S’i dha paratë e pensionit, djali vret me dru nënën e tij të moshuar

0
152

Elton Qyno

vret nenenKrimi, në fshatin Kullë të Durrësit, Lefter Pasha qëlloi me drutë e zjarrit 70-vjeçaren Mereme Pasha

Babai i tre fëmijëve vuante nga sëmundje mendore. Një vit më parë i kishte vdekur edhe bashkëshortja

 

Një e moshuar 70-vjeçare është vrarë barbarisht nga djali i saj, për shkak se ajo ka refuzuar t’i jepte lekët e pensionit. Krimi i rëndë ka ndodhur në familjen Pasha në Durrës, ku Mereme Pasha është qëlluar disa herë me një shufër hekuri nga djali i saj, Lefter Pasha, 51 vjeç. Ngjarja është regjistruar në mëngjesin e djeshëm, ku, siç mësohet nga burime pranë policisë së Durrësit, 51-vjeçari i ka kërkuar para nënës së tij, por kjo e fundit ka refuzuar, duke mos i dhënë lekët e kërkuara, për faktin se i biri i harxhonte duke konsumuar alkool. Nisur nga kjo situatë, 51-vjeçari ka këmbëngulur duke insistuar për marrjen e lekëve që e ëma i kishte mbledhur nga marrja e pensionit të saj si e moshuar. Mes nënë e bir ka lindur një konflikt që më pas ka përfunduar në përdorimin e dhunës fizike nga ana e djalit, i cili sikur të mos mjaftohej vetëm me goditje me grushte ndaj nënës së tij, por gjatë përleshjes ka rrëmbyer një dru zjarri, duke e goditur me shumë forcë Mereme Pashën në kokë dhe vende të ndryshme të trupit. Si pasojë e këtyre goditjeve, 70-vjeçares i ka shpërthyer gjaku në kokë dhe për disa minuta ajo ka gjetur vdekjen në mes të dhomës. Sipas burimeve të policisë, 70-vjeçarja ishte personi i vetëm që kujdesej ndaj të birit, i cili vuan nga një sëmundje psikike, pasi një vit më parë atij i kishte vdekur bashkëshortja.

Autori, me probleme mendore

Lefter Pasha, me probleme mendore, ka vrarë paraditen e së shtunës nënën e tij. Krimi i rëndë brenda familjes ndodhi në fshatin Kullë të Bashkisë së Manzës në Durrës. Ngjarja erdhi pas një debati për motive të dobëta mes Lefter Pashës dhe të Meremes 70-vjeçare. Shërbimet e policisë që shkuan në vendin e ngjarjes menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë arrestuar autorin, i cili nuk është larguar nga vendi i ngjarjes, por ka qëndruar i ulur në shtëpinë e nënës së tij, një shtëpi e vogël rrëzë një pallati. Brenda saj duken ende shenjat e krimit që ndodhi. Në mes të dhomës së varfër në pajisje ndodhet një sobë drush. Një dollap i bardhë mban gjurmët e gjakut të asaj që nuk është më. I biri 51-vjeçar jo vetëm që merrte kujdesin e vazhdueshëm të nënës së vet, por e mbante dhe nën presion, duke i kërkuar vazhdimisht para. Edhe paraditen e djeshme i kërkoi së ëmës t’ia dorëzonte atij çelësat e shtëpisë, si dhe paratë e pensionit dhe ato pak para që kishte mbledhur nga dërgesat e fëmijëve të tjerë që jetojnë në emigracion. Gruaja i ruante për një të keqe, një sëmundje a vdekje. Refuzimi i të moshuarës për të lëshuar në duart e të birit plëngprishës dhe me probleme mendore atë pak pasuri që kishte ka marrë reagimin e dhunshëm të tij. Ai e ka goditur me mjete të forta, dru, që viktima përdorte për ngrohje, derisa i ka shkaktuar edhe vdekjen.

Dëshmitë e banorëve

Lidhur me ngjarjen, banorë të fshatit, fqinjë të gruas së moshuar shprehen të habitur, pasi pavarësisht se autori njihej për problemet mendore, ai nuk shfaqej i dhunshëm në komunitet, në jetën e tij të përditshme. Para një viti i kishte vdekur bashkëshortja nga një sëmundje e rëndë. Tre fëmijët e çiftit pas vdekjes së të ëmës nuk jetonin më me babain. Ata ishin larguar te disa të afërm në Greqi. Që nga ajo kohë, shëndeti i tij mendor ishte rënduar edhe më tepër. E ëma shpesh dilte e kërkonte nëpër fshat, pasi i kishte përgatitur ushqimin dhe e ftonte të hante një vakt të ngrohtë. Më së shumti, ngjarja ka tronditur veçanërisht fëmijët e fshatit, disa prej të cilëve kanë dëgjuar edhe debatin e fundit mes viktimës, nënë e 7 fëmijëve dhe djalit të saj, Lefterit. Ngjarja ka lënë pas shijen e hidhur të krimit brenda familjes, ndërsa nipër të gruas së vrarë, por edhe të autorit janë betuar se do të hakmerren ata nëse drejtësia do të tregojë mëshirë ndaj vrasësit.

 

Gjirokastër, kapet Sazan Mana me mina telekomanduese

Tritol makinës së pronarit të diskos

policia arreston prodhuesin e minave

Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një person në kuadër të hetimeve për shpërthimin e makinës të pronarit të një pub-i, mbrëmjen e 4 prillit. Sazan Mana, i dyshuar si një nga bashkautorët e ngjarjes, përgatiste mjete plasëse në mënyrë artizanale me komandim në distancë (telefon apo telekomandë). Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin “Club Sport 30” të marrë prej tij me qera, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17 granata dore mësymëse, tre kapsolla elektrike së bashku me përcjellësit elektrikë që shërbejnë për shpërthime të eksplozivit, 180 fishekë model 56, dy topa fitil zjarrpërcjellës. Nga një kontroll i dytë, i kryer në dyqanin e tij të servisit të celularëve, në një dollap druri u gjet një pako e mbështjellë me letër natriban, brenda së cilës kishte lëndë narkotike rreth 1 kilogram marijuanë. Një sasi e konsiderueshme tritoli e vendosur poshtë prapakolpit të automjetit në pronësi të shtetasit Rudin Haxhia shpërthyer në ecje e sipër mbrëmjen e së mërkurës, por pa shkaktuar lëndim të drejtuesit të automjetit dhe dy shtetasve që udhëtonin me të. Policia vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje, ndërsa ka ngritur akuza “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, si dhe “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” për shtetasin Sazan Mana.

 

Ngjarja në Korçë

Fshehën aksidentin, nën hetim dy mjekë

Policia e Korçës deklaroi se u arrestua në flagrancë shtetasja Ermira Çano, me profesion ekonomiste, sepse në orën 14:30, në lagjen 5, duke drejtuar mjetin me targa AA 455 FX, ka aksidentuar shtetasin Z. L., 68 vjeç, banues në Bitickë, Devoll, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë, për të marrë ndihmë të specializuar. Ndërkohë që lidhur me këtë ngjarje ndiqen në gjendje të lirë shtetasit: E. K., 60 vjeç, banuese në Korçë, arsimi i lartë, me detyrë kirurge në spital dhe A. K., 41 vjeç, arsimi i lartë, banues në Korçë, me profesion infermier, sepse të dy këtë shtetas, duke qenë me shërbim në urgjencën e Spitalit Rajonal Korçë, nuk kanë njoftuar policinë, për shtrimin në spital i të aksidentuar, por e kanë fshehur si ngjarje. Nisur nga kjo situatë policia ka filluar hetimet në gjendje të lirë për veprat penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

 

Grabisnin shtëpitë

Banda në Itali, pranga 15 personave

Policia italiane shkatërron një bandë shqiptare që merrej kryesisht me vjedhje. Bëhet fjalë për një operacion të gjerë të shtrirë në disa qytete të vendit, si Napoli, Rexho Emilia, Potenca, Modena dhe Rimini. Në operacionin e koduar “Flori” kanë marrë pjesë rreth 200 efektivë policie. Gjatë ditës së djeshme u raportua se janë arrestuar të paktën 15 persona, ndërsa 30 të tjerë janë shpallur në kërkim. Banda ishte e shtrirë në të gjithë territorin duke spikatur fillimisht vendet e përshtatshme për të pasuar më pas me vjedhjet. Në shumicën e rasteve, shënjestra e kësaj bande ishin vilat e biznesmenëve, por edhe dyqane dhe apartamente të ndryshme, ku arrinin të hynin dhe të merrnin prej andej sende me vlerë. Një pjesë e këtyre sendeve tregtohej në tregun e zi në Itali, ndërkohë që disa sende të tjera dyshohet se silleshin në Shqipëri, ku dhe shiteshin në dyqane të ndryshme.

 

Përndjekja nga policia

Totozani: Ndalni survejimin ndaj ish-të burgosurve

Ish-të përndjekurit politikë grevistë vazhdojnë të jenë nën mbikëqyrjen e forcave të policisë së Tiranës. Një shqetësim që i është shprehur edhe Avokatit të Popullit Igli Totozani. Nisur nga kjo situatë Avokati i Popullit i ka dërguar një letër drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe drejtorit të Tiranës Bernard Çaushaj. “Në institucionin e Avokatit të Popullit është paraqitur disa herë dhe ka bërë ankesë shtetasi Skënder Tufa, me banim në bulevardin “Gjergj Fishta”, pallati nr. 2, shkalla 4, apartamenti 20/1 Tiranë. Ankuesi pretendon se që prej muajit tetor të vitit 2012, ai së bashku me shtetasit Fatmir Lloçi, Petrit Lipo dhe Besim Valeri, të gjithë ish-të përndjekur politik të regjimit komunist dhe pjesëmarrës në grevën e urisë të zhvilluar nga ky grupim shoqëror gjatë muajve shtator-tetor 2012, mbahen në vëzhgim 24 orë në 24 nga punonjësit e policisë kriminale. Kërkoj heqjen e survejimit të përkohshëm, ndaj këtyre personave”, – thuhet në letrën e Totozanit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency