Standard.al

Kategoria Superiore, bardhebluve u bëjnë punë vetëm tri pikët përballë Skënderbeut

Altin Vorpsi

skenderbeuTirana – Skënderbeu luhet në orën 17:00 në stadiumin “Qemal Stafa”

Të dy trajnerët nuk fshehin ambicien për të fituar

 

 

“Qemal Stafa” do të presë një nga takimet më të rëndësishme të këtij fundsezoni. Skënderbeu, që po shkon drejt titullit të tretë kampion radhazi, do të vizitojë Tiranën për të sfiduar ekipin më të titulluar në Shqipëri. Ashtu si edicionet e fundit bardheblutë po luftojnë për shumë pak… kualifikimi në Ligën e Evropës është objektivi i vetëm i 24 herë kampionëve të Shqipërisë.

 

“Marka”

Në një prononcim për mediat, tekniku i Tiranës, Nevil Dede ka thënë se në të tilla ndeshje fanella ka të bëjë shumë: “Nga eksperienca nuk di të ketë qenë ndonjëherë sfidante, e kam përsëritur dhe më parë që jemi marka më e rëndë e tregut shqiptar. Marka të tjera ka shumë, por askush nuk na arrin”. Më tej numri një i bardhebluve pohoi se “secili do të marrë atë që i takon, përgjegjësitë e tij morale për atë që ka zhvilluar, po zhvillon dhe do të zhvillojë. Ne duam që ta mbyllim me sukses këtë edicion, porse aktualisht po mendojmë vetëm për formën e lojtarëve, që t’u krijojmë atyre kushtet sa më të mira dhe të japim maksimum për t’i kënaqur ata që na ndjekin, duke dhënë rezultatet e punës sonë”.

 

Përballë të shkuarës

Për Mirel Josën ky do të jetë një nga takimet më të vështira. Trajneri i Skënderbeut, përpos respektit dhe tifozllëkut familjar që ka për ish-ekipin e tij (ku ka luajtur dhe e ka drejtuar), kërkon që të marrë maksimumin. Në një intervistë të dhënë për mediat, tekniku i korçarëve i bën një analizë të detajuar skuadrës së tij, kundërshtarit të ardhshëm dhe objektivave. “E donim fitoren me Bylisin, por nuk ia dolëm dot. Megjithatë nuk kemi pse dorëzohemi, pasi në lojë për të kaluar në finale janë edhe 90 minuta. Ai rezultat nuk ka lënë asnjë shenjë të keqe në ekip, madje kemi vënë pikat mbi ‘i’ për ndeshjen me Tiranën. Kundërshtarin e kemi vlerësuar maksimalisht, e ndaj presim të marrim maksimumin. Bardheblutë vijnë me një forcë të madhe psikologjike pas fitores në Krujë, gjë që i bën të rrezikshëm. Megjithatë, për mua çdo ndeshje ka specifikën e vet, ndaj nuk ka vend për krahasime. Tifozët presin prej nesh kthesën, pasi janë mësuar që ne vetëm të fitojmë. Mirëpo nuk luajmë vetëm ne futboll, por edhe rivalët. Ne kemi vuajtur edhe prej dëmtimeve së fundmi dhe kjo ka dhënë ndikimet e veta. Kemi bërë ndeshje të mira, por edhe të këqija, por ky është futbolli. Ndaj i kam porositur futbollistët që të gabojnë sa më pak, duke iu referuar së shkuarës. Në planin personal jo vetëm jam rritur te Tirana si lojtar, por edhe si tifoz, mirëpo të dielën dua fitoren e Skënderbeut”, – tha Josa.

 

 

Skënderbeu i cunguar

Skënderbeu do të udhëtojë “i cunguar” drejt kryeqytetit. Veç faktit që luajnë në transfertë, korçarët duhet t’i bëjnë llogaritë pa 6 titullarë. Do të jetë një takim i vështirë për Josën, i cili ka ende dilema për krahun e majtë të mbrojtjes dhe mesfushës. Ndaj do t’i duhet të sajojë, por nuk përjashtohet mundësia që të grumbullojë edhe dy-tre futbollistë nga ekipi i të rinjve. Një mungesë me peshë dhe e sigurt është ajo e kapitenit Bledi Shkëmbi, i cili ka probleme muskulore. Një tjetër lojtar me probleme është Endri Vrapi, që vuan nga një dëmtim në tendinë. Sakaq edhe Renato Arapi nuk është rikuperuar, pas operacionit në muskujt e barkut. Përpos kësaj, ekipit i shtohen edhe mungesat e Tomiçit dhe Çaushajt, të cilët ende nuk i kanë lënë pas problemet fizike. Tomiç vazhdon të ketë shqetësime në muskujt e gjurit, kurse Çaushaj akoma s’e ka marrë veten pas dëmtimit në muskujt e kofshës. Sikur të mos mjaftonin këto probleme, për Josën shtohet edhe një mungesë tjetër. Bëhet fjalë për Bekim Kulin, i cili u përjashtua të enjten nga ekipi.

 

Tirana bën zgjidhje të forta

Formacioni, që pritet të zbresë në fushë, ka të ngjarë që të jetë si ndaj Kastriotit, me të vetmin ndryshim që në sulm do të luajë Morina. Skema, që do të aplikojë trajneri Dede edhe në këtë përballje, do të jetë ajo 3-4-2-1. Teksa porta do t’i besohet sërish Marsel Cakës, në mbrojtje do rreshtohet treshja: Pigoni, Pashaj dhe Ahmataj. Në mesfushë nga krahët do të luajnë Pema dhe Peposhi, ndërsa në qendër Taku e Muça. Sulmi do t’i besohet Morinës, ndërsa më të tërhequr nga krahët do jenë Hysenbelliu dhe kapiteni Gilman Lika. Edhe një herë Dede ka lanë jashtë lojtarë si Duro dhe dushku.

 

Java e 21-të

 

Dje

14:00 BESA-KASTRIOTI 2-0

Golat: Cikalleshi 25′, 88′ (pen)

 

Sot

14:00 FLAMURTARI-LUFTETARI

14:00 SHKUMBINI-VLLAZNIA

14:00 TOMORI-APOLONIA

14:00 LAÇI-BYLIS

17:00 TEUTA-KUKESI

17:00 TIRANA-SKENDERBEU

 

Renditja         Nd.      Pikë

1 Skënderbeu           20        49

2 Teuta                       20        38

3 Flamurtari  20        36

4 Kukësi        20        36

5 Tirana         20        32

6 Vllaznia      20        32

7 Laçi             20        28

8 Kastrioti      21        28

9 Besa                        21        27

10 Bylis          20        26

11 Luftëtari    20        18

12 Shkumbini           20        16

13 Tomori      20        9

14 Apolonia 20        9

 

 

 

Kavajë

Besa i merr Kastriotit pikë shprese

Kategoria Superiore nisi javën e 21-të në Kavajë, me ndeshjen Besa-Kastrioti, e fituar nga vendësit me rezultatin 2-0, falë një dopiete të Sokol Cikalleshit. I pari ishte një eurogol, realizuar në minutën e 25-të të pjesës së pare nga një largësi e konsiderueshme, ndërsa i dyti nga pika e bardhë e penalltisë, dy minuta nga fundi i kohës së rregullt. Lojtari i kësaj fitoreje për kavajasit ishte Cikalleshi që i shtoi tri pikë tepër të çmuara Besës që pak e nga pak po nis t’i largohen disi fundit të ftohtë të klasifikimit. Pas atij barazimi në Vlorë, një javë më parë, tashmë ka ardhur edhe suksesi i plotë ndaj Kastriotit, një rivali direkt për mbijetesë, çka do të thotë se Besa është vënë në rrugën e duhur, por jo të shpëtimit përfundimtar.

 

Sfida

Vllaznia kërkon të thyejë tabunë Peqin

Vllaznia shkon në Peqin me objektiva të mëdha, edhe pse nuk ka fituar atje prej vitit 2009. Pra, katër viteve “agjërim” në këtë transfertë do të tentohet t’u jepen fund vuajtjeve sot. Marrja e tri pikëve i mban gjallë shpresat e kuqebluve për të kapur zonën evropiane, në të kundërt duhet të ngrenë “flamurin e bardhë”. Ajo do të zbresë me mungesa në fushën e lojës. Kështu, një nga pikat më të forta në formacion shkodran, Mirosllav Vujadinoviç, nuk do të jetë gati për duelin me peqinasit. Portieri, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor të kuqebluve, nuk ka arritur ta kalojë dëmtimin e pësuar pak ditë më parë. Një gjë e tillë është konfirmuar zyrtarisht nga stafi mjekësor dhe ai teknik i kuqebluve. Mungesa e malazezit të portës shkodrane përbën një problem më vete për Vllazninë dhe teknikun Artan Bushati në këtë transfertë tejet të vështirë. Ndërkaq, në vend të tij, do të luajë portieri me origjinë shqiptare, por edhe ai nga Mali i Zi, Enis Gjokoviç. Ai për herë të fundit portën shkodrane e ka mbrojtur në ndeshjen e parë të kësaj faze në Korçë, kur Vllaznia fitoi me rezultatin 1-0, duke regjistruar një triumf historik. Në atë kohë Gjokoviç e zëvendësoi Vujadinoviçin, pasi ky i fundit ishte ndëshkuar më parë me karton të kuq, pikërisht në ndeshjen e fundit të fazës së parë ndaj Kastriotit në Krujë. Peqinasit, nga ana e tyre, duket se e kanë marrë rrugën për një kategori më poshtë, ndaj mbetet të shihet se sa do të jenë në gjendje të karikohen e të gjejnë motiv për t’iu kundërvënë shkodranëve dhe rihapur ndonjë dritë fare të vockël shprese në tunelin e mbijetesës, ku kanë qëndruar gjatë tërë këtij sezoni. Shkumbini gjendet në pozita mjaft të vështira dhe renditet në vendin e 12-të me vetëm 16 pikë të grumbulluara. Gjithashtu peqinasit kanë sulmin më të dobët në kampionat, teksa në 20 javë kampionat kanë arritur të realizojnë vetëm 10 gola. Kujtojmë se bardhekaltrit iu bënë gjëmën shkodranëve duke i eliminuar nga Kupa e Shëipërisë që në raundin e dytë, pra shumë herët, duke u hequr atyre një mundësi të mirë për të fituar një trofe e për të shkuar në Evropë.

 

Gjermani

Kapllani rigjen golin

Në Bundesligën e Dytë ka festë shqiptarësh. Edmond Kapllani ka lënë pas atë dëmtim të rëndë që pësoi pak muaj më parë dhe i është rikthyer “zakonit” të vjetër, golit. Sulmuesi i FCV Frankfurtit ka qenë autor i një dy golëshi në atë fitore të thellë (4-1) që mori skuadra e vet përballë Jan Regensburgut. Skuadra nga Frankfurti gjeti avantazhin e dyfishtë me anë të golave të Shtarkut dhe Jelenit. Ndërkohë që bavarezët shkurtuan rezultatin me anë të Hajnit. Ndërkohë që për të shkruar fjalën “fund” në këtë sfidë ishte Kapllani që në minutën e 84 dhe atë të 89 shënoi dy herë. Falë këtyre golave Frankfurti ngjitet në vendin e pestë në kuotën e 43 pikëve. Ndërkohë që Jan Regensburgu mban vendin e fundit me vetëm 18 pikë të grumbulluara.

 

 

 

Comments are closed.