Dështimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, Thaçi: Ka ende kohë

0

thaciKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se delegacioni i tij, në takimin e 2 prillit me Serbinë, ka qenë i gatshëm për marrëveshjen për normalizim marrëdhëniesh me këtë vend, por pala serbe ka kërkuar kohë për konsulta shtesë.

“Arritja e marrëveshjes nuk është vetëm në të mirë të Kosovës; është në të mirë të fqinjësisë së mirë, të qytetarëve dhe të evropianizimit të rajonit”, – ka thënë Thaçi në një konferencë për media në Prishtinë. Përkundër mosarritjes së marrëveshjes, Thaçi ka thënë se procesi nuk mund të shpallet i përmbyllur as i dështuar. “Shpresojmë se Serbia do të pranojë realitetin dhe marrëveshjen. E di se nuk janë vendime të lehta për asnjë vend dhe për asnjë lider, por secili nga ne duhet të shikojë drejt së ardhmes dhe të mos mbetemi peng i së kaluarës”, – ka thënë Thaçi. Ai ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e palës kosovare në dialog, se asociacioni i komunave serbe në Kosovë do të jetë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, as legjislative, as pushtet të tretë.
Kryeministri ka thënë po ashtu se do të ndodhë shpërbërja e plotë e të gjitha strukturave ilegale të sigurisë dhe se do të ketë lëvizje të lirë në të gjithë territorin e Kosovës.

Ashton

Mediet e Beogradit raportojnë nga Brukseli se zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kocijançiç ka deklaruar se elementet për arritjen e marrëveshjes janë aty, porse Ashton do të vendosë më vonë nëse do të thërrasë një raund të ri dialogu. “Ajo po pret që pjesëmarrësit në dialog ta lajmërojnë pas konsultimeve në kryeqytetet e tyre, porse tash për tash nuk e ka ndërmend të caktojë mbledhje formale në Bruksel”, – deklaroi Maja Koncijançiç para gazetarëve në Bruksel. “Elementet e zgjidhjes janë aty, porse çfarë do të ndodhë në vazhdim mbetet të shohim pas konsultimeve”, – ka shtuar ajo. Ashton mbrëmë konstatonte se hendeku ndërmjet dy palëve “është shumë i ngushtë, por shumë i thellë” dhe se raundi i mbrëmshëm ishte “mbledhja e fundit formale” e kryesuar prej saj.

Serbët kërkojnë KFOR-in

Të ashtuquajturit këshilltarë serbë të Komunave të pjesës veriore të Kosovës, sot e kanë mbajtur një takim të përbashkët, në të cilin e kanë mbështetur kreun shtetëror të Serbisë dhe kanë kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, që ta pengoj përpjekjen eventuale të autoriteteve në Prishtinë, që me aksione të dhunshme ta rrezikojnë paqen në veri dhe në mjediset e tjera serbe në Kosovë.
“Nga forcat ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë presim që të përmbahen nga lëvizjet e njëanshme dhe që me kohë ta pengojnë secilën përpjekje të të ashtuquajturave autoritete në Prishtinë, që me aksione të dhunshme ta rrezikojnë paqen dhe sigurinë në pjesën veriore të Kosovës dhe në mjediset e tjera serbe”, – thuhet në konkluzionet e këtij takimi të mbajtur në Leposaviq. Në mbledhje kanë marrë pjesë përfaqësues të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës. Pjesëmarrësit në tubim kanë shfaqur kënaqësi për unitetin të cilin e ka treguar kreu shtetëror i Serbisë dje në Bruksel..

Është kërkuar që misioni EULEX të zëvendësohet me UNMIKU-un dhe që në mjediset serbe të kthehet kontigjenti rus i KFOR-it, i cili siç theksohet, “për popullin serb do të ishte garanci e paqes dhe sigurisë”.

 

Japonezët gjejnë metale të rralla në thellësi 5700 metra

 

Në thellësi prej madje 5700 metrash nën nivelin e detit japonezët kanë gjetur shtresime tejet të pasura me grumbuj të metaleve të rralla, të cilat mendojnë që mund t’i nxjerrin duke prekur minimalisht fundin e detit. Këto metale gjenden në zonën ekonomike e cila i takon vetëm Japonisë, në baltën në afërsi të ishullit Minami-Torishima. Ky është një zbulim jashtëzakonisht i rëndësishëm për Japoninë, sepse ky vend shumë i përparuar teknologjikisht shpenzon shumë metale të rralla në prodhimin e elektronikës (disproziumi ka veçori magnetike shumë të fuqishme, neodymiumi shfrytëzohet në prodhimin e automobilave hibridë, ndërsa terbiumi zvogëlon shpenzimin e poçeve me shpenzim të ulët për 40 për qind), ndërsa 97 për qind e metaleve të tilla vijnë nga Kina. Pikërisht për shkak të këtij monopoli Kina mund t’ia lejojë vetes kontrollin e eksportimit të metaleve të rralla, gjë të cilën edhe e ka bërë në vitin 2009. Përmes restriksioneve Kina në fakt ka detyruar disa prodhues për të ngritur fabrika në Kinë. Japonia mendon që madje as nuk duhet t’i shfrytëzojnë në mënyrë intensive këto metale në këto hapësira nën det, por se kjo do t’u shërbejë si një atu që do ta shtyjë Kinën që të ulë çmimet e metaleve të rralla.

 

Flamuri shqiptar valëvitet në Kërçovë

Në mënyrë solemne e madhështore, dje fituesi i zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, u ul zyrtarisht në karrigen e të parit të qytetit. Dehari mori certifikatën për mandatin katërvjeçar nga komisioni komunal zgjedhor. Ai është i pari shqiptar që merr këtë post në Kërçovë, pas më shumë se 70 vjetësh. “Komunën e Kërçovës pas 70 vjetësh do e drejtojë një kryetar shqiptar. Kryetarit të ri të komunës, Fatmir Deharit edhe zyrtarisht në emër të komisionit komunal zgjedhor, i dorëzojmë mandatin për të udhëhequr Komunën e Kërçovës”. Dehari, me këtë rast, falënderoi sërish të gjithë ata që e votuan për këtë mandat 4 vjeçar, ndërsa deklaroi se do angazhohet për mirëqenien e të gjithë banorëve të Kërçovës, pa dallime kombësie. “Unë, nga ky moment, bashkë me administratën komunale të përbashkët do të vazhdojmë punën dhe realizimin e programit tonë komunal… premtimeve që kemi bërë para qytetarëve… që kjo komunë të jetë sa më afër qytetarëve; qytetari të jetë në vendin e parë; dhe ne do ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët si qytetarë të këtij vendi, pa dallim përkatësie etnike, fetare dhe ngjyre”, – tha Fatmir Dehari, kryetar i komunës së Kërçovës. Nga dita e sotme, në shtizën e flamujve para komunës së Kërçovës, valëvitet edhe flamuri kombëtar shqiptar. Po ashtu tabela e madhe para komunës, është vendosur që dje në dy gjuhë.