Granti i bizneseve 1 milion euro, si përfitojnë të rinjtë nën 35 vjeç

0
152

bashki“Në Këshillin Bashkiak ne miratuam një paketë kushtesh për të përzgjedhur një bankë, e cila duke marrë 1 mln euro nga Bashkia e Tiranës si fond garancish, do të bëjë të mundur kreditimin e të rinjve të Tiranës për të hapur bizneset e tyre”, – tha Basha

 

Tiranës do t’i shtohen edhe 30 biznese të vogla, të të rinjve sipërmarrës që kanë përfituar nga një grant prej 2500 dollarësh nga bashkia e kryeqytetit. Nisma është pjesë e një projekti me Bankën Botërore, nëpërmjet të cilit bashkia do të ofrojë mbështetje për rreth 353 të rinj që të marrin një profesion dhe të hapin një biznes të ri. Kryebashkiaku Lulzim Basha u shpreh se do të ndiqen politika stimuluese për të zhvilluar ekonominë e vendit, por edhe për t’u dhënë mundësi të rinjve që të vetëpunësohen.

Punësimi

“Vetëpunësimin, krijimin e bizneseve të reja të vogla, konsolidimin e atyre që ekzistojnë. Dhe kjo vlen për çdo grupmoshë. Punësimi i të rinjve të qytetit të Tiranës që dëshirojnë të hapin bizneset e tyre, ta bëjnë këtë me sa më pak pengesë. Për këtë arsye para dy netësh në Këshillin Bashkiak ne miratuam një paketë kushtesh për të përzgjedhur një bankë e cila duke marr 1 mln euro nga Bashkia e Tiranës si fond garancish, do të bëjë të mundur kreditimin e të rinjve të Tiranës për të hapur bizneset e tyre”, – tha Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës. “Ne jemi të prirë të zgjedhim atë bankë që ofron kushte më të mira, jo për ne, jo për Bashkinë e Tiranës, sepse të jeni të sigurt që ky është hapi i parë sa i përket asaj që ne jemi gati të bëjmë për këtë objektiv të rëndësishëm. Hapa të tjerë do të pasojnë, deri tek falja totale e interesave, pse jo edhe e shumave fillestare nëse bizneset provohet të jenë të suksesshme tre vite me radhë por ne kërkojmë një partneritet serioz. Fondi është 1 milion euro dhe ne kemi të gjithë arsyet që të presim që ky fond të rritet, me kontribute të fondeve partnere, të Bashkisë së Tiranës, të qeverisë dhe të personazheve të tjerë, në këtë sfidë të rëndësishme siç është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik”, – theksoi z. Basha. Kryebashkiaku Basha theksoi se ky është vetëm njeri ndër hapat e shumtë që Bashkia e Tiranës ka hedhur gjatë kësaj kohe, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe punësimit në Tiranë. “Në këto 20 muaj, ne kemi hedhur disa hapa për të provuar se përkushtimi ynë për një klimë më të mirë të biznesit, për zhvillimin ekonomik me ritme të kënaqshme dhe krijimi i vendeve të punës për t’ju përgjigjur dinamikës së kërkesës, veçanërisht siç thashë të të rinjve në Tiranë janë prioritet tona kryesore. Kemi ulur taksat, kemi eliminuar tarifat, kemi themeluar dhe funksionon qendra me një ndalesë për leje dhe licenca, kemi vendosur një partneritet me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë të shumanshëm, por që veçanërisht në fushën e afrimin të punëdhënësve me punëkërkuesit ka rezultuar në 1000 vende të reja pune të hapura gjatë një viti. Nga pikëpamja e sasisë së ndërhyrjes që ne bëjmë si qeverisje vendore, kjo e sotmja shënon padyshim kulmin. Kjo shenjë e qartë, ky simbol i vullnetit të Bashkisë së Tiranës i shprehur tashmë jo me fjalë por me vepra, me para përkthehet në një gjenerator vetëpunësimi, në një gjenerator ndërmarrjesh të reja të hapura në qytetin e Tiranës”, – u shpreh Kryebashkiaku Basha.

Bizneset

Një nga të rinjtë e interesuar për këtë fond, Erion Kosovrasti solli përvojën e përpjekjeve të tij pa rezultat, për të marrë një kredi për hapjen e një biznesi. Nisur nga kjo eksperiencë, ai e cilëson nismën e bashkisë një mundësi të madhe për të gjithë ata që kanë një projekt biznesi. “Unë kam bërë disa aplikime nëpër banka për të marrë një kredi dhe mundësia e marrjes së kësaj kredie ishte shumë e vështirë, pasi kolaterali ishte i lartë dhe gjithashtu interesat ishin të papërballueshme. Ideja e biznesit tim është një biznes shumë i thjeshtë dhe do të mundësojë shkëmbime kulturore për studentët, për studentët shqiptarë në vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në Angli dhe tani që ky fond është miratuar, pres me padurim që të lëvrohet”, – tha z. Kosovrasti. Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave dhe drejtues i BKT, Seyhan Pencabligil, e ka cilësuar shumë të rëndësishme këtë nismë të Bashkisë së Tiranës, pasi grupi të cilit i adresohet është shtylla e ekonomisë së Shqipërisë. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë nevojë për stimuj, gjë të cilën, sipas tij, po e bën Bashkia e Tiranës. “Për të përshpejtuar huadhënien është e nevojshme që të ketë konsensus ndërmjet aktorëve të ndryshëm në vend, për të bërë gjithsecili atë që i takon dhe në këtë kontekst, ne duam të përgëzojmë Bashkinë e Tiranës, e cila po stimulon huadhënien e një klase, apo segmenti të shoqërisë që ka më shumë nevojë. Këta janë të rinjtë dhe SME-të. Pse janë ata kaq shumë të rëndësishëm për Shqipërinë? Sepse Shqipëria është një vend i ri, pra me popullsi të re. Kur ecën në rrugët e Shqipërisë shikon shumë të rinj, kaq shumë të rinj mund t’i shohësh në Kosovë dhe në asnjë vend tjetër. Gjithashtu, SME-të janë shtylla e ekonomisë së Shqipërisë, kështu që këto klasa apo segmente të shoqërisë, sipërmarrësit e rinj, SME-të kanë nevojë për disa stimuj nga autoritetet, dhe pikërisht kjo është ajo çka Bashkia po bën”, – u shpreh z. Pencabligil. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, ka vlerësuar risinë që Kryebashkiaku Basha ka futur në menaxhimin e Tiranës, që është zhvillimi ekonomik dhe punësimi. “Bashkia sot operon, funksionon dhe implementon me sukses zhvillimin ekonomik të Tiranës dhe ne e falënderojmë e njëkohësisht i japim mbështetjen tonë në të gjitha nismat që kjo bashki dhe ky staf bën për sipërmarrjen private. Ne marrim përsipër angazhimin tonë, që këto nisma, këta sipërmarrës të rinj, të implementojnë me sukses këtë fond të garancisë ku ne jemi të sigurt që edhe sipërmarrja do i bashkëngjitet, mbase edhe me shtesë fondi”, – u shpreh z. Jaka. “Por krahas hapjes së bizneseve të reja, bashkia, – tha basha, – po ndjek edhe politika që të rinjtë të mësojnë profesione të ndryshme. Projekti ka mundësuar që rreth 181 të rinj tani të kenë një profesion. Efektet e këtij trajnimi janë ndier menjëherë, – tha ai. Ka nga ata të rinj që janë punësuar në industrinë fasone, si elektricistë apo që kanë hapur edhe bizneset e tyre.

 

Dorëheqja e Vasilit

Basha: U largua për të ushtruar detyrat politike në LSI

Një ditë pas dorëheqjes së Petrit Vasilit nga posti i nënkryetarit të bashkisë, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, ka vlerësuar kontributin e tij. Në një prononcim për mediat, Basha konfirmoi faktin se nuk ka largime të tjera nga Bashkia e Tiranës të përfaqësuesve të LSI-së, teksa shtoi se mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak tregoi se Bashkia Tiranë mbetet e përkushtuar ndaj qytetarëve.

“E falënderoj për bashkëpunimin dhe rolin që ka luajtur, profesionalizmin dhe përkushtimin me të cilin ka shërbyer. Ai është nënkryetar i LSI-së dhe do ishte e çuditshme nëse angazhimi i tij paraelektoral dhe kandidimi i tij si deputet nuk do të kondiciononte punën që do bënte”, – theksoi Basha. Një ndër largimet nga postet zyrtare pas aleancës PS-LSI ka qenë dje edhe ajo e z. Petrit Vasili, i cili ka dhënë dorëheqjen si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Mësohet se Vasili ka informuar kreun e bashkisë, z. Lulzim Basha, përmes një letre ku theksohet: “Angazhimi im elektoral ka qenë edhe motivacioni për marrjen e këtij vendimi”.

QSUT

Kreu i ri, ministri Kosova: Ka shpërdorim të buxhetit

Buxheti i spitaleve të vendit nuk menaxhohet si duhet, pasi në to ka mungesa të pajustifikuara. Ky koment i ministrit të Shëndetësisë, Halim Kosova, vjen pas disa vizitave dhe monitorimeve, që ka kryer personalisht në disa nga spitalet e vendit. Ai thotë se do të riorganizohet puna në të gjithë sistemin shëndetësor, me qëllim që pacientëve t’u jepet ajo që u takon. “Nuk është se buxheti i qeverisë korrespondon me këtë situatë që gjendet në spitalet tona. Kjo është e papranueshme dhe vëmendja ime si ministër i Shëndetësisë do të jetë të krijojmë një sistem shëndetësor jo vetëm të vlefshëm për pacientët, por edhe për personelin mjekësor. Por fillimisht, njëherë na duhet bashkë që të afrojmë pacientëve atë që kërkojnë”, – deklaroi ministri Kosova. Këto deklarata ai i bëri gjatë prezantimit të drejtorit të ri të QSUT-së, Helidon Bushati. Gjatë fjalës së tij, Bushati tha se do të punojë dhe do të administrojë QSUT-në në të njëjtin nivel me atë të stafit elitar të këtij spitali.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency