Kur të rritem, do të bëhem deputet

0

Agim Popoci

 

deputet100 vjet pas krijimit të shtetit shqiptar, për fat të keq, pas sistemit që është krijuar, nuk mund të dëgjojmë si pjesa tjetër e planetit që nuk quhet Shqipëri, që fëmijët në kopsht të shprehin dëshirën të jenë pjesë e botës humane, si mjek, mësues, edukatore e që në shumë raste dëgjohet edhe sfida e madhe, pilot.

E kujt i duhet gjithë ky tundim në vendin ku mund të gjuash me revole vetëm nëse ke mamin deputete, të kultivosh kanabis nëse babi është deputet ose të trafikosh qenie njerëzore e, pse jo, edhe ilaçe nëse ke djalin deputet. Pra, një jetë e kopsitur shqiptare si në rini ashtu edhe në pleqëri, megjithëse kjo mosha e tretë po bëhet gjithnjë e më e favorizuar për krimin nga gjykatat.

Rasti i fundit me të akuzuarin Bashkim Tahiri është rasti më i rëndë që mund të ndodhë në gjyqësorin shqiptar, kur niveli i gjykimit nga shoqëria nuk bëhet nëse duhej liruar apo jo një trafikant ilaçesh, por shuma e ilaçeve që janë kontrabanduar e që janë kapur “me presh në dorë”.

 

Arrestim pa emocione

Rreth orës 13:00 të së hënës, në afërsi të rrugës “Todi Shkurti” në Tiranë arrestohet Bashkim Tahiri. Kështu bën të ditur policia për operacionin e koduar “Rispedal” i cili përfundoi me prangosjen edhe të Dritan Gjizës dhe Nadire Tagës, por nuk shkaktoi kurrfarë emocionesh, edhe pse njëri nga të arrestuarit ishte babai i deputetit socialist, Saimir Tahiri.

Derisa socialistët i pllakosi heshtja, demokratët ishin në pritje të zërit të gjykatës, shoqëria shqiptare priste vetëm lirimin e radhës të një prindi të deputetit, pavarësisht se për çfarë akuzohet. Dhe e drejta do të përfundoj siç e do zakoni në Shqipëri, ndërsa pjesa e sistemit të krijuar nuk do ta tradhtojë këtë zakon të krijuar ndër vite duke filluar nga policia, avokatë ta pacipë e deri tek ata që akuzohen dhe kanë lidhje me politikën.

Fillimisht policia bëri të ditur rrethanat dhe arsyet e arrestimit, si tre të dyshuarit janë mbajtur nën përgjim për tre muaj me radhë, nga ku ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mundësuar transportimin e medikamenteve, ku siguroheshin në mënyrë të jashtëligjshme në një qendër shëndetësore në Itali dhe shiteshin në Tiranë. Deri këtu gjithçka mund të quhej korrekte, ndërsa vlerësimi nga policia i shumës së shkëmbyer të medikamenteve me vlerë 10 mijë euro do të hap shumë rrugë për t’u debatuar natyra dhe arsyet e këtij arrestimi.

Pa përfunduar mirë policia, avokati i angazhuar nga Tahiri, do të nxitoj të shprehet në media se “nuk i lejohet ta takojë klientin ndërsa kanë kaluar katër orë”. Avokati duke pasur të drejtën e Zotit dhe ligjit ta takojë klientin e tij, nuk mjaftohet me kaq, por e dramatizon çështjen duke gënjyer ose më saktë, pas pak më shumë se tri orë nga ora zyrtare që kishte dhënë policia, thotë se pret pranë policisë më shumë se katër orë që Bashkim Tahiri është arrestuar dhe atij i mohohet ta takojë.

Dhe në fund, nuk dihet se si do të trajtohej një trafikant i akuzuar për ilaçe sikur mos ta kishte djalin deputet, por tek rasti në fjalë i gjithë opinioni shqiptar e kuptoi se z. Bashkim ishte 62-vjeçar dhe ishte me tension. Ndoshta avokati i të akuzuarit dhe djali i tij do ta kundërshtojnë shumën e proklamuar nga policia, por kjo nuk ishte dhe nuk është me interes për publikun i cili në të shumtën e rasteve, duke jetuar në këtë kaos shqiptar, është konsumator i ilaçeve dhe e ka të qartë se e keqja mund t’i vijë edhe nga një tabletë e vetme.

 

“Detyrim paraqitjeje”

 

Vjen edhe dita e gjykimit. Tashmë zërin nuk e ngrit policia, por deputeti, sepse i ati i tij përfundoi në liri. Vërtet gjykata do të vendosë “Detyrim paraqitjeje”, por Saimir Tahiri e interpreton si një vendim i cili e la të lirë babain e tij, ndërsa vazhdoi me një lumë akuzash sërish ndaj familjes Berisha.

Po çfarë ndodhi vërtet me Bashkim Tahirin dhe “lirimin” e tij? Siç e do zakoni në drejtësinë shqiptare, prokurori ose gjykatësi do të angazhohen në “mbylljen” e çështjes, dhe kjo ndodhi edhe në rastin në fjalë.

Nëse trafikanti i akuzuar nuk do të ishte baba i deputetit nuk dihet se si do të kishte reaguar prokuroria, por prokurori Dritan Rreshka fillimisht kërkon lirimin nga akuzat për Bashkim Tahirin, babain e deputetit të PS-së, ndërkohë për Nadire Tagën detyrim paraqitjeje e për atë që kishte rrëfyer kontrabandën e ilaçeve, Dritan Gjizën, masën e arrestit në burg.

Pra, që janë kanë kontrabanduar ilaçet kjo është e qartë, që për rastin në fjalë mund të jenë edhe më pak se 10 mijë euro, por pse prokuroria merr parasysh moshën e Tahirit dhe Tagës këtë nuk e kupton njeri. Një 62-vjeçar që luan domino edhe mund të kuptohet, por një njeri kaq i moshuar të trafikojë ose qoftë edhe të bëjë hamallin e ilaçeve, kjo nuk mund të kuptohet. Por nëse ngjarja sofistikohet dhe 62-vjeçari është edhe baba i deputetit, normalisht se gjithçka do të ndryshojë, jo vetëm trafikimi, por edhe gjykimi i tij në gjykatat tona të lodhura. Dhe jo vetëm kaq!

Pas vendimit të marrë nga Gjykata e Tiranës si “Detyrim paraqitjeje” opinioni shqiptar dëgjoi marrëzira shumë më të sofistikuara sesa keqpërdorimi i të qenët baba i deputetit, dhe aq më shumë avokat i babait të deputetit.

“Nuk habitem se si tullumbacja e policisë me 20 mijë euro u katandis në një flluskë. Im atë u lirua sot. Jam këtu të konfirmoj se kjo që përpiqet të bëjë Sali Berisha dhe pushteti i tij mafioz…”, – thekson deputeti Saimir Tahiri duke harruar se shqiptarët nuk dëgjuan asgjëkund togfjalëshin “20 mijë euro”, as nga policia, prokuroria ose gjykata, dhe aq më shumë se dikush është liruar. Thjesht “Detyrim paraqitjeje” është masë që nuk vlen për njerëzit e lirë.

E në një episod të drejtësisë shqiptare nuk do të mungojë as avokati, aq më shumë në këtë rast, kur ai është i shqetësuar për figurën e dëmtuar të djalit të akuzuarit Bashkim Tahiri. Edhe pse gjyqtari i çështjes, Arjan Alia, e kishte shpallur të ligjshëm arrestimin e Bashkim Tahirit, kjo nuk vlente për avokatin, i cili duke iu futur detit në këmbë, jep fakte të çuditshme për paligjshmërinë e arrestimit: “Zëdhënësja e Policisë së Shtetit e bëri konferencën gjysmë ore para arrestimit. Arrestimi tha se u bë në orën 1:00, por në fakt u bë në orën 4”.

Që zëdhënësja gënjen në botën shqiptare, nuk është ndonjë çudi, por janë qytetarët shqiptarë që kanë kohë të lirë me bollëk dhe për fat e shikojnë TV-në. Dhe, nëse avokati i Bashkim Tahirit ka harruar, qytetarët e kanë dëgjuar në një lidhje telefonike kur ai ishte shprehur në një media vetëm disa minuta pas deklaratës së kësaj zëdhënëseje që “gënjeu”, se ka katër orë që pret para policisë.

Në fund fare, derisa deputeti Saimir Tahiri kërcënon, aktvendimi i këtij rasti pritet në muajin kur zhvillohen zgjedhjet, fëmijët shqiptarë, duke jetuar në këtë botë të theksuar privilegjesh si gjysh, prind ose fëmijë, do të jenë gjithnjë e më të vendosur në ëndrrën e tyre: kur të rritem do të bëhem deputet!