Koleka: Në kohën e Zogut bujqësia prodhonte dyfish, dhe me cilësi të lartë

0
195

Çelo Hoxha

dosje..Regjimi komunist e çoi bujqësinë shqiptare në nivelet primitive, te shkëmbimi i mallrave me klering, forma e tregëtisë në kohën para se të shpikej monedha

 

Në mbledhjen e Byrosë Politike më 17 mars 1949 u diskutua vizita qeveritare e Tuk Jakovës në Hungari dhe Çekosllavaki, çështja e grumbullimit të prodhimeve bujqësore dhe një vendim i KQ për një fushatë paqeje. Tuk Jakova, maragoz në profesion,  arsim fillor, bëri një paraqitje të vizitës, e cila në pak fjalë mund të përmblidhet: aty ku shkoi askush nuk e priti me dinjitet. Në aeroportin Hungarez e priti një zëvendësministër, dhe delegacionit nuk i ishte vënë makinë në dispozicion, por lëvizën me transportin publik, përfshi dhe trenin. Presidenti i vendit organizoi një pritje për bullgarët dhe nuk e ftoi delegacionin shqiptar. Kur u larguan nuk i përcolli njeri.

Megjithatë, në këtë dokument, vlen të shikojmë bisedën për çështjet e bujqësisë, dhe ne atë po botojmë. Aty shikojmë njerëzit që drejtonin Shqipërinë, të cilët e kishin propaganduar socializmin si rendin më përparimtar në botë, por llogaritë ekonomike në mbledhje i bëjnë me klering (shkëmbim i mallit me mall), forma më primitive e tregëtisë, e cila përdorej para zbulimit të monedhës. Fshatarit i jepeshin plaçka dhe i merrej prodhimi.

Një tjetër që vlen të vihet re është dhe fakti që prodhimet e bujqësisë janë shumë më të ulëta se në kohën e mbretërisë, një periudhë që ata konsidornin si të prapambetur. Ja si shprehet Spiro Koleka: “Për duhanin jemi shumë poshtë  nga 938. Aherë kur konsumi ish më  i paktë të prodhohesh  më se 1500 ton në vit cingare. Kurse sivjet duhani dhe cingaret bashkë vetëm 800 e ca ton. Kështu kualiteti atëherë ishte shumë i  lartë.”

Po të shikohet me kujdes, mbledhja duket si një bisedë xhambazësh, duke bërë llogari vetëm fitimin e grupit që është aty, dhe nuk flihet asgjë për fatet e fshatarit që ata suposohet se e qeverisin, ose dhe për pjesën tjetër të popullsisë. Madje në një rast thuhet pikërisht kështu: “Për kikirikun kemi pranuar të pakësohet se fshatarët vjet e kanë ngrënë.” Pra, heqin dorë nga mbjellja e kikirikut, sepse e hanë fshatarët. Fati i tyre nuk i intereson Byrosë.

 

 

DOKUMENTI

 

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

BYROJA POLITIKE

 

Tiranë më 17/3/1949

 

PROCESVERBAL Nr. 8

i mbajtur në datën e mësipërme me rastin e kthimit të Shokut Tuk Jakova mga Ungarija dhe Çekosllovakia ku kish shkuar në krye të delegacionit qeveritar për të lidhur marrëveshje tregëtare me shtetet mike të lart përmendura.

 

 

[…] Sh.K.NGJELA.- Urdhëresa mbi grumbullimin e bimëve industriale bazohet në të tjerat po baza është kontrata. Fshatari do të shpërblehet me plaçka. Për ullirin si bimë e veçantë mendohet të nxirret një tjetër. Urdhëresa ka parasysh sipërfaqen e mbjellë për çdo bimë. Parashihet që në bazë të pllanit fshatari të marrë angazhim për një rendiment të caktuar për hektar. Këtu nuk preket principi që tepricat pas shlyemjes së detyrimeve t’i disponojë si të dojë. Edhe për këto Shteti do të mundohet t’i grumbullojë duke ju dhënë çmime më të larta. Kjo gjë bëhet për t’i nxitur fshatarët që të punojnë më mirë. Ky parim është i domosdoshëm dhe frenohet vetëm për duhanin që duke qënë monopol të mos bëhet kontrabandë. Vetëm këtu preket parimi i sistemit. Pllani në vitet e kaluara nuk është realizuar  si në pambuk, lule dielli recin, susam tregon se nuk është punuar. Për të tejkaluar pllanin është lënë pllani real aq sa na nevojiten për eksportime p.sh pambuku nga 7.6 kg për ha. që e ka vënë Bujqësia ne e kemi 6 e ca. Sipërfaqen e kikirikut në plan e kemi ulur për mungesë të farës. Pllanin e kikirikut mbasi nuk ka mundësi importimi mund ta ulim. Sa për çmimet duhet të shkojmë drejt uljes. Detyrimet fshatarëve t’u a marrim me çmime të caktuara se fshatari na grumbullon shumë para dhe na pengon qarkullimine monedhës. Po duhet caktuar t’i ulim apo jo çmimet. Po duhet të kemi parasysh se fshatari reziston dhe nuk dëshiron të mbjellë bimë industriale dhe prandaj ulja e çmimeve duhet parë. Në fakt çmimet që ishin ato janë po janë mjaft të shtrenjta kështu thonë dhe sovjetikët. Për çmimet duhet vendosur parimisht. Ato sipas mendimit tim duhet të ulet vetëm këtu është frika e rezistencës. Në urdhëresë parashikohet edhe koha e grumbullimit sipas zonave dhe prodhimit. Kështu fshatari duhet të dijë kohëne dorëzimit që të bëhet edhe eksporti në kohë në bazë të kontratës që kemi bërë me botëne jashtëme. Urdhëresa parashikon edhe konditat teknike. Sa për kreditë parashikohet që t’ju jepet fshatarëve po në bazë të  kreditit agrar. Bujqësia thotë fshatari të marrë kredinë në ndërmarrje po kjo ngatërron shumë dhe është më mirë që kredija të merret në Bankë.

Stimulasjoni.- Vjet fshatarët merrnin me triska. Sivjet do të bëhet që fashatrëv që mbjellin bimë industriale t’u jepen më tepër artikuj, parashikohet edhe misër se ky artikull e intereson tepër fshatarin mbasi ka të siguruar bukën. Fshatarët që nuk bëjnë bukën nuk duhet që t’ju mungojë misri. U kemi vënë edhe materjale të tjera. Kontratat do t’i bëjë grumbullimi ai do të japë edhe bonot e plaçkave me të cilat ata ata do të blejnë  në organet e tregëtisë. Urdhëresa parashikon edhe sanksjone reciproke. Në të kaluarën kontrata janë shkelur nga të dy anët. Tani duhet të merren masa dhe të mos bëhen lëshime po të respektohen rigorozisht. Urdhëresa parashikon edhe rastet e fatkeqësive kur nuk bëhen bimët industriale duke marrë shteti angazhim për t’i furnizuar ata fshatarë me materjal po natyrisht më parë. Kjo gjë bëhet për t’i nxitur që të mblidhen bimë të tilla. Është paraparë që fshatrët të tërheqin për duhan 20 % paradhënie në kohën Korrik Gusht kur e manipulon atë. Edhe kjo duhet parë se është një parim me rëndësi, dhe lidhet me qarkullimin e monedhës. Në urdhëresë parashikohet edhe se sa prodhim do të grumbullohet nga fshatarët . Për këtë parashikohet edhe mesatarja e stimulasjonit 60% plaçkë e 40% pare. Parashikohet që t’ju jepet basmë, penj, opinga, vaj, sheqer, kripë, sapun, qelqurina, vajguri në sasitë që janë në urdhëresë. Stimulasjoni  varet sipas kulturës; pambuku p.sh 67%, recina 79% për arësye se nuk e mbjellin fshatarët, susamin 68%, duhanin  50% mbasi fshatarët e mbjellin, panxhari 62% . Mesatarja 59-60 %. Në bazë të këtij stimulasjoni fshatarët do të marrin rreth 250 miljon plaçka dhe 180 miljon pare. Po të kish mundësi stimulasjon do të ish në interesin t’onë .

SH. TUK JAKOVA .- Kini llogqaritur sa monedhë të huaj bëjnë këto vlefta?

SH. K .NGJELA.- Kjo është e kollajtë dhe mund të gjëndet shpejt po tani nuk i kemi. Tani po jap vërejtjet e Ministrave të tjerë. Bujqësia kërkon që të tëra kulturat të grumbullohen nga Enti i Grumbullimve dhe jo nga organet e industrisë. Po ne dhe sovjetikët nuk jemi dakord ose industrija merret me këto si me panxhar p.sh e elb distik që bëhet këtu. Në urdhëresë kërkon koefiçentat e farës . Ne këtë e gjetëm të tepër. Kërkohet gjithashtu sasija e plehut që  duhet shpërndarë. Mendoj të vihet aq sa ka vendosur KC. Financa kish vërejtje mbi uljen e çmimeve. Bujqësia nga 1150 ha kërkon ta ulë në 550 ha.

SH. G. NUSHI.- Ne grumbullimin e duhanit e stimulojme sivjet po duhet bërë që të stimulohet edhe prodhimi i 48 se ne tani jemi në periudhëne  grumbullimit.

SH. K. NGJELA.- Ju kemi dhën udhëzime t’i favorizojnë  me plaçka. Ju bëni propozime konkrete dhe ne t’a studjojmë.

SH. G. NUSHI.- Për duahanin fshatarët e ngrenë çështjen e stimulasjonit tani që jemi në periudhën e grumbullimit të tij. Ne e kemi ngritur që të stimulohen edhe fshatarët që e dorëzojnë tani.

SH. TUK JAKOVA.- Unë jqam dakord për këtë dhe po mos të kemi mundësi t’a stimulojmë tani t’i u japim bono që të marrin plaçka kur të vinë.

SH. G. NUSHI.- Për kripën stimulasjoni është pak. Sa për duhanin duhet dhënë paradhënie se fshatari bën tërë ato manipulime  dhe e mban që nga gushti këtë prodhim  e gjer në Janar kur bën dorëzimin.

SH. S. KOLEKA .- Për duhanin jemi shumë poshtë  nga 938. Aherë kur konsumi ish më  i paktë të prodhohesh  më se 1500 tone në vit cingare. Kurse sivjet duhani dhe cingaret bashkë vetëm 800 e ca ton. Kështu kualiteti atëherë ishte shumë i  lartë, prandaj i  duhet dhënë rëndësi çështjes së duhanit.

SHOKU KOMANDANT.- Ti je Kryetar i  Komisjonit të Pllanit pse nuk e ke parashikuar më shumë në pllan.

SH. K . NGJELA.- Bujqësija thotë se vjet është paraparë 2160 ton. E gjer tani janë mbledhur vetë 260 ton. Të shofi se çdo të bëjë industrija.

SH. S. KOLEKA .- Aherë kur cingari nuk konsumohesh dhe punëtori nuk fitonte, prodhohesh më tepër.

SH. TUK. JAKOVA.- Të shtohet stimulasjoni për duhanin nga 50 në 60 %. Të bëhen përpjekje edhe për kualitetin e duhanit.

SHOKU KOMANDANT.- Ç’është kjo urdhëresa e ullirit.

SH. K. NGJELA.- Ullirin do t’a grumbullojmë me kontratë në një pllan e rendimet të caktuar për rrënjë. Fshatarët do të kontraktojnë sasin e parashikuar dhe për tepricën të kenë të drejtën t’a shesin në treg të lirë.

SHOKU KOMANDANT.- Për ullirin është zor se nuk është si pambuku për punë të rendimentit. Ju duke marrë parasysh rendimentin e kini ulur se çmimet e stimulantët janë të larta. Këtu ne mund të kemi humbje se po shkojmë me hamëndje.

SH. K .NGJELA.- Po të realizojmë sasine  kv. për pambuk dhe të tejkalohet pllani është mirë.

SHOKU KOMANDANT.- Ju keni ulur rendimentin. Mund të jetë eks. ky rendiment. Ti e cakton rendimentin të ulët dhe tepricën ja paguan me një çmim të lartë. Ti mund të arrish në grumbullimin porse më shtrenjtë.

SH.K. NGJELA.- Ne kemi 87 000 kv.pambuk. Unë në plan aq kam parashikuar për dorëzim.

SHOKU KOMANDANT.- Po të sjell mbi koefiçentin fshatari ti ja paguan më shtrenjtë, realizon pllanin porse të merr më shumë para se ti i merr një sasi më të madhe po me çmim më të lartë.

SH.K. NGJELA.- Kjo bëhet për t’i mbetur teprica fshatarit që të interesohet t’i punojë më mirë.

SHOKU KOMANDANT.- Shumë herë ja kam thënë Gaqos se nuk bazohet bujqësija jonë fare në eksperiencën e viteve të kaluara po del gjithnjë me studime të reja duke nxjerrë urdhëresa me hamëndje. Këtu nuk duhet të dal bujqësija me të tjera koefiçenta dhe tregëtija me të tjera. Koefiçentat që nxjerr tregëtija duhet t’i pranojë bujqësija. Këto të jenë në rregull. Llogarit duhen bërë në bazë të të dhënave të bujqësisë të cilat duhet të jenë sa më reale se ndryshe nuk mbahen kontratot. Bujqësija të përpiqet të realizojë pllanin dhe mbi atë të bazohet tregëtija për grumbullimet. Të mos shkohet nga parimi që të caktohen koefiçentat të tillë për të qënë brënda se ashtu humbasim. Në këto dy vjet do të jemi ngushtë nga plaçkat sidomos sivjet, prandaj stimulasjoni të studjohet mirë se nuk do t’i përballojmë dot dhe atëherë nuk do mundim të grumbullojmë. Për mbajtjen e çmimeve të nisemi nga nga pllani i eksportimeve. Ne kemi një pllan bazë tokës dhe rendimentit, këtej dalin eksportimet t’ona e jo të bëjmë hesapet nga pllani i eksportimeve.

SH. K .NGJELA.- Sot ekziston pllani i eksportimeve dhe pot ë mos e mbjellë fshatari ne nuk e realizojmë dot atë. Për këtë themi që të mbeten këto çmime për rrethanat që jemi.

SHOKU KOMANDANT.- E them këtë se nga eksperinca e hidhur e së kaluarës i bëjmë pllanet të pastudjuara. Pllanet e eksportimeve të bëhen në bazë të pllanit të mbjelljeve e të grumbullimeve.

SH.K. NGJELA.- Këtu thuhet a duhet të ulen apo të mbeten ashtu çmimet.

SHOKU KOMANDANT.- Duhet shkuar nga parimi i shëndoshë që kontratat të respektohen nga të dy palët. Ka tendenca zbythjeje nga Bujqësija që mos të shënohet afati i plehut. Çmimet t’i mbajmë të larta apo t’i ulim.

SH.TUK. JAKOVA.- Nuk mundte t’i marrim çmimet të ulura nga tërë situate jonë. Ato duhet të ulen në bazë të një studimi. Të mos shihen këto vetëm nga ana e financës.

SH. K .NGJELA.- Muratovi thotë parimish nga fshatarët duhet të grumbullojmë me çmime minimale se grumbullojnë shumë para që pengon qarkullimin në këtë situatë që nuk kemi plaçka.

SH. TUK . JAKOVA.- Po a llogaritet në se e mbjell fshatari a po jo.

SHOKU KOMNADANT.- Pse nuk ka ca stimulantë kripë, vajguri etj. për këto bimë inustriale.

SH. K .NGJELA.- E lamë që të marrim edhe nga prodhime të tjera si gjalpë p.sh.

SH. M. SHEHU.- Në radhë të parë fshatarët t’i jepet kripë vajguri dhye misër me stimulant.

SH. TUK. JAKOVA.- Jepet vaj stimulasjon. Kujt i jepet.

SH. K . NGJELA.- Prodhimeve që japin vaj si susami lule diellit. Në Korçë nga që kanë marrë stimulasjon  vaj e kanë mbjellë më mirë se kudo.

SHOKU KOMANDANT.-Aherë çmimet të mbeten ashtu .

SH. L . BELISHOVA.- Buka është në çdo kulturë.

SH. K .NGJELA.- Po.

SH. S. KOLEKA.- Për kikirikun kemi pranuar të pakësohet se fshatarët vjet e kanë ngrënë.

SH. K . NGJELA.- Tani që do të respektohen kontratat duhet të grumbullohen.

SH. TUK. JAKOVA.- Këto duhet të ndiqet dhe të fitohet eksperiencë. Rendimentet nuk në janë  reale dhe prandaj nuk mund të bëhet objeksjon. Ti e përgatite atë që të jesh brënda.Vrejtjet e Komandantit e nxjerrin në shesh këtë. Për këtë vit nuk themi gjëkafshë.

SH. K .NGJELA.- Po t’ia mbajmë këtë mobilizim që është vendosur nga KC do t’a realizojmë pllanin. Vetëm se na duhen kuadro.

SH. TUK. JAKOVA.- Të grumbullohen këto gjëra pa kuadro do të japim.

SH. K .NGJELA.- Duhet parë edhe kontrata.

SHOKU KOMANDANT.- (SH.L.BELISHOVËS).- Për punën e përbashkët t’i thuhet Xhakos t’a studjojë këtë problem. Ungarezët e Rumunët e kanë aplikuar këtë. Raporti që i ka paraqitur Byrosë Gaqo Tashkua nxjerr shumë probleme  që duhet t’i stjudjojë Drejtoria e Bujqësisë të KC se janë gjëra me shumë rëndësi.

SH.M .SHEHU.- Projekti është përgatitur ( e komenton vetë). Në tërë vëndet demokratike bëhet një fushatë e gjer për paqen. Këtu thuhet se KC aderon në këtë fushatë. Do të dërgohet një delegasjon i kryesuar nga Manol Konomi. Qëllimi është të aderojnë të tëra organizatat t’ona dhe të solidarizohen më të. Kjo ka një rëndësi shumë të madhe për Partinë t’onë për demaskimin  e luftëdashësve për të lidhur Partinë me popullin.

SHOKU KOMANDANT.- Shqipërisë i bije një milljon franga franceze për shpenzimet që do të bëhen atje.

SH.G .NUSHI.- Ato veglat e fabrikës na i solle.

SH. TUK . JAKOVA.- Na i kërkuan 45000 dollarë. Na intereson  t’i blejmë më mirë në Svicër. Ai që i shiste ish një tregëtar çifut. Po të mos sigurohen dërgojmë Nestin [Nase]në zonën sovjetike të Gjermanisë. Nesti na dolli shumë i mirë, dhe do të bëhet një atashe tregëtar shumë i mirë.

SH. M .SHEHU.- Për mbjelljet pranverore  është e domosdoshme të venë disa shokë për të udhëzuar dhe për punë të tjera ( lexon propozimin e Drejtorisë së Bujqësisë). Letra e Komandantit të punohet në çdo organizatë bazë në mbledhje të hapëta ku të marrë pjesë edhe populli.

SHOKU KOMANDANT.- Vendimet për disa kuadro mendoj t’i shohë edhe një herë Tuku.

SH. M. SHEHU.- Në Byro propozimet t’i sjellë Sekretari i kuadrove mbasi t’ja sjellë të studjuara Drejtori i Kuadrove.

SH. L. BELISHOVA.- Teodor Heba merr udhëzime nga sh. Tuk. Jakova, studjon kuadrin dhe e firmon Drejtori i Kuadrove.

SHOKU KOMANDANT.- Ndihmës Ministrat dhe Sekretarët Politikë të rretheve i sheh Byroja.

SH. M. SHEHU.- Përgjegjës përpara Byrosë është Sekretari i Kuadrove  për kuadrin e jo Drejtori i Kuadrove i cili mund të ndryshojë sipas nevojës.

SHOKU. M. SHEHU.- Çështja organikave të KC të dalin para se të ikni ju. Fletushkat tani vinë porse  nuk janë të pllanifikuara.

 

[Me shkrim dore]: Sekretari Teknik i Byrosë Politike

Haxhi Kroi

 

 

 

(AQSH, F. 14, V.49, D.15)

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency