Standard.al

Vendimi, kush përfiton nga heqja e TVSH-së për hekurin e çimenton për HEC-et

Ervin Kaduku

 

heciSipas vendimit, subjektet ndërtuese të hidrocentraleve, të cilat importojnë produktet “hekur” si lëndë të para për ndërtimin e veprave hidrike, për të përfituar përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar në importimin e këtyre produkteve, duhet të pajisen me autorizimin e përjashtimit nga TVSH-ja prej Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave

 

 

Me një vendim të posaçëm qeveria ka përcaktuar kriteret dhe procedurat e përfitimit të heqjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar lidhur me hekurin dhe çimenton që përdoret për hidrocentralet. Kjo parashikohet t’i japë një shtytje të re ndërtimit të veprave hidroenergjetike në Shqipëri. Vendimi aktualisht është në fuqi.

Sipas vendimit, subjektet ndërtuese të hidrocentraleve, të cilat importojnë produktet “hekur” si lëndë të para për ndërtimin e veprave hidrike, për të përfituar përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar në importimin e këtyre produkteve, duhet të pajisen me autorizimin e përjashtimit nga TVSH-ja prej Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (DPD).

Çfarë dokumentesh duhen

Për marrjen e këtij autorizimi, subjektet duhet të paraqesin në DPD këto dokumente: a) kërkesë me shkrim, së cilës, kur kryhen veprime për herë të parë pranë autoriteteve doganore, i bashkëngjitet një fotokopje e certifikatës së NUIS/NIPT-it;

b) kopje e marrëveshjes me Këshillin e Ministrave për ndërtimin e veprës hidrike vetëm për kërkesën e parë;

c) kopje e lejes së ndërtimit, të miratuar nga organet kompetente;

ç) kopje e preventivit të përgjithshëm të veprës, të miratuar nga organet kompetente për gjithë kohëzgjatjen e investimit dhe kopje të preventivit pjesor për vitin kur kryhen blerjet;

d) të dhëna për llojin dhe sasinë e hekurit apo të çimentos që do të importohet, dalë nga zbërthimi sipas analizave teknike të punimeve në fuqi dhe periudhën e përdorimit;

dh) inventar gjendjeje i hekurit dhe çimentos deri në momentin e paraqitjes së kërkesës për pajisje me autorizimin për përjashtim nga TVSH-ja.

Çfarë duhet bërë

Me plotësimin e dokumentacionit, brenda 30 ditëve kalendarike, DPD-ja pajis subjektet e ndërtimit të veprave hidrike me autorizimin e përjashtimit nga TVSH-ja, në të cilin përcaktohet edhe dega doganore mbikëqyrëse. Një kopje e autorizimit, shoqëruar me kopje të preventivit të përgjithshëm të veprës, të miratuar nga organet kompetente për gjithë kohëzgjatjen e investimit, kopje të preventivit pjesor, për vitin kur kryhen blerjet, të zbërthyer sipas analizave teknike të punimeve në fuqi për hekurin dhe çimenton dhe një kopje të inventarit gjendje të hekurit dhe të çimentos deri në momentin e paraqitjes së kërkesës për pajisje me autorizimin për përjashtim nga TVSH-ja, dërgohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve (DPT), e cila, një kopje e dërgon pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore, ku subjekti ndërtues i hidrocentraleve është i regjistruar. DPD-ja hap një regjistër të veçantë për importet që kryhen nga subjektet importuese. Për të përfituar përjashtim nga TVSH-ja në import, për hekurin dhe çimenton, subjektet ndërtuese të veprave hidrike, të përcaktuara në lejen e ndërtimit, duhet t’i kryejnë vetë importet dhe jo me nënkontraktorë.

Subjektet ndërtuese të hidrocentraleve, të cilat blejnë brenda vendit produktet “hekur”, i klasifikuar në krerët 7213 dhe 7214 të NKM-së dhe “çimento”, i klasifikuar në kodet 2523 29 00; 2523 30 00 dhe 2523 90 00 të NKM-së, si lëndë të para për ndërtimin e veprave hidrike, për të përfituar përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar për blerjet brenda vendit të këtyre produkteve, duhet të pajisen me autorizimin e përjashtimit nga TVSH-ja nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT). Për marrjen e këtij autorizimi, subjektet duhet të paraqesin në DPT këto dokumente: a) kërkesën me shkrim, së cilës i bashkëngjitet një fotokopje e certifikatës së NUIS/NIPT-it;

b) kopjen e marrëveshjes me Këshillin e Ministrave për ndërtimin e veprës hidrike vetëm për kërkesën e parë;

c) kopjen e lejes së ndërtimit, të miratuar nga organet kompetente;

ç) kopjen e preventivit të përgjithshëm të veprës, të miratuar nga organet kompetente për gjithë kohëzgjatjen e investimit dhe kopje të preventivit pjesor për vitin kur kryhen blerjet;

d) të dhëna për llojin dhe sasinë e hekurit apo të çimentos që do të përdoret, dalë nga zbërthimi sipas analizave teknike të punimeve në fuqi, dhe periudhën e përdorimit;

e) inventarin gjendje të hekurit dhe të çimentos deri në momentin e paraqitjes së kërkesës për pajisje me autorizimin për përjashtim nga TVSH-ja;

f) kopjen e kontratës së lidhur me kompaninë vendase furnizuese me hekur apo çimento, ku të jenë përcaktuar, ndër të tjera, sasia, lloji i produktit dhe koha e shitblerjes. Kontratës i bashkëngjitet një fotokopje e certifikatës së NUIS/NIPT-it të kompanisë furnizuese.

 

Ndëshkimet

Nëse gjatë ushtrimit të kontrolleve tatimore konstatohet se sasia e hekurit dhe e çimentos, e përjashtuar nga TVSH-ja në import, nuk përdoret për qëllimin për të cilin ka përfituar përjashtimin, atëherë administrata tatimore procedon me mosnjohjen e së drejtës për përjashtimin nga TVSH-ja, sipas autorizimit të përjashtimit, si dhe i propozon administratës doganore heqjen e autorizimit të përjashtimit nga TVSH-ja për subjektin, i cili duhet të paguajë tatimin mbi vlerën e shtuar, për sasinë përkatëse, pranë autoritetit doganor, si dhe nuk i lejohet e drejta e kreditimit të kësaj TVSH-je. Nëse gjatë ushtrimit të kontrolleve tatimore konstatohet se sasia e hekurit dhe e çimentos, e përjashtuar nga TVSH-ja brenda vendit, nuk përdoret për qëllimin për të cilin ka përfituar përjashtimin, atëherë Drejtoria Rajonale Tatimore procedon me heqjen e autorizimit të përjashtimit nga TVSH-ja për subjektin, i cili duhet të paguajë tatimin mbi vlerën e shtuar, për sasinë përkatëse, pranë autoritetit tatimor, si dhe nuk i lejohet e drejta e kreditimit të kësaj TVSH-je. Nëse gjatë ushtrimit të kontrolleve tatimore konstatohet se sasia e hekurit dhe e çimentos, e përjashtuar nga TVSH-ja, nuk është përdorur dhe nuk është në gjendje në objekt gjatë periudhës së investimit, atëherë administrata tatimore procedon me heqjen e së drejtës për përjashtim nga TVSH-ja, për sasinë e munguar, dhe subjekti duhet të paguajë tatimin mbi vlerën e shtuar. Në raste të shkeljeve të përsëritura, të konstatuara, tatimpaguesve përkatës, përveç detyrimeve apo sanksioneve në fuqi, në varësi të shkeljeve të kryera, u hiqet e drejta për të paraqitur kërkesë për autorizim për përjashtim nga TVSH-ja për furnizime të ardhshme.

 

 

Comments are closed.