Kur flitet për letërsi dokumentare

0
155

letersiNjë ngjarje nga Fieri ndodh që nuk tërheq vëmendjen në të gjithë Shqipërinë, sidomos kur bëhet fjalë për personalitete të kulturës e politikës jashtë kufinjve.  Bëhet fjalë për Rasim Selmanajt, një personalitet i njohur i politikës në Kosovë, ish depputet i AAK-se ne parlamentin e pare dhe firmetar i Pavaresise. Por këto nuk janë për poetin Petrit Nika epiqendra e problemit. Për këtë profil, Nikaj ka mbajtur një kumtesë kur Selmanajt u nderua me qytetar nderi i Fierit, duke u përqëndruar tek letersia e dhe pak tek publicistika e tij

Petrit Nika

 

1.

Sa herë më është dashur të flas për një tekst të veçantë, apo për një shumësi tekstesh, gjithmonë jam përballur me një problematikë kritike në marrëdhënien e kohës materiale midis leximit, rileximit dhe reflektimit. Në disa raste koha më ka lejuar rileximin, në disa raste të tjera koha ka qenë aq e kursyer sa më ka lejuar vetëm leximin, dhe në shumë raste koha për mua ka qenë aq e pamjaftueshme sa nuk ma ka lejuar as luksin e një leximi të plotë. Për mua kur teksti kërkon një qasje analitike, përgjegjshmëria ka qenë gjithmonë e lartë. Gjithësesi, ata që më njohin dhe më kanë lexuar, prirem të besoj se janë të mirëkuptuar me mua se ajo çka u kam zbuluar në reçensionet apo kumtesat e mia, ka qenë gjithmonë pjesa e dritës, dmth., arsyetimi për atë çka kam parë vetë dhe njohur dhe se asnjëherë nuk jam prirur t’i gënjej auditorin as autorët.

E bëra këtë parantezë ngase për rastin konkret koha për mua ka qenë disi e pamjaftueshme. E pamjaftueshme sepse leximi më kërkoi një përkushtim kohe pa shkëputje. Pa shkëputje ngase vetë rrjedha e rrëfimit dukej sikur edhe vetë ngutej. Ngutej të të çonte sa më parë drejt thelbit, drejt zbulimit, drejt vendlindjes, drejt shpirtit. Në leximin tim në fillim iu përkushtova publicistikës. Të jem i sinqertë iu përkushtova pikërisht leximit të shkrimeve të kësaj natyre për të zbuluar tek Rasim Selmanaj më parë njeriun politik të Kosovës, njeriun me qëndrime të theksuara partiake siç jemi mësuar ta ndeshim rëndom këtu në Shqipëri. Politikanët zakonisht tek ky art e zbulojnë vetveten më mirë sesa tek poezia. Tek ky art ata përparojnë me shumë shpejtësi, ndërsa tek poezia ata zakonisht mbeten vetëm në të shkuarën e tyre, në atë çka kanë dashur të jenë ata dhe bota, më parë se të bëheshin politikanë.

Por këtë lloj politikani fatmirësisht nuk e gjeta në publicistikën e Rasim Selmanajt.  Përkundër tij, në këtë lloj publicistike të karakterit letrar, më tepër sesa gazetaresk, dallohet njeriu atdhetar, patriot dhe familjar, njeriu që jeton me kujtimet shokëve e të miqve të idealit të lirisë, me kujtimet e farefisit e të vendlindjes dhe me shpresën e jetës në konditat e burgimeve të tij politike, i rrethuar nga antihumanizmi dhe krimi mizor, si në rastin e burgut të Dubravës. Bash këto shqetësime qytetare dhe njerëzore, bash ky mall dhe kjo dashuri për jetën përmbushin edhe faqet e letërsisë së tij të mirëfilltë, në prozë, publicistikë dhe poezi.

Në kontekstin estetik i gjithë ky material letrar i ardhur në dy gjini të mëdha siç janë proza dhe poezia, vërteton atë që thotë Milivoj Solar-i se vargjet dhe proza janë dy lloje të shprehjes letrare, dy mënyra të organizimit gjuhësor, që shpesh gërshetohen midis tyre dhe nganjëherë është vështirë të veçohen. Edhe në krijimtarinë e Rasim Selmanajt ato i gjeta të ndërthurura bashkë, qoftë në organizimin e tekstit, qoftë në organizmin e tekstit. Kjo ngase vetë natyra e tekstit letrar të këtij autori, më shumë se sa fanatizmin ndaj zhanrit, mëton vërtetësinë ndaj faktit dhe përjetimit.

 

2.

 

Pothuajse e gjithë gama e shkrimeve të Rasim Selmanajt, qoftë publicistikë, prozë apo poezi, i përket një konteksti të përcaktuar soiologjik dhe historik. Më konkretisht aty zë vend periudha e luftës, e burgimeve të njëpasnjëshme dhe paslufta e pasburgu ose jeta në Kosovën e lirë. Lufta përshkruhet nga këndvështrimi i të burgosurit që u mbart gjatë kësaj periudhe nga njëri burg tek tjetri për një kohë të gjatë, madje edhe pas luftës. I mbyllur në “vetminë me shokë” të burgut, siç shprehet edhe vetë ai diku në një nga esetë e tij, autori është kthyer në një pjesë të margjinalizuar të luftës. Duke qenë i spikatur si veprimtar aktiv për çlirimin e Kosovës, ai arrestohet ende sa pa filluar mirë lufta. Por Lufta për të ishte kudo. Dhe ai vetë ishte pjesë e asaj lufte dhe e atij gjenocidi, por armët për ta kundërshtuar të keqen në këto kushte ishin të pamundura. Arma e tij e vetme në këto kushte ishte rrëfimi. Rrëfimi për luftën dhe personazhet e luftës, shumë prej të cilëve ndërkohë u kthyen në dëshmorë të atdheut. “Disa prej tyre s’do t’i takoj më në jetë, por vdekja del betejëhumbur”, shkruan Selmanaj. Dhe vërtetë vdekja del betejëhumbur, ngase rrëfimi në kohë risjell historinë me natyrshmërinë e procedimit së saj, risjell në vëmendjen e brezave ngjarjet dhe heronjtë. Rrëfimi është jetë, e kundërta është vdekje, thotë Todorovi duke marrë shkas nga përballja e Odiseut me Circet vdekjeprurëse.

Rrëfimi është përvoja e jetës. Rrëfimi është inspirimi për jetën. Amaneti që duhet të përcillet ndër breza. Që brezat të mos e harrojnë të kaluarën e të parëve të tyre, ngase të gjithë njerëzit janë produkt i të kaluarës vetiake dhe të gjitha kombet janë produkt i të kaluarës së tyre historike.

Sot pas më se një decenie në Kosovën e lirë brezat e rinj nuk mund t’i përfytyrojnë dot ankthet e atyre viteve të vështira. Dhe historia është tepër e thatë për ta përshkruar ndjenjën. Historia vetëm sa fakton, në rastin më fatlum, atëherë kur i përmbahet besnikërisht realitetit. Mbetet letërsia ajo që e zbulon. Nuk ka kaluar kohë shumë e gjatë dhe sot është realitet se shumë të rinj shqiptarë të kohës sonë mund të jenë më të informuar për rrymat muzikore të modës në vend dhe në botë, sesa për kalvarin që ka kaluar populli shqiptar i Kosovës drejt lirisë e Pavarësisë.

Kujtesa mund të zhbëhet nëse nuk ushtrohet. E kaluara do të harrohet nëse nuk shkruhet. Këtu qëndron një vlerë e padiskutueshme e letërsisë së Rasim Selmanajt. Vlerë tjetër është fakti se ajo është kryesisht një letërsi burgu dhe si e tillë ajo bëhet pjesë e një kapitulli të veçantë të letërsisë shqipe; zë vend në atë që mund të quhet letërsi dokumentare. Është letërsi dokumentare ngase është përmbledhur aty jeta shqiptare e Kosovës në periudhën më kritike të luftës për Pavarësi, e përshkruar nga një aktivist i gjallë i kohës. Është dokumentare ngase është shkruar nën krismat e luftës, në kohën kur ende nuk parashikohej dot finalja.

 

 

3.

 

Në një ese për poezinë Salvatore Kuazimodo thotë:

“Filozofët, armiqtë e natyrshëm të poetëve, dhe skeduesit e përhershëm të mendimit kritik, pohojnë se poezia (dhe të gjitha artet), ashtu si veprat e natyrës, nuk pësojnë ndryshime as gjatë dhe as pas një lufte. Ky është iluzion, sepse lufta ndryshon jetën morale të një populli dhe njeriu, në rikthimin e tij, nuk gjen më masa sigurie në  një modus jetese të brendshëm, të harruar apo të ironizuar gjatë provave të tij me vdekjen. Lufta rivendos me dhunë një rregull të pashpallur në mendimin e njeriut, një zotërim më të madh të së vërtetës: shfaqjet e realitetit ndikojnë në historinë e saj. ”

Kësaj fenomenologjie social-historike i përgjigjen tekstet letrare dhe jo vetëm letrare të Rasim Selmanajt. Megjithatë letërsia e tij nuk është thjeshtë një letërsi sociologjike. Ajo është letërsi qytetare, humane dhe historike prej nga vjen në çdo kohë e fuqishme buçima e armëve dhe klithma e dhimbjes njerëzore nën dhunë. Buçima e armëve të kasapit të Ballkanit jehon edhe brenda mjerimit të burgut ku ai mbahet rob si pasojë e idealit të tij të lirisë. Selmanaj e ndriqon masakrën e burgut të Dubravës si një dëshmitar i tragjedisë.Rasim Selmanaj më parë se të fillonte kalvarin e tij të burgjeve serbe nuk vinte nga letërsia dhe nuk kërkonte të hynte në letërsi. Ai hyri vetvetishëm në letërsi për të dëshmuar dhimbjen, luftën dhe mbijetesën e tij dhe të bashkëkohësve të tij në periudhën më të nxehtë të luftës. Është pikërisht kjo periudhë, koha kur ai fillon të shkruaj.

Duke folur për mikun e tij Xhemajl Fetahun, autori thotë se ai kishte rënë në betejën e Koshares, ndërsa lajmin e martirizimit të tij autori e kishte marrë në burgun e Mitrovicës së Sremit. Dhe shkruan: “Vjedhurazi për heroin shkrova një vjershë prej burgut dhe vetja më ngjante atë ditë në një pikë uji i të madhit oqean, para tempullit të pavarësisë së lirisë në istikam.”

Përveç veprës së dëshmorëve që ranë për lirinë e Kosovës, ai nuk harron të përjetësojë edhe dhimbjen dhe krenarinë tragjike të prindërve që i kanë dhënë djemtë e tyre lirisë së Kosovës, si Abaz Mazrekaj në Sllup të Deçanit, të cilët e kapërdinë dhimbjen mbinjerëzore të prindit duke e konsideruar të shenjtë altarin e lirisë. Duke iu referuar prapë temës së luftës në letërsi, sipas Kuazimodos, këtu kemi të bëjmë me lulëzimin e një letërsie shoqërore që i drejtohet grupimeve të ndryshme të shoqërisë njerëzore dhe jo elitave të caktuara që e zgjedhin letërsinë sipas oreksit. Kjo është poetika e kuptueshme nga të gjithë, nga të gjithë  ata që u dhimbset familja, u dhimbsen shokët e miqtë, u dhimbset atdheu.

Është poetika elegjiake dhe protestuese e kujtesës së poetit dëshmitar kundrejt një realiteti historik të cilit gjithnjë e më shumë po i largohemi në morinë e viteve, duke harruar prore edhe gjakun e të rënëve, të cilin (sipas autorit) në mënyrën më të shëmtuar politika ndonjëherë mëton ta ndajë sot edhe sipas partive.

Kjo është vlerë që e bën të rezistueshme letërsinë e Rasim Selmanajt. Kjo është vlerë që e bën këtë letërsi, pjesë të letërsisë dokumentare kombëtare të të gjithë shqiptarëve.

Duke e mbyllur këtë kumtesë të shkurtër, pa u larguar nga konteksti i përgjithshëm i asaj për çka bëmë fjalë deri këtu, do citoj edhe njëherë poetin hermetik Salvatore Kuazimodo, i cili duke iu referuar letërsisë së periudhës së luftës në vendin e tij thotë: “Lufta e ndërpreu një kulturë dhe nxori në pah vlera të reja të njeriut, dhe, nëse armët janë ende të fshehura, kuvendimi i poetëve me njerëzit është i nevojshëm më shumë se shkencat dhe marrëveshjet midis kombeve, të cilat mund edhe të tradhtohen.” Pikërisht, në emër të këtij kuvendimi vërtetë aq të nevojshëm me njerëzit, mbi martirizimet e luftës dhe traumat e saj, le ta falënderojmë poetin Rasim Selmanaj për sakrificat e tij njerëzore dhe lirizmin e tij që dëshmon e do të dëshmojë në letërsinë tonë atë çka ndodhi në Kosovë në vigjilje të shekullit XXI.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency