Noka: Në Shqipëri, ende problematik kultivimi i brendshëm i kanabisit

0
133

Sonja Caka

kunder drogesZhvillohet takimi vjetor për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, raportohen afro 11 tonë drogë e kapur për vitin 2012, 6 tonë për 4 muajt e parë të vitit 2013

 

Lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës është prioritet i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ndërkohë që raportohet se vetëm për vitin 2012 janë kapur afro 11 tonë drogë e llojit marijuanë, ndërkaq nga operacionet e zhvilluara në katër muajt e parë të vitit janë sekuestruar rreth 6 tonë drogë. Këto rezultate janë bërë publike në takimin vjetor të zhvilluar dje nga Policia e Shtetit, ndërsa ministri i Brendshëm, Flamur Noka, theksoi se vendi ynë vijon të mbetet problematik në kultivimin e kanabisit. Megjithatë, ministri vlerësoi punën e policisë në luftën kundër drogave dhe trafikut të tyre, duke pranuar se duhet të vijojë puna në luftën kundër kultivimit të brendshëm të kanabisit. Duke folur në takimin vjetor për parandalimin dhe luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, ministri Noka kërkoi nga strukturat e policisë të rrisin forcën goditëse ndaj grupeve kriminale të trafikut të drogës. Gjithashtu, ministri Noka u bëri thirrje drejtuesve vendorë të bashkëpunojnë me strukturat e policisë për evidentimin e parcelave të mbjella me kanabis. Në konferencën e zhvilluar paraditen e djeshme, në prani të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, dhe ambasadorit të OSBE-së, Wollfarth, Noka deklaroi se ministra që ai drejton dhe qeveria shqiptare e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë prioritet absolut luftën kundër dograve dhe trafikut të tyre. “Angazhimi maksimal i punonjësve të Policisë së Shtetit, vullneti i hekurt politik, lufta dhe përkushtimi kanë bërë që Shqipëria të mos jetë më korridori i preferuar për drogat e forta nga ana e trafikantëve. Në këtë aspekt viti 2012 është premtim tjetër i mbajtur i Policisë së Shtetit në luftën kundër drogave”, – tha ai. Sipas Nokës, viti që mbeti pas, shënoi rezultate pozitive edhe në asgjësimin e kanabisit. Ai theksoi se në të gjitha operacionet nga ajri në bashkëpunim me homologët është kanë provuar se sipërfaqja e mbjellë me kanabis është përgjysmuar në raport me vitin 2011. Ndërkohë që, sipas tij, edhe në raportet ndërkombëtare theksohet se sasitë e heroinës apo kokainës që arrijnë nga Shqipëria në brigjet italiane janë të papërfillshme në raport me sasitë që trafikoheshin dikur.

Operacionet dhe sekuestrimet

Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, në fjalën e tij theksoi se strukturat e Policisë së Shtetit kanë bërë një punë shumë të mirë në drejtim të marrjes dhe përpunimit të informacionit, trajnimeve, përdorimit të teknikave e metodave të reja, vënies në përdorim e shfrytëzimit me efikasitet të teknologjisë moderne, masa të cilat ndikuan drejtpërsëdrejti në goditjen e kultivuesve të bimëve narkotike në 107 raste dhe grupeve të trafikut të drogës në 822 raste, si dhe 54 operacione ndërkombëtare. “Në këto operacione për goditjen e kultivuesve të bimëve narkotike, Policia e Shtetit, – tha Burgaj, – ka angazhuar struktura e forca të specializuara, mjete e teknologji bashkëkohore për t’ju kundërpërgjigjur formave dhe metodave të reja të organizimit të këtij aktiviteti kriminal”. Gjate vitit 2012, theksoi ai, në të gjithë vendin janë kryer 643 operacione, në të cilat kanë marrë pjesë 3265 forca policie nga drejtoritë e policive ne qarqe dhe 220 forca të FNSH-ve. Janë aktivizuar 607 mjete të policisë për transport trupash, janë kryer 17 misione transporti ajror nga reparti i helikopterëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Në këto operacione nuk mund të lë pa përmendur, bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë nga partnerët tanë ndërkombëtar dhe në veçanti policinë italiane, ku bazuar dhe në marrëveshjen e lidhur me Policinë e Shtetit u planifikuan dhe u kryen 15 misione fluturimi e monitorimi, ndër të cilët dhe një mision fluturimi dhe operacioni me forca të përbashkëta në Qarkun e Shkodrës”, – tha Burgaj. Më tej në fjalën e tij, Burgaj bëri të ditur se gjatë vitit 2012 janë evidentuar 148 raste të kultivimit, ku janë asgjësuar 33000 bimë narkotike, janë zbuluar 107 raste ose 72% e tyre, janë identifikuar 142 autorë, nga të cilët 95 të arrestuar e ndaluar, 21 në gjendje të lirë dhe 26 në kërkim policor. Gjatë takimit vjetor për parandalimin e luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike ishin të pranishëm dhe kreu i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth, ambasadori italian Massimo Gaiani, drejtori i Programit ICITAP, Steve Bennet, drejtues të strukturave qendrore e vendore të Policisë së Shtetit etj.

 

Burgaj

Zonat problematike të kultivimit të kanabisit

Në takimin vjetor të luftës kundër narkotikëve, kreu i Policisë së Shtetit evidentoi jo vetëm suksesin në disa operacione dhe kapjen e më tepër se 21 tonë lëndë narkotike si brenda, ashtu dhe jashtë vendit, por evidentoi edhe zonat problematike të kultivimit të kanabisit në vend. Kështu, sipas z. Burgaj, zonat më problematike për kultivimin e kanabisit mbeten Gjirokastra (Lazarati ), Malësia e Shkodrës (fshatrat Mazrek, Shllak, Gur i Zi, Temal), Vlora (fshatrat e Lumit të Vlorës), Berati (disa zona malore te tij). Sipas tij, strukturat e Policisë së Shtetit krahas punës për goditjen e fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike me të njëjtën vendosmëri, përkushtim e profesionalizëm kanë zhvilluar edhe luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike marjiuanë.

 

Wollfarth

OSBE, mbështetje në luftën kundër drogës

I pranishëm në takimin vjetor të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kreu i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth, ofroi mbështetjen e tij të vazhdueshme në këtë luftë për strukturat e Policisë së Shtetit, ndërsa theksoi se “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, duke vepruar në përputhje të plotë me mandatin e saj, mbetet e gatshme të asistojë Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit. Për shumë vite, kultivimi i bimëve narkotike ka qenë problem në Shqipëri për arsye të ndryshme, përfshirë edhe tri arsyet e mëposhtme, të cilat minojnë që të gjitha shtetin e së drejtës: Kultivimi i bimëve narkotike zhvendos shumë kohë dhe energji nga veprimtaritë e ligjshme; kultivimi i lëndëve narkotike të paligjshme gjeneron trafik dhe të ardhura të jashtëligjshme; si dhe kultivimi i lëndëve narkotike të paligjshme çon në konsumimin e drogës dhe të gjitha problemet e tjera që lidhen me të”, – vijoi fjalën e tij z. Wollfarth. Më tej ai shtoi se “të konsideruarit e parandalimit dhe luftës si dy përpjekje që shkojnë krah për krah. Kjo ka një rëndësi të veçantë: të sigurosh vazhdimësi mes dy anëve të të njëjtave veprime të përgjithshme, duke synuar në fund të njëjtin objektiv – shtetin e së drejtës. Vlerësimi se asgjë nuk mund të arrihet pa përfshirjen e qeverisë vendore. Ndonëse Policia e Shtetit mund të bëjë shumë, ajo nuk mund të punojë e vetme pa mbështetjen dhe partneritetin e autoriteteve vendore”, – përforcoi ai bashkëpunimin që duhet të ketë mes strukturave policore dhe qeverisjes vendore.

 

Greqi

Kapshticë, sekuestrohen 107 kg kanabis brenda një kamioni

Policia greke ka sekuestruar 107 kilogramë kanabis sativa brenda një kamioni me targa shqiptare, i cili gjendej në pjesën greke të doganës së Kapshticës. Sipas policisë, 100 pako droge u gjetën të fshehura në dyshemenë e një kamioni të markës “Scania” me targa shqiptare, drejtuesi i të cilit u vu në pranga. Sipas burimeve policore, bëhet fjalë për një 32-vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Policia greke sqaron se kishte informacion për lëvizjen e drogës, destinacioni i së cilës ishte Selaniku. Ndërkohë, po sipas policisë greke, në kërkim janë shpallur edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë. Lënda narkotike dhe kamioni u sekuestruan, kurse 32-vjeçari u dërgua në Gjykatën e Follorinës, e cila vendosi ta lërë në burg deri në përfundimin e hetimeve.

Detaje

822 operacione kombëtare dhe 54 ndërkombëtare janë zhvilluar gjatë vitit 2012, duke sekuestruar mbi 21 tonë marijuanë

10.8 tonë lëndë narkotike marijuanë ose 7 tonë më shumë se në vitin 2011 u sekuestruan për vitin 2012 në gjithë vendin

5.6 tonë marijuanë janë sekuestruar në tre muajt e parë të vitit 2013, ndërsa janë evidentuar 250 raste të kapjes së drogës

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency