Rritet niveli Fierza, vetëm 20 cm larg pikës kritike, mund të hapen portat

0
184

Ervin Kaduku

ierzaNë orët e mesditës, niveli i ujërave të liqenit të Fierzës ka arritur në 295.80 metra mbi nivelin e detit dhe vetëm 20 centimetra larg pikës maksimale të tij, gjë që mund të arrihet brenda ditës së sotme, duke e bërë të domosdoshme hapjen e portave të shkarkimi

 

Reshjet e dendura të shiut, që kanë përfshirë jo vetëm zonën verilindore të vendit, kanë dyfishuar prurjet e ujit në liqenin e Fierzës, i cili duket se po i afrohet nivelit maksimal të tij. Reshjet pa pushim edhe në zonën e Kosovës kanë bërë që prurjet e ujit të arrijnë deri në rreth 900 metër kub ujë në sekondë. “Në orët e mesditës, niveli i ujërave të liqenit të Fierzës ka arritur në 295.80 metra mbi nivelin e detit dhe vetëm 20 centimetra larg pikës maksimale të tij, gjë që mund të arrihet brenda ditës së sotme, duke e bërë të domosdoshme hapjen e portave të shkarkimit”, thanë dje burime nga salla e komandës së hidrocentralit. Ndërkohë që niveli rritet me shpejtësi, reshjet e shiut vazhdojnë pa ndërprerje, duke e përkeqësuar më tej situatën. Liqeni i Fierzës shërben edhe si rregullator për liqenet e Vaut të Dejës dhe Komanit, të cilët janë shumë pranë pikave të tyre maksimale. Niveli maksimal i liqenit të Fierzës është në 296 metra mbi nivelin e detit, pas të cilit, shkarkimi i ujërave të tepërt është i domosdoshëm dhe në kushtet e rënies së shirave, shkarkimi i ujit bëhet i domosdoshëm.

Liqeni

Rezervuari i liqenit ka një vëllim prej 2,7 miliard metër kub ujë, ndërsa sipërfaqja e tij arrin në rreth 73 kilometër katrore. Problem shtesë përbën për strukturat e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare fakti që liqeni i Ohrit ka arritur në një pikë shumë të lartë niveli, ndërkohë që ende autoritetet e Maqedonisë nuk kanë dhënë urdhër të hapen krejtësisht portat që derdhin ujin në lumin e Drinit të Zi në Strugë. Në rast se ndodh një gjë e tillë, do të ishte e pamundur për KESH-in të mbajë të mbyllura portat shkarkuese të Fierzës, pasi uji nga ky liqen derdhet nëpërmjet Drinit në HEC-et e Kaskadës së këtij lumi. Lidhur me kuotën e lejuar të hapjes së portave të Fierzës ka pasur dhe ka vazhdimisht opinione të ndryshme nga specialistët e hidroenergjetikës. Shumica mendojnë se diga e këtij HEC-i mund të përballonte një kuotë ujore edhe mbi 297 metra mbi nivelin e detit, ndoshta deri në 300 metra. Por, sipas të tjerëve, rreziku rritet në një drejtim tjetër, jo sepse rrezikohet diga. Në rast rritjeje të kuotës tej parametrave të lejuar, skarpatet prej dheu në të dy faqet e malit në hidrocentralin në fjalë rrezikojnë të rrëzohen e të rritin më tej nivelin e ujit, duke kërcënuar jo vetëm digën, por edhe vërshime të pakontrolluara të ujit gjatë derdhjes së lumit.

Për rastet e emergjente

Në çdo rast, është Sekretariati i Digave të Mëdha, një strukturë shtetërore me specialistë e drejtues zyrtarë, që mblidhet kryesisht në raste emergjencash, ai që duhet të marrë vendimin për hapje të mundshme të portave, apo për të pritur me durim kalimin e situatës. Sidoqoftë, kemi të bëjmë në këtë vit me një vit tepër të lagësht dhe, nga ana tjetër, të ngrohtë, që nuk ka lejuar depozitimin e borës – kësaj rezerve të mirëfilltë ujore – që duhet të shërbente për të furnizuar ujëmbledhësit në pranverë e në verë. Sipas meteorologëve, Shqipëria është përfshirë në një periudhë 30-vjeçare me reshje të dendura, që ka filluar në vitin 2010. Periudha pason një 30-vjeçar të thatë, në një alternim të vazhdueshëm moti, ndonëse në përgjithësi temperaturat kanë ardhur në rritje dhe reshjet në rënie relative. Pozitive në këto kushte është realizimi i projekteve të njëpasnjëshme të rritjes së sigurisë së digave, të kryera vitet e fundit me financim nga institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare si dhe me pjesëmarrjen e qeverisë zvicerane. Ndërkohë, privatizimi i HEC-eve mbi Mat dhe Bistricë krijon kushte të reja, ku shteti duhet ta thotë me forcë fjalën e vet përballë privatit, pronar të ri, duke kërkuar respektimin e të gjitha rregullave hidrologjike, në mbrojtje të zonave ku derdhen ujërat e lumenjve në fjalë.

 

Olldashi: Nisin punimet për ndërtimin e rrugës Fier – Levan

Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, bëri të ditur se kanë nisur punimet për ndërtimin e segmentit rrugor Levan – Fier, prej 7.2 kilometrash. “Sot (dje) kam një lajm të mirë për të gjithë ata që udhëtojnë nga dhe drejt Jugut të vendit. Kemi nisur punimet në segmentin Levan – Fier, 7.2 km. Përfundojnë për 35 ditë”, – deklaroi ministri Olldashi në rrjetin social Facebook. Segmenti rrugor Levan – Fier, është pjesë e autostradës Levan – Vlorë, pjesë e Korridorit Veri-Jug dhe Korridorit VIII Trans-Evropian. Projekti i ndërtimit të rrugës Levan-Fier është hartuar që në vitin 2004. Por, zbatimi i këtij projekti filloi në vitin 2007. Më pas projekti u ndryshua, gjë që sollën edhe nevojën për financime shtesë si dhe vonesën e punimeve.

 

 

Qipro, 1 miliard euro borxh nga FMN-ja

Një miliard euro është kontributi që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka planifikuar të japë për shpëtimin e sistemit bankar të Qipros, sipas deklaratës së fundit të drejtores së përgjithshme të FMN-së, Christine Lagarde, e cila specifikoi se bëhet fjalë për “një borxh me 3 vjet kohëzgjatje”. Plani do të shqyrtohet nga organi ekzekutiv i FMN-së “në fillim te majit”, sipas Lagarde. Kontributi është pjese e paketës prej 10 miliardë eurosh, e vendosur nga FMN, Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane për të rimëkëmbur bilancin shtetëror te Qipros. 9 miliardët e tjerë do të merren nga Mekanizmi Eropian i Stabilitetit, organizata ndërkombëtare krijuar dy vjet më parë nga institucionet e BE-së për të ndihmuar në arritjen e stabilitetit financiar të zonës euro.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency