Tirana liberale e viteve ‘70 Frikë dhe dashuri nën diktaturë!

0
157

tirana“Historia e një kënge”, konsideruar si musical i parë shqiptar kompozuar nga Nikolla Zoraqi me koreografi të Agron Aliajt, mbështetur në tekst të Kadaresë, që i dedikohet rinisë së viteve ‘70, do të rivihet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit me postatmosferë trajtuar dhe ideuar nga Zhani Ciko si një histori e dokumentuar për artistët që u dënuan për veprën e tyre; dëshmi në kuadër të 60-vjetorit të Operas, me fabulën “Historia e një vepre brenda historisë së TOB në Tiranën liberale të viteve ‘70”

 

 

Violeta Murati

Në sheshin që sot quhet “Nënë Tereza”, të rinj me akullore në dorë, duke dëgjuar muzikën e viteve ‘70 nga The Beatles, Adriano Celentano, Tom Jones, Elvis Presley… është gati e mjaftueshme të tregohet se në Shqipëri ndihej jeta dhe diktatura sikur shpërfillej, me çizmen e mbajtur ende larg rinisë! Thuhet se është një atmosferë frymëzuese nga “Kafe riviera” e Kadaresë, ku një skulpturë e Hektor Dules, një çift i dashuruar simbolizonte ndjeshmërinë artistike, e cila më vonë do të thyhej pa ditur asnjë, se si ndodhi! Pas një viti, kur u mbajt plenumi IV Komitetit Qendror, aroma e kohës që ju sollëm u dënua, pasi bëhej fjalë për një shfaqje, e quajtur rapsodi koreografike e kompozuar nga Nikolla Zoraqi dhe me koreografi të Agron Aliajt.

E njëjta atmosferë do të krijohet më 11 prill në Teatrin e Operas dhe Baletit, por e mbështjellë si në një cikël historik, jo aq për arsye artistike, sesa dëshmi në kuadër të 60-vjetorit të Operas, me fabulën “Historia e një vepre brenda historisë së TOB në Tiranën liberale të viteve ‘70”.

Zhani Ciko, drejtori i Teatrit të Operas, i cili do ta trajtojë këtë vepër sipas ideve të tij, thotë se shfaqja do ta jetë e shkrirë e kompozuar në vitin 1970 me postatmosferën duke thirrur gjithë të gjallët, që u dënuan më pas, prej kësaj vepre. Dënimi ka ndodhur 40 vite më përpara! Për ta dëshmuar këtë si ngjarje me të cilën artistët ndryshe nga pala tjetër që u burgosën në diktaturë, që kundërshtuan me veprën, Ciko thërret në telefon menjëherë piktorin Ali Oseku, asokohe djalë i ri, piktor i skenës. Jemi prezentë të bisedës së bërë mes Cikos dhe Osekut, përtej telefonit, i cili i përgjigjet ftesës dhe i “gëzohet lajmit” për rivënien në skenë të “Historisë së një kënge”. Ciko tregon se para se të ndahej nga jeta koreografi Agron Aliaj, ishte bërë një bisedë për vënien në skenë të kësaj vepre, por pasi të ishte përfunduar “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”! Enada Hoxha dhe Gerd Vaso do ta drejtojnë baletin, ky i fundit me një lidhje nostalgjie, pasi nëna e tij ka qenë pjesë e veprës në vitin ‘70. Ndërsa zbresim në katin e parë të godinës së Operas, aty ku është arkivi, Zamiri, që para se t’i përgjigjet kërkesës sonë, tregon se prej dhjetorit nuk është paguar dhe e mban arkivin me thonj; megjithatë menjëherë vë dorën mbi dosjen e Nikolla Zoraqit, pikërisht te “Historia e një kënge”. Ai e njeh mirë operan dhe jep mendimin e parë se nuk është ndonjë vepër e madhe, ndonëse njerëzit u dënuan! Duke qenë se vepra vinte në kuadrin e festimeve e dekadës së Majit, gazetat “Zëri i popullit”, “Bashkimi” dhe “Drita” e përfshinë pasqyrimin e veprës në shumë aktivitete të tjera që mbushën repertorin ideologjik të Operas në vitin ‘70 dhe ‘71. Asnjë sinjal se kjo vepër do kishte pasoja, përveçse trajtimit prej “specialistëve” të muzikës në atë kohë se kishte frymë të re, ishte një vepër rinore që tregonte përplasjet mes rinisë dhe prindërve. Referuar fletëpalosjes së vitit 1971, fabula ishte:

“Është historia e dashurisë së dy të rinjve Rinës dhe Benit, takimeve të tyre të sinqerta e mbrëmjes së diplomës, optimizmit për të filluar punën në skajet e atdheut tonë socialist, konfliktit me prindërit e Rinës që duan t’i sigurojnë asaj rehatinë e qyteteve duke e fejuar me një profesor të luftës sa saj kundër mendimeve të vjetra të prindërve dhe paragjykimeve të vetë Benit, për të mbrojtur dashurinë e madhe proletare, dashurinë e rinisë që ngjitet lart në male, shtron shina dhe rend e gëzuar drejt pranverës socialiste”. Kjo vënie më ‘71, me datë 27 maj, konsiderohet premierë ku personazhet dhe interpretët ishin Zoica Haxho, Albert Janku, Petrit Vorpsi, Sami Bakalli, Suzana Asimi, Mukades Erebara, Keti Trajani, Luan Shtino, Hysen Kellezi etj., me dirigjent Rifat Teqen dhe piktor Ali Osekun.

Ciko, duke “lundruar” në atmosferën e vënies së kësaj vepre, atë kohe ishte drejtor artistik, na tregon se vitet ‘70 apo ‘71 ashtu si mbahet mend nga ky brez ishin vite të liberalizmit, ku ndieje lirinë, por edhe kontaktet me botën. Ciko e quan sot këtë vepër më afër musical – një vepër e kënduar sesa një opera e mirëfilltë, ndërsa për kohën është quajtur rapsodi koreografike. Në premierën e vitit ‘71 me tekst të Sulejman Matos ka kënduar Liljana Kondakçi, në rivënien e tanishme është konsideruar pjesëmarrje e veçantë prezenca si këngëtare e Vikena Kamenicës.

Më herët, një tjetër fletëpalosje, po për dekadën e majit, pra që i takon vitit 1970 vepra “Historia e një kënge” është përfshirë në pjesën e dytë të programit festiv të majit. Është quajtur koncert koreografik, por me një titull tjetër: “Ritme e ndjenja punëtore”.

Përmbajtja që na zbulohet nga fletëpalosja e ruajtur në Arkiv, në dosjen e kompozitorit Nikolla Zoraqi është psikika e socrealizmit në art, mjaft skematike lënda dhe ndihet atmosfera e vendosur tashmë e doktrinës komuniste, për formimin e njeriut të ri plot “me ëndrra industriale”! Ne do ta sjellim të plotë këtë përmbajtje (botimin e mëposhtëm) jo për ndonjë arsye konteksti artistik, por më shumë për të perceptuar lirinë krijuese se si “bindeshin” artistët e kohës për të mos “ngrënë dajakun” e të qepnin gojën.

Referuar teatrit dokument shfaqur një vit më parë mbi ngjarjen e 26 shkurtit 1951, ku u pushkatuan 22 intelektualë, drejtori i Operas thotë se kërkon të takojë me këtë shfaqje, historinë me ballafaqimin që artistët patën me veprat e artit, duke e kundërshtuar përmes tyre diktaturën. Një refleksion sipas Cikos i pareflektuar ende nga publiku, ashtu sikurse shkrimtarët mund të kenë rrëfyer jetët e tyre nga burgu nëpër libra!

 

 

 

Përmbajtja e “Historisë së një kënge” në fletëpalosjen e shfaqjes së dhënë vitin 1970, dedikuar dekadës së majit para se të njihte premierën më 1971 në një formë tjetër, po nga të njëjtët autorë, Zoraqi dhe Aliaj

Ritme e ndjenja punëtore

(koncert koreografik)

 

1-Zgjimi

Zbardhëllon agimi. Zgjohet qyteti. Njerëzit me gëzim drejtohen në punë. Ndjehet frymëmarrja e qytetit.

 

2-Rruga

Agimet tona mbushur plot ëndëra industrial. Njerëzit nxitojnë, koha është flori.

 

3-Tre punëtorët

Koncentrimi i forcës punëtore, i mendimit punëtor, i vigjilencës dhe i vullnetit punëtor!

 

4-Tekstilistet

Shoqe! Si i kini punët?

Një përgjigje me vërshim basmash, mëndafshi plot ngjyra e shoqëron këtë pyetje.- Jemi ne tekstilitet, jemi ne duar-artat.

 

5-Montatorët

-Montimi filloi shokë! Kujdes!

Sa mendime e sa emocione e shoqërojnë këtë montim të parë.

 

6-Fejesa u prish

Vasha kish një ëndër. Ëndrën ja turbulloi një fejesë. Ajo ka marë vendimin. Ëndra e saj nuk duhet të prishet, nuk duhet. Dhe ja, ai. Po, a do t’a përkrahë vallë vendimin?

Vështirë, tepër vështirë- duhen shkundur dyshimet- duhet vendosur.

Gëzohen punëtorët për lumturinë e vërtetë.

 

7-Fonderia

Zien puna në fonderinë e qytetit tonë industrial. Atje në zjarrin e kuq të fonderisë, kalitet njeriu i ri, kalitet revolucioni.

 

Finalja

Marshojmë.

Ecim, ecim ne me gëzim dhe çajmë shtigje të reja.

 

 

Gazetat e kohës, kritika shabllone!

“…Rapsodia koreografike qe për spektatorin një vepër e re jo vetëm nga tematika rinore që trajton ajo, po edhe nga realizimi muzikor koreografik dhe në përgjithësi i tërë spektaklit. Që në fillim fantazmagoria e përshkrimit të jetës së gjallë të rinisë studenteske, lirizmit dhe romantizmit të saj, që përshkon tërë veprën, dashuria e pastër e Rinës e Benit që triumfon mbi konceptet e vjetra të prindërve, pasioni për të filluar profesionin e ri në jetë në çdo skaj të Atdheu, pa përfillur rehatinë e qytetit – të gjitha këto të ngritura në një përgjithësim të aspiratave dhe vrullit revolucionar të rinisë krijuan emocione dhe mbresa. Vetë realizimi muzikor i ndërtuar me temën e thjeshtë, të kapshme për spektatorin, të këngës së dy të rinjve, që si lejmotiv përshkon të gjithë dramaturgjinë e spektaklit, bëhet i dashur. Tingëllimi i këtij motive si në pjesën e solistes këngëtare, shoqëruar nga kitara, apo në instrumentat e ndryshëm në orkestër krijonte vazhdimisht emocione të reja, që jetonin e jehonin në shpirtin e spektatorit.

Gjuha e freskët, koreografike, që ka gjetur realizim të një niveli të kënaqshëm në ekzekutimin e kërcimtarëve kryesorë, Z. Hoxha, A. Janku, virtuoziteti i skenave masive si psh marrja e diplomës, mbrëmja studenteske dhe finali krijuan një spektakël jetësor. Në përgjithësi shfaqja ishte e arritur, sidomos në pasqyrimin e gjallë të jetës së rinisë sonë në një gjuhë realiste, koreografike larg konvencionalizmave të tepruara.

Dekori I piktorit të ri Ali Oseku dhe kostumet ndihmuan dhe pasurojnë spektaklin me tingullin e tyre të freskët dhe artistik.

Orkestra nën drejtimin e dirigjentit Rifat Teqja, dëshmoi për një pregatitje dinjitoze për këtë dekadë. ..”

Bashkimi, e premte 28 maj, 1971

 

***

“…Me shumë interes u ndoq rapsodia koreografike “Historia e një kënge”, muzika nga Nikolla Zoraqi dhe libreti e koreografia nga A. Aliaj, një vepër e re me tematikë nga jeta e rinisë. Përshkrimi me artin koreografik i jetës së gjallë të rinisë studenteske, lirizmi dhe romantizmi i saj krijuan emocione tek spektatori…”

Gazeta “Drita”, e diel, 20 maj 1971

 

***

 

Prindërit nuk lejojnë ta martojnë në Tropojë

 

“…një tjetër vepër i shtohet në këtë dekadë repertorit të koreografisë dhe muzikës sonë skenike. Kjo vepër është rapsodia koreografike “Historia e një kënge” e A. Aliajt, me muzikë të N. Zoraqit, që u ekzekutua mbrëmë nga trupa e baletit të Teatrit të Operas. Në këtë vepër pamë përpjekjet e artistëve për të pasqyruar jetën e bukur dhe ndjenjat e pastra të rinisë sonë. Tema e veprës është marrë nga ditët tona. Dy të rinj Rina dhe Beni qysh në bangat e shkollës së lartë dashurohen dhe mandej hidhen në jetë me guximin, shpirtin dhe hovin revolucionar të rinisë sonë. Por në dashurinë e tyre u dalin pengesa. Prindërit përpiqen t’i kthejnë mendjen Rinës e ta martojnë me një njeri me “pozitë” e kushte të mira në Tiranë, e jo me Benin, që është emëruar të punojë në Tropojë. Por pavarësisht nga pengesat, rruga e të rinjve është e përcaktuar. Ata lidhen me njëri tjetrin.

Trajtimi dhe zgjidhja e kësaj teme është realizuar në këtë vepër me mjete shprehëse të gjetura mirë, me fantazi, e mbi të gjitha me një formë të re koreografike. Spikat gjuha e pastër, klasikja është veshur me karakterin dhe botën shpirtërore të shqiptarit. Gjuha koreografike e baletit, e bazuar në lëvizjet tona nacionale, të shkrira këto me elementët e kërcimit të kohës, është gjetur mjaft mirë për të pasqyruar në koreografi temën qytetare në kuadrin nacional. Nga kjo anë “Historia e një këngë” është ndër të parat vepra koreografike me temë nga jeta qytetare në vendin tonë.Merita e autorëve dhe veçanërisht e libretistit dhe e koreografit të talentuar, artistit të merituar Agron Aliaj, qëndron edhe në faktin se me guximdhe aftësi ditën të kapin dhe të trajtojnë me sukses një temë të tillë duke ja përshtatur me mjeshtëri speficikës së baletit. Trupa e baletit, dhe veçanërisht artistët Z.Hoxha, A. Janku etj., kishin bërë një punë këmbëngulëse , serioze dhe me passion për t ënxjerrë në pah idenë e veprës. Pavarsisht nga ndonjë e metë, rapsodia koreografike “historia e një këngë” shënon një sukses të mirë për artin tonë koreografik, gjë që e vërtetoi dhe pritja e mirë që I bëri asaj mbrëmë publiku ynë artdashës.

Spiro Kalemi

Gjon Simoni

Ramazan Bogdani

Gazeta “Zëri i popullit”, 28 maj 1971, me titullin “Vepra të reja të gjinive të mëdha vihen në skenë nga Teatri i Operas dhe Baletit” 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency