Prishtina dhe Brukseli besojnë se Beogradi, edhe një herë do ta shqyrtojë pozicionin e vet karshi dialogut politik me Kosovën dhe të shfrytëzojë kohën e mbetur për t’i dhënë edhe një mundësi procesit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet palëve.
Këshilltari i lartë i kryeministri të Kosovës, Bekim Çollaku, thekson se baronesha Catherine Ashton e ka bërë të qartë se ekziston mundësia e fundit për një takim dhe marrëveshje mes palëve. “Nga ana jonë, ne kemi treguar vullnetin dhe gatishmërinë që të arrijmë marrëveshje dhe sa herë që kemi udhëtuar në Bruksel, kemi shkuar të gatshëm për të arritur marrëveshje. Tani mbetet të shihet se si do të ndodhë më tutje. Fjalën përfundimtare se a do të ketë apo nuk do të ketë një raund të fundit, një mundësi të fundit për arritje të marrëveshjes, do ta thotë ndërmjetësuesi, në këtë rast baronesha Ashton”, thotë Çollaku.
Ai thekson se koha për propozime të reja, ka përfunduar. Sipas Çollakut, parimet bazë, të cilat janë negociuar, janë të njohura për të gjitha palët dhe në këtë drejtim nuk duhet humbur kohë.
“Unë jam i sigurt dhe dua të besoj se Serbia, nuk do ta humbasë këtë rast për ta arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe e cila në mënyrë automatike, Serbisë ia hapë dyer për perspektivë evropiane. Një efekt të tillë pozitiv marrëveshja do ta ketë edhe për Kosovën, sepse e bën Kosovën shtet funksional në gjithë territorin e vet dhe i përshpejton proceset euro-atlantike”, thekson Çollaku për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se nëse do të ketë takim, ai duhet të ndodhë para datës 15 prill, pasi që atëherë pritet të merren vendime të mëdha nga Këshilli i ministrave të BE-së.
Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, është në pritje të përgjigjes zyrtare të Beogradit për propozimin e paraqitur në rrethin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi. Në bazë të saj, thuhet se do të ndërmerren hapat e ardhshëm, deklaron për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Ashtonit, Maja Kocijançiq.
“Shumë qartë jemi deklaruar se ende qëndrojmë pas atij qëndrimi. E keni parë deklaratën tonë, në të cilën thërrasim që të bëhet përpjekja e fundit që të arrihet marrëveshje. Çështja mbetet në anën e Serbisë”, deklaron Kocijançiq.
Nga ana tjetër, drejtori i institutit KIPRED, Ilir Deda, thotë se ndërmjetësuesja e BE-së, Catherine Ashton, është në konsultime me shtetet e Quintiti dhe SHBA-në, edhe për një raund të takimeve dhe propozimeve që janë diskutuar.
“Tash është e paqartë ndaj kujt do të bëhet presion që të jetë i gatshëm për një kompromis të ri, duke marrë parasysh që Serbia ka treguar se nuk do të pranojnë atë çka ka propozuar BE-ja. Ndërsa, pala kosovare duhet të kërkojë pak më shumë për shtetin tonë, e ky është inkuadrimi në OKB dhe marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve”.
“Dhe, duhet të ceket se kushtet e Këshillit Evropian të dhjetorit të vitit 2012, nuk kanë qenë se Kosova dhe Serbia të merren vesh për Asociacionin e komunave serbe, po që Kosove dhe Serbia të merren vesh për telekomunikacion, energjetikë dhe largimin e strukturave të Serbisë nga veriu”, vlerëson Deda.
Duke folur për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Deda thekson se nëse kolapson ky proces, do të vijë deri te një dëmtim i rëndë i kredibilitetit të BE-së.
Në të njëjtën kohë, Deda thotë se rruga e Kosovës drejt BE-së, nuk duhet ndërlidhet me mosgatishmërinë e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Kushtëzimi se asnjëra palë nuk mund të ecë përpara, duket të jetë pak i paarsyeshëm, sepse, pse duhet ne të jemi të kushtëzuar në ecje drejt BE-së, nëse Serbia refuzon as Kosova nuk duhet të ecë përpara – kjo duhet të ndryshojë. Qasja nga Brukseli duhet të jetë më transparente se çka do të ndodhë. E, çka nuk duhet të ndodhë, është që të hyjmë në një status quo të re, nëse nuk ka marrëveshje në javën e ardhshme”, shton Deda.
Ndryshe, rezultatet nga procesi i bisedimeve janë bazë esenciale si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian.
Serbia, aktualisht, “lufton” për datën e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova për atë të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Doris Pack: E ardhmja e Serbisë, në rrezik
Më vjen keq që këto raunde bisedimesh në Bruksel nuk i kanë dhënë fund vështirësive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack. Reagimi i saj vjen pas vendimit të qeverisë serbe të refuzojë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ajo ka shtuar se askush nuk i ka kërkuar Beogradit ta njoh Kosovën, por i kanë kërkuar të ndihmojë të përmirësojë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë. “Nuk e besoj se do të ndodhë diçka së shpejti, meqë tash është refuzuar marrëveshja”, tha zonja Pack, për të shtuar se tash duhet gjetur një fillim të ri, për një dialog të ri, sepse në të kundërtën, tha ajo, nuk mund të shkohet përpara. “Serbia nuk do të marrë datën e negociatave, por mendoj se as Kosova nuk do të jetë në gjendje të ece përpara”, ka thënë zonja Pack, sipas së cilës, i takon qeverisë serbe të mendojë dhe rimendojë hapat që ndërmerr, sepse në pyetje është e ardhmja e tyre. “Serbët e dinë si do të dukej e ardhmja e tyre, por ata nuk e duan atë të ardhme. Këtu është problemi”.
Vuçiq: Nuk do ta nënshkruajmë marrëveshjen
Partia Përparimtare Serbe [SNS] do t’i rekomandojë qeverisë së Serbisë që të mos nënshkruajë marrëveshjen me Prishtinën të cilën e ofroi Brukseli, bëri të ditur kryetari i partisë, Aleksandar Vuçiq. Kundërshtimin, ky subjekt e publikoi të hënën në mëngjes pas mbledhjes së kryesisë e cila i sugjeroi qeverisë që urgjentisht të thirr Brukselin për vazhdim të negociatave, me synimin e sigurimit të më shumë të drejtave për serbët në Kosovë. “Duam të gjejmë zgjidhjen e problemit sa më parë të jetë e mundur, sepse nuk kemi kohë për taktizime. Datën do të na japin në qershor ose shtator, por [ajo që dihet është se] do të na e japin datën”, mediet në Beograd citojnë Vuciq të ketë thënë pas takimit të kryesisë së partisë. Ai ka shprehur zhgënjimin e tij, lidhur me ofertën e BE-së, por ka theksuar se kjo nuk do të thotë se duhet mbyllur dyert me Brukselin, pasi sipas tij, SNS-ja “nuk dëshiron ta kthejë Serbinë kah e kaluara, e as ta çojë në humnerë”. “Nuk duam të shesim trimëri dhe të mbledhim poena politikë, por që të paraqesim qëndrime racionale, të arsyeshme dhe të Serbisë normale, e cila nuk e dëshiron të nënçmohet, por të bisedojë se si të gjejmë zgjidhjen për problemin e Kosovës”, tha Vuçiq.
Zhvarrosen mbetje mortore në një varrezë masive në veri të Mitrovicës
Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, ka njoftuar se të martën, Departamenti për Mjekësi Ligjore dhe Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës e EULEX-it, me mbështetjen e Policisë së Kosovës, e kanë kryer një operacion në terren në varrezat myslimane, në pjesën veriore të Mitrovicës. “Me këtë rast u gjetën mbetjet mortore të shtatë personave, që supozoheshin të zhdukur; ndërsa janë gjetur dhe dy pjesë të tjera skeletore”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.
Sipas njoftimit, “viktimat janë zhvarrosur prej varreve të pashënuara, që shtriheshin në pjesën e sipërme dhe atë të poshtme të varrezave” dhe se “gjatë këtij operacioni, janë lokalizuar edhe katër varre të mundshme”. Misioni EULEX thotë se “ky ishte rezultat i disa javëve të analizave të dokumenteve të ndryshme, që datonin nga konflikti i viteve 1998-1999”.
Departamenti për Mjekësi Ligjore (DML) i EULEX-it “beson se në këtë lokacion mund të ketë edhe më shumë varre të tjera të pashënuara dhe do të kërkojë urdhëresa të tjera nga prokuroria për më shumë zhvarrosje në të ardhmen”. Deri tash, gjatë këtij viti, EULEX-i dhe DML –ja “kanë kryer 18 operacione në terren në Pejë, pjesën jugore të Mitrovicës, në pjesën veriore të Mitrovicës, në Suharekë, Prizren, Gjakovë, Klinë dhe Skenderaj. Shtatë nga këto kanë rezultuar me zhvarrosje, ku janë gjetur mbetjet mortore të 28 personave”, thuhet në fund të njoftimit nga misioni EULEX.