Biznes nën 35 vjeç Bashkia çon në këshill vendimin për “Fondin e garancisë”

0
177

Blerta Mrishaj

treguFondi i garancive është një skemë e garancive të mikrokredive dhe kredive për biznesin e vogël e të mesëm, e cila shkon për të kredituar ato ndërmarrje që do të hapen nga qytetarët e Tiranës nën moshën 35 vjeç

Garanci për dhënie mikrokredie dhe kredie për biznesin e vogël dhe të mesëm të hapur nga të rinj nën 35 vjeç. Çdo biznes, i cili në 3 vitet e para deklarohet me fitim, do të ketë shanse të marrë mbrapsht të gjithë interesin e kredisë nga Bashkia e Tiranës. Kjo është edhe risia e përmendur disa kohë më parë nga kryebashkiaku Luzlim Basha, ndërsa pritet të bëhet konkrete shumë shpejt, pasi administrata e bashkisë ka përgatitur projektvendimin që do t’i paraqitet për miratim Këshillit Bashkiak, duke hapur kështu konkursin për përzgjedhjen e bankave të nivelit të dytë.

Fondi

Fondi i garancisë është një skemë, e cila do të ndihmojë të rinjtë nën 35 vjeç që hapin ndërmarrje të vogla apo të mesme. Përmes fondit bashkia hyn garante për kreditim të bizneseve të suksesshëm, të vogël dhe të mesëm në kryeqytet. Muaj më parë, gjatë konsultimeve me qytetarët për projektbuxhetin 2013, kryebashkiaku Lulzim Basha është shprehur: “Për të nxitur këto institucione kreditimi që të shohin projektet e të rinjve ne i vëmë në dispozicion këtë fond garancie, i cili do menaxhohet me transparencë të plotë. Detyra e këtij fondi është të vëmë ritëm të shpejtë dhe të kreditojë ndërmarrje të reja të nisura nga rinia e kryeqytetit”. Në këtë mënyrë synohet të krijohen 1 mijë, 2 mijë apo 3 mijë biznese të reja të suksesshme, që punësojnë 4 mijë, 6 mijë, 8 mijë apo 10 mijë të rinj.

Përzgjedhja

Përmes vendimit bashkia kërkon miratimin në këshill për hapjen e konkursit për miratimin e kritereve të përzgjedhjes së bankës së nivelit të dytë, e cila do të ofrojë shërbimin financiar për realizimin e projektit. Ndër kriteret që duhet të plotësojnë duhet që të gjitha të jenë banka të nivelit të dytë, të ketë numër klientësh të biznesit të vogël jo më pak se 2.500 (për qytetin e Tiranës), të ketë numër sportelesh të biznesit të vogël jo më pak se 4 (për qytetin e Tiranës), të krijojë mundësi për hapje sporteli të dedikuar fondit të garancisë së Bashkisë së Tiranës, të ndikojë në zgjerimin e tregut të kredidhënies (të përfshihen në skemë bizneset që nuk janë trajtuar më parë nga bankat për mungesë kolaterali), të shtojë numrin e bizneseve të rinj pranë regjistrit të bashkisë, t’u japë mundësi bizneseve të vogla të sigurojnë kredinë pranë një kompanie sigurimi. Ndërkohë që bankat kanë edhe kritere të veçanta, sikurse është komision zero për shlyerjen e kredisë para afatit, normë e interesit më e ulët se tregu ekzistues, mbulimi i kolateralit nga ana e bashkisë të jetë në nivelet 30-50%, interesa financiarë të depozitës me nivel më të lartë. Sakaq, do të ngrihet një komision i veçantë për vlerësimin e ofertave. Ndërkohë që konkurrimi zhvillohet sipas një procedure konfidencialiteti (sekretimi) të dokumentacionit, e cila duhet të garantojë fshehtësinë e identitetit të pjesëmarrësve dhe dokumentacionit të konkursit.

 

Faza e parë

Zgjatimi i bulevardit, 7 milionë euro grant nga Katari

Shtatë milionë euro është granti nga Emiri i Katarit për hapjen e fazës së parë për zgjatimin e bulevardit verior dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Drafti për zbatimin e projektit është gat dhei do t’i paraqitet për miratim Këshillit Bashkiak në mbledhjen e 6 prillit. Tashmë ka një studim urbanistik të zonës dhe projekti i zbatimit “Zgjatimi i bulevardit verior dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës” po realizohet nga shoqëria “Grimshaw Architects” LLP, UK, fituese e konkursit ndërkombëtar për projektin strategjik “Zgjerimi i bulevardit verior dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës” organizuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 2012. Gjithashtu mësohet se shoqëria “Grimshaw Architetcts” LLP, UK ka përgatitur projektin, zbatimin dhe studimet sipas kontratës së konsulencës, të cilat janë miratuar nga grupi i punës, i ngritur me urdhrin 55, datë 15.1.2013 për “Ngritjen e grupit të punës për vlerësimin e detyrave të konsulentit Grimshaw Architects LLP për kontratën e konsulencës nr. 11802/2, datë 26.12.2012 “Projekt i detajuar dhe përgatitja e dokumenteve të tenderit për bulevardin verior të Tiranës dhe sistemimi i lumit të “Tiranës” (i ndryshuar). Ndërsa granti i përfituar parashikon financimin e kostove të punimeve, lehtësimin e procedurave dhe praktikave që do të aplikohen gjatë zbatimit të projektit, mbulimin e të gjitha taksave direkte dhe indirekte, si dhe taksave doganore që aplikohen sipas legjislacionit shqiptar. Gjithashtu bëhet e mundur organizimi i punës për dërgimin e termave të referencës ku përfshihen, planifikimi, projektet dhe specifikimet teknike për zbatimin e projektit. Do të ketë një menaxhimin teknik dhe financiar të këtij projekti nëpërmjet Njësisë së Menaxhimit të Projekteve në Bashkinë e Tiranës, përzgjedhjen e Supervizorit për mbikëqyrjen e punimeve të këtij projekti deri në realizimin e tij, lehtësimin e procedurave dhe asistimi i Autoriteteve Investitore të Shtetit të Katarit për mundësi të tjera investimi. Projektvendimi gjithashtu parashikon se me nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi dhe zbatimi i Marrëveshjes së Grantit, sjell një detyrimin financiar për Bashkinë e Tiranës në vlerë 200.000.000 lekë (7.000.000 euro x143 leke/euro =1.000.000.000 leke x 20%), e cila përfaqëson vlerën e TVSH për punimet që do të kryhen dhe financohen nga granti i përfituar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency