Sistemi energjetik, dritëhijet e një sektori jetik

0
127

energjia Ervin Kaduku

Kemi prodhuar mbi 4.6 miliardë kilovatë energji elektrike në 2012-ën. Prodhimi më i madh është ai i vitit 2010, me 7,7 miliardë kilovat/orë ose me një prodhim mesatar ditor prej 21.2 milionë kilovat/orë

 

 

Në tërësi, viti që lamë pas u konsiderua i vështirë për shkak të thatësirës dhe problemeve të shkaktuara nga shpërndarja, e cila më pas futi në kolaps borxhesh edhe KESH-in. Megjithatë, sipas statistikave të porsabotuara zyrtare të INSTAT-it, struktura e centraleve elektrike të prodhimit publik ka një fuqi të përgjithshme të instaluar arrin në 1,531 MW, nga të cilat fuqia e instaluar e HEC-eve është 1,433 MW dhe e TEC-eve 98 MW. Duke marrë parasysh edhe fuqinë e përgjithshme të instaluar të prodhuesve privatë të energjisë elektrike prej 195 MW, fuqia e përgjithshme e instaluar në vendin tonë rezulton 1726 MW. Pra, siç duket nga të dhënat, kapaciteti prodhues në vend është i konsiderueshëm. Megjithatë, problemet mbeten. Një pjesë e nevojës për energji elektrike është siguruar përmes importit, në mbi 2 miliardë kilovatorë energji elektrike, të cilat i kanë kushtuar mbi 160 milionë euro, edhe buxhetit të shtetit.

Megjithatë, lajmi më i mirë nga sistemi mbetet ai që ka lidhje me HEC-et private, të dhëna me koncesion, të cilat po rrisin praninë në tregun e furnizimit. Në letër kemi shumë projekte, mbi 300, por në realitet vetëm 60 objekte prodhojnë. Pikërisht, këtu është sfida e vendit tonë, rritja dhe shfrytëzimi i rrjetit hidrik, dhe në vazhdimësi çuarja përpara e kontratave të prodhimit të energjisë nga era, dielli dhe hidrokarburet.

 

Shkalla e sigurisë

 

Në vija të përgjithshme, kemi prodhuar mbi 4.6 miliardë kilovat energji elektrike në 2012-n. Prodhimi më i madh është ai i vitit 2010, me 7,7 miliardë kilovat/orë ose me një prodhim mesatar ditor prej 21.2 milionë kilovat/orë. 2012-a, nga pikëpamja hidrologjike, vlerësohet si një vit, me prurje me shkallë sigurie jo të lartë, gjë që nuk ka ndikuar pozitivisht në prodhimin e energjisë elektrike në vend, duke arritur një prodhim afërsisht mesatar, duke u nisur nga historiku i të gjitha kohërave në Shqipëri.

 

Prodhimi

 

Sipas ERE-s, prodhimi maksimal për vitin 2012, është shënuar në muajin dhjetor me 566 604 megavat/orë. Ky prodhim i lartë është realizuar nga hidrocentralet në administrim të KESH (pra, të shtetit), kapaciteti i instaluar i të cilëve është 1433 megavat. Për këtë prodhim, koha e shfrytëzimit me kapacitetin maksimal të instaluar, për çdo agregat në të gjithë HEC-et, rezulton rreth mbi 12 orë në 24 orë pune, ose një koeficient ngarkese mesatare. Koha mesatare e shfrytëzimit të çdo agregati në HEC-et e kaskadës së Drinit gjatë vitit 2012 ka qenë mbi 45 për qind të orëve totale (8 760 orë gjithsej në vitit). “Natyrisht që agregatet janë vënë në punë në varësi të menaxhimit të rezervës ujore për të maksimizuar prodhimin”, – sqaron ERE. Kjo tregon edhe një herë se vendi i ka sakaq kapacitetet e instaluara, por prodhimi është më i ulët në raport me mundësitë, për shkak të mungesës së burimeve hidrike, jo të qëndrueshme.

Prodhimi mujor minimal gjatë vitit 2012 është realizuar në muajin mars me 224 236 megavat/orë. Sikurse paraqitet në grafikun e prodhimit të energjisë elektrike gjatë periudhës 1982 deri në 2012, vihet re nga krahasimi me rezultatet e prodhimit neto vendas se është 4722 mijë megavat/orë, pra një prodhim afërsisht mesatar.

 

HEC-et private

 

Hidrocentralet private, d.m.th, ato të privatizuara vite më parë dhe ato të dhëna me koncesion me ligjin e vitit 2006, përbëjnë sfidën kryesore të qeverisë për të shtuar sigurinë në sistemin energjetik, por edhe në rritjen e investimeve, etj.

Nëse dy vjet më parë, prodhimi i energjisë nga HEC-et e menaxhuara nga privati zinin një peshë prej 2 për qind, në 2012, ato kanë arritur të kapin 7 për qind të prodhimit total. Pra, shikohet një rritje, por që sipas ERE-s janë larg potencialit.

Prodhimi i përgjithshëm për vitin 2012 nga gjeneruesit privatë ishte 300 milionë kilovatorë energji elektrike.

Sipas ERE-s, gjatë vitit 2012 u futën në prodhim 16 hidrocentrale të reja. Sa u takon HEC-eve me kapacitet deri në 15 megavat, kemi një prodhim në rritje, pra nga 137 milionë, në 300 milionë kilovat energji elektrike. Duke marrë parasysh që prodhimi i rritur i vitit 2010 përveç rritjes së kapaciteteve të instaluara në një masë të madhe u ndikua nga kushtet shumë të favorshme hidrike, nga grafiku vihen re tempet e larta të rritjes së prodhimit nga HEC-et e dhënë me koncesion pas vitit 2008 si dhe një hop i konsiderueshëm në vitin 2012. Të ardhurat e arkëtuara nga subjektet private për shitjen e energjisë elektrike të prodhuar nga HEC-et me fuqi deri 15 MW, kanë ardhur në rritje. Në vitin 2011, të ardhurat për shoqëritë private të HEC-eve ishin mbi 1 miliard lekë, kurse për vitin 2012 kanë arritur në mbi 2.5 miliardë lekë. Duke nisur nga viti 2010, për shkak të rritjes së çmimit të importit të energjisë, çmimet për këtë kategori kanë ardhur në rritje. Për vitin 2012, për HEC-et e reja me koncesion, bazuar në metodologjinë që mbështetet mbi çmimet e importit të vitit paraardhës rezultoi 9.3 lekë për kilovat/orë ose 34.9 për qind më i lartë se çmimi i vitit 2011.

Për HEC-et e tjera ekzistuese të privatizuara apo të dhëna me koncesion, për shkak të vlerësimit të çmimit sipas një metodologjie tjetër, çmimet për periudhën 2010-2012, nuk paraqesin luhatje të theksuara. Kështu në vitin 2012, çmimi i miratuar ishte 7.77 lekë për kilovat/orë nga 7.57 lekë për kilovat/orë ose me 2.6 për qind më shumë.

 

Forcohet transmetimi

 

Me futjen në punë të linjës 400 kV Elbasan – Podgoricë (në gusht 2011) dhe të nënstacionit 400/220 kV Tirana2, kapaciteti i shkëmbimit të energjisë elektrike me vendet fqinje është rritur së tepërmi. Është krijuar mundësia e marrjes së sasisë së importit të nevojshëm në çdo kohë, pa prekur nivelin e sigurisë së sistemit elektroenergjetik. Në situata thatësire është arritur të importohet një sasi energjie elektrike me kapacitet deri në 700 MË në bandë. Fluksi i energjisë së importuar futet në sistemin tonë kryesisht nëpërmjet dy linjave 400 kV dhe transformohet në nivelin 220 kV në dy N/st 400/220 kV Tirana2 dhe Elbasan2, secili me kapacitet 600 MVA (2×300 MVA), i mjaftueshëm për çdo situatë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency