Panairi i Punës 1200 vende pune, fushat ku ka më shumë mundësi punësimi

0
135

Driçim Çaka

panairiPërfitojnë të rinjtë në fushat e ekonomisë dhe komunikimit. “Formim & Punësim” mbyllet të shtunën

Berisha: Qëllimi kryesor i qeverisë është punësimi. Ksera: Papunësia është ulur në 12.8%

 

Që në ditën e parë shumë të rinj kanë “vrapuar” për në Pallatin e Kongreseve me arsyen e vetme, “për të gjetur një vend pune”. Kompani shqiptare, por edhe të huaja kanë pritur me qindra intervistues, mes të cilëve disa arritën të nënshkruanin një kontratë pune. Kudo zhurmonin fjalët për aftësitë e secilit për të punuar, ndërkohë në duart e të gjithëve shikoje “Curriculum Vitae” (CV). Ishte kjo pamja ditën e djeshme në Pallatin e Kongreseve, ku për të përshëndetur këtë nismë kishte ardhur Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga zv.kryeministri Myqerem Tafaj dhe ministri i Punës, Spiro Ksera. Panairi i Punës është një nga metodat moderne të punësimit, ku punëkërkuesit i jepet mundësia për të kontaktuar me punëdhënës. Është hera e gjashtë që Ministria e Punës dhe Shërbimi Kombëtar të Punësimit organizojnë panairet e punës. Në çdo panair janë punësuar më shumë se 500 punëkërkues, por këtë vit për shkak të rritjes së pranisë së bizneseve priten të punësohen rreth 1200 persona.

Ofertat

Do të jenë më shumë se 100 biznese që do t’u japin mundësinë të papunëve, të rinjve që sapo kanë mbaruar universitetin apo atyre që janë në kërkim të një vendi më të mirë për të punuar. Kompanitë që do të ofrojnë vende pune do të jenë në fushat e telekomunikacionit, në fushën e ekonomisë (banka dhe marketing) si dhe në “Call Center”, ku pritet të ketë më shumë vende të lira. Ofertat nuk do të jenë vetëm për punëkërkuesit nga Shqipëria, por edhe për emigrantët e kthyer, kategori e cila duhet të riintegrohet sa më shpejt me tregun vendas. Edhe të papunët të cilët nuk kanë diplomë, por edhe zanat mund të paraqiten në panair, pasi do të ketë oferta për formime profesionale në fusha të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Punëkërkuesit, nëse kalojnë intervistën, do të mund të nënshkruajnë një kontratë pune me kompanitë. Eksperienca e viteve të kaluara ka treguar se personat me aftësi në komunikim dhe me eksperienca pune (edhe eksperienca mujore apo kualifikime) kanë arritur të gjejnë një punë me kushte të përshtatshme.

 

 

Berisha: Jo rritjes së taksave, tregu i punës në epiqendër për 4 vitet e ardhshme

 

Kryeministri Berisha, i pranishëm në panairin e punës “Punësim dhe Formim”, ka dalë kundër rritjes së taksave për biznesin privat pasi do të rrezikonte vendet dhe rrogat e mijëra punëtorëve. Më tej, Berisha vlerësoi programin e tij për punësimin në 4 vitet e ardhshme, ku pritet të hapen më shumë vende pune. “Ne synojmë në katër vitet që vijnë një nxitje të re, të fuqishme, të madhe, të punësimit. Në shoqëritë e lira zhvillimi fakton se punësuesi gjeneratori kryesor i punësimit është sektori privat me rritjen e tij ekonomike. Ndaj dhe ne, për t’i bërë të mundur dhe për t’i zgjeruar hapësirat sektorit privat, për gjenerimin çdo ditë të dhjetëra e qindra vendeve pune, vendosëm pak vite më parë taksën e sheshtë. Taksë e cila është faktuar se për çdo dollarë që i mbetet fitim sipërmarrësit, më shumë se gjysma e tij i kalon direkt punëtorit, i kalon me rroga, i kalon me mjedis pune më të mirë, i kalon me vende të reja pune”, – përmendi Kryeministri. Çdo i ri dhe punonjës, sipas Berishës, ka pasur mbështetjen e duhur nga qeveria, duke reduktuar taksat dhe duke u mbështetur për të hyrë në tregun e punës. “Ne vendosëm, që për çdo të ri që do të punësohet tri vite, qeveria do të marrë përsipër trajnimin dhe të gjitha taksat e tjera. Unë ju garantoj ju të dashur sipërmarrëse dhe sipërmarrës se qeveria po studion të gjithë hapat e tjerë të rëndësishëm për të zgjeruar hapësirën e lirisë suaj ekonomike. Ata të cilët kërcënojnë sipërmarrjen tuaj me taksa të larta, ata të cilët kërcënojnë rikthimin e regjimeve të taksave të larta janë pa mend, sepse harrojnë se cili është çmimi i rritjes së taksave të larta për investitorin”, – theksoi Berisha.

 

Ksera: 9 mijë persona çdo vit përfitojnë certifikatën e formimit profesional

“Panairet, së bashkë me shërbimet e ndërmjetësimit për punë, programet e nxitjes së punësimit dhe formimit profesional janë programe aktive në tregun e punës, të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e punësimit dhe uljen e papunësisë”, – përmendi në fjalën e tij Ksera. Më tej, ministri i Punës vlerësoi politikat e qeverisë për t’i dhënë një rëndësi formimit profesional dhe arsimit profesional. “Çdo vit çertifikohen në qendrat publike të formimit profesional rreth 9.000 persona. Rritja e cilësisë në këto qendra ka bërë që përqindja e të punësuarve post-formim të rritet në këto vite dhe ata të arrijnë të gjejnë punë jo vetëm në tregun vendas të punës, por edhe atë të vendeve të tjera, mundësuar kjo edhe falë marrëveshjeve dypalëshe të punësimit me këto vende. Janë ndërtuar 30 shkollave të reja profesionale, duke e rritur pjesëmarrjen në arsimin profesional me 38%, si dhe fuqizimi i qendrave publike të formimit profesional dhe hapja e qendrave të reja, në mënyrë të veçantë në zonat ku ky shërbim mungon”, – theksoi Ksera gjatë fjalës së tij. Më tej, Ksera përmendi se gjatë vitit 2012, papunësia pësoi ulje të ndjeshme, nga 13.3% në fillim të vitit në 12.8%.

 

 

 Bullgari, bursa për të rinjtë që duan të zhvillojnë kurse verore

 

Bullgaria ofron gjatë muajve të verës bursa për pjesëmarrje të studentëve dhe specialistëve shqiptarë në kursin veror të gjuhës, letërsisë dhe kulturës bullgare pranë Universitetit “Sv. Kliment Ohridiski” të Sofjes dhe Universitetit “Sv. Kiril i Metodi” të Veliko Tërnovos në Bullgari për një periudhë trejavore korrik-gusht 2013 ose gusht 2013. Pala bullgare përballon shpenzimet për ushqimin, akomodimin dhe programin mësimor dhe kulturor, ndërsa shpenzimet e udhëtimit vajtje-ardhje do të mbulohen nga vetë pjesëmarrësit në kurs. të interesuarit duhet të dorëzojnë dokumentet:

-Kërkesën për ndjekjen e kursit veror të gjuhës bullgare

-Curriculum Vitae

-Vërtetim për ndjekjen e studimeve dhe listë notash

-1 (një) Letër reference

-Dëshmi për njohjen e gjuhës bullgare (nëse ka)

-Raportin mjekësor

-Fotokopjen e kartës së identitetit/pasaportës

-2 (dy) fotografi

 

Fierza, afër kuotës maksimale

Reshjet intensive të rëna ditët e fundit kanë diktuar nevojën për hapjen e portave në HEC-e për të shkarkuar ujin në mënyrë të kontrolluar. Shkarkimet janë bërë në dy HEC-et e Ulzës dhe Shkopetit. Nga ana tjetër KESH ka kryer këto ditë shkarkime në HEC-et e Komanit dhe Vaut të Dejës. Gjatë ditës së enjte nga Korporata Elektroenegjertike mësohet se po shkarkohet në mënyrë të kontrolluar vetëm nga hidrocentrali i Vaut të Dejës mbi kaskaden e Drinit. Shkarkimet nga HEC Vau i Dejës kanë vijuar në 800 m3/s. Aktualisht Fierza ka arritur nivelin e 294.5 metrave, ndërkohë që kufiri maksimal i lejuar është 296 metra. Edhe në këtë zonë sipas KESH-it shkarkimet nuk rrezikojnë përmbytje të reja. Sipas të dhënave që raporton KESH, niveli i hidrocentraleve është pak metra nën pikën maksimale të tyre. HEC-i i Komanit aktualisht ka nivelin 174 m, ku prurjet janë 400 m3/s, shkarkimet janë ndalur. Komani e ka nivelin maksimal 176 metra. Ndërsa HEC-i i Vaut të Dejës ka arritur në nivelin 75.54 m, prurjet anësore janë 400 m3/s dhe shkarkimet janë 800 me3/sek. Pika maksimale e Vaut të Dejës është 76 metra.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency