bio. Fermerët me kënaqësi u shprehën se të gjitha këto që ata kanë arritur nuk do të ishin bërë të mundur pa mbështetjen e qeverisë, e cila nëpërmjet granteve i ka dhënë një hov të ri biznesit të tyre. Ata thanë se kjo ishte një nga format më të mira të mbështetjes, pasi paratë shkonin drejt e në xhepat e tyre, duke shmangur të gjitha hapat e tjerë burokratë të panevojshëm. Ilirjani, Yzeiri, Dashi dhe të tjerë si ata u shprehën të lumtur për krahun e fortë që kanë gjetur tek shteti.

 

 

Patozi: Rama thotë jo kundër çdo ndryshimi

Në konventën e demokratëve fjalën e ka marrë edhe numri dy i selisë blu. Gjatë fjalës së tij, zoti Patozi duke akuzuar Ramën tha se ai thotë jo për të gjitha ndryshimet, duke përfshirë këtu edhe grantet e fermerëve. “Thellë-thellë ai e urren fshatin sepse i ka konsideruar si injorantë që votojnë Saliun. Për të marrë hak i ka detyruar deputetët që të votojnë kundër çdo ndryshimi. Shqipëria është një dhe e pandarë. Kur goditet një pjesë e saj, pasojat janë për të gjithë. Strategjia e tij elektorale e vetme për të sjellë rrënimin e shkollave dhe për të ulur prodhimin e fermave. Por për të kjo ka pak rëndësi. Sepse Rama ka një axhendë tjetër personale”, – pohoi nënkryetari i grupit parlamentar. Po ashtu Patozi tha se politika është përkushtim për të rritur cilësinë e jetës dhe në këtë drejtim premtoi se PD do të vijojë të punojë me të njëjtën ritëm për të rritur në nivelin e duhur fshatin shqiptar.

 

Topalli: Kemi lidhur fshatin me ekonominë botërore

Kryetarja e Kuvendit, Topalli, e vuri theksin në arritjet e kësaj qeverie për përmirësimin e kushteve të jetesës në fshat. Sipas Kryeparlamentares, me punën që qeveria Berisha ka bërë në këto tetë vjet, jo vetëm që e ka nxjerrë fshatin nga izolimi, por nëpërmjet shërbimit të interneti falas në të gjitha pikat e postës shqiptare e ka lidhur atë me botën. Topalli theksoi se zhvillimi i fshatit është zhvillimi i Shqipërisë. “PD ka punuar fort gjatë këtyre viteve, por ka dhe shumë për të bërë dhe kjo do të realizohet gjatë katër viteve të ardhshme. Ne duam t’i trajtojmë njësoj të gjithë qytetarët e këtij vendi, pavarësisht se ku banojnë. Ne e dimë se çfarë duhet bërë tjetër dhe ne do ta bëjmë këtë gjatë 4 viteve të fundit. Zhvillimi i fshatit është zhvillimi i Shqipërisë, në jemi ndryshimi përpara, përpara, përpara”, – përfundoi Topalli.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency