Mandela në gjyqin: E kam mohuar të qenit komunist, jam një patriot afrikan!

0
145

mandelaSpeciale/ Deklarata e Mandelës në Gjyqin e Rivonisë dhe dhënia e dënimit

 

Më 20 prill, nën masa të forta sigurie, të pandehurit u çuan në Pallatin e Drejtësisë për të paraqitur mbrojtjen. Atë ditë, në gjyq kishin shkuar edhe Uini me nënën e Mandelës. Mandela u ngrit dhe filloi të lexonte ngadalë:

“Unë jam i akuzuari i parë. Kam shkallën e Baçelorit në Arte dhe kam punuar si avokat në Johanesburg për disa vite së bashku me z. Oliver Tambo. Jam një i burgosur i dënuar që po kryej pesë vjet burg për largim ilegalisht nga vendi dhe për nxitjen e popullit për grevë në maj të vitit 1961.

“Pranoj të kem qenë një prej atyre që ndihmuan në krijimin e MK-së dhe të kem luajtur një rol të shkallës së parë në punët e saj, deri sa u arrestova në gusht të vitit 1962.

“Që në fillim dua të hedh poshtë pretendimin e shtetit se lufta në Afrikën e Jugut ka ndikimin e të huajve dhe të Partisë Komuniste. Unë kam bërë ç’kam mundur, qoftë si individ e qoftë si udhëheqës i popullit tim, i prirë nga përvoja në Afrikën e Jugut dhe nga prejardhja ime afrikane dhe jo nga ato që mund të kenë thënë të huajit.

“E kam mohuar të qenit komunist. E kam konsideruar veten gjithnjë si një patriot afrikan. Më pëlqen ideja e një shoqërie pa klasa, gjë që ka lindur pjesërisht nga leximi i Marksit dhe pjesërisht nga admirimi që kam për organizimin e shoqërive të hershme afrikane në këtë vend.

“Në rininë time në Transkai, kam dëgjuar ndodhi të treguara nga të vjetrit e fisit tim për kohët e shkuara. Ndërmjet tyre kam dëgjuar për luftërat e bëra nga paraardhësit tanë në mbrojtje të atdheut. Kisha shpresuar që jeta të më sillte rastin t’i shërbeja edhe unë popullit tim si ata dhe të jepja edhe unë kontributin tim modest në luftën për liri. Këto më kanë motivuar për të gjitha ato që kam bërë në lidhje me akuzat që më bëhen…

“Pas kësaj, po kaloj në çështjen e dhunës. Disa nga ato që u thanë në këtë gjyq janë të vërteta e disa jo. Nuk mohoj se kam planifikuar sabotime. Nuk i kam planifikuar ato me shpirt papërgjegjësie, apo sepse më pëlqente dhuna. I planifikova ato si pasojë e një vlerësimi të qetë e të kthjellët të gjendjes politike që u krijua pas shumë vitesh tiranie, shfrytëzimi dhe shtypje të popullit tim nga të bardhët.

“Ne të KKA-së kemi qenë gjithnjë për një demokraci joraciale dhe kemi shmangur veprime që do t’i çonin racat edhe më larg njëra-tjetrës. Por, e vërteta është se pesëdhjetë vjet të mospërdorimit të dhunës nuk i sollën asgjë popullit afrikan, përveçse ligje më represive dhe gjithnjë e më pak të drejta. Mund të mos jetë e lehtë për këtë gjyq të kuptojë, por është fakt se, qysh prej një kohe të gjatë, populli flet për dhunë, për ditën kur ai do të mund të luftojë me të bardhin dhe të rifitojë atdheun dhe ne, udhëheqësit e KKA-së, kemi mundur ta mbajmë nën kontroll këtë popull, të shmangim dhunën dhe të përdorim metoda paqësore…

“Por ndjemë, se pa dhunë afrikanët nuk do të kishin sukses në luftën e tyre kundër parimit të supremacisë së njeriut të bardhë. Të gjitha mënyrat e ligjshme të të shprehurit të kundërshtimit ndaj atij parimi na ishin mohuar. Ishim në një pozitë që, ose do të pranonim një gjendje të përhershme inferioriteti, ose do të sfidonim qeverinë… Fillimisht ne thyem ligje, pa kaluar në dhunë. Por, kur qeveria kaloi në dhunë për të na shtypur, ne vendosëm t’i përgjigjeshim dhunës me dhunë.

“MK-ja u formua në nëntor të vitit 1961. Kur e morëm atë vendim dhe formuluam planet tona, trashëgimia e mosdhunës dhe e harmonisë së racave të KKA-së ishte përsëri bindja jonë. Por, po ndjenim se vendi po rrëshqiste drejt një lufte civile, në të cilën do të luftonin të zinjtë me të bardhët. Këtë gjendje e pamë me alarm. Lufta civile do të thoshte shkatërrimi i idealeve të KKA-së dhe një paqe raciale gjithnjë e më e vështirë për t’u arritur. Ne kemi shembuj në Afrikën e Jugut të pasojave të luftës. U deshën rreth pesëdhjetë vjet që të pakësoheshin plagët e Luftës Boere. Sa kohë do të duhej që të zhdukeshin plagët e luftës raciale, e cila do të shoqërohej me humbje të mëdha nga të dy anët? Dhuna që vendosëm të përdornim nuk ishte terrorizëm.

“Ne besonim se Afrika e Jugut ishte atdheu i të gjithë popujve që jetonin në të, dhe jo vetëm i një grupi: i të zinjve apo i të bardhëve. Ne nuk donim një luftë midis racave dhe ngulmuam ta shmangnim atë deri në minutën e fundit. Dhe plani ishte që MK-ja të kryente sabotime, dhe anëtarëve të saj u ishin dhënë udhëzime të prera që nga fillimi, që të shmangnin në çdo rast plagosjen apo vrasjen e njerëzve. Kundërpërgjigjja e pushtetarëve të bardhë qe e shpejtë dhe brutale: sabotimi u deklarua krim, që dënohej me vdekje.

“Përvoja na kishte bindur se rebelimi i padhunshëm do t’i jepte qeverisë mundësi të pakufishme për masakrimin pa dallim të popullit tonë. Por, meqenëse trualli i Afrikës së Jugut ishte larë edhe më parë me gjakun e afrikanëve të pafajshëm, e ndjemë si detyrë të përgatiteshim për një ndërmarrje afatgjatë, për të përdorur forcën që të mbronim veten kundër forcës. Në qoftë se lufta do të bëhej e pashmangshme, ne donim që ajo të zhvillohej në terma të favorshme për popullin tonë. Pas sabotimeve, lufta që do të na interesonte më shumë dhe që do të kishte më pak humbje jetësh në të dy anët, do të ishte lufta guerilase. Kështu, vendosëm për të ardhmen të përgatiteshim për mundësinë e zhvillimit të një lufte guerilase.

“Të gjithë të bardhët kryejnë stërvitje të detyrueshme ushtarake, kurse afrikanët nuk kryejnë. Për ne ishte me shumë rëndësi të krijonim bërthama të njerëzve të stërvitur që do të merrnin komandat e njësive guerilase. Ne duhej të përgatiteshim për këtë gjendje para se të ishte shumë vonë.” Mandela vazhdoi të shpjegonte se në këto kushte ai u largua nga vendi për të marrë pjesë në Konferencën në Adis-Abebas dhe për të kryer stërvitje ushtarake e për t’u përgatitur për atë luftë. “Kredoja ideologjike e KKA-së ka qenë dhe është kredoja e nacionalizmit afrikan. Ajo nuk shprehet me thirrjen “Hidhe të bardhin në det!”; Nacionalizmi afrikan i KKA-së shprehet me konceptin e lirisë dhe zhvillimit të popullit afrikan në vendin e tij.

“KKA-ja, ndryshe nga Partia Komuniste që kërkon të rrëzojë kapitalistët dhe t’i zëvendësojë ata me klasën punëtore, kërkon që të zhvillojë unitetin e popullit afrikan dhe t’i japë atij të drejta të plota politike. Partia Komuniste kërkon të theksojë ndryshimet klasore, ndërsa KKA-ja kërkon t’i harmonizojë ato.

“Është e vërtetë se ka pasur bashkëpunim të ngushtë midis KKA-së dhe Partisë Komuniste, por ai bashkëpunim është provë, se në këtë rast kemi të njëjtin qëllim: zhdukjen e superioritetit të bardhë. Historia e botës është e mbushur me shembuj të ngjashëm. Ndofta, më i rëndësishmi është bashkëpunimi midis Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik në luftën kundër Hitlerit. Asnjë, përveç Hitlerit, nuk mund të thoshte se ai bashkëpunim e ktheu Çërçillin apo Rusveltin në komunist, apo në vegël të komunizmit, apo se Britania dhe Amerika po punonin të sillnin komunizmin në botë.

“Ndofta është e vështirë për të bardhët jugafrikanë, me paragjykime të ngulitura thellë kundër komunizmit, që të kuptojnë se përse politikanë afrikanë me përvojë i pranonin komunistët si miq të tyre. Për ne arsyeja është e thjeshtë: ndryshimi teorik midis atyre që luftojnë kundër shtypjes është një luks që ne nuk mund ta përballojmë në këtë fazë. Përveç kësaj, për dekada, komunistët kanë qenë i vetmi grup politik që na ka konsideruar ne, afrikanët, si qenie njerëzore, si të barabartët e tyre, që ishin të gatshëm të hanin me ne, të bisedonin me ne, të jetonin dhe të punonin me ne. Për shkak të kësaj, ka shumë afrikanë sot që barazojnë komunizmin me lirinë.”

Mandela i tha gjyqit se ai nuk kishte qenë kurrë komunist, por një patriot afrikan dhe se kjo ishte e vërtetë edhe për shumë udhëheqës të shteteve të reja të Afrikës që pranuan disa forma të socializmit për të ndihmuar vendet e tyre të arrinin vendet e zhvilluara të Perëndimit.

“Nga leximi i literaturës marksiste dhe nga bisedat me marksistë, kam kuptuar se komunistët e shohin sistemin parlamentar të Perëndimit si reaksionar dhe jodemokratik. Në kundërshtim me ta, unë jam admirues i një sistemi parlamentar perëndimor.

“Unë kam shumë respekt për Parlamentin Britanik, si institucionin më demokratik dhe pavarësia dhe paanshmëria e sistemit gjyqësor britanik gjithnjë më ka ngjallur admirim. Kongresi Amerikan, doktrina e ndarjes së pushteteve, si dhe pavarësia e sistemit gjyqësor, më kanë ngjallur të njëjtat ndjenja. “Jam ndikuar në mendimin tim si nga Lindja, ashtu edhe nga Perëndimi. E gjitha kjo më ka çuar të ndjej se për gjetjen e një formule politike duhet të jem gjithnjë i paanshëm dhe objektiv. Nuk duhet ta lidh veten me asnjë sistem të caktuar shoqërie. E lë veten të lirë të zgjedh më të mirën nga Perëndimi dhe nga Lindja.

“Qeveria u përgjigjet shpesh kritikëve të saj, duke thënë se afrikanët në Afrikën e Jugut janë ekonomikisht më mirë se afrikanët në vende të tjera në Afrikë… Ankesa jonë nuk është se jemi të varfër, duke u krahasuar më të tjerët në vende të tjera, por se jemi të varfër duke u krahasuar me të bardhët në vendin tonë, dhe se jemi të privuar me ligj për ta ndryshuar këtë zhbalancim…

“Për shkak të kësaj sjelljeje, të bardhët tentojnë t’i shohin të zinjtë si lloj i ndarë. Ata nuk i shohin të zinjtë si njerëz me familje të tyre, ata nuk kuptojnë se edhe të zinjtë kanë emocione, se edhe ata bien në dashuri, sikurse edhe të bardhët, se edhe ata duan të qëndrojnë me gratë dhe me fëmijët e tyre njëlloj si dhe të bardhët, se edhe ata duan të fitojnë për të mbajtur mirë familjet e tyre, t’i veshin, t’i ushqejnë dhe t’i çojnë në shkollë…

“Afrikanët duan një pagë të mjaftueshme për të jetuar; afrikanët duan të bëjnë punët për të cilat ata janë të zotë t’i bëjnë dhe jo punët që qeveria thotë se janë të përshtatshme për ta; afrikanët duan të banojnë aty ku gjejnë punën dhe jo të dëbohen nga një zonë, sepse nuk kanë lindur aty.

“Varfëria dhe shkatërrimi i familjeve kanë efekte dytësore. Fëmijët sillen nëpër rrugë të qyteteve, sepse nuk kanë shkolla ku të shkojnë, nuk kanë prindër në shtëpi, sepse ata duhet të punojnë për të mbajtur shtëpinë. Kjo çon në prishjen e standardeve morale, në iligjitimitet, në dhunë…

“Afrikanët duan të drejta të barabarta politike, sepse pa to, këto të këqija do të bëhen të përhershme. E di se kjo duket si revolucionare për të bardhët e këtij shteti dhe kjo i bën ata të frikësohen… Por kjo frikë nuk mund të lejojë të pengojë të vetmen zgjidhje që do të garantojë harmoninë raciale dhe lirinë për të gjithë. Nuk është e vërtetë se e drejta e votës për të gjithë do të rezultojë në dominimin racial të zi. Ndarja politike e bazuar mbi ngjyrë është krejt artificiale, dhe kur të zhduket ajo, do të zhduket edhe dominimi i një grupi mbi një tjetër. KKA-ja ka luftuar për një gjysmë shekulli kundër racizmit. Kur të triumfojë, nuk do ta ndryshojë politikën.”

Pastaj, Mandela e ndërpreu leximin e deklaratës që kishte përgatitur. E la atë dhe iu drejtua trupit gjykues me këto fjalë, që do të bëheshin fjalët më të famshme të tij:

“Gjatë jetës sime i jam dedikuar luftës së popullit afrikan. Kam luftuar kundër dominimit të bardhë dhe kam luftuar kundër dominimit të zi. Kam mbështetur idealin e një shoqërie demokratike dhe të lirë, në të cilën të gjithë të jetojnë së bashku në harmoni dhe me të njëjtat mundësi. Është një ideal për të cilin shpresoj të jetoj dhe ta arrij. Por, po qe nevoja, është një ideal për të cilin jam gati të vdes.”

 

 

Pse Mandela u bë i madh?!

… Mandela nuk u cilësua i madh sepse bëri burg të gjatë, por u cilësua i madh për idealizmin e tij dhe konsekuencën e atij idealizmi. Ai pati një ideal në jetë dhe atë ideal nuk e lëkundi kurrë. Mandela nuk u bë i madh për veprimtarinë e tij para se të burgosej dhe as për veprimtarinë e tij gjatë burgimit, që të dyja ishin në vetvete shembullore, ndonëse jo të jashtëzakonshme, por të mjaftueshme për t’i dhënë atij nder. Mandela nuk u bë i madh as për ndonjë cilësi intelektuale të jashtëzakonshme e as për ndonjë kulturë të gjerë, ai u bë i madh për veprimtarinë e tij pas burgut, për atë veprimtari që, ndonëse e shkurtër në kohë, ishte e ngjeshur në përmbajtje e në vlera. Ai ishte personi që hodhi bazat e një Afrike të Jugut të lirë, demokratike, jo raciale dhe paqësore. Ai doli nga burgu për të udhëhequr një revolucion paqësor dhe për t’u bërë “Ati i Kombit”, për t’u bërë një nga heronjtë më frymëzues dhe një nga politikanët më me integritet në të gjithë epokën e tij. Ai ishte personi që shmangu një luftë të ashpër civile jo vetëm midis të zinjve dhe të bardhëve, por edhe midis vetë të zinjve. Ai u kthye në këtë periudhë nga një udhëheqës politik, në një udhëheqës moral e shpirtëror, i cili bashkoi popujt e Afrikës së Jugut drejt së mirës, ai u kthye në një udhëheqës botëror, emblemë e kurajës morale, me qëndrime të drejta dhe krejt të pavarura nga personazhet e fuqishme botërore, të cilëve të tjerët u lëpiheshin e u jargaviteshin në mënyrën më të neveritshme”- mbi kwto vizione tw Mandelws Ilir Hashorva sjell librin “Nelson Mandela”, botimet Toena. “Mandela është konsideruar si komunist nga regjimet ultra të djathta, sepse ata shihnin racizmin e Afrikës së Jugut, të cilin luftonte Mandela, si një barrierë ndaj komunizmit; është konsideruar si komunist edhe nga regjimet komuniste, pasi ato e donin ta kishin të tyren. Në të vërtetë, Mandela ishte vetëm një demokrat liberal i vërtetë. Krijimi prej Mandelës dhe vënia në punë e Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit ishte, ndofta, kryevepra e tij. Ai Komision bëri që kriminelët, pas rënies së regjimit të aparteidit, edhe pse nuk u dënuan sipas drejtësisë retributive, sipas drejtësisë që të jep dënimin sipas shkallës së fajit, sipas drejtësisë hebraike, nuk u trajtuan as sipas mëshirës së krishterë. Kriminelët u bënë të ulnin kokën dhe të shpallnin të gjitha të vërtetat e krimeve të tyre. Ai Komision bëri që në Afrikën e Jugut të hidheshin bazat e pajtimit kombëtar për të ardhmen. Mënyra se si i zgjidhi Mandela ndarjet nga e shkuara kriminale, ishte me rëndësi shumë të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe shumë vende të tjera e adoptuan atë metodë. Mandela pati meritën që, ndryshe nga disa udhëheqës afrikanë të shteteve të tjera, kuptoi rëndësinë që kishin të bardhët për mbarëvajtjen e vendit të tij dhe i siguroi ata se në Afrikën e Jugut nuk do të shiheshin si armiq. Ai u bëri thirrje atyre që të qëndronin dhe të kontribuonin për Afrikën e Jugut. Mandela pati meritën që të zbuste luftën e ashpër brenda racës, ai bëri thirrje për uljen e armëve dhe për pajtim brenda racës së zezë dhe midis racës së zezë dhe racës së bardhë. Një shprehje e kësaj e klime mirëkuptimi midis racave dhe popujve është vetë Himni i Afrikës së Jugut, i cili bashkon në interpretimin e tij katër gjuhë kryesore që fliten në Afrikën e Jugut, si dhe dy vija melodike: të himnit të mëparshëm të zi dhe të himnit të mëparshëm të bardhë. Po ashtu, shprehje e klimës së mirëkuptimit është edhe flamuri i ri i Afrikës së Jugut, i cili bashkon ngjyrat e flamurit holandez, anglez me ato të popullit afrikan të Afrikës së Jugut. Mandela vetë ka mbajtur qëndrime krejtësisht të paanshme dhe të ndershme për ngjarje të ndryshme ndërkombëtare, duke u nisur nga parime morale e parimore dhe aspak oportuniste a pragmatiste.”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency