Projektligji, ndryshojnë rregullat, krijohet Regjistri i Testamenteve

0
187

Ervin Kaduku

testamentTë gjitha testamentet e nënshkruara pranë noterëve përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të regjistrohen në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve, brenda gjashtë muajsh

 

 

Qeveria ka miratuar dje një projektligj për krijimin e Regjistrit Kombëtar të Testamenteve. Sipas këtij drafti, që duhet të kalojë në Kuvend për miratim, pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë do të krijohet Regjistri Kombëtar i Testamenteve, në të cilin noterët duhet të regjistrojnë testamentet e nënshkruar pranë tyre dhe Regjistri Kombëtar i Çeljes së Trashëgimit, në të cilin noterët regjistrojnë çeljen e një trashëgimie ligjore apo testamentare.
Regjistri Kombëtar i Testamenteve dhe Regjistri Kombëtar i Çeljes së Trashëgimit administrohen nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Rregullat e hollësishme për Regjistrin Kombëtar të Testamenteve dhe për Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimit miratohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
Të gjitha testamentet e nënshkruara pranë noterëve përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të regjistrohen në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve, brenda gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Në projektligj kërkohet që noteri, pasi të ketë redaktuar testamentin, bën regjistrimin e tij në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve, pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë.

Çelja e trashëgimisë

Noteri, pasi vihet në dijeni zyrtarisht nëpërmjet një kërkese të shkruar nga personat e interesuar, kontrollon kompetencën vendore të tij në përputhje me parashikimet e Kodit Civil dhe dërgon një kërkesë pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë, të cilës i bashkëlidh një kopje të kërkesës së personit të interesuar dhe një kopje të certifikatës së vdekjes së trashëgimlënësit.
Pas marrjes së kërkesës, Dhoma Kombëtare e Noterisë kontrollon në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve dhe Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimit nëse trashëgimlënësi ka lënë një testament dhe/ose është bërë çelja e trashëgimisë ligjore apo testamentare nga ndonjë noter.
Brenda tri ditëve pas marrjes së përgjigjes nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, noteri drejton personin e interesuar tek noteri i cili ka çelur trashëgiminë ose pranë të cilit është redaktuar testamenti, nëse ka dhe procedon me çeljen e trashëgimisë ligjore/testamentare, në përputhje me parashikimet e Kodit Civil, dhe e regjistron atë në Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimit.

 

Kontrolli
Për rastet e trashëgimisë testamentare, noteri duhet të kontrollojë elementet e pavlefshmërisë, parashikuar nga Kodi Civil, dhe të lëshojë dëshminë e trashëgimisë vetëm në rast se asnjë prej këtyre elementeve nuk ka prekur testamentin. Në rastin kur testamenti preket nga një element pavlefshmërie, noteri, me vendim të arsyetuar, refuzon lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë dhe i dërgon palët përpara gjykatës kompetente për zgjidhjen e çështjes.

Dëshmia e trashëgimisë

Dëshmia e trashëgimisë duhet të përmbajë:

a) bazën ligjore dhe elementet mbi të cilat noteri konsiderohet që ka kompetencë territoriale për të lëshuar dëshminë;
b) të dhënat e kërkuesit: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa dhe marrëdhënia me trashëgimlënësin;
c) të dhënat e trashëgimlënësit: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa në datën e vdekjes, data dhe vendi i vdekjes;
ç) të dhënat e trashëgimtarëve: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa;
d) të dhëna mbi regjimin pasuror martesor të trashëgimlënësit;
dh) të dhëna mbi padenjësinë ose heqjen dorë nga trashëgimi, nëse ka;
e) të dhëna mbi legun dhe barrën, nëse ka;
ë) pjesët takuese të secilit prej trashëgimtarëve;
f) çdo të dhënë tjetër të kërkuar nga legjislacioni në fuqi.

Noteri mban origjinalin e dëshmisë së trashëgimisë dhe i lëshon kërkuesit ose çdo personi që ka një interes të ligjshëm, një ose disa kopje të dëshmisë së trashëgimisë të njësuara me origjinalin. Noteri shënon në një regjistër të posaçëm, të dhënat e çdo personi të cilit i ka lëshuar një kopje të dëshmisë së trashëgimisë.

Ndreqja e gabimeve, ndryshimi ose revokimi i dëshmisë së trashëgimisë

Noteri, kryesisht ose me kërkesën e çdo personi që ka një interes të ligjshëm, mund të ndreqë në çdo kohë gabimet e bëra në shkrim ose në llogari apo ndonjë pasaktësi të dukshme të dëshmisë së trashëgimisë; mund të ndryshojë ose revokojë dëshminë e trashëgimisë në rast se çmon se dëshmia ose pjesë të saj nuk janë të sakta. Noteri njofton menjëherë të gjithë personat të cilëve u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë së trashëgimisë për çdo ndreqje gabimesh, ndryshim ose revokim të dëshmisë së trashëgimisë.

Ankimi

Ndaj çdo vendimi të noterit për lëshimin, refuzimin e lëshimit, ndreqjen e gabimeve, ndryshimin apo shfuqizimin e dëshmisë së trashëgimisë, mund të bëhet ankim në gjykatë nga çdo person që ka një interes të ligjshëm. Gjykata, në rast se çmon se dëshmia ose pjesë të saj nuk janë të sakta, ndreq, ndryshon ose shfuqizon dëshminë e trashëgimisë ose urdhëron noterin të ndreqë, ndryshojë a shfuqizojë dëshminë e trashëgimisë.

Pezullimi i efekteve të dëshmisë së trashëgimisë

Efektet e dëshmisë së trashëgimisë mund të pezullohen nga noteri, me kërkesën e çdo personi që ka një interes të ligjshëm, gjatë procedurës së ndryshimit ose revokimit të dëshmisë së trashëgimisë, ose gjykata. Gjykata ose noteri, sipas rastit, njoftojnë menjëherë për pezullimin e efekteve të dëshmisë së trashëgimisë, të gjithë personat të cilëve u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë së trashëgimisë.
Në rast pezullimi të efekteve të dëshmisë së trashëgimisë dhe gjatë gjithë kohëzgjatjes së këtij pezullimi nuk mund të lëshohen kopje të tjera të dëshmisë së trashëgimisë.
 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency