Vodhi paratë e klientëve VIP në bankë, arrestohet ish-drejtori

0
180

Sonja Caka

arrestimiPolicia: Denoncimi, nga vetë banka. 37-vjeçari Genci Markollari vodhi nga llogaritë e 5 klientëve mbi 100 mijë euro

 

Një ish-drejtor banke është vënë në pranga nga policia e kryeqytetit, pasi akuzohet për vjedhjen e të paktën 5 klientëve VIP në bankën Intesa San Paolo, në Tiranë. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se bëhet fjalë për një vjedhje që e kalon shifrën e 100 mijë eurove, ndërsa vjedhjet kanë ndodhur në kohën kur 37-vjeçari Genci Markollari kryente funksionin e drejtorit të kësaj banke të nivelit të dytë në degën e aeroportit të Rinasit. Përgjatë dy viteve, rezulton që ish-drejtori, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, të cilët janë nën hetim, kanë kryer tërheqje cash nga llogaritë e këtyre klientëve, ndërsa më pas kryente derdhje “virtuale” për të mbuluar vjedhjen e kryer. Kjo vjedhje është konstatuar nga vetë banka, e cila i është drejtuar policisë me një kallëzim, duke dyshuar se kryheshin nga 37-vjeçari Markollari.

Arrestimi

Pas kryerjes së hetimeve disa mujore, nga Strukturat kundër Krimit Ekonomik në Tiranë u finalizua dje operacioni policor “Bankieri”. Gjithçka u realizua duke bashkëpunuar me Njësinë e Përbashkët hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të procedimit penal të filluar në vitin 2012 ndaj 37-vjeçarit Genci Markollari, ish-drejtor pranë bankës “Intesa San Paolo Bank Albania” Sh.a., në degën e Rinasit. Sipas policisë, 37 -vjeçari ka punuar në këtë detyrë që prej tetorit të vitit 2004 deri në dhjetor të vitit 2012. Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedimi, rezulton se ish-drejtori, duke shpërdoruar detyrën ka tërhequr para cash nga llogaritë e disa klientëve të kësaj banke duke bërë derdhje “virtuale” (fiktive) në këto llogari, gjë që i ka sjellë një dëm ekonomik kësaj banke të nivelit të dytë në shumën mbi 100.000 Euro. Referuar burimeve zyrtare policore, rezulton se këtë veprimtari kriminale, Markollari dyshohet ta ketë bërë në bashkëpunim edhe me punonjës të tjerë, gjeneralitetet e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi. Nga hetimi ka rezultuar se vjedhjet janë kryer në një afat kohor mbi 2 vjet dhe në llogaritë e mbi 5 klientëve VIP të kësaj banke. Gjykata e Tiranës ka marrë në mungesë masën e “Arrestit me burg” për konsumim të veprave penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikim nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumenteve” vepra penale të parashikuara nga nenet 135 dhe 186/3 të Kodit Penal.

Denoncimi

Ka qenë vetë banka që ka konstatuar mungesën e parave në llogaritë e këtyre klientëve dhe menjëherë i është drejtuar organit të akuzës së kryeqytetit për ndihmë. Banka ka vënë në dispozicion gjithë filmimet e duhura, kur janë kryer tërheqjet dhe derdhjet “virtuale” të parave, lëvizjet e drejtorit dhe të disa punonjësve të kësaj banke, edhe këta të fundit nën hetim në ndihmë të zbardhjes së këtyre vjedhjeve. Nga hetimet disa mujore ka rezultuar se tërheqjet janë kryer nga ish-drejtori i kësaj banke Genci Markollari, i cili prej 3 muajsh ishte larguar nga detyra, ndërsa dyshohet se është ndihmuar në përfitimin e këtyre shumave. Partë tërhiqeshin nga llogaritë e klientëve VIP, me qëllim që shuma të mos binte në sy. Dyshohet për disa tërheqje në llogaritë e 5 klientëve, veprimtari që ka qenë e shtrirë në një afat 2-vjeçar.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency