Bojkoti i PS- së Opozita braktis Ligjet dhe ndërkombëtarët për ndryshimet në Kodin Civil

0
111

Florenc Drizari

KOMISIONIEduard Halimi: Ata që marrin rrogën nga taksapaguesit shqiptarë, nuk erdhën në komision për të bërë detyrën e tyre

 

Bojkoti që deputetët e opozitës i bënë dje Komisionit të Ligjeve, ku do të shqyrtoheshin ndryshimet e propozuara nga e djathta për Kodin Civil dhe atë të Procedurës Civile, solli reagimet e ashpra të përfaqësuesve të mazhorancës të cilët, e quajtën një mungesë serioziteti nga ana e tyre mosprezencën e socialistëve për një çështje që e kanë kërkuar vetë. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha që me qëndrimin e tyre socialistët braktisën edhe përfaqësuesit ndërkombëtare të EURALIUS-it, që ishin prezent në sallë, ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, deklaroi se anëtarët e tjerë të komisionit nuk mund të bëjnë asgjë më shumë në mungesë të votave të majta. Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi akuzoi opozitës se vazhdon me politikat bllokuese, pasi nuk u paraqit në komisionin e ligjeve ku diskutoheshin ndryshimet e Kodit Civil dhe Kodit të Procedurës Civile; ndryshime që socialistët i kishin kërkuar vetë. “Në seancën plenare deklarova para mediave se e gjithë kjo ishte një hipokrizi dhe se ata nuk do të pranonin që të vinin në Komisionin e Ligjeve. Më vjen keq që sot të gjithë ne, deputetët e PD ishin këtu, ministri ishte këtu, misioni i EURALIUS ishte këtu, dhe se ata që marrin rrogën nga taksapaguesit shqiptar nuk erdhën në Komisionin e Ligjeve për të bërë detyrën e tyre. funksioni i tyre bllokues ashtu siç ka qenë gjatë këtyre viteve vazhdon të jetë në të njëjtën linjë”, – tha ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.

Më herët kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, tha se mbledhja nuk mund të zhvillohej, pasi mungon kuorumi i nevojshëm dhe për këtë ai bëri përgjegjës deputetët e socialist. “Jemi njohur me këtë teatër më shumë sesa një herë dhe ne jemi këtu për të zbatuar vendimet e Kuvendit, jo humoret e njëri-tjetrit. komisioni nuk mund të japë kontribut të mëtejshëm, edhe pse sot janë prezent vetëm 11 anëtarë”, – deklaroi Rusmali.

EDUARD HALIMI

Duke folur për rëndësinë që kanë propozimet e sjella për qytetarët shqiptar, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, e quajti të papranueshme këtë sjelle të tyre. “Funksioni i tyre bllokues ashtu siç ka qenë gjatë gjithë këtyre viteve, vazhdon të jetë në të njëjtën linjë. Me sjelljen e tyre ata i thanë sot jo të gjithë ekspertëve të BE-së që ishin këtu, i thanë jo të gjithë bizneseve të cilët erdhën dhe ua kërkuan disa herë miratimin e kësaj pakete civile, i thanë jo minimumi 30 mijë shqiptarëve që ka mundur të kursejë 300 mijë lekë në vit vetëm nga heqja e kësaj ngarkese. I thanë jo BE-së me reformën e efiencës në sistemin gjyqësor ku janë jo më pak se 50 gjyqtarë që merren me këtë çështje. Kjo është një sjellje e papranueshme”, – tha ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.

Më herët ministri Halimi ka thënë se në Komisionin Parlamentar të Ligjeve propozimet në këtë paketë synojnë garantimin e një shërbimi cilësor për qytetarët dhe veprimtari me efektive të gjykatave. “Nuk do të ketë më dëshmi trashëgimie në gjykata. I japim fund shpenzimeve prej 300 mijë lekë dhe tre muajve kohë të harxhuara në gjykatë. Nuk do të ketë më as vendime gjyqësore të veçanta për urdhra ekzekutimi. I japim fund edhe shpenzimeve prej 250 mijë lekë për një vendim gjyqësor urdhër ekzekutimi dhe javëve të tëra pune. Gjyqtarët do të kenë më pak çështje për të gjykuar. Si rezultat,do të gjykojnë më shpejt çështjet e tjera. Përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët. Kjo paketë DUHET mbështetur nga të gjithë!”, – ka thënë ministri i Drejtësisë Eduard Halimi.

 

 

Debate në Komisionin për Politikën e Jashtme

Rezoluta çame, Dashamir Tahiri, Dules: Palaço. Kreu i PBDNJ-së: Ambient rrugaçërie

Diskutimi i projektrezolutës për Çamërinë u shoqërua me shkëmbime akuzash të ndërsjella mes krerëve të PDIU-së dhe kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Pas shkëmbimit të disa replikave ky i fundit braktisi sallën e Komisionit të Jashtëm në të cilën po shqyrtohej propozimi i PDIU-së. Demokratët, përmes relatorit Fatbardh Kadilli, kanë kërkuar kohë për verifikimin e referencave ligjore greke dhe ndërkombëtare, mbi të cilat është hartuar projektrezoluta, ndërsa socialistët kane kërkuar rishikim të përmbajtjes së propozimeve të PDIU-së. “Këto vështirësi na kanë bërë që ne sot të mos jemi ende gati të kemi një relacion për t’ia paraqitur komisionit. Nuk po flas për përmbajtjen, por flas për aspektin e referencave juridike, ku bazohet kërkesa për restaurimin e disa të drejtave themelore, që listohen në projektrezolutë”, – tha deputeti demokrat Kadilli. “Kjo përmbajtje që është paraqitur është e papranueshme, prandaj duhet një rishikim apo një ristrukturim i thellë për të dhe ne jemi të gatshëm për të kontribuar. Duhet pasur parasysh për t’u ruajtur ekuilibrat e interesit kombëtar me ato të fqinjësisë së mirë me Greqinë”, – theksoi relatori i PS-së, Qemal Minxhozi. “Në qoftë se na mbështesni, pjesa tjetër është e lehtë. Bëjini dy nene, mos e zgjatni më shumë”. Ndërsa kreu i PBDNJ-se Vangjel Dule e kundërshtoi rezolutën si të pabazuar në rregulloren e Kuvendit dhe në Kushtetutë, qëndrime që kanë shkaktuar edhe përplasjen me deputetët e PDIU-së. “Ne nuk po kërkojmë asgjë tjetër përveçse ato që na kanë lënë të parët tanë. Dhe kjo nuk lëviz aspak nga Karta Universale e të Drejtave të Njeriut, pavarësisht se ky palaço që kam përpara (i drejtohet Dules) përfaqëson atë parti”, – tha Dashamir Tahiri, deputeti i PDIU-së. “Nuk mund të jem pjesë e kësaj mbledhjeje të Komisionit të Politikës së Jashtme, që po kthehet në ambient rrugaçërie”, – tha Dule, duke u larguar nga salla. Rezoluta do të vijojë shqyrtimin në Komisionin e Jashtëm ditën e martë.

 

Zëdhënësi i Fules, Peter Stano: Më 16 prill nuk do të ketë raport për Shqipërinë

“Riorganizimi politik në Shqipëri nuk do të ndryshojë pritjet e Brukselit, që kërkon ndaj Tiranës zyrtare të kalojë nga fjalët në vepra”. Kështu ka deklaruar Peter Stano, zëdhënësi i komisionerit evropian për zgjerim, Stefan Fule. ”Në këtë fazë dëgjuam dhe deklarata, por kemi nevojë për rezultate”, – thotë Stano shkruan “Ansa”, referuar një interviste dhënë nga zëdhënësi i Fule për “Abc News”. Ndërkohë më 16 prill nuk do të ketë raport mbi Shqipërinë nëse nuk ka zhvillime mbi pritshmëritë e Brukselit, sikundër pritet për vende si Maqedonia, Serbia e Kosova. “Kështu që Komisioni do shpallë raport për Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Komisioneri Fule ka thënë për Shqipërinë, që është i gatshëm të raportojë nëse ka progres në procesin e integrimit. Deri tani ka vetëm deklarata dhe ne presim rezultate”. Ajo që ka rëndësi, theksoi Stano është “konsensusi politik për të bërë hapa para, nën një shpirt dialogu konstruktiv dhe bashkëpunues”.

 

Presidenti Nishani takohet me përfaqësues nga Lugina e Preshevës

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti dje pasdite një delegacion nga Lugina e Preshevës, i përbërë nga kryetari i Komunës Preshevë, zoti Ragmi Mustafa; kryetari i Komunës së Bujanovcit, zoti Nagip Arifi dhe kryetari i Lëvizjes Progresi Demokratik, zoti Jonuz Musliu. Gjatë takimit u bisedua për çështjet që shqetësojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës, me fokus të veçantë, statusi i shqiptarëve të Luginës, çështjet ekonomike, të sigurisë, arsimit dhe kulturës. Presidenti Nishani i garantoi përfaqësuesit nga Lugina e Preshevës se Shqipëria do t’i kushtojë vëmendjen e duhur zgjidhjes së problemeve të parashtruara prej tyre dhe kërkoi që ata të vazhdojnë dialogun politik dhe rrugën institucionale për realizimin e kërkesave të shqiptarëve që jetojnë atje. Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se garantimi i sigurisë dhe rritja e investimeve janë faktorët bazë për ekzistencën e faktorit shqiptar në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë dhe se për këtë duhet të punohet me plan dhe projekte konkrete.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency