Kategoria Superiore Tirana përgatitet për Skënderbeun

0
164

 

tiranaNëse në dy ndeshjet e fundit skuadrën e ka ndjekur nga distanca, ndaj Skënderbeut do të rikthehet në pankinë. Trajneri i skuadrës kryeqytetase tashmë e ka shlyer dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës për ndeshjen me Besën dhe tashmë do ta drejtojë nga afër Tiranën e tij.

 

 

 

Objektivi

 

Për Tiranën sfida me Skënderbeun është diçka e veçantë. E mësuar për të luftuar për titull me ekipe si Partizani, Vllaznia dhe Dinamo, ky fund sezoni është disi i çuditshëm për Tiranën. Tashmë bardhebluve do t’u duhet që të fitojnë përballë një skuadre që pritet të dalë kampione, nëse dëshirojnë të marrin pjesë në kupat e Evropës.

 

 

 

Dede: Ekipi do të karikohet 200 për qind në këtë përballje

 

Ndryshe nga java e fundit në Krujë, kryeqytetasit janë më të qetë, pasi do të kenë edhe rikthime. Mario Morina dhe Xhino Sejdo kanë shlyer dënimin, ndaj këtë të diel do të jenë në fushë. Trajneri Nevil Dede, gjatë një deklarate të dhënë për “Super Sport” dy ditë më parë, ka folur për ndeshjen e radhës. Trajneri e vlerëson kundërshtarin për atë që ka treguar deri më tani, por nga tjetër tregon se më shumë vlerëson skuadrën e tij. Ai thekson se bardheblutë do të jenë tepër të motivuar, ndonëse këtë takim e parashikon të fortë. “Si ne dhe futbollistët korçarë motivohen maksimalisht vetëm nga emri që do të kenë përballë, pasi jemi Tirana. Do të jetë pa diskutim një ndeshje e fortë, e cila do të japë një shfaqje të bukur në fushë, por edhe në shkallët e stadiumit me mbështetjen e të dy tifozerive. Për fatin tonë të mirë ne tifozët i kemi përkrah, të cilët do vazhdojnë të jenë dhe kjo na motivon më shumë”, – tha fillimisht trajneri. Më tej ai thotë që ekipi i tij do të karikohet dyfish përballë Skënderbeut, pasi i duhet me çdo kusht fitorja. “Morëm tri pikë në Krujë, por me atë fitore nuk ia hodhëm krizës. Këtë sezon kemi bërë më shumë gabime sesa ecuri të mirë, ndaj qëllimi është që të vijojmë me rezultatet pozitive dhe të na zërë euforia. Ekipi do të karikohet 200 për qind në këtë përballje, për këtë jam i sigurt”, – përfundoi Dede.

 

 

 

Formacioni

 

Ilion Lika, Erando Karabeci dhe Arian Pisha vazhdojnë të mos jenë në kondicionin e duhur fizik. Dilemat janë për Mensur Limanin, i cili ka vuajtur një dëmtim dhe është në proces rikuperimi. Paraqitja e mirë e të riut Marsel Caka në debutim i ka dhënë kredite për takimin kundër Skënderbeut, ndaj me shumë mundësi do të jetë ai që do të mbrojë portën e Tiranës këtë javë. Në mbrojtje do të rreshtohen të njëjtët, teksa treshja do të përbëhet nga Pigoni, Pasha dhe Ahmataj. Në mesfushë nga krahët do të luajnë Pema dhe Peposhi, ndërsa në qendër Taku e Muça. Sulmi do t’i besohet Morinës, ndërsa më të tërhequr nga krahët do të jetë i riu Hysenbelliu dhe kapiteni Gilman Lika.

 

 

 

 

 

 

 

Evropiani i peshëngritje

 

Nishani u dorëzon flamurin kuqezinjve

 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, priti dhe i dorëzoi dje flamurin kombëtar ekipit tonë të peshëngritjes, që do të përfaqësohet në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes, i cili zhvillohet në vendin tonë. Në ceremoninë përkatëse të zhvilluar në Presidencë ishin të pranishëm ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti; kryetari i Akademisë së Shkencave, prof. dr. Gudar Beqiraj; drejtues të Federatës Kombëtare të Peshëngritjes dhe sportistët e Ekipit Kombëtar të Peshëngritjes. Kreu i shtetit u ka uruar suksese sportistëve kuqezinj në këtë kompeticion shumë të rëndësishëm, aq më tepër që zhvillohet në Shqipëri, ndërkohë që vlerësoi Federatën e Peshëngritjes për punën e bërë për organizimin e Kampionatit Evropian të Peshëngritjes në vendin tonë. Në fjalën e tij, Presidenti Nishani tha: “Organizimi i Kampionatit Evropian të Peshëngritjes në Shqipëri është vërtet një arritje, por edhe një sfidë shumë e madhe për sportin tonë të peshëngritjes, i cili për hir të së vërtetës ka bërë histori në fushën e sportit dhe të kulturës shqiptare. Prandaj, në këto momente do të doja t’u uroja suksese sportistëve tanë. Midis jush ka emra brilantë, të shkëlqyer të sportit të peshëngritjes. Jam i bindur që secili prej jush është i motivuar nga emrat e mëdhenj të peshëngritjes sonë, të cilët në tërë historinë e sportit tonë kanë qenë në piedestalin e rezultateve, por dhe të emrit të sportit shqiptar, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë”. Pas marrjes në dorëzim të flamurit kombëtar, sportisti Briken Calja, peshëngritësi shqiptar me rezultatin më të mirë në Lojërat Olimpike të Londrës 2012, u zotua para Presidentit të Republikës: “Zoti President, zotohem në emër të flamurit kombëtar që do ta mbajmë gjithmonë lart këtë flamur kaq të bukur! Zotohem në emër të ekipit kombëtar që do të sjell medalje në këtë Kampionat Evropian! Zotohem që do të jem gjithmonë krenaria e kombit shqiptar!”

 

Ceremoninë e përshëndeti edhe presidenti i Federatës Kombëtare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili e falënderoi kreun e shtetit për mbështetjen e veçantë që i jep sportit dhe e garantoi për realizimin e një kampionati model, ku sportistët tanë dhe Shqipëria të përfaqësohet me medalje.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency