Xhakja: Ju rrëfej debatin me kryekomisarin para se të vritej

0
175

Sonja Caka

xhakjaGjyqi, dëshmitarë të akuzës, vëllai i të pandehurit, Fatbardh Xhakja dhe nipi i tij, Ledio Krasnaj. Adoleshenti: Fatmir Hoxha më kërkoi dokumentet, pastaj dolën dy civilë të armatosur

 

Vëllai i Ilir Xhakes dhe nipi i tij Ledio Krasnaj kanë qenë dëshmitarët e vetëm të akuzës në seancën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Para gjykatës, Fatbardh Xhakja rrëfeu momentet e fundit të përplasjes me kryekomisarin Adem Tahiraj, ndërsa lidhur me vrasjen tregoi për togat e zeza vetëm ato që i kishte thënë i vëllai pas ngjarjes. “E njihja kryekomisarin Adem Tahiraj për shkak të detyrës që unë kisha si nënkryetar komune. U takuam 15 minuta para ngjarjes dhe debatuam pasi donte të më bllokonte makinën. Më pas mësova për ngjarjen”, – dëshmoi Xhakja. Sipas tij, lidhur me momentin e krimit, tregoi çfarë i kishte rrëfyer vëllai Iliri, i cili i kishte deklaruar se nuk i kishte njohur policët pasi ishin civilë. Pas një debati për makinën, tre civilët kishin nxjerr pistoletat, por Xhakja kishte arritur të qëllonte njërin prej tyre nga frika se do e vrisnin. Më pas, për herë të parë rrëfen ngjarjen nipi i autorit të ngjarjes, personi për të cilin ndodhi përplasja. Ledio Krasnaj, 17 vjeç, shpjegoi për togat e zeza momentin e ndalimit të automjetit të tij pa targa nga shoferi i Tahirajt, Fatmir Hoxha, ardhja pranë makinës dhe debatet e ashpra dhe më pas ardhja e dajës së tij dhe dalja nga automjeti edhe i kryekomisarit të Shijakut. Më pas debatet mes tyre dhe nxjerrja e pistoletave, ndërsa nipi i të pandehurit dëshmoi largimin me shpejtësi para se të ndodhte vrasja. Gjykata pasi dëgjoi dy dëshmitarët, vendosi shtyrjen e seancës për me datën 10 prill në ora 9:00.

Dëshmia e Fatbardh Xhakes

I pyetur nga prokurori Eugen Beci, dëshmitari Fatbardh Xhakja, vëllai i të pandehurit ka dhënë shpjegime lidhur me ditën e ngjarjes. “Atë ditë pasi mbarova punën kam shkuar në kompleksin “V…” duke luajtur bilardo. Nga Katundi i Ri në drejtim të Shijakut vijnë dy makina policie që kishin shoqëruar dhe një automjet tip Golf. Ndaluan përballë kompleksit. Ishte dhe shefi i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj. E njihja shefin e komisariatit sepse jam nënkryetar i komunës Sukth dhe ai ka ardhur në komunë. Në atë moment dëgjoj që Adem Tahiraj po replikonte me pronarin e kompleksit për makinën time. Dola dhe e përshëndeta Tahirajn. Ai më pyeti kush isha dhe ju prezantova si nënkryetar i Komunës. Duke qenë se po replikonin për makinën time i thashë pronarit të kompleksit të hynte brenda. Tahiraj vazhdoi sërish sherrin, duke i thënë atij, ç’punë ke ti kur makina nuk është e jotja. Makina është tip Golf, pa targa dhe me xhama të zinj dhe e përdor për të shkuar në punë. Nuk ma bllokoi makinën. E falënderova dhe përshëndeta, por ndjeva që ishte i alkoolizuar”, – vijoi dëshminë Fatbardh Xhakja, duke iu përgjigjur interesimit të përfaqësuesit të akuzës për momentet para ekzekutimit të kryekomisarit Tahiraj. Më tej në dëshminë e tij, Xhakja deklaroi se atë ditë, kryekomisari gjendej i shoqëruar me Fatmir Hoxhën dhe Kastriot Gosturanin. Lidhur me momentin kur mësoi për ngjarjen, Xhakja ka shpjeguar se “në bilardo më thanë se në Katund Sukth është bërë nami, është bllokuar rruga. Unë u nisa për andej, pasi jam nënkryetar komune dhe kam detyrë të ruaj rendin. Në vendngjarje pashë shumë njerëz, të cilët më thanë se është vrarë shefi i komisariatit”. Më pas, dëshmitari shpjegoi versionin që i kishte dhënë vëllai për ngjarjes, kur janë takuar. “Ilirin nuk e kam takuar fare atë ditë. Kam folur vetëm në telefon. Iliri kishte mbajtur ramazan dhe 6 ditë të tjera po shoqëronte ramazanin. Ai po merrej me rikonstruksionin e xhamisë Sukth. Pas ngjarjes nuk e kam takuar e as kam folur me të”, duke shtuar se çfarë kishte ndodhur ia kishte thënë i vëllai pas ngjarjes. Më pas ai pranoi faktin se kishin hasmëri dhe ruheshin, por nuk saktësoi emra personash apo familjesh se me kë. “Kemi hasmëri, por nuk e dimë me saktësi me kë. Ruhemi nga të gjithë”, – përfundoi dëshminë Fatbardh Xhakja.

Dëshmia e Ledio Krasnajt

Për herë të parë, pasi nuk u arrit të ndalohej pas ngjarjes dhe të jepte versionin e tij, 17-vjeçari Krasnaj dëshmoi para togave të zeza, duke dhënë versionin e tij për pasojat e ngjarjes së 13 shtatorit. “Ka qenë pasdite, kur sapo dola nga berberi dhe hipa në makinë. Nuk eca as 5 metra, kur dy makina policie që vinin përballë meje me prenë rrugën. Makina ishte me targa gjermane dhe me xhama të zinj. M’u afrua Fatmir Hoxha, të cilin e njoh dhe më kërkoi dokumentet e makinës. I thashë që nuk kam. U ngjit në vendin e pasagjerit në makinë dhe më kërkoi të shkonim në komisariat. Në këto momente erdhi Liri (Ilir Xhakja). Ai filloi të debatonte me Fatmir Hoxhën. I tha çfarë pune ke me nipin tim. Fatmiri doli nga makina dhe po grindej me Ilirin. Dhe unë dola ndërkohë. Iliri po debatonte me Fatmir Hoxhën, kur dy persona civilë dolën nga dy makinat e policisë na drejtuan armën dhe filluan të shanin. Në këto momente unë ktheva makinën dhe ika”, – rrëfeu për gjykatën Krasnaj. Më pas, adoleshenti vijoi dëshminë duke shtuar se pasi la makinën në shtëpi, që ndodhet vetëm 500 metra larg vendit të ngjarjes, është larguar nga frika. “Nga frika ika nga shtëpia dhe dola në ara”, – tha Krasnaj. I pyetur nga prokurori përse kishte frikë, nipi i të pandehurit u shpreh se dikush i kishte treguar se Iliri kishte vrarë një polic, ndaj kjo ishte arsyeja përse kishte ikur.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency