Shkrimi i Artan Lames LGBT, letër Ramës: Distancohu nga diskriminimi, “Rilindja” të mos ngrihet mes paragjykimeve

0
115

Gëzim Saliu

LGBTMe anë të një letre të hapur, komuniteti Pink ka kërkuar nga kryesocialisti Edi Rama që të distancohet nga qëndrimet, sipas tyre, homofobike të Artan Lames

 

Komuniteti Pink në Shqipëri kërkon nga kreu socialist Edi Rama që të distancohet nga qëndrimet, sipas tyre, homofobike dhe diskriminuese të anëtarit të grupit të punës për programin në PS, Artan Lame. Duke marrë shkas nga një shkrim që ky i fundit ka publikuar në një të përditshme pak ditë më parë, ky komunitet nëpërmjet një letre të hapur ka kërkuar sqarime nga kryesocialisti, pasi sipas Ambasadës Pink, në këtë shkrim, Lame ka shprehur hapur qëndrime homofobike përkundrejt të drejtave të personave LGBT në Shqipëri. “Pavarësisht bindjeve apo perceptimeve personale të z. Lame, përmes kësaj letre ne duam t’ju kërkojmë si kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, të distancoheni publikisht prej qëndrimeve të tij, duke ditur se ai është një nga anëtarët e strukturave drejtuese të PS-së. Qëndrime të tilla të shprehura nga një figurë publike së pari keqinformojnë publikun e gjerë, së dyti nxisin urrejtjen ndaj qytetarëve, dhe së treti lehtësisht mund të perceptohen si qëndrim zyrtar i forcës politike ku ai aderon, në këtë rast Partia Socialiste e Shqipërisë”, – thuhej në letër.

 

Letra

Në fillim të letrës drejtuar kryetarit të opozitës Rama, Ambasada Pink bën të ditur: “LGBT PRO Shqipëri është një organizatë që punon për promovimin e respektimit të të drejtave të komunitetit LGBT (lesbike, gej, biseksual dhe transgjinor) në Shqipëri, për të përmirësuar situatën e këtij komuniteti dhe forcuar zbatimin e ligjit dhe forcuar zbatimin e ligjit që mbron dhe garanton të drejtat e njeriut, duke advokuar e lobuar pranë institucioneve shtetërore dhe private që kanë rol në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut të personave LGBT”. Sipas LGBT-së në shkrimin e publikuar në datës 23.3.2013, me titull “Dështimet e shtetit” në gazetën “Shqip”, Artan Lame i konsideron personat LGBT si devijantë të lindur, perversë dhe i personifikon ata me pedofilët, gjë kjo që tregon, sipas ambasadës, injorancën e tij të theksuar lidhur me këtë çështje. “Ndër të tjera ai shprehet me terma fyes dhe paragjykues për këtë komunitet (duke përdorur fjalën pederasti), terma të përdorur nga diktatura komuniste, të një kohe kur askush nuk mund të ëndërronte për respektim të drejtave dhe lirive të njeriut. I gjithë artikulli, ndonëse duket se është nisur nga qëllime pozitive për të debatuar mbi një fenomen kaq negativ dhe me pasoja të rënda, siç është pedofilia, për shkak të konfuzionit të dijeve, homofobisë së vetë autorit, paditurisë dhe mungesës së kontrollit të fakteve, është kthyer në një shpifje të madhe kundër njerëzve të thjeshtë”. Në këtë kontekst, komunitetit Pink rikujtoi se Internacionalja Socialiste, nënkryetar i së cilës është edhe Rama, mbështet publikisht dhe mbron të drejtat e komunitetit LGBT. “Ne mendojmë se “Rilindja shqiptare” nuk mund të ndërtohet mbi vlerat e paragjykimeve, mungesës së tolerancës, diskriminimit apo shkeljes të të drejtave të njeriut të komunitetit LGBT. Përkundrazi, në bindjen tonë ajo mund të ndërtohet vetëm duke respektuar vlerat tona si qytetarë të denjë të këtij vendi”, – pohohej në letër. Ndërkohë, në një sqarim të dytë, ky komunitet bëri të ditur se arsyeja e letrës nuk ka të bëjë me qëndrimin individual të z. Lame, por me faktin se çfarë mendon PS lidhur me këtë çështje. “Në këtë moment ne dimë vetëm që në faqen 54 të programit të saj PS mbështet familjen dhe me familje nënkupton familjet tradicionale, por edhe familjet e krijuara mbi bazën e çdo forme partneriteti. Në javët në vijim ne do të komunikojmë me PS zyrtare për të eksploruar më në detaje programin e saj”, – përfunduan reagimin e tyre dy organizata LGBT: Aleanca LGBT dhe Pro LGBT.

 

Rama: “Rilindja” do 50 milionë dollarë për punësimin

Nga qyteti i Fierit, i cili ishte ndalesa e radhës e Partisë Socialiste ku prezantoi programin e saj, “Rilindje kombëtare”, kreu socialist Edi Rama bëri të ditur se fatura e punësimit të këtij programi shkon deri në 50 milionë dollarë. “Programi i Rilindjes do të nxisë projektin për ndihmë ekonomike, do të nxisë punësimin. Me një paketë prej 50 milion dollarë realizohet një paketë financimi për rritjen e punësimit”, – tha Rama. Në fjalën e tij në këtë konferencë, kryesocialisti u shpreh se PS ka kohë që është angazhuar për ndërtimin deri në detaj të programit të saj për zhvillimin e vendit, i cili sipas tij, ka nevojë për një model të ri. Rama premtoi heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe lehtësimin e barrës së taksave të tjera. “Kryeministri flet për ekonominë, po nuk përmend rrënimin social të Shqipërisë. Partia Socialiste ka kohë që është angazhuar për formimin e programit të detajuar për zhvillim. Vendi ynë ka nevojë për ndryshim të modelit të zhvillimit. Në vitin 2012 ne kemi dorëzuar në Kuvend nismën për heqjen e TVSH-së”, – tha Rama. Më tej kreu socialist bëri të ditur: “Kur unë drejtoja bashkinë e Tiranës ndërmorëm një hap për të thyer statuskuonë e ndihmës ekonomike pasive dhe ndërtuam një projekt për të nxitur punësimin, duke konsideruar se çdo përfitues I ndihmës ekonomike që ka aftësitë fizike për të punuar nuk mund të trajtohet me një lëmoshë e cila së fundmi është kthyer në taksë të votës. Ne bëmë vetëm një hap të parë me një projekt shumë modest dhe u bllokuam nga qeveria e Saliut. Nuk e quaj Sali Berisha për respekt të futbollistit të kombëtares”. Në këtë konferencë rajonale, folën edhe drejtues të tjerë të lartë të PS-së, përgjegjës të fushave si rendi, arsimi, shëndetësia, bujqësia etj.

 

 

Beqja: Mazhoranca rriti çmimet e mallrave të shportës

Partia Socialiste ka akuzuar mazhorancën qeverisëse për rritjen që sipas saj kanë pësuar mallrat e shportës, gjatë 8 viteve të qeverisjes. Sekretari për programin, Ilir Beqja, deklaroi se shqiptarët janë detyruar të paguajnë nga 60 deri në 100 për qind më tepër, për mallrat e konsumit të gjerë, ku përveç produkteve ushqimore, ka përfshirë edhe energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm. Ai ka kundërshtuar deklaratën e fundit të Ministrisë së Financave se çmimet e shportës janë rritur vetëm 21 për qind gjatë tetë viteve të fundit. “Ministria e Financave pretendon se një kilogram ushqim i shportës është shtrenjtuar me 21 për qind që nga viti 2005. 20 kw/orë energji elektrike, në vitin 2005 ishte 50 lekë, në 2013 është 90 lekë, prandaj faturat e energjisë elektrike janë 80 për qind më të shtrenjta, edhe uji është 2 herë më i shtrenjtë se në vitin 2005. Pra rritjet 60, 75, 80 apo 100 për qind, kjo është ajo çfarë ju qytetarë paguani çdo ditë. Çfarëdo propagandë, për rritje pagash, qoftë për rritje të fuqisë blerëse, kundërshtohet nga të vetë të dhënat e qeverisë”, – deklaroi Beqja. Më tej, sekretari për programin në PS nënvizoi se çmimi i bukës, orizit, sheqeri, miellit, vajit është rritur nga viti 2005 deri në 2013 me 60 deri në 80 për qind. “Tregtia me pakicë në vitin 2012, është më pak edhe se tregtia me pakicë në vitin 2010, edhe më pak se tregtia me pakicë në vitin 2011 dhe ky është thelbi i krizës ekonomike në Shqipëri, rënie e kërkesës konsumatore”, – tha Beqja.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency