Shushatje me Schengen-in

0
169

Enver Robelli

 

shushatjeMuajve të fundit, disa skandale, të vogla e të mëdha, e kanë dridhur Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), njërin prej resorëve kyç të qeverisë së Kosovës. Manipulime tenderësh, keqmenaxhim, vendime të gabuara, papërgjegjësi – ky është vargu i skandaleve. Disa zyrtarë të MPB-së janë larguar nga puna, ndoshta një ditë ndonjë i dyshuar për keqpërdorime do të dalë para gjyqit, ndoshta… Por, përtej kësaj, do të duhej të ndodhte diçka tjetër: përgjegjësit politikë do të duhej të pranonin dështimet dhe të jepnin dorëheqje. Është shumë e qartë se përgjegjësia për skandalet në MPB bie, në radhë të parë, mbi ministrin. Reagimet e ministrit deri më tani kanë qenë ose tallëse ndaj kritikave, ose manifestim kryeneçësie. Në këtë mënyrë është dëmtuar vetë posti i ministrit. Në çdo paraqitje publike vetë ministri do të ndërlidhet me aferat e fundit dhe jo me ndonjë punë të hairit, që eventualisht mund të ketë bërë gjatë mandatit të tij. Çfarë vlen për postin e ministrit të MPB-së vlen edhe për postet e tjera publike: nëse në një vend nuk ekziston kultura e dhënies së përgjegjësisë dhe nëse posti publik shikohet vetëm si mundësi për rehati personale, familjare dhe klanore, atëherë dëmin e bart gjithë shoqëria.

“Vidh, por ruaju”

Një dëm të tillë shoqëria e Kosovës po e bart edhe në rastin e liberalizimit të vizave. Nga ana e pushtetit flitet shumë për heqjen e vizave, nganjëherë shihen edhe sjellje idhnake nga ana e pushtetit, kur Bashkimi Evropian nënvizon se ende nuk janë plotësuar kushtet për liberalizim vizash, por gati kurrë nuk ushtrohet vetëkritikë, as nuk kërkohet përgjegjësi, as nuk i shpallet luftë e dukshme keqpërdorimeve. Secili skandal tentohet të kalohet në heshtje (për shembull për krejt aferat në MPB kryeministri i Kosovës nuk është deklaruar asnjëherë qartë publikisht). Secila aferë tentohet të mbulohet me retorikë shurdhuese, me flluska dhe me përbetime të zakonshme se “do të jemi të pakompromis” në “luftën kundër korrupsionit”. Pastaj vazhdohet me të vjetrën, vetëm se me kujdes të shtuar, “vidh, por ruaju!”, kjo duket se është motoja e pashpallur e këtij pushteti qëkur e zaptoi shtetin.
Është e saktë që në vendet e Schengenit nuk ka disponim për t’i hequr vizat për qytetarët e Kosovës. Arsyet janë të shumëfishta: mungesa e një administrate efektive në Kosovë, e cila do të pengonte emigrimin e paligjshëm (me një fjalë largimin masiv të njerëzve në Perëndim për t’i ikur varfërisë në shtëpi), korrupsioni shtetëror si e keqe e përgjithshme, që pamundëson zgjidhjen e pothuaj çdo problemi, imazhi i keq i shqiptarëve të Kosovës në botën perëndimore (në pothuaj çdo raport ata përmenden si pjesë e rrjeteve kriminale; shumë konstatime mund të jenë të tepruara, por që shqiptarët janë engjëj, këtë të mos e mendojë askush). Krahas këtyre problemeve është gjendja shumë e keqe ekonomike e Kosovës, me papunësi ekstreme dhe mungesë investimesh.

140 shkronja shpresë

Kemi dëgjuar e lexuar shpesh nga zyrtarë të qeverisë se Kosova e plotësoi këtë apo atë kusht të BE-së për liberalizim vizash. Pastaj thuhet se “sot në Parlament u miratua ky ligj” apo “ai ligj” dhe kështu tentohet të krijohet përshtypja se puna mbaroi. Miratimi nuk mjafton. Çdo administratë dhe çdo qeveri duhet t’i bindë partnerët perëndimorë me zbatim të ligjeve. Plotësimi i kritereve për liberalizim të vizave në Kosovë jo rrallë reduktohet në miratim rutinor të ligjeve dhe në postimin e lajmit të gjatë 140 shkronja në “Twitter” nga ana e zyrtarëve të shtetit, të cilët pastaj shpresojnë se komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Füle, më në fund do t’i marrë parasysh lajmet e bukura të shpërndara nëpër rrjetet sociale. Por kriteret për heqjen e vizave nuk do të plotësohen kurrë në “Twitter”, sado moderne dhe nganjëherë edhe e dobishme të jetë kjo formë komunikimi. Kriteret plotësohen në Fushë-Kosovë, në Pejë, në Ferizaj e gjetiu, pra atje ku njerëzit s’i hanë 140 shkronjat e “Twitterit”, por kërkojnë bukë dhe perspektivë për fëmijët e tyre, në mënyrë që heqjen e vizave të mos e shohin si shans për të ikur në mërgim.
Një kriter shumë i rëndësishëm për liberalizim të vizave është kthimi i sigurt në Kosovë i shtetasve kosovarë, të cilët prej vitesh jetojnë në vendet perëndimore, ndonëse nuk i kanë plotësuar kushtet për azil. Bëhet fjalë kryesisht për pjesëtarë të pakicave (romë, ashkalinj, egjiptianë), por edhe për shqiptarë, të cilët për t’i shpëtuar kthimit në atdhe deklarohen si pjesëtarë pakicash gjoja të rrezikuara. Procesi i kthimit të romëve dhe të tjerëve në Kosovë dhe integrimi i tyre duket se është duke funksionuar tepër dobët.

Ikja e familjeve

Së paku kjo përshtypje mund të krijohet pasi të lexohet raporti më i ri i Shoqatës për Popuj të Rrezikuar, dega në Zvicër. Nga shteti zviceran Kosova konsiderohet si vend i sigurt që nga viti 2009, andaj shtetasit kosovarë nuk kanë të drejtë të kërkojnë azil në Zvicër. Më 3 shkurt 2010, Berna dhe Prishtina kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili do të mundësonte një partneritet mes dy vendeve sa i përket çështjes së migrimit. Në raportin e saj Shoqata për Popuj të Rrezikuar arrin në përfundimin drastik se mbrojtja e pakicave në Kosovë ekziston vetëm në letër. Duke iu referuar Organizatës Zvicerane për Ndihmë Refugjatëve konstatohet se në Kosovë nuk janë plotësuar kushtet për kthimin e refugjatëve në siguri dhe me dinjitet. Nga viti 2010 deri në nëntor 2012 nga Zvicra në Kosovë janë kthyer me forcë 661 persona, të cilët janë pjesëtarë pakicash; njëkohësisht 445 persona të tjera janë kthyer vullnetarisht. Në një raport të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të botuar në korrik 2012, theksohet se “pothuaj nuk është bërë përparim” në zbatimin e një plani qeveritar nga viti 2009 për integrimin e pakicave në fushën e mbrojtjes shëndetësore, sociale, arsimore, të punësimit, banimit, regjistrimit, të sigurisë, policisë, drejtësisë etj. Po ashtu thuhet se shumica e komunave nuk kanë ndërmarrë masa konkrete për të plotësuar kërkesat specifike të pakicave.

Për vitin 2011 qeveria e Kosovës ka ndarë 3,4 milionë euro për ndihma të drejtpërdrejta dhe projekte afatgjata lidhur me pakicat. Në fund të vitit 2011 Organizata Zvicerane për Ndihmë Refugjatëve konstatoi se vetëm 10 për qind e 3,4 milionë eurove ishte shfrytëzuar për të mbështetur pakicat. Shoqata për Popuj të Rrezikuar ka përzgjedhur pesë familje të kthyera nga Zvicra në Kosovë. Të gjitha këto familje pas një kohe sërish e kanë braktisur Kosovën për shkak se autoritetet e Prishtinës nuk i kanë realizuar premtimet për vendstrehim të përhershëm, integrim të fëmijëve në sistemin arsimor dhe punësim së paku për krerët e familjeve, në mënyrë që të sigurojnë ekzistencën. Shoqata për Popuj të Rrezikuar nënvizon se qeveria e Kosovës nuk po i plotëson kushtet e negociuara me Zvicrën në kuadër të partneritetit për çështje të migrimit. Rrjedhimisht, kjo shoqatë kërkon që derisa të mos përmirësohet gjendja Zvicra të heqë dorë nga kthimi me forcë i refugjatëve kosovarë.

Diskriminim sistematik?

Raporti i Shoqatës për Popuj të Rrezikuar përmban edhe konstatime, të cilat duken të paqëndrueshme. Duke iu referuar një raporti të organizatës “Human Rights Watch” nga viti 2010 dhe një raporti të Departamentit Amerikan të Shtetit nga viti 2011 pretendohet se romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët në Kosovë diskriminohen në mënyrë sistematike, madje thuhet se shumë prej tyre frikësohen të përdorin publikisht gjuhën e tyre amtare.
Po të kishte Kosova një administratë funksionale, atëherë anët e paqëndrueshme të çdo raporti ndërkombëtar do të mund të kundërshtoheshin dhe korrigjoheshin. Në Kosovë administrata bën të kundërtën: para disa javësh Rexhep Krasniqi, pronar i një organizate që merrej me riatdhesimin e refugjatëve, publikisht akuzoi zyrtarë të MPB-së se i kishin kërkuar ryshfet nëse dëshironte të “fitonte sërish tenderin”. Rrëfimi i Krasniqit gjeti vend edhe në një emision shumë të dëgjuar të radios zvicerane. Duke qenë pjesë e Marrëveshjes së Schengenit, edhe Zvicra duhet të japë pëlqimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Gjasat për këtë zvogëlohen pas çdo raporti kritik dhe negativ. Kështu edhe pritja për të udhëtuar pa vizë në Evropën Perëndimore do të zgjasë më shumë se ç’presin madje edhe optimistët tuiterianë të qeverisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency