Sindromat politike

0
173

sindroma“Meta kthehet me Ramën. Antipolitika ka filluar të spikasë edhe në vendin e shqiponjave, por kësaj here dhelpra e vjetër rrezikon të bëjë një lëvizje boshe. Një politikan për çdo stinë? Midis skandaleve dhe proceseve gjyqësore”. Kështu e përcakton figurën e Ilir Metës dhe politikën e tij analisti italian Davide Denti në një shkrim të vetin.

Meta u shndërrua në vitin 2009 në boshtin e peshores, duke u futur në koalicion me “armikun e thekur”, Sali Berisha apo të konsideruar të tillë, deri në momentin e aleancës. Sot, Rama i propozon aleancë “armikut të thekur”, Ilir Meta. “Armiku politik” është sindroma e Ballkanit, e cila ekstremizon politikën, duke sjellë si perceptim anormalitetin e aleancave, apo skupin e aleancave, edhe aty ku do ishte krejt normale, siç ndodhi me aleancën aktuale PS-LSI.

Aleanca, në terminologjinë e sotme, përkthehet kolegjialitet i detyruar. Në rastin e aleancës së Ramës me LSI-në, mund të konsiderohet deri kolegjialitet i imponuar, për sa kohë ishte faktori i jashtëm determinues për t’u realizuar. Tendenca politike po shkon drejt kolegjialiteteve dhe jo imponimeve, ndaj kjo aleancë e fundit tingëlloi artificiale, deri me reagime të forta nga vetë krahu i majtë.

Sot, në Evropë, po depërton sindroma e antipolitikës. Antipolitika po fryn edhe në Tiranë, ku po shpërndan pushtetet, duke mos lejuar asnjë forcë të marrë 50% dhe duke detyruar krahët politikë, të zgjerojnë koalicionet dhe aleancat. Ndryshe, përkthehet “kolegjialitet”, “delegim” etj. Pozitivja e fenomenit të antipolitikës është krijimi i detyrueshëm i aleancave, me forcat e reja politike, duke zbehur pushtetin unik të liderëve. Njëkohësisht, fenomeni i antipolitikës së forcave të reja, po sjell të mundshëm edhe fundin e bipolarizmit.

Kjo do të minimizojë sindromën e diktatorucëve, që është pikërisht “mos-delegimi” dhe “mos-kolegjialiteti”, fenomen i politikës shqiptare. Për herë të pare, Rama do të detyrohet, apo do të imponohet të delegojë pushtet dhe të ndajë pushtet. Tentoi fort, të fitonte i vetëm “uni” i tij, por pa sukses. Sot forca e “unit” ka humbur vlerë, në politikë, pasi është sjellje e fortë e njerëzve të dobët, që kanë frikë nga dështimi. Është një sindromë e rrezikshme, ku suksesi dhe dështimi nuk përbëjnë ndonjë diferencë.

PS, në qoftë se kërkon detyrimisht ndryshimin dhe fitoren, do t’i duhet të zgjerohet edhe më shumë në “kolegjialitet” dhe “delegim”. Karta LSI nuk është e mjaftueshme. Në qoftë se, përsëritet pafund i njëjti “bosht i peshores”, nuk mund të konsiderohet më i tillë. Me logjikën “do marrim LSI-në për të ruajtur vota”, intuita e elektoratit e kupton që LSI shndërrohet, nga “bosht i peshores”, në “bosht imponues” i kësaj force. Kjo nuk është sot një tendencë politike. Ndërkohë, Rama me lëvizjet e mëtejshme politike, po tregon pikërisht se ka frikë të mos faktorizojë plotësisht LSI-në, duke kërkuar zyrtarisht një aleancë drejt “kuqezinjve” edhe së fundi PDIU-së së çamëve.

Ramës i duhet që të justifikohet përpara elektoratit dhe të shpjegojë, pse ka bërë deri më tani një politikë ballkanike, ku përballë ka pasur “armikun politik”. Në anën tjetër, Rama ka ushtruar pushtet për 10 vite në kryeqytet, që përkthehet gati gjysma e pushtetit, duke e konsumuar figurën e tij politike. Po të fillojë me justifikime do t’i duhet që të justifikohet edhe me vetë LSI-në, pikërisht për një nga pikat kyçe të Rilindjes, që është taksa progresive. I gjithë programi i Rilindjes mbështetet në ideologjinë e taksës progresive, që do duhet ta justifikojë, të paktën tek aleati kryesor. Meta është shprehur krejt kundër taksës progresive.

Deputeti Blushi, në një emision televiziv, ngre pyetjen: “Pse nuk na besoni ne, ndërsa Berishën e besuat kur bëri hapjen politike?” Përgjigja është, që pikërisht kjo politikë ekstreme, e ka shndërruar sot në një figurë dhe politika jo të besueshme. Problemi kryesor është që, “sindromën e Ballkanit”, e ka pasur si fenomen, deri përpara pak kohësh. Kjo periudhë është shumë e shkurtër, për të besuar liderin e majtë, që e ka kapërcyer atë.

Ajo çka e bën më të rrezikshme sindromën e Ballkanit është se po përhapet edhe më gjerë në rajon. Ndërsa në Shqipëri po depërton sindroma e antipolitikës, në mënyrë të çuditshme sindroma e Ballkanit po depërton përtej Adriatikut. Për analistët, po ndodh fenomeni i ballkanizimit, në politikën italiane, ku kundërshtari shndërrohet në “armikun politik”. Kjo po frikëson seriozisht politikën evropiane.

Sot, kjo Itali e paaftë që të formojë një qeveri, po konsiderohet e “ballkanizuar”, që nënkupton imponim me force, deri në armiqësi. Ballkani ka për tendencë dhe objektiv mungesën e bashkëpunimit, si pasojë e këtij mentaliteti. Në gadishullin ballkanik, në fillim të viteve ‘90, dëshira për të shfryrë inatin dhe për të ndëshkuar armikun, mbizotëronte mbi çdo refleksion tjetër.

U shpresua në Itali për një periudhë të shkurtër kohore (në muajt e parë të qeverisjes Monti) që shumica e forcave politike t’i kishin siguruar ekzekutivit bashkëpunimin e tyre. Tani, së fundi, shpresuan që rezultati i zgjedhjeve t’i kishte detyruar partitë që të linin mënjanë pakënaqësitë. Ka ndodhur krejt e kundërta. Asnjë forcë politike nuk është e predispozuar që të sakrifikojë diçka, ose të bëj një hap prapa. Po ndodh si në Ballkanin e viteve ’90, ku u humb ndjesia e fatit të një komuniteti të përbashkët.

Në fakt, lëvizjet politike në Itali po konsiderohen një grillo-montizëm: Grillo (komedian antipolitik) dhe Monti (një teknicien), që do të thotë një salcë-miks, midis komedianizmit dhe teknicizmit.

Të parët që do ta dallojnë këtë devijim ekstremist politik në Itali, janë partnerët evropianë dhe sigurisht tregjet. Kur të konstatojnë që Italia e ballkanizuar është vetëm një fushë beteje mes korporatave ekonomike dhe institucionale, të gjithë do të ndalojnë së prituri rishëndoshjen dhe do të fillojnë të venë bast për një kolaps.

Mirëpo, sot po fitojnë modele të tjera. Mbase për një paralelizëm, që nuk e di nëse do të përputhej totalisht me këtë shkrim, para disa ditësh në TKOB ekzekutoi në mënyrë virtuoze një violinist shqiptar, Ermir Abeshi, i cili kishte marrë pjesë në konkurse prestigjioze në botë. Ai iu imponua publikut shqiptar, me tingull të butë, me shumë ëmbëlsi, me zë të ulët dhe mbi të gjitha me aftësi. Aftësia komunikon me profesionalizëm, paaftësia ulurin.

Por të kalojmë sërish në politikë. Në Zvicër u tejkaluan armiqësitë dhe e keqja më e madhe u pa tek kriza. Për disa vjet partia e mazhorancës relative në Zvicër (Unioni demokratik i qendrës i krijuar nga industrialisti Christoph Blocher), ka qenë një forcë politike intolerante, ksenofobe, e cila kalonte nëpërmjet humoreve raciste. Kjo forcë politike ishte kokëfortë ndaj çdo forme integrimi evropian. Pozicionet e saj nuk i ndante me parti të tjera si kristian-socialët, socialistët, liberalët, por kjo nuk i ka penguar që mes këtyre “vëllezërve armiq”, të vendosej më pas një raport pragmatik bashkëpunimi, në interes të vendit.

Të gjithë kuptuan që kjo armiqësi e brendshme, me konsekuenca ekstreme, do ta kishte penguar konfederatën, të përballej dhe më pas të superonte, krizat e mëdha ekonomike e financiare të viteve të fundit. Rezultati i bashkëjetesës, midis këtyre partive zvicerane, në një koalicioni të gjerë, ishte prosperiteti i vendit, ku bankat rifilluan të marrin veten si dhe papunësia u ul në nivele të konsiderueshme.

Në Shqipëri, ende dëgjojmë: “E keqja më e madhe apo më e vogël është Berisha apo Rama”. Në Zvicër, nuk ka nevojë për justifikim. Ata e thonë thjesht, për hir të stabilitetit, apo krizës. Kur del dhe justifikohesh dhe kërkon ruajtjen e votës, tingëllon erë “pushtet i pushtetit”, jo interes i qytetarëve.

Të arrish krijimin e një koalicioni është njëra anë dhe ta mbash atë për një periudhë të gjatë, është një anë tjetër. Dilema në këtë koalicion të Ramës, mbetet nëse do arrijë të delegojë pushtet, apo jo. Këtu, detyrimisht, atij do t’i duhet të fusë mekanizmat e delegimit dhe kolegjialitetit. Kjo do të bëjë edhe diferencën, nëse do arrijë të mbajë gjatë koalicionin apo jo.

Sindroma tjetër që po depërton në politikën shqiptare është nacionalizmi, sidomos me lëvizjen kuqezi. “Shqiptarët rizbulojnë nacionalizmin”, shkruan Marko Cimminella. “Diskreditimi i një klase politike shqiptare ka shpërthyer një lëvizje politike populiste dhe nacionaliste që rrezikon të përflakë sërish Ballkanin” – vazhdon ai. Bëhet fjalë për Aleancën “Kuq e Zi”, një parti me tendenca qartësisht nacionaliste dhe populiste. Në qoftë se sindroma e Ballkanit konsiderohet një ekstrem, po aq ekstremizëm konsiderohet nga faktorët e jashtëm lulëzimi i nacionalizmit.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency