Standard.al

Portet detare, privatët po “mundin” shtetin

 Ervin Kaduku

portetOperatorët privatë po “rrëmbejnë” tregun e porteve shtetërore, pas zhvendosjes drejt tyre të kompanive të naftës dhe të gazit. Si po rriten me shpejtësi Petrolifera dhe Romano Port, ndërkohë që portet shtetërore po humbin terren

 

Vitet e fundit kanë qenë dinamikë për sektorin e porteve në vend. Me hyrjen në treg të dy operatorëve të rinj privatë, Romano Port dhe La Petrolifera Italo-Albanese, që veprojnë në bazë të marrëveshjeve koncesionare me qeverinë shqiptare, tregu është zhvendosur me shpejtësi drejt tyre, duke lënë “në hije” portet e tjera të mëdha të vendit. Duket tashmë se “privatët” janë duke mundur “shtetërorët” falë investimeve, infrastrukturës moderne dhe hapësirave që u kanë krijuar kompanive të mëdha të import-eksporteve të naftës e gazit për të ngritur depozitat e tyre.

Që nga viti 2008, kur nisën aktivitetin e tyre Romano Port në zonën e Durrësit dhe Petrolifera në zonën e Vlorës, në to u zhvendosën me shpejtësi kompanitë që tregtojnë naftë dhe gaz, çka solli edhe tkurrjen e veprimtarisë së porteve shtetërore. Krahas me ndërtimin e porteve private u investua edhe për ngritjen e depozitave të naftës dhe gazit pranë tyre. Romano Port, sipas marrëveshjes koncesionare me qeverinë, operon vetëm me aktivitetin e portit, ndërsa kompanitë e naftës e gazit kanë investuar vetë për ndërtimin e depozitave. Nga ana tjetër, Petrolifera menaxhon si aktivitetin portal ashtu dhe atë të depozitave.

Zhvendosja e përpunimit të naftës dhe gazit në portet private ka çuar në ndryshime të rëndësishme në aktivitetin portual në vend, për shkak se këto dy produkte zënë rreth 20% të totalit të importeve shqiptare në volum, sipas të dhënave nga INSTAT-i, të pasqyruara edhe në një artikull problemor të revistës së specializuar “Monitor”.

 

Portet shtetërore

 

Portet shtetërore tashmë duket se shërbejnë vetëm për përpunimin e anijeve të të gjitha mallrave, përveç naftës e gazit, që “zotërohet” nga portet private. Gjatë vitit 2012, vëllimi i ngarkim-shkarkimit të mallrave në katër portet shtetërore (Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin) ishte 17% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008, edhe pse volumi i tregtisë (vëllimi i importit dhe eksportit) u rrit me 22% gjatë të njëjtës periudhë. Të dhënat bëhen të ditura nga INSTAT-i.

 

 

Porti i Vlorës është ndikuar më negativisht nga hyrja e operatorëve privatë, që kanë zhvendosur aktivitetin e tyre tek Petrolifera, duke sjellë njëherësh edhe rënien e vazhdueshme të volumeve të përpunimit në portin e Vlorës. Ky i fundit ka regjistruar 78% më pak volum ngarkim-shkarkimi se në vitin 2008, kohë kur në treg hyri Petrolifera, sipas të dhënave nga INSTAT-i.

Nga ana tjetër, porti i Durrësit pas një rënieje në vitin 2009, ka arritur të shënojë rritje të lehtë në vitet në vazhdim.

Tashmë, Petrolifera është porti i dytë më i madh në vend, pas atij të Durrësit, bazuar në xhiron vjetore. Edhe Porto Romano, porti tjetër privat i ngritur në Durrës, ka shënuar një rritje të qëndrueshme gjatë viteve të fundit.

Në vitin 2011, porti i Durrësit, Petrolifera dhe Porto Romano regjistruan përkatësisht një xhiro prej 20 milionë euro, 8.2 milionë euro dhe 2.7 milionë euro, ndërsa ai i Vlorës kishte një qarkullim vjetor prej vetëm 1.3 milionë euro, sipas të dhënave nga tatimet.

 

Rritja e Petroliferës

Petrolifera ka pasur një rritje të shpejtë në vitet e fundit duke regjistruar një rritje të xhiro me 32% në 2011, duke i çuar ato në afro 8.2 milionë euro. Sipas të dhënave nga kompania, rritja ka vazhduar edhe në vitin 2012. Vëllimi i ngarkim-shkarkimit arriti në 1,108 mijë tonë në vitin 2012, kundrejt 767,000 tonë në 2011, duke u rritur rreth 40% në bazë vjetore dhe duke u shndërruar në porti i dytë më të madh në Shqipëri, pas Durrësit, nga volumi. Bankers Petroleum është klienti më i madh i Petrolifera, që nga viti 2009, duke kryer 85-90% të vëllimit të punës pikërisht përmes këtij porti. Kjo kompani ka depozitat e tek Petrolifera, me një kapacitet prej afro 26 mijë m3 për të lehtësuar eksportet e shpejta dhe të mëdha të naftës. “Për vitin 2013 kemi parashikuar që arrijmë një volum përpunimi deri në 1.4 milionë ton, kjo edhe në përputhje me planet e Bankers, që pritet të rrisë eksportet e saj gjatë të njëjtës periudhë”, – thotë drejtori Teknik i Petroliferës, Kastriot Gishti.

Klientë të tjerë të Petrolifera janë ENI-AGIP dhe Everest Oil, (importues të karburantit cilësor); Steam Oil & Gas (që ka filluar eksportet e naftës vitet e fundit) dhe BP, që importon naftë për avionët, e cila ka zgjedhur të punojë me këtë port për shkak të standardeve të tij ndërkombëtare, pavarësisht disavantazhit të largësisë gjeografike me aeroportin e Rinasit, pohon Kastriot Gishti.
Gjatë vitit 2012, kompania ka përpunuar 90,000 tonë naftë dhe benzinë, krahasuar me 60 mijë tonë në vitin 2011, duke u rritur me 33% vëllimin e veprimtarisë së saj në përpunimin e karburanteve, edhe pse importet e karburantit në total ranë 5% gjatë së njëjtës periudhë. La Petrolifera Italo Albanese është një terminal bregdetar për naftën, gazin dhe nënprodukte të tyre me një kapacitet total depozitimi prej rreth 61,000 metra kub.
Kompania e nisi ndërtimin e terminalit në 2007-ën dhe e përfundoi atë (fazën e parë e ndërtimit), në gjysmën e parë të vitit 2009, kohë kur nisi edhe aktivitetin. Petrolifera, me një sipërfaqe prej 18 hektarësh ndodhet në bregdetin e Adriatikut, 4 km në veri të portit të Vlorës.

 

Porto Romano, rritje më modeste

Ndryshe nga Petrolifera, rritja e Romano Port ka qenë më e moderuar. Në fund të vitit 2011, të ardhurat e këtij porti ishin 2.7 milionë euro, sipas të dhënave nga tatimet, me një rritje prej 8% në krahasim me një vit më parë, sipas të dhënave nga tatimet. Në këtë port kanë ndërtuar depozita kompanitë më të mëdha treguese të naftës, si Kastrati dhe Kaspetrol, Taçi Oil, Europetrol Durrës Albania (Elda), ndërsa Intergaz zotëron depozita të gazit.

 

Portet shtetërore, “triumfon” Durrësi

Të katër portet shtetërore në vend (Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë) kryejnë një vëllim mesatar vjetore të ngarkim-shkarkimit në rreth 3 milionë tonë, ndërsa trajtojnë rreth 1.4 milionë pasagjerë në vit. Porti i Shëngjinit ka arritur të mbajë një rritje të qëndrueshme, ndërsa aktiviteti i Portit të Sarandës është i kufizuar.

Porti i Durrësit mbetet porti më i madh të anijeve në Shqipëri, duke realizuar rreth 90% të totaleve ngarkim-shkarkimit në vitin 2012, ndjekur nga Shëngjini, Vlora dhe Saranda.
Sipas të dhënave nga INSTAT-i, gjatë 9 muajve të 2012, vëllimi i ngarkimit në portet shtetërore shqiptare ka rënë me 2% në bazë vjetore, duke reflektuar tkurrjen e ekonomisë, pasi importet ranë për herë të parë gjatë të njëjtës periudhë. Vetëm porti i Durrësit ka arritur të mbajë të njëjtin vëllim pune si në vitin 2011, ndërsa tre portet e tjera kanë shënuar një rënie dy shifrore të vëllimit të tyre të ngarkimit-shkarkimit, gjatë 9-mujorit 2012.

 

 

Rifillojnë shkarkimet nga liqeni i Fierzës

Edhe pse situata e motit duket e përmirësuar, kanë rinisur shkarkimet në hidrocentralin e Fierzës, i cili aktualisht është në kuotën e 296.53 metrave. Shkarkimet nga HEC-i janë 700 metra kub/sek, po ashtu edhe prurjet në këtë hidrocentral, ndërkohë që rinisja e shkarkimeve mund të zgjerojë sërish hartën e përmbytjeve. Situata momentalisht duket e përmirësuar në rrethin e Shkodrës, ku sipërfaqja e përmbytur është tkurrur në 6 mijë ha, pjesa më e madhe e të cilës në komunat Ana e Malit dhe Dajç. 717 banesa vijojnë të jenë të izoluara në këto dy komuna, ndërsa 25 shtëpi rezultojnë të përmbytura.
Rruga e Dajçit mësohet se është drejt lirimit edhe për automjetet e vogla, por vijojnë të mbeten të bllokuara akset Shkodër-Velipojë dhe Shkodër-Obot. Uji është larguar edhe nga zona e pedonales në qytet, ndërsa mbeten të përmbytura lagjet Livadhe dhe Shtëpia e Mushkonjës. Ndërkaq, uji i liqenit është tërhequr sërish në shtratin e tij.

 

Comments are closed.