Trashëgimia e Margaret Thatcher-it

0

Margaret-ThatcherIntervistë/ Rrëfen gazetari britanik që ka punuar për ish-kryeministren britanike

Loading...

Gazetari britanik, John O’Sullivan, ka punuar për ish-kryeministren Maragaret Thatcher nga vitit 1986 deri më 1988 si këshilltar i saj special dhe jozyrtarisht si fjalimshkrues. Pasi Thatcher ka lënë zyrën, O’Sullivan ka qenë njëri nga dy shkrimtarët që ka punuar me të në memoaret e saj: “The Downing Street Years” më 1993 dhe “The Path to Power” më 1995.

 

Kryeministri britanik David Cameron i ka thënë BBC-së se Margaret Thatcher “jo vetëm që ka udhëhequr vendin tonë, por edhe e ka shpëtuar”. Si e ka shpëtuar ajo Britaninë?

 

Ajo ka shpëtuar Britaninë ekonomikisht. Koha kur ka marrë postin e kryeministres, ka qenë menjëherë pas “dimrit të pakënaqësisë”, më 1979. Nëse kujtoni atë kohë, ka pasur shumë greva në Britani.

Të vdekurit mbeteshin të pavarrosur në Liverpool, mbeturinat mbeteshin nëpër rrugët e Londrës, veçanërisht në Leicester Square, kurse pacientë të sëmurë nga zemra ktheheshin prapa nga spitalet që gjendeshin në grevë.

Këta janë tre shembuj, por në përgjithësi, shumica e njerëzve ndjenin se Britania po rrëshqiste në një kënetë të dëshpërimit dhe për ta shpëtuar atë, kërkohej një veprim i fuqishëm. Ajo ka bërë tre gjëra. Para së gjithash, ka ndryshuar ligjin në mënyrë që sindikatat tregtare të silleshin nën kontroll. Së dyti, ka vendosur detyrime të mprehta në zgjerimin monetar; ka stabilizuar monedhën dhe ka krijuar një lloj stabiliteti të nevojshëm financiar për bizneset.

Dhe, së treti, ajo ka nisur një revolucion të privatizimit dhe lirisë ekonomike, i cili është imituar në mbarë botën. Kur njerëzit flasin për privatizimin, ata nganjëherë harrojnë se ka qenë zonja Thatcher në Britani ajo që i ka hapur rrugë atij.

Dhe, duke bërë një gjë të tillë, ka krijuar edhe një klasë të re të aksionarëve në mesin e njerëzve që kurrë nuk kanë pasur prona të tilla. Pra, mbi të gjitha, ishte një ndryshim i shquar në shoqëri dhe ka bërë që, gjatë 10 vjetëve të saj në fuqi, Britania të bëhet ekonomia e katërt më e madhe në botë.

 

Ajo ka qenë tejet e sigurt në veten dhe bindjet e saj. Shpesh ka thënë: “Unë nuk jam politikane e konsensusit. Jam politikane e bindjeve”. Çfarë vlerash personale kanë përçuar këto?

 

Ajo është rritur në Anglinë provinciale. Ka qenë vajza e një shitësi ushqimesh dhe gjithmonë ka thënë se kjo ka ndikuar në pikëpamjet e saj ekonomike. Nëse keni punuar në një dyqan ushqimesh, keni ditur se mallrat vijnë nga e gjithë bota dhe jeni bërë kureshtarë të mësoni se si ndodh kjo. Ajo do të thoshte se ka qenë puna prapa banakut në dyqanin e babait të saj që i ka dhënë aluzionet e para ekonomike. Natyrisht se më vonë i ka zhvilluar teoritë e saj në një mënyrë më akademike. Së dyti, ajo ka qenë metodiste. Në rininë e saj në Angli, kjo ka qenë një formë pak më e ashpër e krishterimit, i cili theksonte veprat e mira. Ajo ka praktikuar këtë formë të krishterimit dhe ishte metodiste mjaft e fortë. Ka qenë fetare gjithë jetën dhe një nga thëniet e saj të preferuara ka qenë ajo e John Wesley-t: “Fito gjithçka që mundesh, ruaj gjithçka që mundesh, dhuro gjithçka që mundesh”. Mendoj se ka jetuar me këtë lloj urdhri të krishterë.

 

 

Ajo është admiruar nga shumë, por edhe urryer nga shumë. Ka qenë një figurë tepër e polarizuar. A keni menduar ndonjëherë se duke qenë aq e papëlqyer, madje edhe nga disa në partinë e saj, është dëmtuar?

 

Kishte të luftonte shumë beteja. E dinte dhe i luftonte ato. Nuk e ka shkatërruar personalitetin e saj; ka qenë e drejtë në sipërfaqe dhe shumë luftarake; ka përlqyer debatin e mirë dhe argumentin e mirë dhe ka qenë e bindur se ka të drejtë.

Dhe, ndonëse ka paguar çmimin, ai nuk ka qenë një çmim i thellë psikologjik; ka qenë më shumë një çmim i jetës së përditshme, që vërtet e ka përfaqësuar dhe ajo ishte e mirë në këtë drejtim.

 

Ajo ka qenë mike e mirë me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan. Njëherë e ka quajtur: “Burri i dytë më i rëndësishëm në jetën time”, pas bashkëshortit Dennis. A ju kujtohet si ka nisur miqësia?

 

Miqësia ka nisur më 1975, praktikisht një javë ose dy pasi është bërë udhëheqëse e partisë konservatore. Ronald Reagan ka qenë në Londër dhe ka shkuar ta vizitojë. Ka qenë e planifikuar të kalojnë gjysmë ore së bashku, por kanë kaluar një orë e gjysmë ose dy. Pra, kështu ka nisur.

Por, vërtet është bërë formë e lidhjes politike më 1981, kur ka qenë nën presion të madh në vend dhe në vizitën e saj të parë në Uashington, pjesa më e madhe e stafit të Reaganit ka dashur që ai të distancohet nga ajo.

Megjithatë, ai nuk e ka bërë. I ka bërë një bujë të madhe. Jo vetëm që i ka ofruar drekën shtetërore, por ka pranuar ftesën kthyese – që presidentët zakonisht nuk e bëjnë. Kjo ka qenë kundër protokollit. Ai ka vënë dorën në krahun e saj për t’i treguar se “jemi duke bërë të njëjtën gjë dhe kemi të drejtë”.

Kjo, për të ka qenë fillimi i një miqësie të bukur, por edhe për Reaganin po ashtu. Ata shpesh edhe nuk janë pajtuar. Kanë ardhur edhe të mosmarrëveshje reale dhe, për aq sa ka qenë e mundur, i kanë mbajtur jashtë vështrimit publik.

 

Ju keni kaluar vitet e fundit duke punuar në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku shumë njerëz, në vitet 1980, Thatcherin e kanë parë si mbështetëse të tyre për lirinë. A është kjo ende e vërtetë?

 

Ajo ka qenë kampione e lirive të tyre dhe shumë njerëz, me të cilët kam folur, janë të lumtur teksa pranojnë këtë fakt – faktin se ajo ka qenë dikush që u ka dhënë mbështetje të fuqishme për solidaritet. Ajo ka mbështetur disidentët kudo që është shfaqur mundësia. Ka qenë udhëzimi i saj që ministri i Jashtëm britanik – i pari që bën një gjë të tillë – të marrë aeroplanin për në Poloni dhe të vizitojë varrin e Atit Jerzy Popieluszko, i cili ka qenë martir i regjimit.

Pra PO, këto gjëra kanë ndodhur. Ajo po ashtu ka qenë forca lëvizëse brena Qeverisë britanike, për kritika të forta ndaj Bashkimit Sovjetik dhe natyrisht për deklarata të fuqishme antikomuniste.

*Nga “Evropa e Lirë”

 

 

 

Ç’po ndodh në Guantanamo?!

Heather Maher

Në fillim të muajit shkurt, komandanti i një kampi në Guantanamo ka rinisur një politikë të vitit 2006, duke u kërkuar të burgosurve Kuranet për kontrabandë të mundshme. Disa të burgosur kanë nisur të refuzojnë ushqimin për të kundërshtuar këtë veprim, të cilësuar nga ata si përdhosje. Në javët e fundit, grevës i janë bashkuar shumë të tjerë. Avokati amerikan, Davd Remes, përfaqëson 15 të burgosur – së paku gjashtë prej të cilëve janë në grevë. Ai ka vizituar qendrën e burgut pak javë më parë dhe ka folur me telefon me dy nga klientët e tij, më 29 mars.

“Më kanë thënë se greva e urisë po vazhdon të përhapet. Sipas tyre, pothuajse të gjithë në Kampin 6, i cili është më i populluari në burg, refuzojnë ushqimin dhe janë të vendosur të vazhdojnë derisa të arrijnë qëllimin – edhe nëse kjo do të thotë uri deri në vdekje”, thotë Remes.

Ai beson se disa nga grevistët do të nisin të hanë nëse ndalon kërkimi i Kuranit, por jo të gjithë.

“…sepse, greva ka zgjatur aq shumë, qëllimet janë zgjeruar përtej qëllimit fillestar dhe tani protestohet kundër faktit që mbahen për një kohë të pacaktuar, pa padi dhe me asnjë zgjidhje në horizont”, thotë Remes.

Prapa grilave në Guantanamo vazhdojnë të mbesin 166 të burgosur nën dyshimet për terrorizëm, 89 prej të cilëve vijnë nga Jemeni. Nga ata 166, administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka urdhëruar që 86 të transferohen në vendet e tyre ose në vende të treta. Dyzetegjashtë përballen me burgim të pacaktuar, sepse rregullat amerikane për provat kanë parandaluar ngritjen e akuzave, por, në të njëjtën kohë, ata konsiderohen si tejet të rrezikshëm për t’u liruar. Gjashtë të burgosur, ndërkaq, janë në fazën e gjykimit aktiv dhe të tjerët që kanë mbetur, janë pjesë e hetimeve të vazhdueshme.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është “duke vëzhguar nga afër situatën”. Ka mospërputhje për numrin e të burgosurve në grevë urie. Më 1 prill, Pentagoni ka thënë se 39 të burgosur janë duke refuzuar vazhdimisht ushqimin, ndërsa avokatët e tyre thonë se numri i grevistëve është afër 130.

Ajo çfarë është e qartë, është se autoritetet në Guantanamo janë duke ushqyer me forcë së paku 11 të burgosur grevistë, thotë zëdhënësi i Pentagonit, Todd Breasseale.

“Kjo është e saktë. Ne nuk do të lejojmë që të burgosurit të dëmtojnë veten. Ne vëzhgojmë kushtet e tyre në baza ditore dhe, nëse është e nevojshme, në bazë të udhëzimeve që përcakton Byroja Amerikane e të Burgosurve, i ushqejmë ata”, thotë Breasseale.

Praktikat e ushtrisë amerikane për t’i ushqyer të burgosurit me forcë, duke u futur një gyp në hundë, i cili kalon poshtë fytit dhe bart ushqimin në stomak, nga avokatët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut konsiderohen si të paligjshme, e madje edhe si formë e torturës.

Ato janë sfiduar pa sukses në gjykatat e Shteteve të Bashkuara, ku janë cilësuar si shkelje e Aktit të Trajtimit të të Burgosurve, i cili ndalon trajtimin mizor ose degradues.

Komisioni për të Drejta të Njeriut i Kombeve të Bashkuara konsideron se të ushqyerit me forcë në Guantanamo është një formë e torturës, ndërsa Shoqata Botërore Mjekësore ndalon mjekët e saj të marrin pjesë në këtë formë të të ushqyerit.

Ushtria, ndërkaq, thotë se të ushqyerit me forcë shpëton jetë dhe se është formë e “ndërhyrjes mjekësore”. Presidenti Obama, qysh në ditën e parë të detyrës, ka nënshkruar një urdhër për mbylljen e objektit në Guantanamo brenda një viti. Por, plani i tij ka hasur në bllokadë, kur një gjykatës ushtarak ka refuzuara përpjekjen e Departamentit të Drejtësisë për të gjykuar të burgosurit në gjykatë ushtarake. Senati amerikan ka ndaluar pastaj përdorimin e fondeve publike për të transferuar ose liruar ndonjë të burgosur. Dy vjet më vonë, Obama ka urdhëruar përgatitjen e një burgu të sigurisë së lartë në SHBA, për të pranuar të burgosurit e Guantanamos, por Kongresi ka bllokuar po ashtu nismën. Më 27 mars, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se Obama “mbetet i angazhuar për të mbyllur objektin e burgimit në Guantanamo”.

Loading...