Shtohen kuotat e doktoraturave, kush përfiton

0
139

doktoraturaKuotat totale të doktoraturës do të jenë 1320 për vitin akademik 2013-2014

Tarifa e studimit mbetet e pandryshuar

 

Këshilli i Ministrave ka vendosur rritjen e kuotave për ciklin e tretë të studimeve. Në vendimin më të fundit parashikohet shtimi për kandidatët brenda Shqipërisë dhe u shtohet një kuotë kandidatëve nga trojet. Sipas Ministrisë së Arsimit, rritja e kuotave është bërë për shkak të kërkesave të shumta të bëra nga kandidatët, të cilët i plotësonin kriteret për të qenë pjesë e studimeve të ciklit të tretë. Me rritjen e kuotave pritet që t’u jepet mundësi më shumë kandidatëve për të qenë pjesë e studimeve të doktoraturës. Sipas Universitetit të Tiranës, kuotat do të plotësohen në bazë të dosjeve që janë regjistruar tashmë nga kandidatët dhe që pritet të shqyrtohen nga komisionet përkatëse. Po kështu, është ndryshuar edhe emërtimi i një prej programeve të studimit me kërkesë të Ministrisë së Arsimit. “Emërtimi i programit të studimit të ciklit të tretë të doktoratës “Metodat sasiore dhe të informacionit”, me numër rendor 33, ndryshohet dhe bëhet “Sistemet e informacionit në ekonomi”“, – përcakton vendimi i djeshëm i qeverisë.

Tarifat

Pavarësisht se janë rritur kuotat, tarifat e studimit nuk do të ndryshojnë për këtë vit akademik. “Tarifa e shkollimit për programet e studimeve të ciklit të tretë, të doktoratës, është 216 320 (dyqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e treqind e njëzet) lekë. Tarifa e shkollimit paguhet në këste, të përcaktuara nga institucioni publik i arsimit të lartë”, – përcakton vendimi i Këshillit të Ministrave. Kjo tarifë sipas MASH është normale pasi kandidatit i komunikohet shuma përpara regjistrimit.

Përzgjedhjet

Kandidatët duhet të kenë përfunduar studimet e larta në fushën e kërkuar dhe të zotërojnë diplomë të ciklit të dytë të studimeve “Master i Shkencave” apo çdo diplomë tjetër të barasvlershme me të ose një diplome të huaj të barasvlershme të shoqëruar me vërtetimin e njohjes nga MASH. Të ketë notë mesatare të përgjithshme 8 e lartë, në secilin cikël studimesh (i parë dhe i dytë). Të zotërojnë gjuhën angleze të vlerësuar mbi bazën e një testi të njohur ndërkombëtarisht. Nëse nuk zotërohet në aplikim fillestar, dëshmia kërkohet pas përfundimit të studimeve të organizuara teorike. Të jetë i rekomanduar nga dy persona që gëzojnë titull akademik të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të kandidatit. Të shprehë qartë qëllimin e ndjekjes së studimeve të doktoratës në rreth 500 fjalë. Të paraqesë në mënyrë të përmbledhur një projekt shkencor mbi të cilin ka menduar të punojë gjatë kursit të Shkollës Doktorale. Të marrë përsipër përballimin e shpenzimeve të studimeve.

 

Ishin

-1141 kuota për kandidatët brenda territorit të vendit

-154 kuota për kandidatët nga trojet jashtë kufijve të vendit

-10 kuota për shtetasit e huaj

Bëhen

-1155 për kandidatët brenda territorit të vendit
-155 për kandidatët nga trojet jashtë kufijve të vendit
-10 për shtetasit e huaj

 

 

Ulen fondet për arsimin e lartë, i shtohen arsimit të mesëm dhe bazë

 

Këshilli i Ministrave ka bërë një ndryshim në fondet për arsimin. Kështu një pjesë e fondeve të përcaktuara nga buxheti i vitit 2013 i është hequr arsimit të lartë dhe i është shtuar arsimit të mesëm dhe arsimit bazë.

a)  Në programin buxhetor “Arsimi i lartë”, shpenzime kapitale, pakësohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekë.
b)  Në programin buxhetor “Arsimi bazë”, shpenzime kapitale, shtohet fondi prej 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) lekë.
c)  Në programin buxhetor “Arsimi i mesëm i përgjithshëm”, shpenzime kapitale, shtohet fondi prej 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë.
 

Provimi për mësuesit në 27 prill, testohen 4 mijë kandidatë

Rreth 4 mijë mësues në gjithë vendin i nënshtrohen testimit më 27 prill. Arsimtarët me më shumë se 5 vjet përvojë pune në arsimin shqiptar, në fund të këtij muaji do të kryejnë provimin me shkrim për dijet e tyre dhe se si janë të integruar me kurrikulat e reja. Drejtorja e Institutit të Zhvillimit të Arsimit thotë se mësuesit nuk do të vlerësohen me notë, por me mjaftueshëm, mirë, shumë mirë dhe shkëlqyeshëm. Testimi, sipas zyrtarëve të MASH, nuk ka qëllim të heqë arsimtarët nga puna, por kjo do të ndikojë në karrierën e vetë mësuesit për t’u ngritur në një post më lartë. “Ky provim bën që t’i nënshtrohen mësuesit të cilët kanë mbushur pesë vjet, dhjetë dhe 20 vite eksperiencë pune. Fryma e këtij provimi është një frymë që do të nxisë mësuesin të qëndrojnë të përditësuar dhe jo të penalizojë mësuesin dhe aq më pak të nisë udhëzime nëpër drejtoritë arsimore për penalizime për mësuesit për mosmarrjen e këtij provimi”, – thotë Tidita Abdurrahmani, drejtore e IZHA-s. Përfaqësuesit e arsimit thonë se provimi do të jetë i ndërtuar nga pyetje që kërkojnë shtjellim me shkrim dhe se do të ketë dy pjesë, një për anën shkencore dhe një për atë metodologjike. Testi do të zhvillohet për të gjithë arsimtarët në Tiranë. “Në Tiranë vijnë të gjithë mësuesit nga rrethe e ndryshme të vendit, mësuesit hyjnë në provim me disa pikë, që quhen pikë të portofolit, pjesa e testit që bëhet në Tiranë është pjesa për anën shkencore dhe anën metodologjike”, – vijon Abdurrahmani. Rreth një vit më parë testin e kualifikimit nga 3000 mësues nuk e kaluan rreth 2% e tyre. Këta mësues nuk përfituan as rritjen e pagës që bëhet çdo vit në bazë të performancës dhe dijeve të tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency