Në vendin ku luten e puthen me Shna Ndoun

0
337

Violeta Murati

kishaReportazh/ Një e diel në Kishën e Shna Ndout në Laç, mes gjindjes në lutje para Zotit dhe pritjes së famullisë për kthimin e pronave kishës; kryetari i Kthimit të Pronave, Avenir Peka: “Kishës Shna Ndou në Laç i është çuar vendimi i kthimit të pronës, qysh të premten nëpërmjet avokatit”; ministri provincial i provincës françeskane shqiptare, Gazmend Tinaj: “Nuk jam në Shqipëri, prandaj nuk e di se çfarë ka ndodhë”

 

Ka pak njerëz që ngjiten lart në Kishë në mot të keq! Në vendin për t’u lutur në Zot. Se kështu e thotë tabela, por edhe çfarë simbolizon Kisha e Shna Ndout në Laç: Vendi i shenjtë ku mblidhen njerëzit për t’u lutur! Është e diel, dhe pelegrinazhi i 13 të martave ka filluar. Burri që mbikëqyr vendin me një radiomarrëse në dorë, numëron gishtat dhe na thotë: “Tri të marta kanë kaluar… në këto ditë ka më shumë njerëz”. Në Laç është gryka ku fryjnë erëra të forta dhe shiu ka rrëmbim. Kjo ditë ishte të dielën dhe njerëzit pak nga pak deri nga ora 12:00 rrallë e rrallë, vinin duke u shtuar. Ngjitja deri lart është bërë më e lehtë se dikur, pasi rruga është e shtruar për sëmbari. Nga periferia e qytetit, duke u ngjitur drejt malit të butë të Kishës, pamja hapet gradualisht duke fotografuar gjithë horizontin që shkon vijën bregdetare, shumë afër nga Laçi.

Të dielën nuk pamë asnjë nga barakat buzë rrugës të shisnin. Ishin bosh, më shumë të lëna, të braktisura. Ndryshe ç’kemi vërejtur herë të tjera, kur biznesi nis qysh buzë qytetit e deri lart në kishë.

Era dhe ajri, bashkë me pishat që ngacmojnë rrugën, të marrin në krahë deri në majë, aty ku parkojnë mjaft makina e sheh të zbresin më së shumti familjarë, me nga dy a tre fëmijë të vegjël nëpër duar. “Këtu sjellin më shumë fëmijë, ata që kanë probleme shëndetësore”, – na thotë Nafija, gruaja rreth të 70-ave, që kujton të njëjtën moshë qëkurse ishte për herë të fundit këtu. Ajo u ul diku në sallën e kishës dhe për gjysmë ore nuk ka luajtur nga vendi. “Jam çliruar nga lutja, nuk më kishte ndodhur më parë”, na thotë ajo. Ndërsa ngjitur me të një grua e re, tha se kishte ardhur nga Tropoja për të sjellë në Kishën e Laçit djalin e saj tre vjeç. Nuk fliste dhe ishte agresiv! Kështu na tha ajo, ndonëse e kishte vizituar tek mjekët dhe kishte dalë më autizëm, nga besimi në shërim e sillte shpesh në kishë.

Nafija vazhdon të na tregojë se kodra e butë e kishës mbushej plot me njerëz para shumë vitesh, kur ajo ishte e re, dhe besimtarët flinin aty me ditë duke kërkuar prej Zotit, e Shna Ndout shërim. “Ky vend është për të sëmurët më shumë”, – thotë një grua tjetër me tre fëmijë, që ka zbritur nga veriu e vendosur në Tiranë, dhe ul menjëherë kokën për të mos u fotografuar. Një grua e shkuar në moshë, katolike për nga veshja, ende me shaminë e zezë shkuar ballit, thotë se e vogël ka fjetur në këtë vend dy net. Një tjetër na tregon se ky vend është “i mrekullive” dhe ngutet të na tregojë se një i verbër para ca vitesh, pasi ka qëndruar aty për tre net, është ngritur me sytë e vet! Të tilla histori thonë boll, sidomos më të vjetrit për të mirat që bën Kisha e Shna Ndout apo bënte dikur.

Në ditë të marta, kur afron pelegrinazhi apo, siç thonë “13 të martat e mira” të kishës, vijnë njerëz nga të katër anët e Shqipërisë; pa rëndësi çfarë feje i përkasin! Vijnë nga veriu, të gjitha zonat pothuaj, edhe nga jugu, nga Korça e Gjirokastra, Vlora deri nga Saranda.

Këtë informacion na e japin në hyrje, pasi vendos në parkim makinën, nëse je nga ata që nuk e merr mundimin t’i ngjitesh kishës në këmbë.

Pra, menjëherë është një dyqan që të ofron të gjitha shërbimet: kafe, patatina, molto… Ky dyqan është i stërmadh, i shtrirë për së gjati dhe një tavolinë deri në fund është e mbushur me ikona, varëse, lloj-lloj figurinash, mbajtëse çelësash, unaza, qirinj zbukurimi – pra, janë punë artizanati për konsum që u shiten njerëzve që vijnë në Kishë. Ngjan si treg turizmi më shumë dhe çmimet nuk janë të larta. Këtu të tregojnë qysh në fillim ç’ndodh në kishë, nga vijnë njerëzit. Në çdo xhamin të dyqanit janë ngjitur letra me vargje të himnit të flamurit. Sfondi i kuq i letrës dhe në krye: Himni i flamurit; Betim mbi flamur. Ndjesi force duke kujtuar fjalët e At Anton Harapit para intelektualëve të Korçës, me ’33-in, kur u fliste për besimin dhe atdheun: “N’emër të fesë së krishterë, po të them, edhe vdekjen do t’a bësh, po qe nevoja, për idealin e atdheut”. Ngjitur me të, një godinë me harqe muri, ndarë në dhoma të vogëla shkruan për secilën: rrefyestore!

 

***

Aty ishte pragu i parë që flasin për pronat e kishës dhe dita-ditës tregojnë se ishin në pritje, kur u dhamë lajmin e vendimit që është marrë së fundi për kthimin e tyre.

“Ja gjithë kjo toka përreth është e kishës dhe është mrekulli kthimi i tyre në pronësi të kishës”, – na thotë burri me radiomarrëse, që nxiton të na ndihmojë për takimin tonë me famulltarin.

Megjithatë, drejtori i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Avenir Peka, na thotë se prej ditës së premte është dërguar vendimi për rikthimin e pronave Kishës së Laçit. “Po më bëhet mishi kokërr, nëse është e vërtetë që na janë kthyer pronat e kishës, nuk do gjejmë fjalë për Berishën për këtë lajm”, – thotë një njeri i kishës, pa dashur të marrë përsipër të përgjigjet për këtë çështje, duke respektuar hierarkinë kishtare françeskane. Në kontaktin telefonik me Gazmend Tinajn, ministrin provincial të provincës françeskane shqiptare, ndonëse nuk ndodhet në Shqipëri, ai thotë se nuk e di ende çfarë ka ndodhur me Kishën e Shna Ndout. Rrinë pak të ngrysur në këtë temë, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për pronat e Kishës së Shna Ndout, po ngado ku françeskanët kanë mbjellë kishat në Shqipëri.

Para disa vitesh, Patër Mikel Pllumaj e ka bërë të madhe problemin e pronave të kishës, jo vetëm si çështje të kthimit të tyre, porse disa njerëz po i grabitnin ato.

Historia e Kishës Katolike gjatë komunizmit është tragjike, qoftë me persekutimet më të egra, ashtu dhe me eliminimin fizik të fretërve, po edhe në grabitjen e pasurisë, të pronave në zotërim para ‘45-ës.

E dinë të gjithë ata, të cilët qëndrojnë pranë kishës se u bënë 22 vjet në rrekje për rikthim të pronës, të grabitur nga shteti komunist. Ashtu si gjithë vendi, edhe Kisha Katolike pas ‘90-ës doli e shkatërruar krejtësisht e pa prona.

Në këtë përshtypje, mjaft të huajve Kisha Katolike u duket pa prani, traditë në Shqipëri, edhe pse ajo ekziston prej dy mijë vjetësh, që në kohën kur Shën Pali erdhi për të predikuar drejtpërsëdrejti ungjillin deri në këto anë. Ky historik nuk lë jashtë Kishën e Shna Ndout të Laçit, që daton prej shekullit XIV. Harta është e dokumentuar e lënë trashëgimi me kufijtë e pronësisë që i përkasin Kishës së Shna Ndout nga themeluesi i arkeologjisë shqiptare At Shtjefën Gjeçovi.

Gjykata, presione deputetësh, kryetarë bashkish, korrupsion… të gjitha këto ka numëruar në media At Mikel Pllumaj para disa viteve si pengesë pse Kishës së Shna Ndout, në Laç është zvarritur dhënia e pronësisë së plotë.

“Kemi 22 vjet që e presim këtë vendim për kthimin e pronës”, – na thotë në buzëqeshje punëtori i kishës, në dialekt shkodran, që nuk do të identifikohet për këtë lajm, duke na kaluar bisedën në jetën shpirtërore të kishës. “Kaloni të martave në Kishën e Laçit, se do shikoni mrekulli”; fjala se sa shumë njerëz vijnë në “ditët e mira”.

 

***

Të dielën qëlloi një grup të rinjsh nga Vlora, gjimnazistë ishin. “Kemi ardhur për qejf”, – na thonë një grup vajzash, teksa po i merrnin frymën dyqanit të suvenirit hapur në të majtë të hyrjes së kishës. Të zhurmshme, ato zgjidhnin varëset me rruaza ngjyra-ngjyra, në fund një kryq apo kokën e ndonjë shenjti në të.

Një mozaik i mbështetur në faqe të murit, pa hyrë në kishë, është i dëmtuar. Duket punë profesionisti, ndaj pyesim rojën me radiomarrëse se pse ndodhet aty. Ai na përgjigjet se njerëzit e këqij e kanë gjuajtur me gur, duke e dëmtuar e lëshuar në atë gjendje, gati jashtë funksionit. Fill pas saj një arkë e madhe hekuri mbushet me rroba të hedhura. Njerëzit aty lëshojnë qeset me këmisha, pantallona, bluza, kanotiere të njerëzve për të cilët luten. Kështu na thotë një mesogrua. Një rrobë për personin e familjes dhe lutja është besimi se gjërat e vështira të jetës mund të rregullohen! Kemi parë aty edhe njerëz që puthin gurët e mbushin ujë nga shpella – si shenjë mbarësie që sjell vendi. Por këtë herë, në Kishën e Shna Ndout nuk u panë këta. Kishte më disiplinë.

Pas koshit të rrobave, statuja e Shna Ndout me fëmijën në krah puthej nga të gjithë. E preknin, mbështesnin kokën, bënin kryq. Dikush merrte fëmijën e vogël në krah dhe ngjiste sa më lart drejt “fëmijës së Shna Ndout” për ta puthur me dorë e në ballë.

Një familje, dy vajza adoleshente dhe një djalë i vogël, me pagure të vogla ndër duar kërkonin burimin e ujit. Pyesnin rrotull dhe ndiqnin tabelat që tregonin vendet e veçanta që ka kisha përreth. Meqë ishte shi, këtë të diel njerëzit nuk shëtisnin shumë qark kishës, por thjesht hynin direkt në të. Godina e madhe e ndërtuar pas ‘90-ës gradualisht ashtu sikurse çdo gjë tjetër aty, ku bien në sy shkëmbinjtë të mbërthyer nën beton – pra, hapësira e kishës ku njerëzit hyjnë e luten sikur disiplinon njerëzinë.

Në faqe të murit, mbi arkën metalike ku hidhen paratë, është busti i mbyllur në xham i Shna Ndout dhe ca letra të bardha shkruajnë: “Mos gjuani Shna Ndoun me lekë!” Tre herë është e përsëritur. Ndërsa mbi arkën metalike të parave ka nja dy portokalle, ca vezë, fotografi dhe bukë e mbështjellë me letër…!

Një gardh me shufra hekuri ndan vendin, ku meshtari predikon, me sallën e madhe, dhe njerëzit hyjnë e ulen rrotull në stola prej druri. Zënë vend dhe s’flasin. Disa bëjnë kryq. Luten. Disa të tjerë gjurmojnë fëmijët e flasin me shoqi-shonë ngjitur. Ndajnë hallin pse kanë ardhur aty. Të gjithë duket sikur shohin njëri-tjetrin me keqardhje, ç’shqetësim ka, por edhe me kuriozitetin më tej, për të ditur më shumë për jetën e tjetrit!

Qirinjtë ndizen qetësisht, pasi janë blerë ca metra më tutje nga kisha. Kanë vendin e caktuar dhe njerëzit bëjnë kryq e flasin ndër dhëmbë; si duket përmendin emra, familjen në fjalë lutje ndaj Zotit. Ndërsa te vendi i meshtarit, një kuti kartoni ka një letër të bardhë të shkruar: “Ju lutem, mos ndizni qirinj nëpër rrugë. Vendosini këtu që të ndizen gjatë meshave të Shejta për Njetet tuaja!” Ca nuk i ndezin vetë qirinjtë, por shkojnë te kutia e meshtarit, i lëshojnë aty duke dorëzuar lutjen për të gjitha njetet!

Shiu vazhdon të bëhet më i dendur, gati dëborë. Njerëzit mblidhen vetëm brenda kishës pa mundur të cekin përreth. “Afrojë nanën n’çadër. Është gjynah, se laget e ftohet bir!”, – dëgjojmë një grua, ndërsa mbështillet me fëmijën 6-vjeçar dhe vjehrrën e saj nën çadër. Ecin shtrënguar, duke forcuar duart grusht nën çadrën gati të mbyllur, për t’i rezistuar erës së ftohtë me shi. Në një nga “të martat e mira”, diçka pritet të ndodhë në Kishën e Shna Ndout, nëse është bërë lutja e duhur.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency