Shkonin në ceremoni varrimi mbyten në Devoll dy kunatat

0
199

Elton Qyno

mbytjaNgjarja në fshatin Braçan, Mirela dhe Elena Zyfi u rrëzuan në mes të lumit nga rimorkioja

Shpëtojnë rreth 18 persona, mes tyre dhe kryeplaku. Policia arreston Gëzim Zyfin, po ikte

 

Ishin nisur për të shkuar në një ceremoni varrimi në fshatin Braçan, por më pas janë kthyer në banesën e tyre me arkivol. Dy gratë, nëna të pesë fëmijëve të mitur, që mendohet se janë kunata me njëra-tjetrën, kanë qenë mbi rimorkion e një zetori, duke kaluar mbi ujërat e lumit Devoll, që ndan dy fshatrat Braçan dhe Dobranj. Pikërisht nga ky fshat, anëtarë të fisit Zyfi janë nisur drejt fshatit Braçan, për të marrë pjesë në një ceremoni varrimi. Por teksa ishin duke kaluar rrjedhën e lumit, e cila ishte tepër e fuqishme për shkak edhe të prurjeve të mëdha të ardhura si pasojë e reshjeve të shiut, zetori së bashku me rimorkion kanë hasur në një gropë dhe më pas mjeti është përmbysur në mes të ujit. Për pasojë është rrëzuar edhe rimorkioja, mbi të cilin udhëtonin mbi 20 persona, mes tyre dhe dy gratë Elena dhe Mirela Zyfi, përkatësisht 29 dhe 35 vjeçe. Të gjithë personat janë rrëzuar në ujë, mes tyre edhe drejtuesi i traktorit, shtetasi Gëzim Zyfi, 38 vjeç, i cili ka lidhje miqësie me dy gratë që humbën jetën. Drejtuesi i mjetit ka mundur të shpëtojë, ndërkohë që dy gratë janë marrë nga rrjedha e ujit, duke u gjetur më pas të mbytura nga banorët e fshatit dhe polumbarët e mbërritur nga Korça. Trupat e Elena dhe Mirela Zyfit janë transportuar më pas në morgun e spitalit për t’iu nënshtruar ekspertizës mjekoligjore, sipas së cilës, dy gratë kanë gjetur vdekjen si pasojë e pushimit të zemrës dhe mbushjes së mushkërive me ujë.

Shpëton kryeplaku

Mes 20 personave që ndodheshin mbi rimorkion e traktorit ka qenë dhe kryeplaku i fshatit Braçan. Së bashku me personat e tjerë ai është rrëzuar në ujë duke arritur të shpëtojë, pasi ka dalë me not në një vend ku ishte më i cekët. Një veprim të tillë e kanë bërë dhe personat e tjerë, të cilët falë edhe ndihmës së marrë nga ata individë që ishin më tepër të fuqishëm, kanë arritur të dalin buzë lumit, megjithëse totalisht të lagur. Ndërkohë që të tronditur nga mungesa e dy grave, pikërisht këta persona, kanë vrapuar gjatë rrjedhës së lumit me qëllim dhënien e ndihmës së dy grave, por në fakt ato kanë gjetur vdekjen sapo kanë rënë në kontakt me ujin e ftohtë të lumit Devoll. Rryma e fortë e ujit ka bërë dy trupat e pajetë të nxirren rreth 200 metra larg vendit të aksidentit. Ndërkohë, lidhur me këtë ngjarje të rëndë kryeplaku që ka arritur të shpëtojë, ka njoftuar menjëherë në telefon kryetarin e Komunës Miras, duke e vënë në dijeni për incidentin e ndodhur si dhe shefin e komisariatit të Devollit. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivë të policisë së Devollit, të cilët kanë bërë marrjen në pyetje të personave që kanë qenë mbi rimorkion e traktorit dhe disa dëshmitarëve të tjerë që kanë arritur të shohin nga larg të gjithë skenën e aksidentit fatal që u mori jetën dy shtetaseve Elena dhe Mirela Zyfi.

Arrestimi i traktoristit

Menjëherë pas këtij aksidenti me pasojë vdekjen e dy grave policia e Devollit ka bërë arrestimin e drejtuesit të traktorit shtetasit Gëzim Zyfi, teksa ky i fundit ishte duke u larguan nga vendngjarja në drejtim të fshatit Braçan. Strukturat e policisë kanë arritur ta kapin në kohë 38-vjeçarin, ndërkohë që njëherësh kanë bërë sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të traktorit. Gjatë marrjes në pyetje të Gëzim Zyfit, ky i fundit ka deklaruar se gjithçka ka qenë një aksident dhe se ai së bashku me disa prej personave që ndodheshin në rimorkio dhe dy gratë e mbytura do të shkonin në Braçan, pasi kishin një ceremoni varrimi. Pavarësisht nga kjo dëshmi, policia e Korçës ngriti ndaj Gëzim Zyfit akuzën e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen e dy personave.

800 milionë

Kryetari i Komunës Miras, Kryeart Sejdo, e ka quajtur vdekjen e dy grave si një ngjarje tepër të rëndë, për shkak se një gjë e tillë ka ardhur për mungesë të një ure. Sipas tij, në këtë zonë asnjëherë nuk ka ekzistuar një urë e mirëfilltë, por gjithmonë banorët kanë bërë ura druri. Një urë e mirëfilltë, sipas Sejdos, kushton 800 milionë lekë të vjetra, por komuna nuk ka kapacitetet financiare për të bërë një gjë të tillë.

 

Incidenti

Ish-të përndjekurit përplasen me policinë

Një grup ish-të përndjekurish politikë janë përplasur sërish me efektivët e policisë së komisariatit nr. 2 dhe ata të Policisë Bashkiake, pasi ishin duke zhvilluar një tubim paqësor në afërsi të bunkerit, që ndodhet në hyrje të ish-Bllokut. Disa prej ish-të përndjekurve, gjatë tubimit, përpara monumentit që u përurua disa ditë më parë, nga kryebashkiaku Lulzim Basha, kanë shkëmbyer fjalë të ndërsjella me efektivët e komisariatit nr. 2. Pas këtyre fjalëve, pikërisht këta policë kanë filluar të shtyjnë grupin e ish-të përndjekurve, me pretendimin se ata nuk kishin marrë leje për organizimin e tubimit dhe se nisur nga kjo situatë, tubimi ka qenë, sipas tyre, i paligjshëm. Nga ana tjetër, edhe grupi i ish-të përndjekurve politikë ka kundërshtuar forcat e policisë, ndërkohë që pas këtij debati dhe përplasje fizike, askush nga të përndjekurit nuk është shoqëruar në komisariat.

 

Mandrit Dolo

Shoku i Anoril Canit kërkon pushimin e dosjes

Mandrit Dulo, njëri nga të arrestuarit nga policia e Tiranës me 41 kg lëndë narkotike, kërkon në Gjykatën e Tiranës rrëzimin e vendimit të prokurorisë, për zgjatjen e hetimeve ndaj çështjes së tij penale. Bashkëpunëtori i ish-oficerit të përgjimeve Anoril Cani i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Tiranës, por pas marrjes në shqyrtim të kërkesës, gjykata ka vendosur të shpallë moskopetencën, pasi disa ditë më parë çështja i ka kaluar për hetime të mëtejshme, Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Nisur nga kjo situatë tashmë gjykata e Krimeve të Rënda, do të jetë ajo që do marrë në shqyrtim kërkesën,e të arrestuarit Mandrit Dulo, i cili është arrestuar në flagrancë nga agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, gjatë operacionit të koduar “Specialisti”. Në këtë operacion ranë në pranga dhe katër persona të tjerë.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency