Standard.al

Nis aktivitetin Lotaria Kombëtare në Shqipëri

 Ervin Kaduku
lotariaPrej dy ditësh të gjithë shqiptarët në moshë madhore kanë mundësinë që të marrin pjesë në lojën e parë të Lotarisë Kombëtare, lotoja “6 nga 39”. Çmimi i madh i kësaj loje është 10 milionë lekë. Shortet e lojës loto “6 nga 39” do të transmetohen drejtpërdrejt çdo të diel në TV duke filluar nga data 21 prill 2013. Numrat fitues do të publikohen edhe në gazeta, në pikat e shitjes si dhe në internet. Kompania austriake “Lotaria Kombëtare” u prezantua të mërkurën përpara publikut shqiptar. Përveç drejtuesve më të lartë të Lotarisë Kombëtare, në prezantim ishin të pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Austrisë në Tiranë, Florian Raunig, anëtarja e Bordit të Menaxhimit të “Austrian Lotteries”, Bettina Glatz-Kremsner dhe zv.ministri i Financave, Alfred Rushaj. Ambasadori austriak në Tiranë, Florian Raunig, tha se Austria është një ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri. Ndërkohë zv.ministri i Financave Alfred Rushaj, tha se kemi bërë të mundur zgjedhjen e një operatori të sprovuar dhe që ka kapacitetet e duhura financiare përtej çdo dyshimi.

Lotaria

Lotaria Kombëtare ofron për të gjithë personat në moshë madhore mundësinë për të marrë pjesë në lojërat tërheqëse të lotarisë, të cilat do të mund t’i gjeni në pikat e shitjes në mbarë vendin. Loja e parë që do të prezantohet është produkti loto me formulën “6 nga 39”, ku kombinohen çmime tërheqëse me probabilitet të lartë fitimi. Pagesa e të gjitha çmimeve të fituara sigurohet nga një garanci e lartë e kapitalit të kompanisë “Lotaria Kombëtare” sh.p.k. si dhe nëpërmjet grupit “Casinos Austria/Austrian Lotteries”. Shortet do të jenë publike dhe në secilin prej tyre do të dalin numrat fitues. Në gjysmën e dytë të vitit 2013, kompania ka planifikuar të zgjerojë portofolin e produkteve, duke hedhur në treg dy lloje kartash gërvishtëse.
““Lotaria Kombëtare” sh.p.k siguron që do të marrë me seriozitet përgjegjësitë e saj sociale dhe do të zhvillojë veprimtarinë e saj nën vëzhgimin rigoroz të mbrojtjes së konsumatorëve dhe mbrojtjes së minorenëve për të mirën publike. Kompania do të sigurojë mbështetje financiare për projekte të ndryshme humanitare si dhe projekte në fusha të tjera me interes për publikun dhe Shqipërinë”, – tha anëtarja e Bordit të Menaxhimit të “Austrian Lotteries”, Bettina Glatz-Kremsner.
“Të ofrosh një lotari në një treg dinamik siç është tregu shqiptar, është një sfidë e madhe, por edhe e bukur. Të gjithë shqiptarët do të binden për besueshmërinë, sigurinë dhe cilësinë e lojërave tona të lotarisë. Ne do të mbështesim projekte të rëndësishme për vendin”, – u shpreh ajo.

Rreth grupit “Casinos Austria/Austrian Lotteries”

Grupi “Casinos Austria/Austrian Lotteries” është grup ndërkombëtar i akredituar i lojërave të fatit, që operon në këtë fushë me përgjegjshmëri të lartë, bazuar në parimet: integritet, besueshmëri dhe siguri.
Me përvojën e tij 26-vjeçare në fushën e lotarive, fuqinë e risive dhe fokusin në interesin dhe pritshmëritë e konsumatorit, grupi “Casinos Austria/Austrian Lotteries” jo vetëm që gjeneron të ardhura optimale edhe për tatimet, por kombinon përgjegjësitë rregullatore me përkushtimin e korporatës dhe mbështet institucione e projekte që paraqesin interes publik.
Në vitin 2011, grupi “Casinos Austria/Austrian Lotteries” numëronte 5.403 punonjës në 20 shtete, duke operuar në të pesta kontinentet dhe duke siguruar shitje me vlerë 3.471 miliardë euro.

 

 

 

Comments are closed.