Alban Muja në Sarajevë me versionin artistik të tranzicionit

0
131

albanKonteksti i veprave të artistit bashkëkohor Alban Muja është i bazuar në Kosovë, por mënyra se si ai i krijon ato kapërcen vendin ku zënë fill. Një ekspozitë personale e artistit kosovar do të hapet të premten në Sarajevë. Aty do të prezantohet krijimtaria gati dhjetëvjeçare e tij. Ekspozita përmbyll projektin zviceran “SCP” për Ballkanin Perëndimor.

Seria e fundit e fotografive të Mujës “My name, their city”, ku janë fotografuar njerëzit që mbajnë emrat e qyteteve shqiptare, pastaj seria tjetër “Tony’s” e vitit 2011, ku pozojnë fëmijët që mbajnë si emër emrin e ish-kryeministrit britanik, e deri tek videot si “Ajda”, e vitit 2011, “Blue Wall, Red Door”, filmi 33-minutësh i Mujës në bashkëpunim me Yll Çitakun, “Tibet” e vitit 2009 dhe “Palestina” e vitit 2005, përfshijnë “menynë artistike” të Mujës për publikun sarajevas.

Ekspozita do të hapet të premten në “Java Gallery of Contemporary Art” në Sarajevë dhe do të qëndrojë e hapur deri më 22 prill. “Emri i ekspozitës është ‘Naming’”, – thotë Muja. E pikërisht tek emrat lidhet edhe krejt kritika për ekspozitën me kurator Oliver Musovik, shkruar nga sociologu dhe shkrimtari Sezgin Boynik. Ai e kategorizon Mujën si njërin prej anëtarëve më të suksesshëm të asaj që Boynik e quan “era e re e artistëve bashkëkohorë në Kosovë”.

Sikurse shumë artistë të tjerë të kësaj fryme, sipas tij, punimet e Mujës pasqyrojnë karakteristikat e ironisë, keqkuptimin dhe disa elemente sureale të transformimit social që zakonisht është quajtur tranzicion. Megjithatë, për Boynikun ky nuk është art që shpesh kategorizohet si “arti i tranzicionit” e që lehtë përzihet me humor që parodizon realitetin social. Për të Muja nuk është as një aktivist që përmes mobilizimit artistik mund të përshpejtojë a përmbysë këtë transformim.

Tentativa për të kuptuar punimet e Mujës, sipas Boynikut, duhet të ndalet fillimisht tek diçka tjetër. Sipas tij, është e rëndësishme të dihet konteksti në të cilën janë krijuar ato punime. “Nuk është vetëm transformimi politik dhe ekonomik i Kosovës (Deklarata e Pavarësisë, papunësia e madhe apo korrupsioni në institucione) konteksti i vetëm i veprave të tij. Konteksti i punimeve të Alban Mujës nuk duhet të shikohet vetëm si material për fushën ekonomike, sociale dhe politike”, – ka shkruar Boynik në kritikën e tij për ekspozitën. Në instancën e fundit, shkruan ai, arti i Mujës ka të bëjë me realitetin jothelbësor të transformimit social dhe se tekefundit kjo është mënyra e drejtpërdrejtë e komunikimit, por që trajtohet në atë mënyrë që mund të kuptohet vetëm brenda sferës së artit.

“Për çfarë është krijuar ky material social? Për shembull, në Kosovë, rreth viteve 2003 e 2004 – nga ku edhe fillon periudha e krijimit të artit të Mujës që do të paraqitet në ekspozitë – ky material ka qenë jashtë pyetjeve për emrat, definimin, pozicionimin dhe vendosjen e identitetit kosovar, si manifestim politik dhe kulturor”, – shkruan Boynik.

Vetë Muja nuk pranon të komentojë rreth kësaj. “Por po ma merr mendja që është fjala për njëfarë tranzicioni politik, ekonomik dhe social në punimet e mia, por për këtë duhet të pyetet vetë Boynik”, – ka thënë Muja. E Boynik krejt shkrimin e tij e fokuson tek identiteti. Ai kthehet prapa, në vitet 2003-2004, ku, sipas tij, artistët kosovarë kanë qenë të ndarë në dy grupe: i pari që ishte kundër riprezantimit të identitetit kosovar si rikonstruktim kombëtar e grupi tjetër ka qenë kundër prezantimit të artit kosovar si diçka infantile dhe ironike. “Punimi i Mujës ‘Free your mind’ është dokumentimi më i mirë i asaj kohe që reflekton grupimet artistike”, – shkruan Boynik, teksa shton se kjo video është një mënyrë e re e prezantimit të debatit për identitetin.

“Kjo është arsyeja, që duke kërkuar të kuptojmë punën e Mujës, duhet të kuptojmë kontradiktat”, shkruan tutje ai. Sikurse titulli i kësaj ekspozite, punimet e Mujës, sipas Boynik, janë ekstremisht të bazuara në zhvillimin e çështjes së pozicionimit, definimit dhe emërimit, pa përfshirjen e kontradiktave që janë pjesë e këtyre proceseve.

“Tonys” është një shembull tipik për kontradiktën e emrave”, – shkruan ai.

Videot “Palestina” dhe Tibet” anipse kanë histori personale, sipas Boynik, janë të vendosura në kontekstin ndërkombëtar. Ai ka bindjen se videot prezantojnë kolektivizimin dhe politizimin e emrave personalë si diçka që tregojnë kushtet e dikurshme politike në Kosovë e që nuk janë më. Por emrat mbesin.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency