SHBA, 1 milion dollarë për zgjedhjet, Arvizu: Gjithëpërfshirja, pika kyçe për 23 qershorin

0
130

Gëzim Saliu

arvizu“Synimi i qeverisë për t’i bërë zgjedhjet e 23 qershorit më të lirat dhe më të ndershmet në historinë e Shqipërisë është fisnik”

 

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, Alexander Arvizu, i bën thirrje klasës politike që të angazhohet në maksimum për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjatë prezantimit të mbështetjes së Ambasadës Amerikane për zgjedhjet parlamentare 2013 në Shqipëri, kryediplomati amerikan i rikujtoi dje politikës shqiptare porosinë e Sekretares amerikane të Shtetit Hillary Clinton për zgjedhje të lira, në mënyrë që të rritet besimi tek shqiptarët, por edhe në sytë e botës. “Zgjedhjet e suksesshme janë absolutisht kritike për zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe integrimin e saj më të thellë në bashkësinë euroatlantike. Të dyja këto janë në qendër të politikës amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe specifikisht Shqipërisë. Në mënyrë që zgjedhjet të jenë të suksesshme, votuesit shqiptarë duhet të kenë një interes aktiv dhe konstruktiv për procesin zgjedhor. Gjithashtu, partitë politike, qeveria e Shqipërisë dhe palë tjera institucionale – këtu përfshij specifikisht gjykatat – të gjithë duhet të angazhohen në mbështetje të rezultateve të lira, të ndershme dhe transparente”, – bëri thirrje ambasadori amerikan.

 

Thirrja e SHBA-së

Sipas ambasadorit amerikan, kompromisi dhe gjithëpërfshirja janë dy kushtet kyçe për suksesin e zgjedhjeve të 23 qershorit. “Sekretari ynë i ri i Shtetit John Kerry vuri në dukje rëndësinë e kompromisit ndërmjet partive politike në cilëndo demokraci, në komentet gjatë vizitës së tij të fundit në Egjipt. Ai theksoi se “duhet të ketë vullnet nga të gjitha palët për të bërë kompromise kuptimplota mbi çështje që kanë më shumë rëndësi për popullin”. Në muajin janar, shkrova një editorial për zgjedhjet e ardhshme të titulluar, “Një përgjigje e Thjeshtë”. Sot, jam më i bindur se kurrë që një proces i suksesshëm zgjedhor është i arritshëm prej jush. Por, në mënyrë që kjo të shndërrohet në realitet, iu kthehem gjithmonë kushteve kyçe të kompromisit dhe gjithëpërfshirjes. Gjithëpërfshirja është termi kyç dhe mendoj që njerëzit duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje”, – u shpreh Arvizu. Në këtë kontekst, kryediplomati i SHBA-së në vend theksoi se partitë politike dhe qeveria kanë një rol vendimtar në mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Sipas tij, qeveria ka detyrimin të zhvillojë zgjedhje në mënyrë transparente që janë në përputhje me kushtetutën shqiptare, Kodin Zgjedhor, dhe ligje të tjera përkatëse. “Ajo është zotuar se do t’i bëjë zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit më të lirat dhe më të ndershmet në historinë e Shqipërisë. Ky është një synim fisnik. Është një synim i arritshëm dhe e nxisim qeverinë të bëjë gjithçka që mundet për ta përmbushur këtë. Nëse zgjedhjet zhvillohen në një mënyrë që është e hapur dhe transparente – që do të thotë me kompromis dhe gjithëpërfshirje – atëherë do të jetë e mundur të rritet besimi i qytetarëve shqiptarë në integritetin e procesit, dhe për pasojë, edhe të rezultatit”, pohoi ambasadori. Ndërkohë në fjalën e saj në këtë panel, kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, u shpreh se për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk duhet vetëm angazhimi i KQZ-së, por i të gjithë aktorëve në Shqipëri. “Polemikat mbi vendimet e KQZ, cenojnë profesionalizmin e këtij institucioni. E kuptoj që tonet janë pak të ashpra, por përgjegjësia për zgjedhje të lira dhe të ndershme është e përbashkët. Trupa e KQZ-së është një vlerë e shtuar e procesit të zgjedhjeve pasi të gjithë janë profesionistë”, – tha Lleshi. Nga ana tjetër nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, i bëri thirrje SHBA-së që të punojë edhe pas procesit zgjedhor, jo vetëm para zgjedhjeve. “Fryma e bashkëpunimit nuk ka munguar mes kolegëve dhe do bëjmë z ambasador gjithçka për t’u dhënë shqiptarëve atë që ata dëshirojnë më shumë që vota të vlejë. Takime të tilla të mos ndërpriten ditën që mbarojnë zgjedhjet”, – deklaroi Biba.

 

Fushata, ambasada organizon debate mes forumeve rinore

Në prezantimin e mbështetjes së Ambasadës Amerikane për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, ambasadori Arvizu bëri të ditur se kjo ambasadë po organizon edhe debate mes forumeve rinore të partive kryesore politike. “Jam i kënaqur të njoftoj që do të punojmë ngushtësisht me përfaqësuesit e Forumeve Rinore të pesë partive politike për të zhvilluar mbajtur një seri prej tri debatesh që bazohen mbi çështje, të hartuara për t’u përqendruar në platformat politikash të qenësishme dhe jo në retorika boshe dhe sulme personale; këto të fundit janë tepër të zakonshme në shkëmbimet dhe diskutimet politike shqiptare. Shumë prej jush janë të familjarizuar me formatin – përdoret në Shtetet e Bashkuara për debatet presidenciale dhe anembanë Evropës. E fillojmë në Shkodër, javën e ardhshme; më pas jemi në Fier; dhe e mbyllim me finalen e madhe këtu në Tiranë”, – bëri të ditur ambasadori i SHBA-së Alexander Arvizu.

 

Holtkemper: Ulni tensionet, përqendrohuni tek programet politike

Ambasadorja gjermane Carola Müller-Holtkemper u bën thirrje partive politike të ulin tensionet parazgjedhore dhe të konkurrojnë me programet e tyre në të mirë të vendit. Gjate një vizite në Gjirokastër, ku u nderua nga bashkia me titullin “Qytetare Nderi”, kryediplomatja gjermane në vend theksoi rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. “Për sa u përket zgjedhjeve unë ne fakt nuk jam parashikuese e fateve por duke ju kthyer realitetit politik ai është i dominuar nga tensionet politike për sa i përket tematikës zgjedhore. Zgjedhjet janë vendimtare për sa i përket të ardhmes së një vendi. Ajo çka duhet vlerësuar janë programet e forcave politike, pa qene konfliktuale dhe pa i personalizuar këto konflikte. Shpresojmë që këto zgjedhje të jenë të ndershme, transparente dhe të fitojë ekipi më i mirë. Vetëm në bazë të shtetit ligjor Shqipëria do t’ju afrojë njerëzve të vetë perspektivën e zhvillimit të vendit”, – tha Holtkemper.

 

Nis sot konstituimi i KZAZ-ve

Konstituimi i Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nis sot me thirrjen e mbledhjes së parë të KZAZ-ve në qarkun e Tiranës dhe Durrësit, ndërsa nesër do të bëhet konstituimi i tyre në qarqet e tjera të vendit. KQZ njoftoi se i ka marrë të gjitha masat për dërgimin e bazës materiale që do të shërbejë për fillimin e punës së këtyre komisioneve, si dhe do të asistojë me përfaqësuesit e tij në konstituimin e tyre. KQZ po ashtu ka njoftuar partitë politike për ditën, orën dhe vendin ku do të zhvillohen mbledhjet e KZAZ-ve në të gjitha qarqet e vendit duke vënë në dispozicion të tyre dhe dokumentacionin përkatës. “Me këtë rast KQZ i bën thirrje partive politike, që kanë anëtarë në këto KZAZ, që në funksion të përmbushjes së këtij detyrimi ligjor të japin kontributin e tyre në konstituimin e këtyre komisioneve brenda afatit të përcaktuar në vendimin e KQZ-së. Gjithashtu KQZ kërkon nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore në territorin administrativ të të cilave do të vendosen selitë e KZAZ-ve, të krijojnë të gjitha kushtet për mbarëvajtjen e punës së këtyre komisioneve”. Në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit do të ketë 89 ZAZ, nga 66 që ishin në zgjedhjet e 2009-ës. Ky vendim u mor nga Kolegji Zgjedhor më 3 janar, i cili pranoi variantin e propozuar nga administrata e KQZ-së.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency