Rajon & Botë

0
175

ska marrevesghje S’ka marrëveshje

Prishtina dhe Beogradi kanë përfunduar pa marrëveshje edhe rrethin e tetë të bisedimeve, që kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Bisedimet kanë zgjatur për më shumë se 12 orë, janë karakterizuar me disa ndërprerje dhe ngritje zëri. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila është ndërmjetësuese e procesit, ka lëshuar një komunikatë për opinion, në të cilën ka thënë se “kjo është hera e fundit që takohemi formalisht”.

“Një numër propozimesh janë hedhur në tryezë. Hendeku mes palëve është shumë i ngushtë, por i thellë. Ato do të shkojnë për këshillime në kryeqytetet e tyre dhe do më njoftojnë për vendimet gjatë disa ditëve të ardhshme”, thuhet në deklaratën e baroneshës Ashton.

Kompetencat që do t’i kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë thuhet se kanë qenë pengesa kryesore për palët që të arrijnë pajtim.

Prishtina kundërshton që ky mekanizëm, i paraparë për vënien e normalitetit në veri, të ketë përgjegjësi ekzekutive, ndërsa Beogradi do që ai të mbajë kontrollin e gjyqësisë, policisë dhe të planifikimit hapësinor.

“Ritheksoj se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë mandat ekzekutv, legjislativ dhe të pushtetit të tretë. Gjithçka do të jetë sipas Kushtetutës së Kosovës, ligjeve të Kosovës dhe standardeve evropiane”, ka thënë për gazetarët në Bruksel kryeministri i Kosvës, Hashim Thaçi.

Sipas tij, Kosova ka qenë e gatshme për marrëveshje me shtetin serb, por ka qenë ky i fundit ai që ka hezituar.

“Ne kemi ardhur me vullnetin më të mirë për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve… Kemi prezantuar qëllimin dhe pozicionin tonë në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës… Fatkeqësisht, nga Serbia ka ende hezitim si dhe një qëndrim joparimor”, ka thënë Thaçi.

Homologu i tij nga Serbia, Ivica Daçiq, u është drejtuar po ashtu gazetarëve në Bruksel, duke thënë se vazhdon të ketë dallime në qëndrime, kur bëhet fjalë për përgjegjësitë e asociacionit të komunave serbe, që në Beograd njihet si “bashkësi”.

“Me gjithë këto bisedime të gjata që kemi pasur disa herë, aktualisht nuk kemi marrëveshje. Kemi edhe ca kohë për të ardhur deri te zgjidhja… Disa qëndrime janë ende larg, kur bëhet fjalë për përgjegjësitë e ‘bashkësisë’ së ardhshme të komunave serbe, për gjyqësinë dhe policinë, por, megjithatë, ka pasur mjaft përparim në bisedime”, ka thënë Daçiq.

Procesi i së martës nuk ka qenë fare i lehtë, kanë thënë të dy kryeministrat. Ai është shoqëruar edhe me ngritje tonesh rreth çështjeve të caktuara, çfarë ka bërë që baronesha Ashton të ndërpresë takimin trepalësh, të konsultohet me delegacionet veç e veç dhe të rikthehet sërish në takim të përbashkët me to.

“Nuk ka qenë takim i lehtë. Ka pasur disa që kanë ardhur pë herë të parë dhe nuk kanë qenë të përgatitur emocionalisht për t’u ballafaquar me rrethanat dhe realitetin e ri të Kosovës sovrane dhe të pavarur. U është dashur kohë që të adaptohen me dialogun dhe tavolinën dhe të kuptojnë se duhet të shkëputen nga realiteti i politikës së vjetër”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Për herë të parë në tryezën e bisedimeve Kosovë-Serbi, të martën ka qenë i pranishëm zëvendëskryeministri i parë serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai shihet si politikani më me ndikim në skenën politike të Serbisë.

“Marrëveshja duhet të arrihet. Serbia nuk ka kohë që të presë edhe një vit, apo edhe pesë vjet, në konflikt të ngrirë. Kush do të presë? Njerëzit nuk kanë durim”, ka thënë Vuçiq, para takimit të së martës.

Edhe Thaçi, edhe Daçiq kanë deklaruar se mund të kthehen në tryezën e diskutimeve javën e ardhshme, por nuk kanë përmendur datë të caktuar.

Rezultatet nga ky proces janë bazë esenciale si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian.

Serbia aktualisht “lufton” për datën e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova për atë të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

 

 

 

Cili është kuptimi i Xhihad

 

Heather Maher

 

Prejse Osama bin Laden ka përdorur fjalën “xhihad” për të përshkruar sulmet e 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara, fjala e lashtë arabe është ngarkuar me kuptimin më të errët të mundshëm.

Në dekadën që ka pasuar, “xhihadi” është përdorur gjerësisht nga jomyslimanët dhe myslimanët si stenografi për luftën islamike kundër Perëndimit.

Me paratë e tij dhe donacionet nga mbështetësit, Ahmed Rehab, drejtor i Zyrës në Çikago të Këshillit për Marrdhënie Arabe, ka nisur një fushatë, e cila promovon një kuptim më pak të njohur të fjalës “xhihad” – atë të “luftës për një vend më të mirë, të pëmirësimit të jetës dhe të të bërit e asaj që duhet bërë e jo që është e lehtë”.

Reklamat, të cilat janë shfaqur nëpër autobusë dhe trena të Çikagos, San Franciskos dhe Uashingtonit, nxjerrin imazhe të amerikanëve myslimanë të qeshur. “Xhihadi im është të mbes e arsyeshme, me gjithë orarin tim të ngarkuar”, thotë një grua e veshur me hixhab. “Xhihadi im është të ec përpara, pavarësisht humbjes së djalit”, thotë një nënë me fotografinë e të birit në duar. “Xhihadi im është të mos heq kurrë dorë nga përpjekjet e mia”, thotë në anën tjetër një biznesmen me mjekër.

Reklamat pasqyrojnë kuptimin që Rehab thotë se e ka mësuar nga gjyshja e tij – një grua që ka qenë e paralizuar dhe që ka qëndruar për kohë të gjatë në shtrat.

“Kur e pyesja se si ia del, ajo thjesht thoshte: ‘Djali im, është xhihadi im’”, kujton Rehab.

Ai thotë se fushata e tij u drejtohet edhe myslimanëve, që u kanë dorëzuar fjalën ekstremistëve, edhe jomyslimanëve, të cilët janë të pavetëdijshëm se “lufta fetare” është vetëm një përkufizim i ngushtë. Fushata mban sloganin: “Rimarrja e Islamit nga ekstremistët myslimanë dhe jomyslimanë”.

Ahmed al-Rahim, profesor i studimeve islamike në Universitetin e Virxhinias, thotë se ekstremistët myslimanë, të cilëve iu referohet fushata, janë salfistë xhihadistë – myslimanë sunitë, të cilët besojnë se dhuna është e justifikueshme për të arritur objektivat e tyre politike.

“Janë ata që bëjnë një interpretim të veçantë të Islamit. Ata janë të dhunshëm”, thotë al-Rahim.

Rehab, në anën tjetër, thotë se myslimanët e moderuar “kanë qëndruar jashtë debatit” dhe kanë lejuar që ai të rrëmbehet nga dy ekstreme, të cilat kanë përcaktuar se si Perëndimi duhet ta shohë Islamin dhe si myslimanët duhet ta shohin Perëndimin.

“Nuk ka asnjë përçarje të natyrshme. Ja, unë jam dëshmitar i kësaj – një amerikan mysliman, i cili do shumë Amerikën dhe praktikon shumë besimin, ndërsa xhihadin e sheh si diçka që do të bënte për ta bërë Amerikën një vend më të mirë”, thotë Rehab.

Një grup tjetër, për të cilin Rehab thotë se ka vjedhur fjalën “xhihad”, përfaqësohet nga njerëz si Pamela Geller, e cila pajtohet plotësisht me interpretimin e ekstremistëve islamikë.

Geller, e cila udhëheq një grup anti-islamik, të quajtur Iniciativa për Mbrojtjen e Lirisë Amerikane, ka përdorur kuptimin e dhunshëm në disa reklama kontrovrese që ka bërë në Nju Jork vitin e kaluar dhe këtë vit në Çikago, në përgjigje të fushatës “Xhihadi im”.

Në lidhje me Rehabin dhe mbështetësit e tij, ajo thotë:

“Ata janë duke pastruar dhe dekoruar xhihadin, si dhe duke zbutur popullin amerikan ndaj kërcënimit më të madh të sigurisë kombëtare”.

Dijetari islamik, Jamal Elias, profesor në Universitetin e Pensilvanisë, thotë se nuk ka fjalë në gjuhën angleze, ekuivalente me “xhihadin”.

“Përkufizohet në mënyra të ndryshme. Është një term që aktualisht do të thotë ‘luftë’, ndërsa në një kuptim më të gjerë ‘lufta në rrugën e Zotit’. Pra, në një kuptim më të saktë, nuk është një referencë eksplicite për ndonjë formë të dhunës, qoftë e justifikuar apo e pajustifikuar. Është një përkufizim shumë i lirshëm, i cili mund t’iu përshtatet shumë gjërave”, thotë Elias.

Në kontekstin politik, ai pranon se fjala është kuptuar gjerësisht si lloj i aktivitetit të armatosur.

“…por, kur myslimanët e kanë përdorur atë – dhe kjo është historikisht e vërtetë – e kanë përdorur shpesh si luftë për vetëpërmirësim, në një nivel personal”, sqaron Elias.

Al-Rahim thotë se shumë tekste ligjore islamike, nga periudha e mesjetës, i referohen xhihadit si “luftë e sanksionuar fetare ose e shenjtë”, por Kurani tregon se si profeti Mohammad u ka thënë luftëtarëve të tij pas një beteje të vogël.

Kur ndjekësit e tij e kanë pyetur se përse beteja kundër të pafeve dhe paganëve ka qenë minore, Al-Rahim thotë se Profeti ka dhënë këtë shpjegim:

“Xhihad më i madh është ai kundër spastrimit të vetes apo të shpirtit nga qëllimet e këqija ose një lloj i luftës shpirtërore. Pra, ka një kuptim tjetër të xhihadit brenda historisë së Islamit”, thotë Al-Rahim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency