GENOCIDI KOMUNIST DHE DINJITETI I TË PERNDJEKURVE POLITIKË

0
166

genocidiFilip Guraziu

 

Genocidi komunist në Shqipëri ndodhi. Unë, së bashku me shumë të tjerë, jemi deshmitare te gjallë te atij kobi, qe, si rrufe ra ne familjet tona. Mbrënda një nate, 27 Shkurt 1951, hijet e zeza me zemër të kuqe, eleminuan 22 intelektualë nacionalistë, pa zhvilluar proçes gjyqësor dhe pa provuar asnjë lidhje me akuzën, vetëm e vetëm për terror, si kurban për baba Stalinin. Kaq e turpëshme dhe skandaloze qe ajo masakër, sa që Ramiz Alia, për ti treguar shqiptarëve dhe botës së lirë se komunismi në Shqipëri po fillonte të merrte “fytyrë njeriu”, urdhëroi Plenumin e Gjykatës së Lartë që të shpallte të pafajshëm 22 intelektualët e masakruar ! Vendimi u muar me 8 Gusht 1991. Ky qe rasti i parë që komunistët shqiptarë pranuan publikisht krimin e tyre !

Atë genocid të gjithë e jetuam dhe një pjesë e madhe e popullit shqiptar e provoi mbi supe. Brezat e ri që lindën rreth viteve 90, arritën ta njohin sipas tregimeve të prindërve të tyre, arkivave të shtetit apo dëshmive autentike në publikimet që bënë dhe vazhdojnë të bëjnë ato që e vuajtën direkt në burgjet komuniste. Aplikimi i genocidit komunist, si metodë kriminale-mafioze-terroriste për të fituar dhe mbajtur pushtetin, eleminoi elitën intelektuale shqiptare, shkatërroi institucionet fetare, i mori jetën në tortura rreth 6000 shqiptarëve, burgosi 30.000 persona dhe interrnoi 60.000 te tjerë. Familjarët e tyre u përbuzën , u poshtëruan, u diskriminuan dhe u quajtën “të prekur”!. “Të prekur” ?, po prej kujt? : “Të prekur nga murtaja komuniste”.

Po, genocidi ishte një murtajë, një sëmundje çfarosëse me virus politik, që aplikoi klika kriminale e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut & Co për të ndërtuar gjoja (sepse edhe ato e dinin që ishte utopi) shoqerinë komuniste, në themel të së cilës duhej të qëndronte “njeriu e ri”, gjë që do të realizohej në luftë të pamëshirëshme dhe të vazhdueshme me mbeturinat e shoqërisë së vjetër borgjezo-kapitaliste !.

Sot pas 23 viteve të kapitullimit të diktaturës komuniste dhe të perpjekjeve të shoqërisë shqiptare për konsolidimin e demokracisë, po përjetojmë një situate te paparashikuar, të interpretuar sipas një propogande mediatike të mirëmenduar e cila tenton ta bëjë ujkun qëngj, ose me qarte po kerkon të bindë brezat e ri “se edhe në qoftë se ndonjëherë diku në Shqipëri paska patur genocid komunist ( pasi minareja nuk futet në thes), ai genocid është bërë vetëvetiu !, pa urdhërdhënës !, si pasojë askush nuk mund të mbajë përgjegjësi !.

Për të arritur në këtë konkluzion makiavelist, personazhe me të kaluar të errët ne aparatin shtypës të diktaturës së Enver Hoxhës, duke përfituar nga mangësitë e demokracisë së brishtë shqiptare, po publikojnë libra, artikuj si dhe organizojnë programe televizive për të paraqitur se si ujqërit e kuq komunistë nuk paskan pasë qenë bisha që u ushqyen me gjakun e pafajshëm të shqiptarëve, por në realitet, paskan pasë qenë qëngja, që ngjajnë me ujkun rastësisht, vetëm nga ngjyra e kuqe, sepse ashtu ka qëlluar edhe ngjyra e flamurit komunist. Ato udhëheqës komunistë, urdhëruesat dhe zbatuesat e genocidit, paskan pasë qenë një lloj qënie njerëzore e veçantë, vertetë të ashpër me armikun e klasës, por me “shpirt babaxhani, kryefamiljarë të dashur, me moral të pastërt, me shije letrare, poetike dhe sentimentale, të ditur, strategë dhe burra shteti, etj”.

Kurse me genocidin ato skanë të bëjnë fare, atë e kanë bërë vetë shqiptarët, (pra populli), ato vetë e kanë dashur, ajo është vepër e tyre !

Trashëgimtarëve të ish kupolës komuniste, përgjegjëse për krimet më mizore ndaj popullit shqiptar, sot pas 23 viteve ndërrim sistemi, nuk i mjafton pozita që zotërojnë, nuk i mjafton pasuria që ato gëzojnë, pensionet e majme që marrin etj., por duan më, duan më. Ato duan moralin, të rifitojnë moralin e humbur, që pason me njohje të titujve dhe ringritje të monumenteve në kujtim të krimeve të bëra dhe të “meritës së madhe” që transformuan Shqipërinë në varrezë bunkerësh dhe “njeriun e ri” shqiptar në qënien më mjerane në botë.

E thënë troç dhe shqip, kjo do të thotë përbuzje e kujtimit te atyre martrirëve që u masakruan dhe vuajtën nga diktatura e Enver Hoxhës, do të thotë përdhunim dhe poshtërim i shtresës së ish të përndjekurve politikë që kontribuoi aq tepër në konsolidimin e demokracisë.

Në diktaturë humbëm njerëzit më të dashur dhe pësuam vuajtjet e ferrit dantesk, sot pas 23 viteve në demokraci , po përpiqen të na vjedhin dinjitetin dhe moralin. Kjo nuk mund të durohet dhe nuk duhet të lejohet !

Eshtë koha, që të gjithë forcat antikomuniste; shoqatat, institucionet, religjonet, partitë e djathta, perfaqësuesit e P.D., intelektualët me bindje liberale, mediat progresiste etj., të reagojnë të bashkuar, ndaj kësaj përpjekje te mbarsur me moral përvers që po kërkon ti serviret dhe në një fazë të dytë ti imponohet brezit te ri . Helmatisja e brezit te ri me ideollogji primitive dhe reaksionare që hymnizon kriminelin dhe krimin, përbën aktin më të turpshëm dhe të papranueshem për një shoqëri demokratike . Indiferentizmi ndaj kësaj çështjeje, duhet konsideruar tradhëti ndaj idealeve të atyre që dhanë jetën dhe u sakrifikuan per liri dhe demokraci.

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency