Numërimi elektronik KQZ miraton projektin: Në Fier, rezultati brenda 24 orëve

0
135

Gëzim Saliu

kqzKomisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje me unanimitet planin për projektin e numërimit elektronik, që do të zbtaohet për herë të parë në Fier në zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas këtij plani, numërimi i votave në zgjedhjet parlamentare në një prej qarqeve më të mëdha të vendit do të përfundojë brenda 24 orëve. Po ashtu, KQZ shqyrtoi dhe miratoi me 7 vota pro edhe projektvendimin “Për lirimin dhe emërimin e disa anëtarëve të KZAZ-ve, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 23 qershor 2013”, ndërkohë që paraditen e djeshme KZAZ-të e Tiranës nisën funksionimin.

 

Mbledhja

Pavarësisht nga diskutimet, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve miratuan disa ndryshime në aktin e propozuar nga administrata zgjedhore, duke i hapur kështu rrugën zbatimit të projektit të numërimit elektronik të votave në qarkun e Fierit. Ky plan parashikon 54 faza që duhet të kalohen për të finalizuar këtë proces. KQZ ka parashikuar që në 13 prill të zhvillohet testi i parë i teknologjisë, në 8 qershor do të bëhet testimi i përgjithshëm i sistemit dhe në datat 23-24 qershor do të zhvillohet numërimi elektronik dhe transmetimi i të dhënave në kohë reale në KQZ. Nga ana tjetër në mbledhjen e djeshme të institucionit më të lartë zgjedhor u miratua me unanimitet edhe zgjedhjen e një auditi të specializuar që do të mbikëqyrë procesin e numërimit elektronik. Por në këtë pjesë nuk kanë munguar debatet mes anëtarëve të KQZ-së ku nënkryetari i këtij organi Denar Biba theksoi se defektet duhet të konfirmohen nga raporti i testimeve apriore. “Ligji thotë që defektet serioze dhe të pariparueshme duhen të konfirmohen nga raporti i testimeve apriore nga audit i specializuar. Pa e marrë këtë konfirmim nga ata nuk mund të kalojmë në vendimmarrje për votimin manual në Fier dhe atë ne do të ndodhemi para një situatë të jashtëzakonshme. Është si të dish që ke përpara një bombë në lidhje me zgjedhjet dhe të mos marrësh asnjë masë lidhur me këtë”, – u shpreh Biba. Ndërkohë sipas kryetares së KQZ-së Lefterie Lleshi funksionimi i teknologjisë është në interesin e të gjithëve. “Ne na intereson zhvillimi i zgjedhjeve dhe në rastin konkret na intereson të gjithëve që kjo teknologji të funksionojë në mënyrë të duhur. Dhe mos aludoni me fjalë të tilla që të vendosim në mënyrë të përgjegjshme, ne vendosim gjithmonë në mënyrë të përgjegjshme”, – pohoi Lleshi. Pak ditë më parë gazeta “Standard” bëri të ditur se aplikimi i teknologjisë për numërimin elektronik të votave në qarkun e Fierit rrezikohet nga numri i lartë i partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Kjo, pasi në kundërshtim të hapur me vendimin e marrë nga KQZ-ja disa ditë më parë për caktimin e jo më shumë se 42 partive politike në fletën e votimit për këtë qark, qëndron numri i partive politike që pritet të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 qershorit. Edhe pse listat zyrtare për 2013-ën për dy koalicionet e PD-së dhe PS-së nuk janë bërë ende zyrtare, vetëm numri i partive që janë rreshtuar në kampin e majtë shënon në 34 parti. Ndërkohë që PD, e cila në zgjedhjet e 2009 është përfaqësuar me 17 parti, ka bërë të ditur se në parlamentaret e 23 qershorit do të krijojë aleancën më të gjerë e solide. Sipas përfaqësuesve të kompanisë së përzgjedhur nga KQZ-ja për aplikimin e teknologjisë në Fier, INDRA, në variantin e miratuar më 8 mars, nëse kalohet numri i 42 partive në fletën e votimit, skanerët nuk mund të bëjnë leximin e vullnetit të shprehur nga qytetarët.

 

Bregu, Ramës: Voto tri ligjet deri në 23 prill, tani ke sigurinë se statusi nuk merret para zgjedhjeve

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, i ka bërë sërish thirrje dje kreut të PS-së, Edi Rama, të votojë tri ligjet e kërkuara nga Brukseli për integrimin e vendit. Duke nënvizuar se tashmë ekziston siguria se statusi nuk mund të merret para zgjedhjeve, kryesocialistit duhet t’i votojë këto ligje përpara mbledhjes së radhës së këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së që zhvillohet më 23 prill. “Sot na ndajnë vetëm 23 ditë nga mbledhja e radhës e Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së, ku do të diskutohet zgjerimi i vendeve të Ballkanit, por fatkeqësisht jo Shqipëria, sepse nuk kemi votuar ende 3 ligjet që u vunë kusht për integrimin. Sot, kur kanë ngelur me pak se 8 seanca parlamentare, i bëj thirrje Edi Ramës ta lejojë opozitën në parlament të votojë 3 ligjet, që mbajtën peng statusin për tre vjet. Edi Rama, bllokove për 3 vjet aspiratën evropiane të shqiptarëve, urdhërove opozitën të bojkotojë e të mos votojë vetëm këto 3 ligje, ndërsa ka votuar gjatë kësaj legjislature jo pak, por plot 133 ligje. Sot, kur ke marrë sigurinë se statusi i kandidatit nuk miratohet dot nga BE para zgjedhjeve, sot kur nuk mund të kesh më frikë se përveç reformave madhore, anëtarësimit në NATO e liberalizimit të vizave, kjo qeveri do të hynte në zgjedhje edhe me fitoren e statusit të vendit kandidat, të paktën sot voto tri ligjet”, – tha Bregu.

 

Topalli me studentët e Elbasanit, votim simbolik i tri ligjeve në tri sekonda

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar dje një takim në ambientet e sallës së Parlamentit me studentë të Universitetit të Elbasanit. Në përmbushje të kërkesës së tyre, studentët kanë votuar simbolikisht tri ligjet e interesimit në vetëm tri sekonda. “Sot, në sallën e seancave plenare, takova dhjetëra studentë të Universitetit të Elbasanit. Ata më kërkuan nëse mund të votojnë në mënyrë simbolike tri ligjet e integrimit. Me shumë kënaqësi hapëm votimin dhe të gjithë, në unanimitet, votuan tri ligjet në tri sekonda. Ata duan integrimin, ashtu si shumica e shqiptarëve. Renato, një student i ulur në karrigen e Kryeministrit, tha se të rinjtë do të japin votën e tyre për të shembur murin e bllokimit ashtu si në vitin ‘90, ishin të rinjtë ata që shembën murin e izolimit. Renatoja është një nga mijëra të rinjtë shqiptarë që duan Shqipërinë në Evropë. Ata janë pjesë e ndryshimit! Përpara!”, – shkruante Topalli në rrjetin social “Facebook”.

 

Nishani dekoron Kreshnik Qaton me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”

Kreu i shtetit, Bujar Nishani, i akordoi dje kampionit shqiptar të boksit për peshat super të mesme në Federatën IBC, Kreshnik Qato, Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për talentin dhe kontributin e çmuar që ka dhënë dhe jep për të mbajtur lart jehonën e sportit shqiptar kudo në botë”. Presidenti Nishani në fjalën e tij, u shpreh se vlerësimi që i bëhet njërës prej ikonave të sportit modern shqiptar është edhe një homazh për të gjithë ata që kanë kontribuar gjatë tërë jetës për sportin, kulturën dhe emrin e Shqipërisë. “Është shumë e pakët sot të flasësh, dhe të dedikosh vlerësimin për kontributin e qindra njerëzve të tillë, sepse në këtë kontribut është shtrirë gjithë jeta e tyre. Mjaft prej këtyre ikonave të sportit sot nuk janë më midis nesh, por ajo që është shumë e rëndësishme, është se emri dhe vepra e tyre kujtohet gjithmonë. Prandaj, unë do të dëshiroja që t’ju ftoja të gjithë së bashku, që nderimin që i bëjmë Kreshnikut ta konsiderojmë dhe si një kujtim dhe nderim të të gjithë atyre sportistëve, të cilët tërë jetën e tyre, pasionin dhe angazhimin e tyre individual, njerëzor, familjar, por dhe dhuntinë që patën, e ofruan për konsolidimin e kulturës së kombit dhe vendit e tyre”, theksoi kreu i shtetit. Pas leximit të dekretit presidencial, boksieri Kreshnik Qato i shprehu mirënjohjen e tij Presidentit Nishani me këto fjalë: “Është një kënaqësi që nuk besoj se do të më vijë ndonjëherë dhe gjej rastin t’ju falënderoj, që keni organizuar së pari një takim special posaçërisht vetëm për mua”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency