Politika i lë qytetarit “dobiçin në derë”?

0

fugaArtan FUGA

Loading...

Me daljen e LSI-së nga qeveria, për shkak të hyrjes në një bashkëpunim parazgjedhor me Partinë Socialiste, mbetën bosh disa poste ministrore, të cilat Kryeministri Berisha i zëvendësoi me figura të tjera politike nga partia e tij ose nga shoqëria civile.

Në këtë shkrim unë nuk dua të merrem me analizën e bashkëpunimit të pritshëm parazgjedhor midis partive të majta, çka është një e drejtë e tyre për ta bërë ose mos ta bërë. Partitë politike si shoqata politike private janë të lira për t’u paraqitur në zgjedhje ashtu sikurse e mendojnë.

Tjetër gjë më intereson në këtë rast. Ne kemi një shtet të partive, çka do me thënë se ministritë e ndryshme kanë qenë në njëfarë mënyre të ndara mes partive të koalicionit qeveritar me bazë bashkëpunimin disavjeçar midis Partisë Demokratike dhe LSI-së. Aq e vërtetë është kjo, sa shpesh kur një ministër që i përkiste LSI-së ikte nga një post ministror, ai zëvendësohej nga një tjetër ministër i po kësaj partie, ose kur ikte një ministër i Partisë Demokratike, ai zëvendësohej nga po një ministër demokrat.

Në publik është dukur qartë se ishin ndarë dikasteret mes partive politike. Partitë politike si organizata private i janë mbivendosur shtetit si e mirë publike dhe duket se kështu do të vazhdojë edhe më tej derisa të kuptohet se ky nuk është shteti ligjor që presim apo kemi pritur.

Edhe tani, thashethemet në publik flasin për një ndarje të mundshme dhe të shpresuar të posteve ministrore midis koalicioneve fituese në të ardhmen, pavarësisht se cilët do të jenë këta, të majtë ose të djathtë.

Përsëri po përvijohet vazhdimi i shtetit të partive politike.

Partia në pushtet në njëfarë mënyre, duke i lënë partisë aleate me të disa ministri dukej sikur i kishte “larë duart” nga përgjegjësia për ata sektorë, aq të rëndësishëm, sikur janë shërbimet sociale të shtetit, Ministria e Shëndetësisë apo Ministria e Ekonomisë apo e Punëve Sociale.

Lojërat politike paraelektorale kanë një çmim transaksional që e paguan qytetari.

Kjo është një nga dobësitë që manifeston shteti i partive, shpenzimet e të cilit i paguan qytetari.

Ja një shembull. Nga prilli e deri nga shtatori, derisa të dalë qeveria e re, në rastin më të mirë, nëse nuk do të ketë gjëra të paparashikuara, ministrat e rinj ndryshohen në çastin e fundit dhe pikërisht kur ata as mbajnë përgjegjësi morale për çka është bërë deri tani dhe për rrjedhojë që nuk do të bëjnë ndonjë lëvizje të rëndësishme në këta muaj që mbeten. Edhe ministrat që ikën, pa dhënë asnjë farë llogarie për atë që kanë bërë në këto vite, ikën bashkë me dëshirën e tyre politike për një koalicion të ri, e drejta e tyre, por na lanë ne qytetarëve me gisht në gojë, sepse ne prisnim të dëgjonim prej tyre se çfarë bënë për ne dhe çfarë nuk mundën të bënin dot për ne qytetarët, jo për partinë e tyre apo veten e tyre.

Me një fjalë na kanë lënë nga pak “dobiçin në derë”, sikurse thotë populli.

E them këtë, sepse nuk është vetëm puna e ministrave, të cilët duke qenë figura politike kryesore të partive politike, duke qenë edhe deputetë, sigurisht duhet të zgjidhnin midis postit administrativ që kishin dhe detyrave politike në partitë e tyre. Shumë më tepër sesa kaq është edhe fjala për personat që punojnë në administratën e ministrive, në administratën e bashkive apo komunave dhe në administratën e ndërmarrjeve të mëdha publike.

E them këtë, sepse “dobiçin në derë” na e lanë neve qytetarëve jo vetëm ministrat që u larguan nga qeveria, por tani ka rrezik të na e lënë edhe nëpunësit që kanë ardhur në administratën e shtetit jo për shkak të aftësive të tyre profesionale dhe administrative, por sepse kanë qenë militantë të kësaj apo asaj partie. Në fusha nga më të ndryshme të jetës së vendit askush nuk do të mbajë përgjegjësitë dhe minipërgjegjësitë për atë që është bërë apo nuk është bërë në këto vite.

Shteti i partive ia lë “dobiçin në derë” qytetarit në të gjitha nivelet dhe në të gjitha kuptimet.

Duket sikur ne shqiptarët kemi shpikur një logjikë të re administrative, çka Max Weber, një nga themeluesit e mëdhenj të kulturës së burokracisë, do të ishte kthyer në varr, sikurse thuhet, po ta kishte ditur se si ne po e ndërtojmë shtetin ligjor. Në vend të një burokracie administrative, ndërtuar sipas meritave personale, sipas hierarkisë vertikale, sipas ndarjes së roleve dhe funksioneve jashtë çdo ndikimi politik elektoralist, ne kemi ndërthurjen e saj me zyrat e kuadrit të partive që kërkojnë në çdo administratë kuotat e tyre për vende pune për militantë apo pjesëtarë të elektoratit të tyre.

Më duket sikur jetoj ende në vitet gjashtëdhjetë, kur partia në fuqi atëherë i dha një goditje të rëndë burokracisë formale të shtetit, duke i zëvendësuar me punëtorë, militantë, komisarë e lloj-lloj sharlatanësh që hiqeshin si garantues të partishmërisë. E njëjta gjë po ndodh edhe më pas në periudhën postdiktatoriale, kur partishmëria po realizohet nëpërmjet ndarjes së vendeve edhe për roje, kopshtarë, mbledhës plehrash, sekretare kabinetesh ministrore etj. midis partive në koalicion.

Kjo na turpëron si qytetarë të shekullit të njëzetenjëtë, si punonjës të shkencave politike, si shqiptarë dhe si njerëz politikë. Nuk mund të pajtohen logjikat administrative dhe logjikat politike në administrimin e punëve publike dhe të interesit të përgjithshëm të shoqërisë.

Koalicionet mes partive politike, aq të natyrshme në një vend demokratik, ku partitë nuk janë veçse çështje private personash që mendojnë se vetja e tyre mund të përfaqësojë qytetarët, dhe u kërkojnë këtyre besimin, duke e përdorur mirë ose shpërdorur rëndë, sipas rastit, nuk mund të kthehen në aleanca për poste ministeriale.

Unë mendoj se gjëja që duhet t’u premtojnë qytetarëve qoftë të majtët qoftë të djathtët që do të marrin pushtetin në qershor, nëse çdo gjë shkon normalisht, është se aleancat partiake nuk do të kthehen më në aleanca ministeriale apo për poste ministrash, ku në ekranet e televizionit të shohim një qeveri kur karriget të jenë zënë nga drejtues të partive politike të ndryshme që njëkohësisht janë edhe deputetë, edhe drejtues partish politike, edhe ministra.

Ku është këtu ndarja e pushtetit politik, legjislativ dhe ekzekutiv?

Çfarë detyrimi e kusuri ka qytetari që pothuajse për nja gjashtë muaj në katër vjet të ketë një qeveri ku ministrat ikin nga kabineti dhe ku pasi hyjnë në fushatat zgjedhore të pritshme, nuk kuptohet se ku janë ata: në fushatë elektorale apo në zyrat e tyre duke i shërbyer së mirës publike dhe jo çështjeve private të partive që iu përkasin?

Duket sikur situata është bërë vërtet paradoksale dhe qytetarit, dalëngadalë edhe nga analistët që dalin në televizione e që bëjnë kalkulime për ministritë e partive, po i duket se po të jetë socialist më mirë është të jetojë në Durrës dhe në Vlorë, kurse po të jetë demokrat, mirë është të jetonte në Tiranë ose në Shkodër. Kurse po të ishte LSI-ist e të kishte një problem me Ministrinë e Ekonomisë, më mirë do të ishte të shkonte ta zgjidhte këtë problem në Ministrinë e Ekonomisë ose po të ishte grek e të kishte një problem me Ministrinë e Arsimit, më mirë do të kishte qenë të shkonte ta zgjidhte te Ministria e Punës.

Periudha paraelektorale dhe paselektorale është më e mira për të parë nga afër se shteti i partive i krijon probleme, ka kosto për qytetarin, ministra të rinj që vijnë në fund dhe qëndrojnë për muaj në detyrë duke qenë fare të përkohshëm në postet e tyre, kurse ata që ishin ikën në drejtime administrative të paditura.

Dikush mund të pyesë:

Po si t’ia bëjmë?

Kjo është jeta politike në demokraci!

Absolutisht e pavërtetë.

Partitë kanë punën e tyre, kurse ministrat dhe administrata e shtetit kanë logjikën e tyre dhe detyrimet e veta.

Unë si qytetar do t’u uroja gjithë të mirat ministrave që ikën nga kabineti “Berisha”, në mënyrë që ata të kenë suksese të mëtejshme në karrierën e tyre politike, që është një çështje krejt private në të cilën do të më thahej goja po të ndërhyja dhe po të thosha ndonjë fjalë të keqe.

Vetëm suksese të kenë!

Por, ama si ish-ministra ata do të duhej të na bënin një raport publik për ato që bënë dhe ato që nuk bënë, pra të mos shohin vetëm përpara, por të shohin pak edhe mbrapa, çfarë na kanë lënë pas, një “qyp me florinj” apo “dobiçin në derë”.

Nuk paragjykoj askënd, vetëm si qytetar do ta kisha dashur një analizë të tillë.

Partitë në koalicionet e ardhshme qeveritare, të majta apo të djathta, nuk duhet të negociojnë fare postet ministeriale që do të kenë në qeverisjen e tyre të ardhshme, kushdo që të fitojë, por duhet të shohin thjesht politikat dhe strategjitë e zhvillimit të vendit dhe reformat e ndërmarra.

Aleancat janë të grupeve parlamentare që drejtojnë politikat, kurse ministritë nuk janë të partive dhe nuk ndahen si torta e njëqindvjetorit të pavarësisë te Pallati i Kulturës, ku më i zoti dhe më i shkathëti kërkon copën e tij të tortës, duke mbushur me copa torte legenë dhe govata për t’i çuar në shtëpi.

Një zgjidhje e thjeshtë.

Veç Kryeministrit të ardhshëm, asnjë ministër tjetër nuk duhet të jetë deputet ose asnjë deputet i ardhshëm nuk duhet të jetë ministër.

Përndrydhe, e kundërta përbën një konflikt interesi të paparë, më të madhin, më të dëmshmin, të tjerët nuk janë veçse një lojë përpara tij. Çfarë kuptimi ka t’i ndalosh deputetit të kryejë funksione të tjera apo të ketë angazhime të tjera profesionale me kohë të plotë pune, kur atij nuk i ndalohet pikërisht të jetë ministër ku bashkon kundër parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve fuqitë e pushtetit legjislativ dhe pushtetin ekzekutiv?

Ministrat jodeputetë do të ishin shembulli i administratës jomilitante. Nuk ka kuptim të votosh ligjin për administratën publike për punonjësin civil, kur ministri vetë përzien pushtetin legjislativ dhe pushtetin ekzekutiv mu në mes të ditës dhe nën dritën e diellit, me aprovimin servil të dhjetëra analistëve dhe servilëve ministrorë.

Po të ndahen këto funksione, edhe aleancat e partive do të jenë më të sinqerta dhe më të vërteta, do të jenë në interes të qytetarit dhe jo të deputetëve. Nuk do të nisen nga dëshira për poste ministrore. Çfarë kuptimi, për shembull, do të kishte që një ministër, të cilin e kemi parë për dy vjet në një qeveri me një ngjyrë politike, ta shihnim, nëse rasti do ta sillte, po përsëri ministër në një qeveri tjetër të ardhshme me ngjyra të tjera politike. Do të kishte qenë jo vetëm paradoksale, jo vetëm qesharake, por edhe e trishtueshme për fatin e qytetarit dhe të demokracisë shqiptare.

Po të mos kishin qenë ministrat deputetë apo figurat kryesore politike të një partie, ne sot nuk do të ishim braktisur në mes të ditës nga ministra që i lënë postet në heshtje pa dhënë llogari para qytetarëve dhe opinionit publik. Nuk do të kishim një qeveri që për nja gjashtë muaj nuk dihet se sa do të jetë në zotërim të çështjeve publike, sepse ca ministra ikën dhe ca erdhën, por nuk kanë se çfarë bëjnë për disa muaj rresht. Përgjegjësia politike dhe administrative e ministrit ra në ujë. Çfarë t’u kërkojmë nëpunësve të thjeshtë?

Shtet ligjor, jo shtet i partive politike si shoqata private të shoqërisë civile, jo ministra deputetë dhe jo deputetë ministra, jo koalicione ministrish, ku postet ministrore të ndahen sipas negociatave politike për partitë politike, por koalicione partish dhe grupesh parlamentare për politika zhvillimi dhe reforma; jo ngatërrim i pushteteve politike, ligjore dhe ekzekutive shpenzimet e të cilit i paguajmë ne qytetarët, që një herë në katër vjet na lënë “dobiçin në derë”.

 

 

 

 

Loading...