Tirana, garante e mandatit të tretë të PD-së

0
160

mandateNga Halil Rama

Pas 11 jetësh keqqeverisjeje, pushtimi të hapësirave publike dhe eksperimenteve bajate sipas kapriçove të ish-kryetarit Edvin Rama, metropolit shqiptar po i rikthehet dinjiteti i nëpërkëmbur. Qytetarët e Tiranës shohin nga afër ndryshimin e madh që ka pësuar ajo në vetëm dy vjet të drejtimit të bashkisë nga Lulzim Basha, shohin shndërrimin e saj në një kryeqytet të standardeve evropiane.

Nëse para dy vitesh qytetarët e Tiranës, me votën e tyre të lirë e larguan kreun e PS-së Edi Rama nga drejtimi i bashkisë, për shkak të mbrapshtive të panumërta në dëm të interesave të tyre dhe të absurditetit të tij në drejtimin e metropolit shqiptar, më 23 qershor ata janë më të motivuar se kurrë për ta larguar atë edhe nga politika aktive.

Arsyet për ta bërë këtë janë të shumta, por më kryesorja është ndryshimi cilësor i qeverisjes së Tiranës. Ashtu siç kishte premtuar para dy vitesh, Lulzim Basha ndërtoi një model të ri qeverisjeje që garanton zhvillimin ekonomik të Tiranës, mirëqenie, punësim të mjaftueshëm për qytetarët e Tiranës si qendra kryesore ekonomike e vendit ku mbi 6 mijë të rinj hyjnë çdo vit në tregun e punës. Fakti që pas 23 vitesh Tirana ka planin e saj të përgjithshëm rregullues e bën më të besueshme strategjinë e kryebashkiakut Basha për zhvillim të pandërprerë të metropolit shqiptar. Ky plan, i hartuar nga ekspertët më të mirë vendas, është bazuar mbi transparencën dhe gjithëpërfshirjen.

Vetëm ai që e zhyti Tiranën në kaos total s’do që ta pranojë këtë realitet. Duke zbatuar politikën e eunukut dhe vandalizmit, pretendenti për kreun e ekzekutivit shqiptar kërcënon me mosnjohje të planit të ri urbanistik të kryeqytetit, ashtu siç ka paralajmëruar vendosjen e taksës progresive dhe mosnjohjen e privatizimeve e të koncesioneve të dhëna sipas ligjeve në fuqi.

Ish-kryebashkiaku socialist Edi Rama, për 11 vjet në drejtimin e bashkisë së kryeqytetit, i pati të gjitha mundësitë ta realizonte një plan të tillë, por ai krijoi modelin e keqqeverisjes dhe inkurajoi pushtimin e hapësirave publike dhe eksperimentet bajate sipas kapriçove të tij marramendëse.

Pikërisht edhe për këto arsye, qytetarët e Tiranës kurrsesi nuk mund të votojnë koalicionin e dyshimtë opozitar të iniciuar dhe drejtuar nga Edi Rama, i cili ka treguar në 11 vjet se Tirana sakrifikohet thjesht për të siguruar mbijetesën e tij politike.

Qytetarët e Tiranës, që pa dyshim janë faktor vendimtar për përcaktuesin e fituesit të zgjedhjeve të 23 qershorit, ndërsa vlerësojnë punën e bërë nga administrata e re e Bashkisë së Tiranës, në një hark të shkurtër kohor, për t’i dhënë qytetit planin urban, kurrsesi nuk mund të harrojnë kohën kur për 11 vjet, kryeqyteti u mbajt peng nga babëzia e ish-kryetarit të bashkisë, Edi Rama. Ata e kanë fare të qartë se nuk ka pasur asnjë faktor tjetër që ka lënë kryeqytetin e Shqipërisë pa plan rregullues, përveç babëzisë, ndaj dhe, siç është shprehur Kryeministri Berisha “ish-kryetari i bashkisë do të regjistrohet në analet e historisë së kryeqytetit, si kryetari i babëzisë”.

Qytetarët e Tiranës janë garantë të mandatit të tretë të mazhorancës së qendrës së djathtë të drejtuar nga PD-ja edhe për faktin se periudha e harresës për ta nga bashkia ka marrë fund. Falë përkushtimit të kryebashkiakut Basha është përgatitur një kuadër i plotë ligjor që garanton procesin e evidentimit dhe të pajisjes me dokumente të plota të pronësisë për të gjithë banorët e qytetit të Tiranës.

Të gjitha këto janë garanci e përsëritjes së fitores së 8 majit 2011 edhe më 23 qershor 2013 nga mazhoranca aktuale. Në këto kushte “ndryshimi i madh” i Edi Ramës nuk është asgjë më shumë sesa skemat bajate të këpëdëve socialiste, ku ai njëherë i përkulej Metës e njëherë Nanos për t’u ndier i sigurt nën sqetullat e tyre.

Kjo qasje politike e liderishipit socialist është forma më bajate e të bërit politikë, veçanërisht në metropolin shqiptar, që para dy vitesh i bëri sfidën e duhur duke e larguar nga drejtimi i bashkisë. Dhe tani, aritmetika që dominon logjikën e Ramës është “mbështetja” që ai pretendon se gëzon në zonat rurale, duke lënë kryeqytetin jashtë pseudoprogramit të tij elektoral.

Për më keq, opozita e ristrukturuar tashmë me LSI-në brenda, nuk ka asnjë mundësi të propozojë një rend të ri moral. Kjo, edhe për faktin se nëse Lulzim Basha i dha Tiranës pamje dhe orientim perëndimor, opozita e Edi Ramës mbart faturën e rëndë të bllokimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, duke mos votuar tri ligjet që kushtëzonin dhënien e statusit të vendit kandidat.

Kur kanë mbetur më pak se tre muaj nga përballja elektorale për zgjedhjet parlamentare, ekspertët më në zë të fushatave zgjedhore janë përqendruar pikërisht në metropolin shqiptar për të bërë kalkulimet e tyre të përafërta. Kjo, jo vetëm për faktin se metropoli ka numrin më të madh të votuesve dhe të deputetëve, por sepse elektorati i kryeqytetit pa dyshim që është më cilësori dhe më i ndjeshmi ndaj qasjeve politike të lidershipeve të dy kampeve. Dhe pavarësisht nga preferencat, nga shumë analistë dhe ekspertë po konkludohet se dy vjet pas marrjes së kreut të bashkisë së kryeqytetit, mazhoranca aktuale e qendrës së djathtë, e kryesuar nga Partia Demokratike, i ka të gjitha shanset që të përsërisë fitoren e 8 majit 2011 edhe në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Garanci për këtë është ndryshimi i dukshëm i drejtimit dhe administrimit të kryeqytetit nga demokrati Lulzim Basha, një nga figurat më të spikatura të politikës shqiptare të tetë viteve të fundit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency