Procedura, si hipotekohen banesat para ‘91-shit

0
169

Blerta Mrishaj

banesatNga vendimi i qeverisë, i cili i hap rrugë hipotekimit të këtyre objekteve, pritet të përfitojnë rreth 5000 familje. Aktualisht, pranë bashkisë janë paraqitur 100 kërkesat e para

 

 

Përmes një vendimi të qeverisë, ata që kanë banesa të përfunduara deri në gusht të vitit 1991, por që ende nuk kanë certifikatën e pronësisë, mund të aplikojnë pranë Bashkisë së Tiranës për të nisur aplikimin fillestar. Do të jetë ky aplikim, i cili do t’i hapë rrugë brenda një periudhe jo më shumë se tremujore pajisjes së qytetarëve me dokumentin e pronësisë, dokument i cili, sipas këtij vendimi, i bën automatikisht pronarë të ligjshëm të këtyre banesave.

Vendimi

Sipas vendimit për “Përcaktimin e procedurës së kalimit të pronësisë të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.8.1991, e të truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, si dhe për regjistrimin e tyre”, institucioni i autorizuar nga Këshilli i Ministrave për kalimin në pronësi të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.8.1991, dhe të truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, është bashkia ose komuna, ku gjendet pasuria e paluajtshme. “Institucioni i autorizuar vepron gjatë procedurave të regjistrimit fillestar me kërkesë të regjistruesit apo të një personi ose të çdo grupi të ngarkuar nga kryeregjistruesi apo me kërkesë të individit (kërkuesi), sipas nenit 25, të ligjit nr. 33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme””, – thuhet në vendim. Në të përcaktohet se pjesë e procesit për kalimin në pronësi të ndërtimeve, të pasurive të paluajtshme e të truallit funksional të tyre do të jenë subjektet që plotësojnë kushtet e përcaktuara, si më poshtë: “Objektit të ndërtuar t’i ketë përfunduar karabinaja dhe mbulesa deri më 10.8.1991; trualli funksional duhet të rezultojë fizikisht i lirë dhe i pazënë nga ndërtime pa leje, të cilat janë objekt i ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar; madhësia e sipërfaqes së truallit funksional në posedim të përfituesit të jetë ajo që është miratuar sipas dispozitave ligjore ekzistuese deri në daljen e ligjit nr. 7693, datë 6.4.1993, “Për urbanistikën”; në rastet kur madhësia e sipërfaqes së truallit funksional në posedim të përfituesit është më e madhe se ajo që është miratuar sipas dispozitave ligjore ekzistuese deri në daljen e ligjit nr. 7693, datë 6.4.1993, “Për urbanistikën”, ajo sipërfaqe kalon në pronësi nga shteti tek individit, sipas procedurave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi; objekti, trualli nën të dhe trualli funksional të mos jenë të regjistruar në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme apo edhe kur janë të regjistruar, mungon akti i fitimit të pronësisë; objekti i ndërtuar dhe trualli funksional janë të patrajtuar nga legjislacioni përkatës për njohjen, kthimin e kompensimin e pronës apo për legalizimin dhe urbanizmin e ndërtimeve pa leje”.

Regjistrimi

Regjistrimi fillestar i këtyre pasurive do të bëhet në mënyrë sistematike nga regjistruesi, një person ose grup personash të ngarkuar nga kryeregjistruesi apo me kërkesë të individit. Nëse bëhet me kërkesë të individit, në zonat ku ka përfunduar regjistrimi fillestar, ajo depozitohet tek institucioni i autorizuar, e shoqëruar me dokumentet e mëposhtme: dokumentin e lëshuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), që vërteton se pasuria nuk është e regjistruar në regjistrin publik apo është regjistruar dhe i mungon akti i fitimit të pronësisë; planin e rilevimit të pasurisë, të përgatitur nga një subjekt i licencuar për punime topografike; vërtetimin e lëshuar nga ZVRPP-ja se për këtë pasuri të paluajtshme nuk ka pasur kërkesë për regjistrim nga ndonjë subjekt tjetër; dokumentin zyrtar, të lëshuar nga organet e pushtetit vendor brenda kompetencave të tyre, që provon se ndërtimi është bërë para vitit 1991. Përfituesi i pasurisë së paluajtshme, në kohën e marrjes së certifikatës së pronësisë, paguan në numrin e llogarisë së caktuar nga institucioni i autorizuar tarifën e shërbimit, masa e të cilës do të caktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe të ministrit të Brendshëm. Nëse Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, gjatë verifikimit formal konstaton praktika abuzive apo korruptive të institucionit të autorizuar, paraqet menjëherë kallëzim në prokurorinë kompetente. Sipas vendimit, mosmarrëveshjet që lindin gjatë zbatimit të vendimit mund të ankimohen në gjykatë.

 

 

Kushtet:

•           Objektit të ndërtuar t’i ketë përfunduar karabinaja dhe mbulesa, deri më 10.8.1991;

•           Trualli funksional duhet të rezultojë fizikisht i lirë dhe i pazënë nga ndërtime pa leje, të cilat janë objekt i ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Madhësia e sipërfaqes së truallit funksional në posedim të përfituesit, të jetë ajo që është miratuar sipas dispozitave ligjore ekzistuese, deri në daljen e ligjit nr. 7693, datë 6.4.1993 “Për urbanistikën”;

•           Në rastet kur madhësia e sipërfaqes së truallit funksional, në posedim të përfituesit është më e madhe se ajo që është miratuar sipas dispozitave ligjore ekzistuese deri në daljen e ligjit nr. 7693, datë 6.4.1993 “Për urbanistikën”, ajo sipërfaqe kalon në pronësi nga shteti tek individi, sipas procedurave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi;

•           Objekti, trualli nën të dhe trualli funksional, të mos jenë të regjistruar në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme apo edhe kur janë të regjistruar, mungon akti i fitimit të pronësisë;

•           Objekti i ndërtuar dhe trualli funksional janë të patrajtuar nga legjislacioni përkatës për njohjen, kthimin e kompensimin e pronës apo për legalizimin dhe urbanizmin e ndërtimeve pa leje

 

 

 

Kurimi

3.5 milionë lekë për pjesëtarin e grupit “Djemtë e detit”

3.5 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve të kurimit të Gentian Demaliaj, pjesëtar i grupit “Djemtë e detit”. Fondi i akorduar nga qeveria i kalon buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë për mbulimin e shpenzimeve të kurimit të Demaliajt. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet se “Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2013, në zërin “Mallra dhe shërbime”, t’i shtohet fondi prej 3 500 000 (tre milionë e pesëqind mijë) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve të kurimit të z. Gentian Demaliaj. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave”.

 

Punimet

Ndryshon qarkullimi te Rruga e Dibrës

 

 

Me fillimin e punës për zbatimin e fazës së dytë të punimeve të objektit “Rikonstruksioni i Rrugës së Dibrës”, i cili do të kryhet nga firmat fituese “Arifaj” sh.p.k dhe “Kombeas” sh.a, Bashkia e Tiranës informon qytetarët se ndryshon plani i organizimit të lëvizjes të automjeteve gjatë punimeve. Kështu, ndalohet qarkullimi i mjeteve në Rrugën e Dibrës, nga kryqëzimi me Rrugën e Barrikadave, deri në kryqëzimin me rrugën “Siri Kodra” (sipas sensit të lëvizjes, nga perëndimi në lindje). Qarkullimi i automjeteve, autobusëve dhe mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit, në segmentin e Rrugës së Dibrës, nga kryqëzimi me rrugën “Siri Kodra” deri në kryqëzimin me Rrugën e Barrikadave do të kryhet me një sens lëvizjeje, sipas drejtimit lindje – perëndim. Gjatë kësaj faze, stacioni i linjave të transportit urban do të zhvendoset në rrugën “Ferit Xhajko”, para kryqëzimit me rrugën “5 Maji”. Sipas njoftimit zyrtar të Bashkisë së Tiranës, është i ndaluar qëndrimi dhe parkimi në gjithë segmentin rrugor.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency