“Luftë” ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë

0
128

Driçim Çaka

morinaKosova vazhdon ndalimin e qumështit. Shqipëria, “bllok” miellit

 

Vazhdon ngërçi ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës. Situata duket se po tensionohet dhe më shumë pas një urdhri të dhënë nga ministri i Bujqësisë, Genc Ruli. Pak ditë më parë, doganat kosovare kthyen rreth 23 tonë qumësht, me arsyen se nuk kanë certifikatë për sasinë e aflatoksinës. Më të njëjtën monedhë janë përgjigjur dhe doganat shqiptare, të cilat nuk kanë lejuar asnjë kamion me miell të futet në vendin tonë për mungesë të certifikatës që tregon normën e aflatoksinës. Si autoritetet në Kosovë, por edhe ato në Shqipëri janë drejt një “lufte”, e cila pritet të dëmtojë bizneset private, por në radhë të parë konsumatorët, për shkak të mungesës së produkteve.

Udhëzimi i Rulit

“Ndalohet importi i produkteve të cilat janë të pashoqëruara me certifikata veterinare, fitosanitare si dhe fletë analize për aflatoksinat si dhe të lejohen për konsum vetëm pasi të pajisen me fletë analize nga ISUV me përqindje aflatoksine në zbatim të udhëzimit nr. 13, datë 29.9.2010 “Mbi vendosjen e niveleve maksimale për disa kontaminues në produkte ushqimore si dhe urdhrit të ministrit nr. 192, datë 6.6.2011 “Mbi substancat e padëshiruara në ushqimin për kafshe”, – është udhëzimi i ministrit të Bujqësisë Genc Ruli.

Qumështi i kthyer do të groposet

Sasia prej 23 tonësh qumësht, e kthyer një ditë më parë nga Kosova, për shkak të mungesës së analizës së aflatoksinës, do të groposet. Agjencia Rajonale e Mjedisit në Durrës do të monitorojë të gjithë procesin, ndërsa po punohet me bashkinë për të përcaktuar një vend për groposjen e kësaj sasie.

Vazhdon bllokimi i miellit në Kukës

74 tonë miell janë bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Kukës, në pikën e kalimit kufitar të Morinit, pasi ngarkesa nuk është e shoqëruar nga certifikata, e cila saktëson përmbajtjen e saktë të aflatoksinës. Dy kamion të mëdhenj, brenda të cilëve janë 74 tonë miell që vinin nga një fabrikë e prodhimit të miellit kosovare, tashmë janë të bllokuar në terminalin e automjeteve të tonazhit të rëndë. Po kështu ditën e djeshme është bllokuar edhe një tjetër kamion me rreth 60 tonë miell.

Panariti: Po dëmtohen interesat e konsumatorëve

Bllokimet ekonomike që i po i bëjnë Kosova dhe Shqipëria njëra-tjetrës kanë sjellë reagimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Panariti. Ministri i Jashtëm ka kërkuar që të mendohet në radhë të parë për interesat e konsumatorëve. “Të pengojmë dëmtimin e interesave të konsumatorëve dhe të bizneseve të Shqipërisë dhe Kosovës. Është e nxituar, e pajustifikuar dhe e dëmshme që pa u njoftuar autoritetet përkatëse të ndërmerren akte bllokimi, përjashtimi dhe sekuestroje për mallrat dhe shërbimet përkatëse. Le të përpiqemi që me anë të mekanizmave institucionalë, të vlerësimeve serioze shkencore të rrezikut të pretenduar nga të dyja palët si dhe me bashkëpunim të autoriteteve dhe institucioneve të fushës, të përmbajmë spekulimet dhe spekulantët nga përpjekjet për të dëmtuar interesat e konsumatorëve dhe të bizneseve midis dy vendeve tona”, – përmend Panariti në reagimin e tij.

Reagimet në Kosovë: Fajin e ka qeveria

“Institucionet kosovare për ditë e më shumë janë duke ua bërë edhe më të vështirë punën investitorëve të huaj. Vetëm kompanisë së miellit, për shkak të neglizhencës dhe pengesave, autoritetet kosovare po i shkaktojnë jashtëzakonisht shumë humbje të kohës dhe parave. Drejtuesit e kompanisë së miellit tregojnë se në ditët e fundit u kanë humbur me qindra mijëra euro me bllokimin e mallrave nga Shqipëria. Ata bëjnë të ditur se autoritetet e Shqipërisë po kërkojnë 100 mijë dokumente e analiza dhe në anën tjetër, autoritetet kosovare neglizhojnë edhe më shumë në këtë çështje”, – thuhet në mediat kosovare.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency