Hetimi i monstrës së Laprakës Llalla ndryshon prokurorin

0
146

perrenjssiKryeprokurori i heq dosjen Ervin Karanxhës dhe ia dorëzon prokurorit Ramadan Troci

Ardian Prrenjasi, monstra i Laprakës, që akuzohet për rrëmbimin dhe abuzimin seksual me minorenin A. C. Dhe për vrasjen e minorenit tjetër Julian Çela, nuk do të hetohet më nga prokurori Ervin Karanxha, por nga një prokuror tjetër që quhet Ramadan Troci. Ky i fundit ka marrë dosjen hetimore disa ditë më parë dhe tashmë është ai që po kryen hetime lidhur me gjetjen e trupit të 11-vjeçarit Julian Çela dhe rastet e tjera. Heqja e dosjes nga duart e prokurorit Karanxha erdhi menjëherë pas njoftimit të prokurorisë. Me urdhër të prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla kishte filluar hetimet për nxjerrje të sekretit hetimor. Për pasojë dosja hetimore iu hoq prokurorit Karanxha, duke ju besuar një prokurori tjetër, në prokurorinë e Tiranës. Tashmë të gjitha veprimet janë duke u kryer nga prokurori Troci, ndërkohë që kërkimet në landfilldin e Sharrës, janë kryer por me ritme të ngadalta. Kjo për shkak se në disa ditë janë pezulluar për shkak të reshjeve të shiut, ndërsa kanë rifilluar më pas.

Tri javë nga ngjarja

Kur kanë kaluar tri javë nga koha që monstra i Laprakës Ardian Prrenjasi ka treguar vendin se ku kishte hedhur trupin e pajetë të Julian Çelës, policia, forcat e ushtrisë por edhe prokuroria, nuk kanë gjetur asnjë shenjë, që mund ti fuste në gjurmën e vendndodhjes së trupit. Kërkimet për gjetjen e trupit kanë nisur gjatë ditës së djeshme, forcat e ushtrisë, policia si dhe prokurori i çështjes, kanë kryer kërkime në landfilldin e Sharrës, ku dhe kanë kryer gërmime në disa zona. Gjatë ditës së djeshme në kërkime kanë marrë pjesë dhjetëra forca të ushtrisë, të cilat mendohet se kanë qënë mbi 20 efektivë të ushtrisë. Të gjithë këta sipas, prokurorëve të çështjes janë hapur në një zonë të gjerë, duke kërkuar në mënyrë të vëmendshme të gjithë territorin ku mendohet se është hedhur trupi i pajetë i 11-vjeçarit Julian Çela. Ky i fundit duket se qëndron nën plehra prej më shumë se katër muajsh dhe se ende dhe sot nuk dihet asnjë gjë rreth asaj, që ka ndodhur me trupin e minorenit. Mostra i Laprakës, ka pohuar se ka mbështjellë trupin në me një batanije, por që në fakt gjatë tetë ditëve kërkime nuk është arritur të gjendet asnjë gjurmë nga batanija, por edhe nga ndonjë rrobë, apo atlete e 11-vjeçarit Julian Çela. Ky i fundit është mbytur në datën 30 nëntor 2012, nga 45-vjeçari Ardian Prrenjasi, i cili ka pohuar se këtë veprim e ka kryer për shkak se minoreni nuk ka pranuar të kryejë marrëdhënie seksuale me Prrenjasin.

Mali me plehra

Gjatë këtyre 3 muajve janë shkarkuar në vendin e hedhjes së mbeturinave dhjetëra tonelata plehra, duke krijuar një pirg të madh të tyre, pikërisht në zonën ku mendohet se është hedhur trupi i pajetë i 11-vjeçarit Julian Çela. Vetë familjarët herë pas here kanë kërkuar që të marrin situatën në dorë, duke ushtruar kontrolle private në landfilldin e Sharrës, por që në fakt një gjë e tillë nuk është lejuar nga ana e policisë së Tiranës. Në zonë nuk është lejuar të hyjë asnjë person, pasi tashmë zona është rrethuar me shirita policie, duke bërë që në të të kenë akses vetëm efektivët e policisë, prokuroria dhe forcat e ushtrisë. Ndërkohë, prokuroria ka kërkuar largimin e punëtorëve të firmës “Korsel”, pas dyshimeve se ndonjëri prej tyre mund të ketë bashkëpunuar me Prrenjasin dhe për pasojë mund të fshehë gjurmët në vendngjarje.

 

Ngjarja në Tiranë

Plagoset Gentian Kaçi, shoku i Dritan Hates

Plagosja me armë zjarri e 36-vjeçarit Gentian Kaçi dyshohet se ka lidhje me larje hesapesh. Sipas policisë së Tiranës, Kaçi ka qenë duke lëvizur me makinën e tij tip “BMW”, me targa angleze, kur një person ka qëlluar disa herë në drejtim të tij, por pa mundur ta vrasë, por vetëm e ka plagosur. Kaçi njihet nga policia si person me precedentë penalë dhe shok i ngushtë i Dritan Hates, njërit prej anëtarëve të “Hakmarrjes për drejtësi”. Sipas policisë, Kaçi ka qenë prezent në momentin kur është bërë arrestimi i Dritan Hates nga agjentët e policisë, operacion ky që ka ndodhur një vit më parë. Plagosja e Gentian Kaçit, ka ndodhur më orën 23:30, ku nga të shtënat e armës sq zjarrit si pasojë ka mbetur i plagosur ky shtetas, i cili është dërguar menjëherë në urgjencën e Spitalit Ushtarak Tiranë, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbime të policisë, është formuar grupi hetimor i cili ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, duke mbledhur dhe administruar provat materiale, midis të cilave ka sekuestruar dhe automjetin tip “BMW” me targa angleze “G1 XEN”, në pronësi të të dëmtuarit.

 

Marijuanë në Brindizi

Kapen 940 kg drogë, ishte nisur nga Shqipëria

Një sasi prej 940 kg marijuanë është kapur ditën e djeshme në Brindizi. Lënda narkotike ishte nisur nga Shqipëria dhe kishte për destinacion Italinë. Operacioni i fshehtë i kryer nga policia italiane ka zbulur sasinë e cila ishte e vendosur me kujdes nga transportuesit. E gjithë marijuana ishte paketuar në 39 thasë të cilët ruheshin me kujdes nga të arrestuarit. Sipas mediave italiane operacioni i djeshëm ka qenë një sukses ku janë arrestuar 9 persona. 3 prej tyre ishin shqiptarë por policia italiane refuzon të japë identitetin e tyre. Të arrestuar nga Italia ishin vëllezërit italianë Luigi 40 vjeç dhe Roco Cofano 48 vjeç, të cilët drejtonin kantier detar në Fasano, Gianluca Medico, 22 vjeç, Cosimo De Fazio, 31 vjeç nga Brindizi, si dhe 2 nga Roma e një nga Latina. Grupi kishte organizuar me detaje transportimin e lëndëve narkotike po është kapu në kohë nga Guardia di financa. 3 shqiptarët e arrestuar mendohet se janë nisur nga brigjet e Vlorës, një fakt që nuk është konfirmuar ende nga policia italiane. E gjithë sasia është transportuar me një varkë dhe 12 organizatorët ishin drejt përfundimit të sasisë së marijuanës. Në momentin e arrestimit personat kanë dashur të bëjnë rezistencë por forcat e shumta policore nuk kanë lejuar që asnjeri prej tyre të arrestohet. Identiteti i 3 shqiptarëve pritet të bëhet i ditur ditën e sotme ndërkohë që policia italiane thekson se grupi mund të jetë më i gjerë. Rregullimi i thasëve ku ishte vendosur droga mendohet se është bërë në Shqipëri. Sasia e marijuanës tashmë është sekuestruar nga Guardia di Financa e cila ditën e sotme do të japë më shumë detaje lidhur me ngjarjen dhe do të zbulojë orgjinën e drogës.

 

Vendimi për therjen e deles, shenjë për të prishur ogurin e keq

Babai i vajzës që shpëtoi nga mbytja në Shkumbin

dele kurban tek kthesa e Murashit në Librazhd

Kurban në kthesat e Murashit në zonën e Librazhdit. Vendimi për të bërë një dele kurban, pikërisht në kthesën ku brenda dy ditësh u rrëzuan dy automjete në lumin Shkumbin, ka ardhur nga babai i vajzës, e cila u rrëzua me makinë së bashku me bashkëshortin e saj në ujërat e lumit Shkumbin. Fati deshi, që pranë kësaj kthese ka qenë një patrullë Policie Rrugore, e cila i ka dhënë ndihmën e parë çiftit, që kishte rënë në lumë dhe për pasojë burrë e grua mundën të dilnin shëndoshë e mirë. Nisur nga kjo situatë, babai i vajzës që arriti të shpëtonte, duke marrë shkas edhe nga tragjedia e rëndë ku humbën jetën Albina dhe Ismet Karaj, ka vendosur të therë në emër të Zotit një dele, me qëllim që ky vend të mos jetë më si një ogur i zi për të gjithë kalimtarët e rrugës, por si një vend që do t’i mbrojë ata nga aksidentet e rënda. Për pasojë anëtarë të dy familjeve, të djalit dhe të vajzës që arritën të shpëtoheshin nga forcat e policisë, ditën e djeshme kanë therur një dele, pikërisht në vendin ku u rrëzua automjeti i dhëndrit dhe i vajzës së tij në lumin Shkumbin. Kthesa e Murashit konsiderohet si tepër e rrezikshme, për shkak se mbi rrugë herë pas here ka rrëshqitje dheu dhe gurësh. Nisur nga kjo situatë, drejtuesit e mjetit për t’iu shmangur gurëve dhe dherave, devijojnë drejtimin, ndërkohë që si rezultat i prishjes së rrugës, makinat përfundojnë në rrjedhën e lumit Shkumbin, që ndodhet ngjitur me rrugën. Brenda dy ditësh, pikërisht në këtë kthesë, kanë ndodhur dy aksidente të rënda, ku dy persona u morën nga rrjedha e lumit, ndërsa fatmirësisht dy të tjerë kanë arritur të shpëtojnë, falë ndërhyrjes së shpejtë të efektivave të Policisë Rrugore. Pas dy aksidenteve, policia ka marrë masat e nevojshme, duke vendosur goma dhe masive dheu në anën e daljes së rrugës, me qëllim shmangien e rrëzimit të automjeteve brenda në lumë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency