Mos po lodhen më shumë se duhet politikanët?

0

fugaArtan Fuga

Loading...

Fushata elektorale duket sikur ka filluar hapur. Ndoshta jo në mënyrë zyrtare dhe sipas ligjit, por faktikisht ajo ka arritur pika të nxehta në debatin politik, sidomos me daljen në skenë gjithnjë e më me forcë të pyetjes se kush do t’i fitojë zgjedhjet.

Në fakt, fillimi i fushatës elektorale duket në të gjitha shenjat e veta. Drejtuesit kryesorë të partive politike kanë nisur takimet në terren me simpatizantët e tyre. Këto takime bëhen në salla të hapura apo në takime mitingjesh, konsultash apo forma të tjera. Media ka nisur të organizojë debate në studio ku fton politikanë dhe analistë, të cilët janë përqendruar te aleancat politike të mundshme dhe te platformat elektorale. Këto të fundit kanë nisur të shpalosen hapur dhe të debatohen, si për shembull debatet për taksën e sheshtë apo atë progresive. Kanë nisur edhe sondazhet e para, të cilat japin përqindje të besueshme ose të pabesueshme rezultatesh. Në bazë, seksionet politike të partive kanë nisur të gjallërohen, të bëjnë lista dhe përllogaritje nga më të ndryshmet, duke gjallëruar personat që do të përdoren për anëtarë komisionesh apo në detyra të tjera elektorale. Kanë nisur të përgatiten konceptet e sloganeve të posterave, kurse sloganet e fushatave janë tashmë në çdo podium. Mbi të gjitha kanë filluar nga ndonjë forcë politike edhe të paraqiten kandidatë për deputetë para publikut edhe mediave.

Gjithçka duket se po ecën me ritmin e një fushate që duket se do të jetë e tensionuar mes partive dhe koalicioneve politike që po grumbullojnë rreth vetes parti të ndryshme. Është e lodhshme një fushatë elektorale, me thënë të drejtën. Kërkon që të përballosh mitingje, të flasësh, të dalësh në media, të premtosh, të zgjidhësh halle personash, të dëgjosh mijëra njerëz, të argumentosh, të përballosh stres dhe sforco fizike mjaft të madhe e kështu me radhë.

Në fund të fundit kjo është politika.

Por, një pyetje vjen gjithsesi kur sheh ndikimin e kësaj faze mbi opinionin publik dhe mbi mediat shqiptare. A mo vallë po lodhen më shumë sesa duhet politikanët shqiptarë? A mos po harxhojnë më shumë sesa duhet parà, mund, djersë, energji, për të përballuar një fushatë që ndofta nga pikëpamja e rezultateve që sjell nuk do të ndikojë aq sa pritet mbi rezultatet e zgjedhjeve?

Përse e shtroj këtë pyetje?

Kjo lidhet me faktin se, me sa konstatoj në mjedise mikroshoqërore, tema e politikës, dhe aq më tepër ajo e zgjedhjeve, nuk është e rrahur në veçanti nga njerëzit, pra në familje, në kafene, në rrugë apo mjedise të tjera publike, aq më pak ka ndonjë debat shoqëror mes miqsh për çështje politike nga ana e rrafshit partiak dhe elektoral. Tek tuk ka ndokush që pyet: E, si do të dalin zgjedhjet? – por jo më shumë.

Me këtë nuk dua të them aspak se njerëzit nuk kanë interes për politikën në një farë mënyre, apo nuk kanë interes për zgjedhjet, sepse do të isha i padrejtë. Por, është një interesim i vakët. Zhurma që bëjnë mediat audiovizive dhe shtypi i shkruar, zhurma që bëjnë analistët, apo ato rrjete sociale që përfshihen nga militantë partiakë, zhurmat që organizohen nga zyrat e marrëdhënieve publike, nuk janë në përpjesëtim të drejtë me interesimin publik për zgjedhjet.

Nëse ky konstatim është pak a shumë i drejtë, kam prirjen të mendoj se kjo gjendje vjen nga disa faktorë që duhen mbajtur parasysh.

Nuk është se kemi të bëjmë me diçka të re. Kur mendon se pak a shumë vetëm gjysma e qytetarëve me të drejtë vote marrin pjesë në zgjedhje, vetë shifrat e tregojnë se ka një pjesë të popullsisë që nuk vjen fare drejt kutive të votimit. Sigurisht që kjo nuk është diçka për të cilën mund të gëzohemi. Pjesëmarrja e qytetarit në politikë është e domosdoshme edhe kur ky nuk është i prirë të jetë militant apo partizan i një krahu apo i një krahu tjetër politik. Kjo pjesë e popullsisë ndikon që me heshtjen e vet edhe pjesa tjetër, kur është në kontakt me të, të ndryshojë bisedë sepse një temë bisede gjithmonë kërkon dy palë të interesuara.

Ka një pjesë të opinionit publik të vendit që ndoshta mund të interesohet për politikën më shumë, por nuk është shumë e ndejshme ndaj kanaleve mediatike me të cilat përcillet mesazhi politik në përgjithësi. Mediat, sidomos televizionet, i kanë lodhur dhe shpesh edhe i kanë mërzitur.

Përse të ketë ndodhur kjo vallë?

Mendoj se ka disa arsye.

E para është se shpesh lajmet dhe informacioni janë politizuar edhe kur nuk kanë të bëjnë me politikën apo me zgjedhjet. Publiku kërkon raportime nga jeta sociale dhe lokale, kurse mediat i mbingopin programacionet me politikë dhe vendosin një hierarki politike të lajmit. Kjo nuk ndodh vetëm me radiotelevizionin publik, por edhe me televizionet private të cilat haptazi duket se janë pozicionuar në njërin apo tjetrin krah të politikës. Ndërkaq, mërzi sjellin edhe debatet e analistëve të ndryshëm që në fakt janë më shumë zëdhënës të partive të ndryshme në studiot televizive dhe kjo i heq publikut mundësinë që të marrë nga mediat një mendim të pavarur për gjendjen politike të vendit si edhe për ecurinë e fushatave elektorale.

Ndërkohë, fakti i mbulimit të territorit të vendit nga sinjalet televizive, si edhe futja në lojë e internetit dhe e mediave sociale nga ana e politikanëve ka bërë që këta të fundit, në nivel qendror, të mos jenë të detyruar të gjallërojnë hapësirën politike reale me debate sepse mesazhin e çojnë në shtëpitë e zgjedhësve të tyre pa asnjë farë problemi. Në këtë mënyrë seksionet politike lokale veç punëve “hamallëqe” të fushatave elektorale, nuk kanë ndonjë detyrë me rëndësi në përballimin e debatit politik parazgjedhor sepse këtë e përballojnë liderat politikë qysh nga qendrat e selive të tyre partiake.

Është i lodhur elektorati nga mediat të cilat akoma nuk kuptojnë se njeriu mund të pranojë që dikush t’i flasë për politikë një herë në ditë, por nuk mund ta përballojë psikologjikisht që gjithë ditën e Zotit t’i ketë veshët dhe sytë të bombarduar nga sinjalet televizive të politizuara. Shumë është shumë, boll është boll. Politikani e mban një herë ligjëratën e tij në podiumin e selisë së partisë së tij, kurse media e përsërit këtë deklaratë gjithë ditën e ditës. Në këtë mënyrë politikani ikën në shtëpi dhe ndofta nuk e ndjek më politikën e ditës në media, kurse opinioni publik, që e dëshiron televizionin ta mbajë të hapur gjithë orët nga mëngjesi në darkë, ndiqet nga ajo deklaratë gjithë kohën. Media po e mërzit elektoratin me politikë, pra po e tejngop duke e mbiraportuar politikën. Elektorati ka një lloj të fikëti nga politika, sikurse i ndodh njeriut që ha shumë ballokume, trigonë apo bakllava që sado të mira të jenë përsëri duhet ngrënë me masën e duhur. Apo jo?

Vihet re se kjo fazë elektorale ka shumë sulme të drejtpërdrejta personale nga krahë të ndryshëm dhe të kundërt të politikës. Shpesh këto sulme kanë edhe karakter stigmatizues, sharës dhe mbushen edhe me ofendime. Mirëpo këto, opinioni publik edhe nëse i ndjek, përsëri i sheh më shumë si një shfaqje teatrale, sesa si një politikë e mirëfilltë. Edhe si spektakël nuk është se e sheh për herë të parë. Kjo skenë sharjesh të ndërsjella apo akuzash reciproke është përsëritur shumë herë dhe pastaj ka pasur raste kur është thënë se ajo që ka ndodhur nuk ka qenë veçse një lojë. Nisur këtej, opinioni publik sillet sikurse një njeri që e ka parë një herë një film dhe nuk ka interes ta shohë për herë të dytë. Edhe një teatër sado i bukur që të jetë, përsëri ai nuk mund të shihet disa herë me radhë, sepse prodhon mbingopje psikologjike.

Me thënë të drejtën këtë radhë skena politika nuk është se ka sjellë ndonjë gjë të re. Është pak a shumë i njëjti ligjërim politik nga krahët e ndryshëm të politikës shqiptare, si edhe të njëjtat figura. Elektorati i njeh tërësisht dhe pavarësisht si mendon për ta, pavarësisht se ka ndarje në vlerësimin e tyre, është një njohje e gjatë, e cila nuk është se pret që të habitet me ndonjë prurje të re. Është fjala për liderët politikë që kanë në skenën politike shqiptare nga dhjetë deri në njëzet vjet që votohen ose nuk votohen, pra që nuk kanë nevojë të bindin për imazhin e tyre. Imazhi i tyre elektoral njihet, profili i tyre njihet, reputacioni i tyre njihet. Pra, nuk ka vend për ndonjë debat të madh lidhur me këtë aspekt.

Por, ka edhe dy arsye të fundit që lidhen me sjelljen elektorale. Kanë lindur elektorate, të cilat kanë interesa dhe partitë e ndryshme politike me gojën e liderit kur shprehen, nuk i dëgjojnë për ide? Ato e dinë se partitë janë edhe qendra strukturimi interesash, dikush i punësuar në pushtetin qendror apo lokal, dikush i lidhur me këtë apo atë politikë, një biznes i prirë drejt një politike dhe të tjerë strukturuar ndryshe, pra nuk kanë se çfarë dëgjojnë në ato që thuhen, sepse interesat e tyre i dinë mirë. Kjo pasohet edhe me fatin se ka të tjerë që nuk duan të bisedojnë për politikë, meqë kanë drojën se në vendin e tyre të punës kjo mund të merrej për keq.

Ja pra përse duket se fushata politike që ka filluar, në publik nuk shoqërohet me ndonjë interesim të spikatur edhe aq më pak me debate mes shokësh a miqsh.

Duket se zaret janë hedhur, njerëzit e dinë se çfarë do të bëjnë ditën e votimeve, kjo i bën që të mos ua venë shumë veshin fushatave elektorale dhe aq më pak të debatojnë për politikë.

 

 

Loading...