Kapet pedofili në Komunën Ndroq Divjakë, 2 homoseksualë në pranga

0
168

Elton Qyno

arrestimArrestohen dy të moshuar dhe një adoleshent. I riu nga Librazhdi, seks me një 70-vjeçar

 

Tre persona me prirje pedofilie janë arrestuar nga Policia e Shtetit, pasi dy prej tyre janë kapur në flagrancë duke kryer marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin, ndërkohë që personi i tretë është arrestuar në Komunën e Ndroqit, pasi ka prekur në vende intime një vajzë të mitur. I arrestuari që ka tentuar të abuzojë me një 9-vjeçare quhet Xhavit Biduli nga fshati Ndroq, pasi është denoncuar nga familjarët e vajzës minorene se kishte prekur në vende intime dhe kishte tentuar të puthte në buzë vajzën e tyre. Arrestimi i të moshuarit është bërë nga efektivët e komisariatit nr. 6 në Tiranë, të cilët sapo kanë marrë kallëzimin e familjarëve dhe kanë kryer kontrollin në sistemin e të dhënave elektronike, kanë mësuar se emri i 59-vjeçarit ka qenë në listën e personave që kanë tendenca pedofilie me fëmijë të mitur. Nisur nga kjo situatë në drejtim të Ndroqit menjëherë kanë shkuar efektivët e këtij komisariati të cilët bënë dhe arrestimin e shtetasit Xhavit Biduli, duke e akuzuar këtë të fundit për akuzën e “Kryerjes së veprave të turpshme me të mitur”. Gjatë marrjes në pyetje vetë personi i dyshuar për këtë vepër penale ka mohuar të ketë prekur vajzën për qëllime pedofilie apo seksuale, duke thënë se ai i kishte thënë fjalë të bukura dhe ka dashur ta puthë për shkak se vajza, të cilën ai e njihte, i është dukur shumë e bukur dhe e zgjuar. Emri i 59-vjeçarit Biduli ka qenë në listën e zezë të policisë për rastet e denoncimit të pedofilisë, pasi sipas burimeve 59-vjeçari është denoncuar edhe disa herë të tjera për veprime të ngjarje në polici, por është lënë më pas i lirë.

Arrestimi në Divjakë

Dy persona janë arrestuar në zonën e Divjakës, pasi janë kapur në kushtet e flagrancës nga ana e policisë së zonës, duke kryer marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin. Bëhet fjalë për arrestimin e një 70-vjeçari dhe një 15-vjeçari, të cilët teksa kanë qëndruar në ambientet e automjetit të tyre, kanë kryer marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin. I moshuari dhe adoleshenti janë nga zona e Librazhdit dhe se të dy kanë ardhur së bashku në zonën e Divjakës. Teksa kanë qëndruar në makinë, i moshuari dhe adoleshenti, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur nga policia, kanë kryer marrëdhënie seksuale. Sipas policisë së Divjakës, dy personat janë ndaluar në kushtet e flagrancës, ndërkohë që të dy shtetasit janë shoqëruar në ambientet e komisariatit për të dhënë sqarime.

S’pranojnë ngjarjen

Gjatë marrjes në pyetje i moshuari dhe adoleshenti nuk kanë pranuar ngjarjen, duke pohuar se ishin në gjumë, kur edhe janë ndaluar nga ane policisë. Nisur nga kjo situatë, policia e Divjakës ka marrë masën e arrestit për të dy personat, duke i akuzuar ata për akuzën e “Kryerjes së marrëdhënieve seksuale të së njëjtës gjini”. Të dy personat gjatë mbrëmjes së djeshme janë mbajtur të izoluar në ambientet e komisariatit të Divjakës. Sipas policisë, adoleshenti dhe i moshuari kanë refuzuar rreth asaj që ka ndodhur mes tyre. Të dy së bashku ata kanë ardhur nga zona e Librazhdit dhe janë ndaluar nga policia brenda një automjeti, teksa kryenin marrëdhënie seksuale. Ky nuk është rasti i vetëm që brenda një harku të shkurtër Policia e Shtetit arrin të identifikojë dhjetëra raste, ku persona me prirje pedofilie janë identifikuar dhe më pas arrestuar nga strukturat e uniformave blu.

 

Ngjarja në Tiranë

Porosit pica, më pas i grabit motorin

Një formë e re grabitjeje tashmë po qarkullon në Tiranë nëpërmjet porosisë së picave në restorant-piceritë e kryeqytetit. Burime të bluve të kryeqytetit bëjnë me dije se dy ditë më parë, rreth mesnatës, një person ka telefonuar në picerinë A pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” dhe ka porositur dy pica “Kapriçoza” dhe dy pije freskuese dhe ka kërkuar t’ia dërgojnë pranë ish-stacionit të fundit të Tiranës së Re. 30 minuta më vonë një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës i ka grabitur shpërndarësit të picave motorin bashkë me picat dhe pijet freskuese. Erdin M., 24 vjeç, me detyrë shpërndarës picash, i është bindur urdhrit të grabitësit, i cili është larguar me motorin e vjedhur. Forcat e komisariatit numër dy të policisë së Tiranës pas kallëzimit të marrë nga i dëmtuari ka shpallur në kërkim autorin dhe deri në këto momente ai nuk është identifikuar.

 

Kundërshton policia

Familja e Isës: Djalin e keqtrajtuan në polici

Familja e Begzim Isës, 19-vjeçarit të akuzuar për tentativë trafikim për një 8-vjeçar, denoncon dhunën ndaj tij. Sipas motrës së Isës, uniformat blu po dhunojnë fizikisht dhe psikologjikisht familjarin e tyre për të pranuar rrëmbimin e zhdukjen e Bleonës. Ata pretendojnë se ai nuk ka gisht në ngjarje. I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i policisë së Kukësit, të cilët kanë mohuar ushtrimin e dhunës ndaj të riut nga fshati Orgjost. Madje, tashmë policia nuk e ka në ngarkim Begzim Isën, pasi ai po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Të hënën Gjykata e Kukësit dha masën e sigurisë “Arrest me burg” për 19-vjeçarin, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e tij. Isa, dyshohet se ka rrëmbyer 7-vjeçaren Bleona Mata të cilën më pas e ka trafikuar në Kosovë. Por nga të gjitha këto dyshime policia nuk ka asnjë provë.

 

Dhuna në familje

Keqtrajton ish-gruan, në kërkim burri

Një shtetas ka dhunuar ish-gruan e tij, e cila ka përfunduar me plagë në spital. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku Shpëtim Salla ka rrahur ish-gruan e tij, Shpresa Duka, të divorcuar para dy vjetësh. Pas denoncimit, ky shtetas është shpallur në kërkim nga policia e këtij qyteti. Nga hetimet paraprake mësohet se pas ndarjes së tyre, burri keqtrajtonte dhe shpeshherë rrihte ish-gruan. Këto fakte kanë qenë të njohura nga policia. Sipas tyre, ndarja e çiftit kishte ardhur, pasi Salla ishte konsumues i pijeve alkoolike dhe shpeshherë zihej me gruan e tij, ndaj të cilës ushtronte dhunë. Edhe pas ndarjes Shpëtim Salla ka ushtruar disa herë dhunë ndaj ish-gruas së tij, e cila më pas ka vendosur ta denoncojë në policinë e Elbasanit dhe që në mbrëmjen e djeshme ish-bashkëshorti i saj është shpallur në kërkim.

 

Kërkesa është bërë tri ditë më parë, në sekretarinë e gjykatës

Vrasja e Dritan Lamajt, gruaja e tij Anila

kërkon në gjykatë pasurinë e lënë trashëgim

Kur po mbushen dy muaj nga vrasja mafioze e kryekomisarit Dritan Lamaj dhe prokuroria nuk ka një autor konkret të vrasjes, bashkëshortes së Lamaj, Anila Lamaj, nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të kërkojë trashëgiminë e pasurisë që i la i shoqi dhe të mbyllet në dhimbjen e saj. Me një kërkesë që daton në 2 prill të këtij viti, Anila Lamaj i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, duke kërkuar kalimin e trashëgimisë së Dritan Lamajt në emër të saj, si bashkëshortja e ligjshme e kryekomisarit me të cilën ajo ka dhe një vajzë. Çështja civile mban numrin 11689 dhe objekti i saj ligjor është lëshimi i dëshmisë së trashëgimisë ligjore për trashëgimlënësin Dritan Lamaj. Ndërkohë që gjyqtari i çështjes është zgjedhur nga shorti Arta Lazaj, i cili pritet që në ditët në vijim të marrë në shqyrtim kërkesën. Kryekomisari Dritan Lamaj u qëllua me 11 plumba në datën 24 shkurt teksa ishte poshtë pallatit të tij që ndodhet afër zonës së “Vasil Shantos”. Autorët kanë qëlluar me automatik, duke i shkaktuar vdekjen pas disa minutash, ndërkohë që policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në mbrëmjen e 25 shkurtit arrestuan në Selanik të Greqisë, shtetasin Arben Frroku dhe nipin e tij Jak Jaku. Të dy së bashku këta persona kanë mohuar se kanë marrë pjesë në krimin e rëndë, duke pranuar se kanë pasur konflikte me Lamaj, por nuk janë ata autorë të vrasjes së efektivit të policisë, që në momentin e ekzekutimit mbante postin e specialistit në sektorin e sigurisë publike, pranë Policisë së Shtetit. Aktualisht në Greqi është duke u zhvilluar një proces gjyqësor për ekstradimin ose jo të dy personave të arrestuar, ndërkohë që në Tiranë, hetimet janë duke vijuar dhe se tre ditë më parë me urdhër të drejtorit Hysni Burgaj, u largua shefi i antiterrorist për shkak të performancës tepër të ulët gjatë mbledhjes së provave dhe informacionit për vrasjen e Dritan Lamaj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency