Borusia – Real Dortmundi është ogur i mirë për skuadrën e Murinjos

0
130

Përgatiti Altin Vorpsi

bvbDy ekipet janë vënë kundër njëri-tjetrit edhe në fazën në grupe të turneut, pasi ishin të dy në atë që u quajt “grupi i vdekjes”, pasi në radhët e tij ishin edhe Mançester Siti dhe Ajaksi. Skuadra gjermane fitoi në shtëpi dhe barazoi në “Santiago Bernabeu” përballë madrilenëve, duke u rrëmbyer edhe vendin e parë në grup. Këtë radhë, ekipi i Murinjos është më i favorizuar se në sfidat e mëparshme me eliminim direkt të këtij edicioni, pasi luan në fushën e vet ndeshjen e kthimit.

 

Ndryshe nga çifti i parë, Borusia-Real është një “deja vu” për Ligën e Kampioneve. Këto dy skuadra janë përballur edhe disa herë të tjera. Njëra prej tyre është ajo e edicionit 1997-1998, kur Reali u shpall kampion.

 

Hakmarrje

Reali i Madridit ka një mundësi të artë që të hakmerret përballë Dortmundit. Skuadra gjermane në këtë edicion ka mundur t’u marrë katër pikë “mbretërorëve” duke i lënë ata të dytët në grup.

 

Reagimet

Pas hedhjes së shortit në Nion të Zvicrës, trajneri i Borusias së Dortmundit, Jurgen Klëp, duket optimist për gjysmëfinalen e Champions League, ku gjen Realin e Madridit, skuadër me të cilën u përball edhe në takimet e grupit. “Jam i gëzuar që tashmë e njohim kundërshtarin tonë. Tani duhet të mendojmë për futbollin e luajtur dhe nuk kam asnjë frikë, edhe pse Reali i Madridit është një kundërshtar i vështirë. Ne jemi skuadra e vetme që i kemi mundur këtë sezon”, – tha trajneri i Dortmundit. I lumtur duket edhe drejtori sportiv, Mikael Zork, i cili shton se do të preferonte që ndeshjen e parë ta luante në “Bernabeu”. Gjatë intervistës së tij, drejtuesi i lartë i kampionëve të Gjermanisë shtoi se Borusia e ka fituar respektin e Realit dhe kjo e bën këtë sfidë edhe më të paparashikueshme. Nga ana tjetër, drejtori i “Los Blancos”, Emilio Butraguenjo, e pranon se do të jetë një sfidë e vështirë. “Është një nder për ne që do të luajmë në gjysmëfinalen e këtij kompeticioni magjik. Për sa i përket Borusias, kujtoj këtu dy takimet e grupit dhe humbjen në shtëpinë e tyre, prandaj nuk do të jetë një përballje e lehtë. Gjithsesi, objektivi ynë është finalja e “Wembley”-t”. Optimist duket edhe mesfushori gjerman i skuadrës mbretërore, Mesut Ëzil. Nëpërmjet rrjetit Twitterit, lojtari merenges shprehet se kjo është ndeshja që e gjithë skuadra po e pret prej kohësh. Në vijim ai shton se do të bëjë gjithçka për të arritur finalen e Londrës.

 

 

 

 

Di Stefano: Në rrugën e duhur për “të dhjetën”

Presidenti i nderit i Realit të Madridit, Alfredo di Stefano, mendon se madrilenët janë në rrugën e drejtë për të fituar titullin e dhjetë të Championsit. I pyetur për rivalin gjerman, ai tha: “Nuk e dija shorteun, por them se ne jemi në rrugën e duhur për të fituar Ligën e Kampioneve. Kam dëgjuar njerëz që kanë kërkuar që ndaj Realit të luante Barcelona, por unë me këtë nuk jam dakord. Skuadra po bën një paraqitje të mirë duhet të vazhdojë kështu”, – tha një nga legjendat e futbollit madrilen. Ai shtoi se Reali duhet të ketë kujdes ndaj verdhezinjve, duke kujtuar përballjet e fazës së grupeve. “Murinjo është një teknik me përvojë e ka bërë një punë të mirë. Do të dijë të veprojë siç duhet. Shpresoj që ai të vazhdojë të jetë këtu edhe në sezonin e ardhshëm”, – tha Di Stefano.

 

Riken: Borusia ka 15 vite që pret për hakmarrje

Lars Riken e ka fituar Ligën e Kampioneve me Borusian e Dortmundit në vitin 1997 dhe beson se skuadra gjermane i ka mundësitë t’ia dalë sërish. Pengesa e radhës quhet Real Madrid, por gjermani argumenton se verdhezinjtë u morën spanjollëve katër pikë në fazën e grupeve dhe kjo ua ka rritur besimin. Por herën e fundit që gjermanët qenë në gjysmëfinale, në 1998, u eliminuan pikërisht nga ‘galaktikët’. “Kanë kaluar 15 vite që kur ne ishim për herë të fundit në gjysmëfinale të Champions-it”, – tha Riken, atëherë pjesë e ekipit. “Por ne këtë sezon e kemi treguar se e mundim Realin e Madridit dhe për këtë arsye verdhezinjtë shpresojnë shumë që të jenë në finale. Për më tepër që kërkohet hakmarrje, pas atij eliminimi në 19980-ën”. Për më tepër që ish-futbollisti i gjermanëve shton se 9 herë fituesit e Ligës së Kampioneve janë mundur për të vetmen herë nga Dortmundi.

 

Historiku

6.11.2012, Faza në grupe: Madrid 2-2 Dortmund (Pepe 34, Ëzil 89; Rojs 28, Arbeloa og 45)

24.10.2012, Faza në grupe: Dortmund 2-1 Madrid (Levandovski 36, Shmelzer 64; Ronaldo 38)

25.2.2003, Faza e dytë në grupe: Dortmund 1-1 Madrid (Këler 23; Portijo 90+2)

19.2.2003, Faza e dytë në grupe: Madrid 2-1 Dortmund (Raul 43, Ronaldo 56; Këler 30)

15.4.1998, Gjysmëfinale: Dortmund 0-0 Madrid

1.4.1998, Gjysmëfinale: Madrid 2-0 Dortmund (Morientes 24, Karembë 67)

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency