Standard.al

Drejtori i Bankers Petroleum … 600 milionë lekë rrogë në vit nga Shqipëria

Ervin Kaduku

petroleumPor, kompania nuk i paguan tatimfitimi shtetit që kur ka nisur aktivitetin, me justifikimin se “po kryen investime” prej vitesh! Drejtori, i vetëm, ka marrë në total gjatë 2011-ës 2.5 miliardë lekë fitime vetëm nga aktiviteti në Shqipëri

 

Performanca :

Bankers Petroleum është e pranishme në Shqipëri nga viti 2004. Ajo raportoi më 15 mars të këtij viti rezultatet financiare të vitit 2012, ku më kryesoret ishin sa më poshtë

•           Prodhimi mesatar i naftës ishte 15.020 fuçi naftë bruto në ditë ose 15% më shumë se prodhimi mesatar i 2011-ës.

•           Shitjet e naftës ishin 14.808 fuçi/ditë, rritje me 16%

•           Të ardhurat u rritën me 27% në 432.1 milionë dollarë

 

Viti Paga Bonuse Të tjera Aksione Totali $
2011  400.000 192.000 14.400 1.845.500 2.451.900
2010 370.833 267.300 14.400 1.984.050 2.636.583
2009 300.000 75.000 14.400 1.845.500 1.554.975
2008 280.590 114.500 13.200 4.581.591 4.989.881

 

Kompanitë e huaja kanë plotësisht të drejtë ta shohin Shqipërinë si “pulën që bën vezë të arta”. Këtë e konfirmon, veç shumë e shumë rasteve të tjera, edhe një investigim, i bërë nga portali energjia.al, prej të cilit rezulton se kompania kanadeze Bankers Petroleum, e cila shfrytëzon fushën më të madhe naftëmbajtëse kontinentale në Europë, atë të Patos-Marinzës në Shqipëri, i ka paguar drejtorit të saj ekzekutiv, Abdel (Abby) Badëi, një shifër astronomike, të paimagjinueshme për xhepat e shqiptarëve: 600.000 dollarë për vitin 2011. Kësaj shume i janë shtuar aksionet që kompania i ka dhuruar drejtorit të saj, me një fitim total prej 2.451.000 dollarësh.  A ka shqiptar që të marrë një pagë 2.5 miliardë lekë të vjetra në një vit? Apo 200 milionë lekë të vjetra në muaj? Apo 50 milionë lekë të vjetra në një javë? Që i bie, në fund të fundi, më shumë se 7 milionë lekë në ditë… Sa më poshtë, është riprodhuar pikërisht fitimi që ka nxjerrë ky person në vite nga aktiviteti i tij në Shqipëri, që arrin shumën marramendëse të 11.6 miliardë lekëve, pa përfshirë vitin 2012.

Performanca

Ndërkohë, ashtu si shumë kompani të huaja koncensionare, as Bankersi nuk paguan prej vitesh tatimfitimi, pavarësisht nga këto të ardhura reale dhe këto paga që shpërndan bujarisht për drejtuesit e saj. Dhe, tatimfitimi për kompanitë nxjerrëse të hidrokarbureve është një përjashtim nga taksa e sheshtë: jo 10%, por plot 50 për qind të fitimit! Megjithatë, Bankers vijon të deklarojë se shpenzimet për investime kanë qenë çdo vit më të larta se të ardhurat, ndërkohë që një gjë e tillë ka vlerë vetëm për pagesat që ajo duhet të kryejë në arkën e shtetit shqiptar, por aspak për xhepat e drejtuesve të saj.

Shpërblimet

Është e drejtë e çdo kompanie të vendosë vetë nivelin e pagave që ajo vlerëson si të drejtë për drejtuesit e saj. Sipas deklarimeve të zyrtarëve të tjerë të kompanisë, të kontaktuar, “paga e drejtorit ekzekutiv nuk ndikon në përllogaritjen e kostove në Shqipëri”. Kompania pretendon se fondi i pagave të kompanisë është vetëm sa 1% i shpenzimeve të saj operative. Gjithnjë sipas saj, në 2012-ën, Bankers pagoi pothuajse 65 milionë dollarë taksa (jo tatim fitimi) dhe parashikimet për 2013-ën arrijnë në pothuajse 85 milionë dollarë. Sidoqoftë, në rast se kompania nuk arrin të deklarojë ende fitim, ajo nuk ka se si të japë përfitime kaq bujare për drejtuesit e saj. Një nga debatet e sotme më të mprehta në gjithë botën, kryesisht në vendet me ekonomi më të zhvilluar, është niveli shumë i lartë i pagave dhe sidomos bonuseve të drejtuesve të larta ekzekutivë të shoqërive. Një gjë e tillë në kohë krize ka bërë që, në Zvicër psh, të vendoset me referendum popullor një ulje e ndjeshme me ligj e kufirit të bonuseve dhe shpërblimeve që mund të marrë një person i vetëm nga nja kompani.

Burimi i të ardhurave

Investitorët e huaj janë të mirëpritur në Shqipëri, sidomos ata të hidrokarbureve, që mund të sjellin në vend teknologji për shfrytëzimin edhe të shtresave të naftës e gazit që nuk mund të nxirren nga nëntoka me mjetet e kufizuara të ndërmarrjeve shqiptare dhe biznesit vendas. Por, të mos harrojmë se ajo është naftë që buron nga nëntoka, që është pronë e shtetit shqiptar, pra e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Në rast se shqiptarëve u arrin nga 1 dollar për kokë në vit nga koncensioni dhe një kanadez merr 2.5 milionë dollarë, këtu ka diçka që nuk shkon dhe kjo është evidente. Ligji për koncensionet është mjaft tërheqës për investimin dhe kjo evidentohet nga interesi që tregojnë të huajt për ekonominë shqiptare edhe në kushtet e krizës globale. Por, instanca të caktuara të shtetit duhet të ndjejnë një përgjegjësi të veçantë kur shohin se kush përfiton më shumë, në të vërtetë. Ashtu sikurse nuk duhet të flejë mbi dafina Banka e Shqipërisë, me guvernatorin e saj tepër inaktiv, kur sheh që kompanitë e huaja transferojnë nga Shqipëria jashtë saj një shifër gjigande prej 264 milionë eusosh vetëm vitin 2012, që përbpn një rritje prej 40 përqindësh krahasuar me vitin 2011. Pasuritë tona janë të shumta. Ato duhet të shfrytëzohen. Por, ato janë, në rradhë të parë, tonat. Me sa duket, disa administratorë të shtetit shqiptar lejojnë, me dashje apo pa dashje, që më tepër të përfitojnë prej tyre të huajt se sa ne.

 

Studimi

Emigrantët kapërcejnë ksenofobinë, problem papunësia

Studim i universitetit të Luksemburgut bazuar mbi të dhënat e një anketimi social evropian që ka përfshirë 32 mijë emigrantë të brezit të parë e të dyte dhe 160 mijë vendas në 30 shtete. Nuk është ksenofobia problemi më i madh i emigrantëve në Europë. Janë shumë më të shqetësuar për vendin e punës e shëndetin. E thotë studimi i universitetit të Luksemburgut që bazohet mbi të dhënat e një anketimi social evropian që ka përfshirë 32 mijë emigrantë të brezit të parë e të dyte dhe 160 mijë vendas në 30 shtete, i paraqitur në konferencën e përvitshme të British Sociological Association që mbahet në Londër. Rezultatet kanë treguar që ato që hidhërojnë më shumë emigrantët janë kryesisht problemet e punës dhe të shëndetit. Papunësia, rroga e ulët dhe sëmundjet janë faktorët e parë që kushtëzojnë mirëqenien e emigrantëve. Studimi ka nxjerrë në dritë që emigrantët në vendet me racizëm më të theksuar, pohojnë se vetëm 2% e hidhërimit të tyre ka për shkak ksenofobinë. Të papunët kanë rezultuar më pak të lumtur se pjesa tjetër e të intervistuarve me 7%, ata që fitojnë pak apo kanë rroga të ulëta janë më pak të lumtur me 11% e ata që kanë probleme shëndeti me 9%. Mosha dhe koha e kaluar në vendin pritës kanë dalë parametra shumë të rëndësishëm në vetë-perceptimin dhe përkufizimin e shkallëve të mirëqenies: më pak të lumtur janë emigrantët me moshë 41-60 vjeç, më të kënaqurit ata me moshë 22-30 vjeç. Hulumtimi ka nxjerrë gjithashtu në dritë që sa më e madhe është pasuria e Vendit pritës aq më e madhe është pakënaqësia e përjetuar nga emigrantët kundrejt pjesës tjetër të popullsisë.

Comments are closed.