Një profesionist në ekonominë publike

0
137

mimaNga Laert Islami

Pakkush e di dhe ndoshta shumë nuk e mbajnë mend se Florion Mima, ministri i sotëm i Ekonomisë, është babai i taksës mbi vlerën e shtuar (TVSH) në Shqipëri. Kjo taksë është burimi kryesor i të ardhurave të buxhetit të shtetit që nga viti 1996, kur z. Mima e ideoi dhe e ngriti si strukturë tek ne. Ishte viti 1996 dhe pa ngurrim kjo taksë ka sjellë deri në ditët e sotme në arkën e shtetit mbi 2 miliardë euro të ardhura. Ajo disiplinon biznesin, e identifikon xhiron e tij formalizon gradualisht ekonominë. Vendosja e TVSH-së ishte dhe ngelet ndër reformat kryesore fiskale të vendit. Kur në fuqi erdhën socialistët, mendjen pjellore të z. Mima sigurisht që e snobuan dhe ky profesionist ndihmoi UNMIK-un në ngritjen e një sistemi tatimor të shëndetshëm në Kosovë dhe më vonë edhe administratën irakiane dhe specialistët amerikanë në reformën fiskale në Irak. Në vitin 2005, z. Mima bëhet pjesë e KOP-it dhe ndihmon programin ekonomik e platformën zgjedhore të Partisë Demokratike. Në vitin 2006, ministri i sotëm i Ekonomisë ishte në grupin e punës që ngriti kryeministri Berisha për të studiuar mundësinë e aplikimit të taksës së sheshtë në Shqipëri. Ishte promotori dhe mbrojtësi kryesor i këtij taksimi. Ka takuar krijuesin, konceptuesin e kësaj takse, prof. Alvin Rabushka-n, i cili e ftoi Shqipërinë në “klubin e vendeve me taksë të sheshtë”. Ka punuar gjatë dhe me seriozitet, duke analizuar të gjitha të mirat dhe mangësitë, sidomos duke i përqasur ato me realitetin shqiptar. Janë llogaritur deri në detaje sjellja e të gjitha kategorive të tatimpaguesve, si do të prekej e ardhura e tyre, si do të shkonin të ardhurat publike pas reformës së taksës së sheshtë. Sot realiteti tregon se vendosja e taksimit të sheshtë ka qenë një reformë solide, e cila realizoi të gjitha pritshmëritë e saj dhe ndihmoi fort ekonominë shqiptare të përballonte krizën botërore financiare e ekonomike të vitit 2008, që vijon edhe sot. Taksimi i thjeshtë thjeshtoi sistemin, rriti investimet, luftoi korrupsionin, rriti të ardhurat fiskale, la më shumë para në duart e sipërmarrësve shqiptarë dhe investuesve të huaj. Nga ana tjetër, taksa e sheshtë rriti përmbushjen vullnetare të detyrimeve fiskale nga ana e tatimpaguesve, rriti numrin e kontribuuesve individualë nga më pak se 300 mijë në vitin 2006 në rreth 460 mijë 5 vite më vonë. Praktikisht formalizoi ekonominë. Për të mbrojtur individët me të ardhura të ulëta u prezantua një prag përjashtimi prej 10 mijë lekësh, i cili nuk tatohej nëse e ardhura nga paga ishte më e ulët se 30 mijë lekë. Njëkohësisht, për këtë kategori por edhe për pagat më të larta u aplikua një rritje rroge e cila ishte e përbërë nga rritja normale vjetore dhe nga rritja që kompensonte tatimin e tepërt që do duhej paguar në skemën e re. Të gjitha këto sot opozita i harron ose më saktë nuk i përmend, sepse po ta bëjë, do të zbulojë demagogjinë dhe populizmin e saj me taksën e sheshtë. Çfarë opozita propozon, pra kthimi në një sistem taksimi progresiv, në kushtet e Shqipërisë do të ishte fatale, tani që taksa e sheshtë është prezantuar dhe aq më tepër me sukses. “Dum-babistat” (Duam Babën!) rozë flasin me një ndjenjë gati urrejtjeje për më të pasurit dhe bizneset e mëdha, duke u rrekur të bindin shqiptarët se parimi marksist për të tatuar sa më fort të pasurit do të largojë varfërinë dhe rrisë punësimin. Në të vërtetë, kthimi në marksizëm në ekonomi vetëm do ta rrënonte atë. E gjitha kjo dalldi prodhohet në emër të një ideologjie shterpë për gjoja më shumë barazi e drejtësi sociale, kurse në fakt do të ndodhte e kundërta. Me Florion Mimën në drejtim të Ministrisë së Ekonomisë, shqiptaret duhet të jenë të sigurt, ashtu si të gjithë ekonomistët e ndershëm të këtij vendi janë, se reforma e koncesioneve dhe privatizimeve do të ecë, investuesit e huaj do të garantohen dhe ndihen më të sigurt të investojnë kapitalet e tyre tek ne dhe sistemi energjetik do të gjejë mbështetësin më profesionist e me integritet tek ne.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency