Miratohen me 72 vota ndryshimet në qeveri Ministrat e LSI-së zëvendësohen me Halim Kosovën, Mimën dhe Bumçin, votojnë pro 3 deputetë të PS-së

0
130

Florenc Drizari

parlamentiVisar Zhiti emërohet ministër i Kulturës, ndërsa ministri i Arsimit Myqerem Tafaj merr edhe postin e zv.kryeministrit

 

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me shumicë të thjeshtë votash ndryshimet e fundit në qeveri, duke larguar tre ministrat e LSI-së, të sapodalë në koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste, dhe zëvendësimin e tyre me dy figura të reja. Halim Kosova, Aldo Bumçi, Visar Zhiti dhe Florion Mima janë ministrat e rinj të qeverisë “Berisha”, ndërsa për ministrin e Arsimit, Myqerem Tafaj, u rezervua edhe posti i zv.kryeministrit. Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro ministrat e rinj të kabinetit qeveritar, ndërsa Paria Socialiste votoi kundër dhe LSI abstenoi. Dyshimet e skeptikëve të dy ditëve më parë për pamundësinë e së djathtës për të zëvendësuar ministrat e larguar të LSI-së u rrëzuan edhe me mbështetjen që tre deputetët e Partisë Socialiste, Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, të cilët pas përplasjeve më kryesocialistin Rama për çështjet e listave të 23 qershorit, dolën të pavarur. Mbështetja e tyre me tri vota u siguroi të djathtëve mazhorancën në shifrat e 72 votave, mazhorancë të cilën PD e përmbushte me koalicionin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

SHKARKIMET

Kuvendi i Shqipërisë votoi paraditen e së enjtes dekretet e Presidentit Nishani për zëvendësimin e tre ministrave të LSI-së pas largimit nga koalicioni me PD-në, kryesisht të ministrave, Edmond Panariti në postin e ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinastos në postin e zv.kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, si dhe të Vangjel Tavos që mbante postin e ministrit të Shëndetësisë. Pro shkarkimit të tyre votuan 75 deputetë për Haxhinaston dhe 74 për Panaritin dhe Tavon, nga PD bashkë me LSI-në, e cila kishte kërkuar vetë largimin e tyre dy ditë më parë; ndërsa opozita votoi kundër ndryshimeve në qeveri. Kundër shkarkimit të ministrit të Jashtëm Edmond Panariti votoi edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili ka mbështetur qëndrimin e ministrit të LSI-së për çështjen çame.

MINISTRAT E RINJ

Dy ministrat e rinj që iu bashkuan kabinetit qeverisës janë Halim Kosova dhe Visar Zhiti. Mjeku i njohur Halim Kosova mbante postin e drejtorit të spitalit gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” dhe me mbështetjen e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë, duke marrë 72 vota pro dhe 58 kundër, ai u emërua në postin e ministrit të Shëndetësisë. Po kështu në postin e ministrit të Kulturës u emërua shkrimtari i njohur Visar Zhiti, i cili zuri vendin e Aldo Bumçit që kaloi në Ministrinë e Jashtme. Ndërsa në vend të ministrit Haxhinasto u emërua Florion Mima. Me 72 vota pro dhe 59 kundër, deputeti i PD-së, Florion Mima u emërua si ministër i Ekonomisë. Më parë z. Mima ka mbajtur edhe postin e zv.ministrit të Financave. Një lëvizje tjetër në kabinetin qeveritar ishte edhe emërimi i ministrit të Arsimit Myqerem Tafaj në postin e zv.kryeministrit.

 

Shkarkimi i Edmond Haxhinastos nga zv.kryeministër dhe ministër i Ekonomisë

Pro: 75 (Islami, Kadeli, Dogjani)

Kundër: 55

Shkarkimi i Edmond Panaritit si ministër i Jashtëm

Pro: 74 (Islami, Kadeli, Dogjani)

Kundër: 59 (Shpëtim Idrizi)

Shkarkimi i Vangjel Tavos si ministër i Shëndetësisë

Pro: 74 (Islami, Kadeli, Dogjani)

Kundër: 56

 Shkarkim i Aldo Bumçit si ministër i Kulturës

Pro: 72, (Islami, Kadeli, Dogjani)

Kundër: 52

Abstenim: 3 nga LSI (Lefter Koka, Nasip Naço, Vagjenl Tavo)

……………………………………………..

 

Emërimi i Myqerem Tafajt zv.kryeministër

Pro: 72 (Islami, Kadeli, Dogjani)

Kundër: 59

Abstenim: 3 (Lefter Koka, Nasip Naço, Vagjenl Tavo)

 

Emërimi i Halim Kosovës si ministër i Shëndetësisë

Pro: 72 (Islami, Kadeli, Dogjani)

Kundër: 58

Abstenim: 3 nga LSI (Lefter Koka, Nasip Naço, Vagjenl Tavo)

Emërimi i Aldo Bumçit, si ministër i Jashtëm

Pro: 72 (Islami, Kadeli, Dogjani)

Kundër: 59

Abstenim: 3 nga LSI (Lefter Koka, Nasip Naço, Vagjenl Tavo)

Emërimi i Florion Mimës si ministër i Ekonomisë

Pro: 72 (Islami, Kadeli, Dogjani)

Kundër: 59

Abstenim: 3 nga LSI (Lefter Koka, Nasip Naço, Vagjenl Tavo)

Emërimi i Visar Zhitit, ministër i Kulturës

Pro: 72 (Islami, Kadeli, Dogjani)

Kundër: 57

Abstenim: 4 nga LSI+1 nga PS (Koka, Naço, Tavo, Ndrec Deda)

 

DEPUTETËT QË MUNGUAN NË PARLAMENT

Ilir Meta

Dritan Prifti

Gazmend Oketa

Tom Doshi

Ndue Kola

Olta Xhaçka

 

Betimi i ministrave të rinj para Presidentit Bujar Nishani

Ministrat e rinj të kabinetit “Berisha” u betuan dje pasdite tek Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Pas leximit të formulës së betimit nga sekretari i Përgjithshëm Arben Idrizi, në të cilën thuhet: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikmëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave!”, anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave, përkatësisht, zëvendëskryeministri dhe ministri i Arsimit e Shkencës, Myqerem Tafaj; ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi; ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Florion Mima; ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova dhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti, u betuan para kreut të shtetit dhe firmosën dokumentin e betimit.

Pas shtrëngimit të duarve me Presidentin Nishani, kreu i shtetit u uroi anëtarëve të rinj të Këshillit të Ministrave suksese në detyrë. Në ceremoninë e betimit të anëtarëve të rinj të Këshillit të Ministrave ishin të pranishëm Kryeministri Sali Berisha; Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli; kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, Fatos Beja; kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Edmond Spaho; kryetari i Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Jemin Gjana, anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës.

 

Kuvendi miraton ligjin “Për dekoratat”, shtyhet votimi për Kodin Civil

Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me 127 vota pro projektligjin “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit”. Projektligji përcakton të gjitha llojet e dekoratave dhe medaljeve, si dhe autoritetet shtetërore kompetente, rregullat, procedurat dhe kriteret për propozimin, shqyrtimin, dhënien dhe mbajtjen e tyre. Ndërkohë, në seancën e djeshme grupet parlamentare, me konsensus, ranë dakord për shtyrjen e votimit të disa ndryshimeve në kodin civil dhe në kodin e procedurës civile, të diskutuara në parim gjatë seancës së sotme. Paketa e ndryshimeve në këto dy kode ka në fokus eficencën e sistemit gjyqësor, si një nga shtyllat kryesore të reformës në drejtësi.

 

Braçe: E kuptoj qëndrimin e dy miqve të mi, Kadelit e Dogjanit, ndaj Ramës, por jo ndaj Berishës

Votimi i ministrave të rinj të propozuar nga Berisha nga ana e ish-deputetëve të majtë ka sjellë reagimin e menjëhershëm të deputetit socialist Erion Braçe. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Braçe ka shprehur se i ka miq të dy deputetët, Kadeli dhe Dogjani, dhe mund të justifikohen me argumente qëndrimet e tyre ndaj Edi Ramës, por nuk mund të pranojë kurrsesi nga asnjë i majtë votën pro ndaj ministrave të propozuar nga Kryeministri. “Nuk mund të justifikohet kurrë, me asgjë, vota juaj pro ministrave të Sali Berishës. Nuk e pranoj nga asnjë socialist këtë! Do ta refuzoj gjithnjë dhe ndaj kujtdo që do ta bëjë, qoftë edhe miku im!”, – shkruan Braçe. “Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani janë dy miq të mi. Kemi bërë beteja të përbashkëta gjatë 4 viteve më të vështira të Kuvendit e të PS-së në Kuvend. Të dy sakrifikuan më shumë se unë kur vendosën të hynin në grevë urie për votën, votën e lirë, timen, tënden, tuajën, tonën. U kam dhënë të drejtë në atë që është konsumuar me ta dhe ndaj tyre, veçmas në çështjen e rikandidimit të tyre (për mua jo parimore, jo statutore, jo transparente, e padobishme)”.

 

 

Asllan Dogjani: Ja pse votova pro ministrave të rinj

Deputeti i Partisë Socialiste, Asllan Dogjani, shpjegoi qëndrimin e tij pro votimit të ministrave të rinj të kabinetit qeverisë me argumentimin se vendit nuk i duhen zgjedhje të parakohshme dhe se kishte njohje miqësore me figurat e propozuara. Duke kritikuar ashpër vendimet e kryesocialistit Edi Rama për listat e deputetëve më 23 qershor dhe koalicionin me LSI-në, Dogjani tha se u mohuan kontributet e socialistëve të vërtetë që sakrifikuan për këtë parti në këtë mandat qeverisës. “Unë votova për ministrat e rinj, pasi disa prej tyre i njoh personalisht dhe kam besim tek ata, kanë dhënë prova se dinë të punojnë dhe t’u shërbejnë qytetarëve shqiptarë, ku ndër ta mund të përmend ministrin Halim Kosova. Nga ana tjetër, në rast të moskalimit të qeverisë vendi mund të shkonte në zgjedhje të parakohshme dhe kjo, për mendimin tim, nuk do t’u shërbente zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Vendi mund të shkonte në krizë dhe Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të paguajë për gabimet e politikanëve shqiptarë”, – shkroi një ditë më parë në faqen e Facebook-ut deputeti socialist Asllan Dogjani, që aktualisht shprehet se është i pavarur dhe se do të kandidojë si i tillë në zgjedhjet e 23 qershorit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency