“Virusi i FIFA-s” Shqiptarët janë imunë

0
114

 Altin Vorpsi

kombetarjaNdodh shpesh që klubet në Evropë të ankohen për impenjimet e lojtarëve të tyre në kombëtare. Futbollistët zakonisht dëmtohen dhe kur rikthehen në skuadrat ku luajnë janë të dëmtuar. Ky fenomen njihet si “virusi i FIFA“-s, që me shumë mundësi nuk ka efekt mbi lojtarët e përfaqësueses sonë

 

 

Hamdi Salihi, Etrit Berisha, Lorik Cana dhe Migjen Basha kanë dalë edhe më të fortë pas ndeshjes me Lituaninë. Në këtë periudhë, kur lojtarët largohen nga klubet për të luajtur me kombëtaret të para ankohen se shpesh herë ata rikthehen të dëmtuar ose jashtë formë. Por respektivisht, skuadrat Jiangsu Sainty, Kalmar, Lacio dhe Torino nuk mund ta thonë diçka të tillë.

 

Dy gola

Dje është zhvilluar ndeshja mes Jiangsu Sainty (ku aktivizohet prej janarit Hamdi Salihi) dhe Shanghai Shenxin. Ballafaqimi në fjalë ka përfunduar në barazimin 2-2, ndërkohë që dy golat për pritësit mbajnë autorësinë e sulmuesit tonë kuqezi. Në këtë mënyrë, shkodrani rikonfirmon formën shumë të mirë sportive që po kalon tashmë, pasi braktisi Amerikën, ku vuajti jo pak në fakt. Sa i përket kronikës së kësaj ndeshjeje, miqtë kanë kaluar të parët në epërsi, në minutën e 51-të, por vetëm 7 minuta më vonë, Jiangsu ka fituar një penallti. Trajneri ia ka besuar Salihit ekzekutimin e 11-metërshit, ndërkohë që njeriu i atij eurogoli të fitores në Oslo për Shqipërinë nuk ka gabuar. Shangai Shenxin ka shënuar shpejt edhe golin e dytë, në minutën e 64-të, duke i vënë nën një presion të madh vendësit, që e shihnin veten në humbje deri në minutën e fundit të kohës së rregullt. Kur mendohej se ndeshja po shkonte drejt fundit me këtë rezultat, është dashur Hamdi Salihi që të kompletojë dopietën e tij personale dhe të barazojë përfundimisht shifrat. Vjen në këtë mënyrë goli i tretë i Hamdi Salihit në po kaq ndeshje të luajtura me Jiangsu Sainty në Azi. Kujtojmë se shkodrani ka shënuar edhe në ndeshjen e “Champions League” të lindjes së largët dhe në Superkupën e Kinës. Shkodrani ka një bilanc shumë pozitiv konkludueshmërie në Kinë: 5 ndeshje të luajtura, 5 golash të shënuar.

 

Basha fiton formacionin, Cana konfirmohet

Një gol dhe dy ndeshje në lartësinë e duhur me fanellën e kombëtares shqiptare dhe menjëherë nga një lojtar i harruar në stol prej më shumë se dy muajsh, Migjen Basha do të rikthehet të “interpretojë” rolin e titullarit. Mesfushori kosovar bëri paraqitje të shkëlqyeshme në përballjen me Norvegjinë (1:0) dhe Lituaninë (4:1), prandaj trajneri i Torinos, Xhampiero Ventura, po mendon t’ia japë rastin nga minuta e parë në ndeshjen e kësaj jave me Napolin, e cila zhvillohet sot në mbrëmje. Mesfushori pati një pjesë të parë pozitive me Torinon, duke luajtur rregullisht, por në fillim të këtij viti nuk u preferua më nga trajneri Ventura. Sakaq, mediat italiane shkruajnë se në këtë ndeshje do të luhet edhe e ardhmja e Bashës. Nga ana tjetër edhe Lorik Cana do luajë nga minuta e parë si qendërmbrojtës në takimin e kësaj jave të Lacios ndaj Katanias. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, trajneri Vladimir Petkoviç është i detyruar në zgjedhje, duke qenë se nuk ka në dispozicion as Sianin dhe Biavan, që të dy të dëmtuar. Në këtë këndvështrim duket se Cana do jetë një zgjedhje e detyruar. Madje, trajneri i Lacios do spostojë edhe rumunin Radu nga krahu i djathtë në qendër, si dhe në të majtë do tërheqë boshnjakun Luliç.

 

Berisha “josh” Romën

E vënë në kërkim të një portieri prej kohësh, Roma duket se ka gjetur numrin një. Pritjet spektakolare që Etrit Berisha bëri në përballjen e Shqipërisë kundër Norvegjisë, të cilat na siguruan edhe një fitore historike, kanë bërë që në drejtim të lojtarit të interesohen disa klube. Portieri po kërkohet nga skuadra italiane e Romës, si dhe ajo angleze, Fulhamit. Mediat italiane shkruanin se kryeqytetasit kanë shprehur interesimin për Berishën dhe duan që ta kenë në skuadër në verën e këtij viti. Portieri 24-vjeçar mbron aktualisht portën e ekipit suedez Kalmar, drejtuesit e të cilit u shqetësuan disi pas ndeshjes Shqipëri-Lituani për dëmtimin e lojtarit të tyre, por dje ka ardhur edhe përgjigja zyrtare. Pasi janë bërë të gjitha analizat dhe rrezet “X”, rezultoi se Berisha nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar dhe se mund të vihej menjëherë në dispozicion të trajnerit të tij.

 

 

Portieri

Murinjo është në dilemë

Zhoze Murinjo shumë shpejt do të përballet me një problem shqetësues, atë të zgjedhjes së portierit titullar. Pas kthimit të Iker Kasijasit nga dëmtimi, ky i fundit normalisht që pret të kthehet si titullar të madrilenët, por ndoshta kjo nuk është ideja që mbështet me shumë trajneri portugez.

Duke lënë pas zënkat mes të dyve, Murinjo i ka besuar verbërisht Diego Lopez që nga momenti kur ai u ble në janar dhe portieri ia ka shpërblyer me paraqitje të jashtëzakonshme, duke u bërë protagonist absolut në të gjitha fitoret e mëdha të muajve të fundit me pritjet e tij. Për këtë arsye Kasijas nuk e ka më vendin të siguruar te Reali, duke parë se tashmë edhe tifozeria është disi e lëkundur. Sipas një sondazhi të zhvilluar dje nga gazeta sportive spanjolle “Marca”, tifozët janë të ndarë mbi emrin e atij që duhet të jetë titullar në ndeshjen e fundjavës kundër Real Saragozës, pasi 50.6% (9682 votues) mendojnë se Kasijas duhet të jetë titullar, ndërsa 49.4% (9468 votues) kanë zgjedhur Diego Lopez. Një ekuilibër i tillë duket se dëmton Kasijas, pasi shihet qartë që kapiteni nuk vlerësohet më i paprekshëm dhe ndonjë “mrekulli” e radhës e Lopez në takimet e ardhshme mund ta kthejë në zëvendësues te Real Madrid edhe pse ai është kapiteni i Spanjës.

 

Rekordi

Mesi mund të bëjë historinë

Lionel Mesi do të tentojë këtë fundjavë të thyejë një rekord tjetër në karrierën e tij brilante, atë të shënimit për 19 ndeshje radhazi në kampionatin spanjoll, që përbëjnë një fazë të plotë të La Liga-s.

Selta Vigo, me të cilën Barcelona ndeshet sot, është skuadra e fundit në kampionat të cilës Mesi nuk i ka shënuar gol ndaj në këtë ndeshje plotësohet cikli i plotë i argjentinasit. Që nga ajo ndeshje e 3 nëntorit, Mesi i ka shënuar çdo kundërshtari tjetër që ka pasur para në kampionat në çdo javë, me një total prej 29 golash, një shifër e jashtëzakonshme për “Pleshtin” që vazhdon të thyejë rekord pas rekordi. Totali i tij në kampionatin spanjoll në këtë sezon është 42, ndërsa synon që në 10 ndeshjet e mbetura të realizojë të paktën edhe 9 gola, për të kaluar rekordin prej 50 golash në një kampionat të vendosur nga vetë ai një vit më parë.

 

Surpriza

Abidali grumbullohet nga Barça

Mbrojtësi Erik Abidal është grumbulluar për takimin ndaj Selta Vigos. Lojtari i cili si pasojë e problemeve shëndetësore u shkëput që nga 26 shkurti i 2012, është gati për të luajtur. Stërvitjen e djeshme e drejtoi trajneri Vilanova që ka qenë i kënaqur me paraqitjen e francezit. Mungesat katalanase për këtë takim janë Pujol, Ksavi, Adriano, Pedro dhe Hordi Alba, të dëmtuar, e Valdes i skualifikuar.

 

Ançeloti: Barça? Kam gati strategjinë

Karlo Ançeloti po përgatit PSG-në për takimin e parë të çerekfinaleve të Ligës së kampioneve ndaj Barcelonës. “Unë e kuptoj që e gjithë bota po e pret me padurim këtë ndeshje. Kurse ne i konsiderojmë të gjitha ndeshjet e rëndësishme. I kam kërkuar lojtarëve të mos e mbajnë mendjen tek takimi i së martës. Kjo do t’i bëjë ata më të qetë”, – tha trajneri italian. Më pas Ançeloti tregoi se ai e di mirë se si duhet të luajë ndaj katalanasve. “E gjithë bota e njeh Barcelonën dhe për këtë unë mendoj se nuk ka për të qenë e komp0likuar që të bëj një strategji për ti ndaluar ata. Kam besim tek lojtarët e mi dhe tek forca e tyre”. Në fund ai foli për gjendjen e Bekamit dhe kritikat për largimin tij drejt Kinës. “Nëse ai iku aty, ka pasur edhe miratimin e klubit. Për mua s’ka asnjë problem, as edhe për lojtarët. I ka shfrytëzuar siç do ditët e tij të pushimit. Ai është në një formë shumë të mirë. Unë do të doja që ai ta zgjaste kontratën, por kjo varet nga klubi dhe ai”, – përfundoi italiani.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency